DAUT GUMENI
“Demagogjia pjell anarkinë dhe anarkia shpie në despotizëm” – Maurice JOLY
Është dita e shtatë që një grup të burgosurish politikë të diktaturës janë futur në grevë urie. Dhe kërkojnë vetëm të drejtën e tyre. Një të drejtë të njohur me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë. Pra, greva e atyre qytetarëve të mirë të këtij vendi, është një grevë për drejtësi.
I shikon njeriu ata të burgosur të drobitur e të rrazbitur të diktaturës së djeshme dhe pyet vetiu: Pse nuk ua njeh të drejtën e tyre të miratuar me ligj ky lloj pushteti? Pse trembet ky farë pushteti nga një grup qytetarësh, që kërkojnë vetëm të drejtën që u ka dhënë Kuvendi i Shqipërisë me ligjin përkatës disa vjet më parë? Pse nuk e zbaton ligjin që ka miratuar dhe vetë ky palo pushtet, i trashëguar nga diktatura e djeshme? A ka rënë vërtet diktatura e djeshme, apo vetëm sa ka ndërruar rekuizitën e saj, për t’u paraqitur në publik me një veshje të re sipas kohës së sotme?
Pushtetarët tanë demokratikas nuk guxojnë t’u përgjigjen pyetjeve të tilla. Madje nuk guxojnë as t’u dalin përpara të burgosurve të diktaturës së djeshme e t’u thonë se cilat janë arsyet që i paskan penguar të zbatojnë ligjin dhe t’u japin të drejtën këtyre qytetarëve të mirë aq të duruar. Nuk guxojnë as t’u sigurojnë ndihmën mjekësore që parashikon ligji për këto raste. Nuk gjejnë dot fytyrë e kurajë as t’u shkojnë e të bisedojnë me këta të burgosur politikë të diktaturës së djeshme. Arrijnë vetëm t’u ndalojnë të burgosurve politikë të diktaturës të zhvillojnë grevën në mjediset e të ashtuquajturit Institut të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të diktaturës së djeshme. Dhe nuk besoj se e kanë ngaqë ajo godinë mbahet mend edhe si Biblioteka e Miqësisë me Bashkimin Sovjetik, apo si Selia e Veteranëve të Luftës…
Nuk guxojnë pushtetarët aktualë të Tiranës të thonë shqip pse nuk i lejojnë ta zhvillojnë grevën në atë ndërtesë të burgosurit politikë të diktaturës, sepse tremben mos kujtohen jo vetëm ata të burgosur, por mbarë shqiptarët, që lufta e klasave nuk ka mbaruar. Tremben pushtetarët se mos kujtohen shqiptarët që diktatura e djeshme nuk ka perënduar me të gjitha, sepse ka lënë pas trashëgimtarët që po ecin me besnikëri në gjurmët e saj dhe po bëhen katërsh për të vendosur një diktaturë të re, këtë herë doemos të veshur me rekuizitë demokratikase…
Dhe në këtë përpjekje aq të ethshme të pushtetit të trashëguar nga diktatura për të vendosur një diktaturë të re, arma më e pëlqyer e pushtetit aktual të Tiranës është demagogjia e tyre e shfrenuar. Një demagogji që ka 22 vjet që u bie daulleve për demokraci, por vallja që hedhin pushtetarët e që kërkojnë t’ua mësojnë me zor dhe shqiptarëve, është po ajo e festivaleve të “vendit të parë në botë”, të “Fanarit të Kuq në Europë”, të “Socializmit fitimtar” e të “Shqipërisë së re që shkon nga fitorja në fitore” duke u bërë “Shpresa e popujve të shtypur të Afrikës, Azisë e të Amerikës Latine”…
Nuk e keni dëgjuar brigadierin bubullues të këtij palo pushteti, kur na “siguron” jo vetëm neve shqiptarëve, por edhe njëqind e ca parti të Qendrës së Djathtë nga mbarë bota demokratike, se “vendi im e ka përballuar me sukses krizën ekonomike botërore”, se “qeveria ime e ka kthyer Shqipërinë e varfër të varfëruar më keq nga regjimi më kleptokrat e më mafioz i planetit, në një vend me të ardhura të larta e të mesme” dhe se nisur nga këto suksese, që kanë lënë prapa dhe Kinën komuniste dhe vetë Gjermaninë, “Partia ime do të fitojë edhe mandatin e tretë për ta kthyer përfundimisht Shqipërinë në një vend të zhvilluar”!…
Po harron brigadieri bubullues i këtij palo pushteti të trashëguar se nuk mund të quhet “vend i zhvilluar” një vend ku bën kërdinë gjakmarrja mesjetare edhe në shekullin XXI. Harron përsëri zotëria në fjalë se nuk mund të quhet “vend i zhvilluar” një vend ku mijëra fëmijë nuk ndjekin dot shkollën se janë të ngujuar nga gjakmarrja primitive e shekujve të harruar. Harron përsëri zotëria në fjalë se nuk mund të quhet “vend i zhvilluar” një vend, ku përherë e më shumë mijëra qytetarë të tij marrin dhe bukën e përditshme me listën e papaguar. Harron mbi të gjitha, se nuk mund të quhet “vend i zhvilluar” një vend ku prona dhe e drejta e shenjtë e pronësisë janë bërë lëmsh me synime politike të caktuara. I harron të gjitha këto e shumë të tjera si këto zotëria në fjalë, sepse është tejet i përqendruar në shtimin e ditëve të pushtetit të tij personal dhe në rritjen shumëfish të pasurisë personale e të pasurisë së oborrtarëve të vet të kërrusur jo vetëm për të fshehur plaçkën e vjedhur në emër të pushtetit, por edhe nga pesha e rëndë e zullumeve të kryera në emër të pasurimit nëpërmjet abuzimit me pushtetin e trashëguar. Harron më në fund se “vend i zhvilluar” nuk është e njëjta gjë me krijimin e një oligarkie nëpërmjet abuzimit me pushtetin e kalbëzuar nga zullumet e veta…
Nuk ke ç’thua më tepër, kur ky lloj udhëheqësi i gjithëpushtetshëm flet dhe në mbledhjen e 101 e partive të Qendrës së Djathtë nga mbarë bota demokratike sikur flet me zymbylagat e tij në grupin e vet demek parlamentar, apo sikur flet i përçartur nga dashuria që tregon populli për udhëheqësin e tij të gjithëditshëm, kur u mëson fshatarëve sesi t’i kthejnë dhe rrepet e lumenjve në arrorë e në lajthi, në shegë e në pjeshka, që ai i do aq shumë sa dhe jelekun e vet antiplumb. Nuk ke ç’thua më tepër se ato që thotë vetë për pushtetin e tij dhe për lumturinë që ka sjellë partia e tij çudibërëse, e cilësuar prej vetë kryetarit të saj të përjetshëm si njëra nga dy partitë që kanë bërë epokë tok me Partinë Komuniste të Kinës Popullore…
Vetëm ca të burgosur politikë të diktaturës nuk duan t’i besojnë më këto mrekullira të tranzicionit shqiptar pa anë e pa fund. Them nuk duan t’i besojnë më, sepse nuk kanë qenë aq të paktë dhe ata të burgosur e të përndjekur politikë të diktaturës që, të mallëngjyer nga parullat për demokraci, kanë besuar dhe kanë ndjekur verbërisht për vite të tëra një demagogji kaq të shpëlarë e të ekzekutuar gjithnjë në do maxhor nga brigadieri bubullues i pushtetit të trashëguar. Kanë besuar aq shumë e aq verbërisht në këtë palo demagogji vulgare edhe shumë pjesëtarë të kësaj shtrese fisnike, sikundër kanë besuar dhe shtresa fisnike e pronarëve atë kasetën e një partiçke, që përgjërohej për pronën e vet personale dhe ata lumëmëdhenj kujtonin se përgjërohej për kthimin e pronave të tyre…
Kanë kaluar 22 vjet dhe ka përsëri të hutuar nga një demagogji e tillë bajate, sa të vjen keq për besimin e tyre të verbër. Një ecje aq e verbër pas flamurit të bukur të demokracisë, një ecje me sy të përlotur, me sy të përlotur që nuk arrijnë ta dallojnë as sa kecat e përrallës këmbën e lyer me miell të ujkut gjakësor…
Mbase është dhe ky zgjim i vonuar i të burgosurve politikë të diktaturës, që i tremb aq keq pushtetarët aktualë të Tiranës, sa nuk guxojnë as të shkojnë t’i pyesin pse kanë hyrë në grevë urie dhe t’u japin të paktën ndihmën e nevojshme mjekësore, që u garanton ligji.
Se për t’u dhënë atë të shkretë dëmshpërblim, as që i shkon mendja këtij pushteti të ngritur mbi demagogjinë e pafre dhe mbi vjedhjen e votave. Ky qëndrim klasor i pushtetit aktual të Tiranës, flet vetë më shumë e më mirë se çdo gjë tjetër. Flet e thotë sheshit se komunistët tanë antikomunistë, i shikojnë të burgosurit e të përndjekurit politikë të diktaturës si një rrezik për pushtetin e tyre të trashëguar. Sikundër i shohin në të njëjtën dritë edhe pronarët e ligjshëm. Sepse nuk mund t’i shohin ndryshe edhe po të duan. Sepse nuk janë demokratë, por vetëm ca misionarë besnikë të diktaturës, që përpiqen aq shumë të mbulohen sa të mundin e si të mundin me parulla demokratike. Se nuk janë demokratë, por janë vetëm demokratikas të punësuar në politikën shqiptare të tranzicionit për të grabitur me ligj e me Maliq pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura dhe pasurinë kombëtare të shqiptarëve. Sepse janë vetëm ca misionarë çitakë e mullakë të diktaturës, që përpiqen si ujku në kiamet për të fshehur sa më gjatë krimet e diktaturës gjysmëshekullore dhe për të krijuar shtresën e pasanikëve të rinj nga radhët e fanatikëve të Partisë së Punës, pavarësisht repartit ku i ka caktuar pluralizmi i shtirë i porositur në zyrat e veshura me dyshekë…
Po i mbyll këto radhë duke u uruar shëndet e fitoren e të drejtës së tyre të ligjshme të burgosurve politikë të diktaturës së djeshme dhe të shpërfillurve nga qëndrimi klasor i demonkraturës së sotme. Fitore, që mbase mund të vijë me votë të lirë e pa rrezikuar më jetën në greva urie edhe ata që kanë qenë të detyruar të qëndrojnë një jetë të tërë në grevë urie…