XHEVDET POZHARI


Në Kosovë sot përplasen rryma të ndryshme idesh, botëkuptimesh, konceptesh, vizionesh, perceptimesh, ndërsa ky hendek i ndasive vetëm sa vjen e zgjerohet. Duke filluar që nga partitë politike në vend e deri te ndasitë rajonale të brendshme, është e pamundur që të mos hasësh në kundërshti të shumta, të cilat i pasqyrojnë kontradiktat midis të cilave jeton Kosova.


Është më se e kuptueshme që dallimi dhe divergjencat janë pjesë përbërëse të demokracisë, me ç’rast secili ka mundësinë të shprehë mendimin e vet pa e cenuar mendimin e tjetrit, duke krijuar kështu hapësirë që masa të jetë përcaktuese e ideve që do të jenë më dominuese. Mirëpo, sot në shtetin më të ri europian, për shkak të paqartësive të shumta që kanë të bëjnë me të ardhmen, u krijua hapësirë jo për shumësi mendimesh e konceptesh, por për sforcim të skajshmërive, të ideve të cilat me çdo kusht përpiqen t’i heshtin dhe t’i shtypin të gjitha të tjerat. Kështu që sot nuk ka ballafaqim idesh dhe konceptesh, por luftë “për jetë a vdekje” kundër individëve e grupeve që janë kritikë ndaj dukurive, të cilat nuk bashkojnë, por ndajnë, që nuk çojnë përpara, por na zhysin në baltën e hasmërive të ndërsjella. Andaj, edhe Kosova e sotme është hapësirë ku të krijohet përshtypja se janë në luftë dashamirësit dhe “armiqtë” e saj, por kësaj radhe të së njëjtës kombësi. Si dhe krijohet mendimi se ata që e kanë këtë qëllim nuk nxiten nga të punojnë nga dashuria ndaj shtetit, por nga inati që kanë për t’i mundur “armiqtë”.


Sot, Kosova është shndërruar në një arenë ku të gjithë, qeveritarë e përfaqësues të sektorit civil thirret në vlerat e quajtura liri e demokraci, si dhe në të drejtat fondamentale të njeriut, e nga të cilat thirrje, mbase më së miri ngjizet kjo hipokrizi kolektive kur të gjithë angazhohen për diçka që nga dita në ditë e ke gjithnjë e më të paktë. E ndërkohë, paralelisht me thirrjet verbale për më shumë demokraci dhe tolerancë, shtohet edhe numri i të pakënaqurve, i individëve që të ngirë nga demokracia e rrejshme dhe liria që vlen vetëm për ata me xhepat përplot, mbështetjen e gjejnë në duart e padukshme të religjioneve, bëhen ithtarë të misionarëve që mbështillen nën petkun e klerikëve, të cilët vuajtjet e kësaj bote mundohen t’i paraqesin si biletë hyrëse në të mirat e botës tjetër.


Me ose pa vetëdije, Kosova po rrëshqet drejt ujërave të turbullta. Në këtë shtet ku ngushtohet hapësira për betejë mes ideve dhe koncepteve, e ku gjithnjë e më të volitshme bëhen kushtet për betejën mes varfërisë së skajshme dha pasurimit përrallor të ngutshëm, të rinjtë gjithnjë e më shumë shikimin e drejtojnë drejt fanatizmit religjioz që ua krijon bindjen se humbësi i sotëm do të bëhet fitimtari i nesërm. Të jetë pakënaqësia, lodhja, humbja e durimit, apo që të gjitha bashkë shkaktarë të këtij fenomeni në përhapje, ende nuk ekzistojnë analiza konkrete dhe të sakta, pasi që opinioni i këtushëm më i interesuar është të sillet sikur kjo dukuri nuk ekziston sesa të ballafaqohet me të vërtetën. Mirëpo nuk do të jetë e largët dita kur beteja për ta fituar pushtetin nuk do të zhvillohet më midis subjekteve aktuale, me demokraci të tillë të deformuar, siç ekziston sot në këtë shtet. Pushtetarët e sotshëm në ndërdije e kanë të qartë se forcat aktuale politike janë harxhuar dhe nuk pritet rrezik potencial nga ato që të humbet pushteti, ata nuk i frikësohen as masës, e cila deri më tani e ka dëshmuar se kufirin e durimit e ka deri në përmasa të paimagjinueshme, por tashmë kanë filluar ta ndiejnë rrezikun nga individët me bindje radikale jo vetëm kombëtare, fetare apo konceptuale, por nga të gjithë të pakënaqurit që revoltën e tyre e kanë të ushqyer nga ky devijim dhe paqartësi që i bëhet demokracisë, e që, mbase, do të jenë opozita më e rreptë e të gjithë sistemit të tanishëm.


Duke qenë Kosova e këtillë, për disa parajsa e për mjedis ku vështirë mund të mbijetosh, sot në sheshin e Prishtinës sheh të rinj të emancipuar dhe modernë që nuk dallojnë me asgjë nga rinia e shteteve europiane, takon të reja që për nga stili i veshjes dhe elegancës do ua kishin zili edhe protagonistet e serisë së famshme “Sex and the City”, por jo shumë metra larg nga ky shesh i modernizuar, në rrugicat e paralagjeve të Prishtinës, përballesh me një realitet krejtësisht të ndryshëm. Takon familje që nuk marrin të ardhura vjetore as aq sa kushtojnë një palë këpucë të ndonjë ministri a ministreje, por takon edhe njerëz që luftojnë dhëmb për dhëmbë me varfërinë, duke e harxhuar çdo energji në luftë për mbijetesën. Këtu nuk bëhet fjalë për dallime klasore që kurrë nuk do të zhduken e që kanë të bëjnë me dhuntitë dhe vlerat individuale, por kjo ka të bëjë me “viktimat” dhe “heronjtë” e një kohe ku janë rrënuar të gjitha standardet, ku nuk ka peshore që matin vlera, por vetëm ato që peshojnë gjindshmërinë dhe shkathtësinë të shkelësh mbi fatin kolektiv për të mirat personale.


Kosova, e pranuam ose jo, vazhdon të jetë e ndarë në dysh: mes të pasurve të skajshëm dhe varfanjakëve që nuk ia dalin as të ngihen me bukë. Kjo ndasi atë e çon edhe drejt ndasive të atyre që mendojnë se “lindja” e saj është perëndimi dhe atyre që thonë se lindja mund të jetë vetëm në lindje. Është pikërisht kjo përballje, e jo ndonjë koncept i mirëfilltë politik e ekonomik, ai që ua mundëson banorëve të këtushëm të mos ta shohin qartë perëndimin, e të mos ta kuptojnë çka atë e dallon nga lindja. Dhe siç duket kështu do të mbetet të paktën edhe për një kohë, derisa “kullerat” e sotshëm do të bëhen prindërit e nesërm, dhe tradicionalistët e tanishëm të shndërrohen në radikalët e ardhshëm. Por, duke mos harruar se kjo mesokohë mund të lindë shumëçka, duke mos harruar pra se edhe në një Francë, që konsiderohet djepi i kulturës dhe progresit, lindi një forcë aspak europiane dhe demokratike, ajo e Marie Le Pen, e cila arriti t’i befasojë dy forcat qendrore në vend.


Sot, shteti më i ri europian qëndron mbi rropatjet që Europës t’i dëshmohet si shtet, i cili i kultivon europianët e rinj dhe përpjekjes që ta mbulojë të vërtetën se në Kosovë, tradita, doket, veset dhe zakonet janë ende të rrënjosura dhe sa më shumë kalon koha, ato në vend që të zbehen, bëhen akoma më të dukshme, sidomos te një pjesë e konsiderueshme e popullatës, e cila banon në “paralagjet” e varfërisë së skajshme. Dhe sa më shumë që të zgjatë ikja nga ballafaqimi me realitetin, po aq e lodhshme do të jetë edhe agonia e banorëve të këtij shteti, i cili ka mbetur i mbërthyer në zonën e muzgut, në hapësirën që ndan ëndrrat europiane nga bindjet orientale. Agoni e cila mbase është e pashmangshme për një shtet ku ose je i pasur sa të ta kenë zili edhe perëndimorët, o je varfanjak, ndaj të cilit do të kishin ndier keqardhje edhe banorët e zonave të errëta të kryeqendrave lindore.