ALDA BARDHYLI


Alda BardhyliVetëm pak muaj më parë, teksa fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA ka nisur të bëhet me dinamike, Hillary Cliton, ish-sekretarja amerikane e Shtetit dhe një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Presidentin Obama në mandatin e ri presidencial do të deklaronte shumë thjesht se “ishte një feministe”. Ndërsa në Perëndim, lëvizjet e feminizmit duket se janë kyçur në librat e historisë dhe gratë prej vitesh kanë arritur jo vetëm të drejtën e votës, por dhe përfaqësime në nivelet më të larta drejtuese (një rast është vetë demokratja Clinton), deklarata e saj e parë si një lexim politik tregon jo vetëm vizionin e saj në lidhje me fuqizimin e gruas në rast të një presidence të mundshme, por nxjerr në pah edhe një tjetër panoramë për të gjithë ata që besojnë se lëvizjet feministe kanë mbaruar.


E angazhuar herët në këtë çështje që në fillimet e karrierës së saj si avokate, më pas si Zonja e Parë e Amerikës, senatore dhe së fundmi si sekretarja amerikane e Shtetit, ajo ka mundur të shohë qartë raportet mbi barazinë gjinore që vinin nga vende ku gruaja ende nuk e ka marrë këtë status siç është Lindja e Mesme, apo shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Në një rajon nën ethet e asaj që sot quhet “përplasja fetare” (Lindja e Mesme), dhe ku gjurmët e qytetërimit duken ende larg, ajo ka parë nga afër gjendjen e gruas në udhëtime që ka pasur, duke nisur nga Jerusalemi.


Çështja e grave në këto terrene të tendosura nën ethet fetare dhe politike apo luftërat është pothuajse e padukshme, por Clinton do të nënvizonte fort në deklaratat e saj të mëvonshme mbi rëndësinë e fuqizimit të grave në këto rajone. Asgjë nuk mund të jetë më e rrezikshme se një shoqëri që e përjashton gruan, dhe kjo është një nga çështjet që ajo e ka marrë përsipër në misionin e saj nëse do të jetë në krye të SHBA-së. Situata në këto hapësira është pothuajse e njëjtë me tablotë që na vijnë nga Anglia e vitit 1832, ku gratë ishin të përjashtuara nga e drejta e votës. Të drejtat e tyre janë vetëm brenda mureve të shtëpisë dhe shumë pak prej tyre mund të kenë fatin të punojnë. Nëse Franca, Gjermania, Britania e Madhe apo SHBA do të vinin në demokracitë që jetojnë sot, nuk duhet harruar se liberalizmi politik erdhi nga themelimi i shoqatës së parë për gruan më 1860-n. Në këtë kontekst, senatorja Clinton nuk mendon se është jashtë mode kur deklaron se është feministe, duke dhënë me gjuhën politike një mesazh mbi angazhimin që SHBA duhet të marrin mbi rritjen e ndërgjegjësimit të femrës në Lindjen e Mesme.


Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me përkrahjen që një grua i jep një gruaje tjetër, për përsosje të gjinisë, por një angazhim që synon të shëndoshë një politikë dhe një ekonomi, që do të jetë gjithnjë në krizë për sa kohë gratë janë të përjashtuara. Nëse situata në Lindjen e Mesme është emergjente për sa u përket të drejtave të gruas, pabarazia gjinore vazhdon të ndihet ende në shumë vende të rajonit tonë. Raportet që shoqatat e grave publikojnë mbi situatën e gruas në Shqipëri dhe Kosovë janë thellësisht trishtuese.


Një raport i Institutit të Statistikave një vit më parë tregonte se kjo pabarazi ndihet dhe në paga, për të njëjtën punë. Sipas studimit të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri, është 45.539 lekë; për të punësuarit meshkuj paga mesatare mujore bruto është 47.664 lekë dhe për femrat 42.852 lekë; pra me një diferencë prej 5 mijë lekësh të reja. Me gjithë përpjekjet e shoqatave të grave dhe OJQ-ve problemi gjinor vazhdon të jetë i dukshëm si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, dhe pse në pamje të parë nga larg (rasti i Shqipërisë), duket sikur drejtohet nga femrat. Kryeministri Rama ka dhënë mesazhe të qarta në lidhje me nevojën e përfaqësimit të gruas në struktura të larta, duke bërë që për herë të parë në historinë e pluralizmit në vend, një qeveri të dominohet nga femrat, ndërkohë që femrat kanë marrë poste drejtuese që deri pak më parë shiheshin si vende burrash. Kjo lëvizje, gati impresioniste nëse mund t’i referohemi historisë së artit, do ende kohë të shpërbëjë një shoqëri me prirje maskiliste.


Nëse në Europë, lëvizjet feministe duket se kanë përfunduar me kohë, ajo çfarë diskutohet sot është fakti se “të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave”. Ndërkohë imazhet e femrës në Perëndim e Europë të marra nga revistat “Vogue” apo pasarelat e modës, kinematografia, spektaklet televizive tregojnë për një rritje të dominimit të saj në shoqëri, duke fshehur me stil atë luftën e heshtur që secila prej tyre bën në jetën e përditshme. “Dhe pse seksizmi është më pak i dukshëm, ai vazhdon të jetë i përhapur në skenën politike dhe kulturore”, – do të shprehej Clinton. Me një guxim të madh politik, Clinton pranon atë çfarë fshihet nën një shkëlqim parfumesh, duke treguar se tashmë është koha të merren hapa po aq të guximshëm për të mirën e jetës së grave kudo në botë. Për të, për sa kohë që diskriminimi dhe pabarazia vijojnë të jenë të zakonshme, për sa kohë që gratë dhe vajzat janë të vlerësuara më pak, të mbingarkuara me punë, të pashkolluara dhe të nënshtruara ndaj dhunës, një botë paqësore dhe e begatë nuk do të realizohet.


Mesazhi i saj është një ftesë për veprim, që duhet të mbështetet jo vetëm nga femrat por edhe nga burrat, për ta parë të ardhmen me më shumë shpresë e për t’i dhënë më shumë vizion botës ku jetojmë. Rritja e numrit të femrave në Parlamentin e Shqipërisë duhet të ngrejë ndikimin e tyre në përmirësimin e jetës së gjinisë së tyre në jetën e përditshme. Nuk mjafton të qenët numër, në një Parlament historikisht të dominuar nga burrat, nëse angazhimet e tyre nuk përçojnë forcim të të drejtave, dhe shtrëngim të ligjeve që do ta bënin gruan të mos vazhdojë të luftojë me një burrë, por të jetë e barabartë me të. Clinton thotë se ora është tani dhe kërkon të lëvizet përtej retorikës, duke i ftuar gjinitë të punojnë së bashku për një bazë të përbashkët. Është e bukur ftesa që bën një grua, në shekullin e XXI, pikërisht nga vendi ku më shumë se gjysmë shekulli më parë Gloria Steinem projektonte në shkrime forcën që njerëzimi do të kishte nga liria e gruas. Me aftësinë për të dashur, dhe ndjeshmërinë natyrore për të krijuar gratë do ta projektojnë më së miri të ardhmen… Clinton e beson këtë dhe sfidon me deklaratën e saj një shkëlqim të rremë nën moton se “feminizmi ka mbaruar”. Nuk duhet të fshihemi më nën këtë moto, ndërkohë që e vërteta vazhdon të jetë kosto për femrat kudo në botë.