TAULANT BALLA – Fqinji ynë dhe populli mik grek po hyn në vitin e tretë të një krize të thellë ekonomike, e cila në çdo moment rrezikon të degradojë deri në falimentim. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të kërkuara me ngulm nga lideri i Demokracisë së Re Antonis Samaras, “Standard&Poor’s” rikonfirmoi se rreziku i falimentimit është ende eminent dhe se masat shumë të rrepta shtrënguese për reduktimin e borxhit ende nuk kanë filluar të japin efektin e dëshiruar. Greqia mund të kishte pasur nevojë për gjithçka tjetër, madje edhe për një mrekulli, por jo për zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta kuptoj se çfarë priste konservatori Antonis Samaras nga këto zgjedhje të parakohshme, që treguan se vetë pesha elektorale e partisë së tij u përgjysmua nga 38% në shtator 2009, në 19% në maj 2012, duke pasur aktualisht në Parlamentin grek më pak deputetë sesa kishte 1 muaj më parë, me gjithë bonusin elektoral që i dha renditja të parët. Këto zgjedhje të parakohshme në Greqi jo vetëm që dënuan elektoralisht pushtet-mbajtësit e 38 viteve, PASOK dhe ND, por e zhytën Greqinë edhe në një krizë të thellë politike. Samaras kërkoi zgjedhje të parakohshme, sepse kërkoi që ai të ishte Kryeministër i Greqisë. Por votuesit grekë nuk ia dhanë këtë votëbesim. Edhe fakti që Demokracia e Re u rendit e para me 19% të votave, nuk mund të justifikojë padurueshmërinë politike të Samaras, i cili mund t’i kishte dhënë më shumë kohë qeverisë së shpëtimit kombëtar të Lukas Papadhimos. Në Itali, forcat e mëdha politike u treguan dhe po vazhdojnë të tregohen shumë të vetëdijshme për krizën dhe për mënyrën e trajtimit të saj edhe në planin politik. Demokrati (i majtë) Bersani mund të kishte kërkuar zgjedhje të parakohshme si kryetar i opozitës, kur Berluskoni kolapsoi, por përkundrazi mbështeti për një mandat të gjatë qeverinë teknokrate të Mario Montit, me bindjen se thellësia e krizës ekonomike nuk duhet të shoqërohet me pamundësi qeverisje dhe krizë politike. Në këtë logjikë padurueshmërie politike mund të kritikohet edhe Papandreu, i cili në vitin 2009 kërkoi me ngulm për katër muaj me radhë zgjedhje të parakohshme derisa erdhi në pushtet në vjeshtë të atij viti. Por kjo ngjashmëri në funksionon. Së pari, Papandreu nuk kishte informacion për thellësinë e krizës, ndërsa rrezikun e falimentimit nuk e perceptonte edhe në ëndrrën më të keqe. Së dyti, Karamanlisi ishte dorëzuar prej muajsh, duke zëvendësuar orët e punës me playstation-in. Zëvendësimi i Karamanlisit ishte një domosdoshmëri, përndryshe Greqia do të kishte “mbaruar” në gjumë. “Papandreu nuk do të kishte kërkuar kurrë zgjedhje të parakohshme po ta dinte se çfarë e priste”, shprehej një prej njerëzve të tij më të afërt vetëm disa muaj pas zgjedhjeve të vjeshtës 2009. Ai kishte të drejtë, sepse nëse nuk do të kishte pasur zgjedhje të parakohshme në vitin 2009 të kërkuara nga Papandreu, atëherë mandati i Karamanlisit do të mbaronte në tetor 2011, atëherë kur vetë Papandreu dha dorëheqjen. Duke u kthyer në kontekstin aktual politik dhe elektoral, asgjë nuk mund të justifikojë delirin e Antonis Samaras që e zhyti Greqinë tashmë edhe në një krizë të thellë politike. Zgjedhjet e 6 majit nuk ishin votim për të qeverisur, por dënim për qeverisjen 30-vjeçare: laj borxhin me borxh. Askush nuk kishte dyshim në fillim të këtij viti se nëse do të kishte zgjedhje të parakohshme asnjëra nga dy partitë historike nuk do të merrte mandate për të qeverisur, ndërsa rezultati i 6 majit nuk ua dha as të dyjave bashkë. Alexis Tsipras i Syriza-s është tashmë kandidati i mandatuar për kryeministër, një djalë i ri dhe energjik, por që duhet të heqë dorë nga premtimi për të anuluar marrëveshjet e shpëtimit dhe kushtet e vendosura nga BQE-ja dhe FMN-ja, të cilat për Greqinë janë si tubi i oksigjenit për të sëmurin. Ato nuk mund të anulohen, as të rinegociohen, përndryshe kaos dhe falimentim. Tsipras ka një qasje mjaft pozitive ndaj emigrantëve dhe shqiptarëve në veçanti. Kjo është diçka shumë e mirë, po të kemi parasysh qasjen e tri partive të ekstremit të djathtë. Megjithatë Tsipras do ta ketë shumë të vështirë, madje të pamundur, po të kemi parasysh kërcënimin e Brukselit se marrëveshjet e shpëtimit, huat dhe kushtet nuk mund të rinegociohen. “New York Times” shkruante dje se në rast se Greqia do të kërkojë këto, atëherë falimentimi mund të ndodhë në gusht, pra dalje nga Eurozona, kaos për euron, dhrahmi për grekët. Shpresoj që Greqia të formojë një qeveri, pa pasur nevojë të shkojë në përsëritjen e zgjedhjeve në qershor, megjithëse zgjedhjet e reja mund të ishin një skenar më pozitiv, po të kemi parasysh numrat në Parlamentin grek. Në këtë pikë ka dy alternativa. E para, dhe më e rrezikshmja, është se vota ndëshkuese për PASOK dhe ND mund edhe të rritet, që do të thotë se ekstremistët mund të marrin një peshë edhe më të madhe. E dyta është, më shpresëdhënëse, votuesit grekë vetëndërgjegjësohen, dhe votojnë dy partitë ish të mëdha dhe u japin atyre një mandat për të bashkëqeverisur. Por kjo kërkon që Samaras të heqë dorë nga deliri, të propozojë një koalicion ND-PASOK për katër vitet e ardhshme. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Venizellos. Varianti pozitivist, i dyti, kërkon edhe një moral tjetër politik. Udhëheqja e vjetër politike e të dy partive duhet të dalë në pension, në mënyrë që votuesit grekë të rikthejnë besimin. Një variant i tretë është krijimi i një partie të re, që flitet se mund të drejtohet nga Kryeministri në detyrë Lukas Papadhimos. Kjo parti nuk ka mëkate të vjetra dhe mund të tërheqë votuesit e ndërgjegjësuar se kriza mund të kalojë vetëm përmes reformave të imponuara nga Brukseli. Një gjë është e qartë, skenarët politikë në Greqi kanë hyrë në një labirint të rrezikshëm. Deklaratat e ekstremit të djathtë janë destabilizuese për Greqinë, madje edhe për rajonin. Gjetja e një zgjidhjeje është e domosdoshme. Samaras i ka një borxh të madh vendit të tij: koston e pajustifikueshme të zgjedhjeve të parakohshme që prodhuan edhe një krizë të thellë politike. Greqia mund të kishte vazhduar më e qetë politikisht të paktën zbatimin e reformave me qeverinë e Papadhimos. Nuk mjaftonte vetëm kriza e thellë ekonomike, tashmë edhe pa qeveri.