ZAMIRA ÇAVO
Në këtë 100-vjetor duket se angazhimi më i madh i qeverisë, është të lartësojë emrin e dy personazheve: Ahmet Zogut dhe Sali Berishës. Mendësia primitive e bajraktare e “njëshit”, e ka gllabëruar tërësisht periudhën e përgatitjeve të festimeve të nëntorit. Ajo që po përpiqet të bëjë qeveria është, të na mbushë mendjen se historinë tonë e kanë bërë vetëm dy ose tre individë. Këtë tha para disa ditësh Kryeministri shqiptar teksa promovohej një album i vyer i 100 vjet pavarësisë. As më shumë e as më pak, Kryeministri vlerësoi tri figura: Skënderbeun (që sigurisht nuk ka të bëjë me këtë 100 vjetor) dhe më tej dy fjalë për Ismail Qemalin, të cilin e quajti “ofiqar të Perandorisë” dhe më tej Zogun. Periudhat e tjera i konsideroi si periudha historike për të cilat duhet të na “vijë turp”. Është e kuptueshme që periudha e fundit u konsiderua si më e shkëlqyera…
Nuk ka asgjë për të mos kuptuar në këtë mes. Roli i liderit është padyshim një rol i rëndësishëm, por kurrsesi ai nuk mund të barazohet me historinë, e aq më tepër ta shpjegosh historinë me rolin e tyre.
Z. Berisha nuk besoj të mos e dijë këtë, por mendoj se ai njeh mirë mentalitetin e popullit tonë. Ky mentalitet, i një populli që thërret, jo vetëm nëpër mitingje, nëpër mbledhje, takime e konferenca e kongrese, por edhe në rrjetet sociale si “Facebook” apo “Twitter”, rroftë X, apo Y, e bën padyshim “Mbret” të pushtetshmin. Ndaj z. Berisha përpiqet ta orientojë popullin dhe “historiografinë” drejt personaliteteve të ngjashme me të! Dhe cili më shumë se Ahmet Zogu i ngjason z.Berisha?
Së pari: të dy personalitetet vijnë nga një fëmijëri e jetuar mes zonave të thella, ku mali është “miku dhe aleati” kryesor i karakterit. Këmbëngulja deri në kokëfortësi, dhe dëshira për të qenë i “parë” janë dy karakteristika që e bëjnë njeriun “Burrë” të zakonit dhe ambicioz në pushtet të pakufizuar. Nëse i shtohet këtyre dhe dëshira për të lënë një “emër”, që të “nderohet” në të ardhmen mund të arrijmë të profilizojmë individë të tillë. Formime të tilla në politikë, sjellin “njerëz të fortë” që nuk dinë ta bëjnë “fjalën dysh” dhe që për këto arsye krijojnë “besim” te turmat, që e brohorasin me kënaqësi emrin e tyre. Liderë të tillë politikë, bëhen të patolerushëm dhe të dhunshëm ndaj rivalëve politikë, dhe “demagogë” të pakrahasueshëm për opinionin publik. Besoj se të dy këto personalitete i kanë të “spikatura” këto cilësi.
Së dyti: Zogu shfrytëzoi të gjitha mundësitë që i jepte posti i Kryeministrit, për t’u vetëshpallur “Mbret”. Në këtë mënyrë, ai do të mund të siguronte vazhdimësinë e “emrit” të familjes. Por natyrisht që një individ, sado i pushtetshëm qoftë, nëse nuk ka pas aleatë të fuqishëm, është i pambrojtur dhe i dështuar përballë forcave të tjera, brenda apo jashtë “komunitetit” të tij. Zogu e dinte mirë këtë dhe për të siguruar mbështetjen nga “jashtë vendit”, e trajtoi Shqipërinë si oborr të vetin, duke shitur e duke dhuruar pjesë të këtij, që ne sot e quajmë shtet! Dhe natyrisht që e mori atë që kërkonte: u vetëshpall “mbret” dhe të tjerët e njohën si të tillë. Askush nga ndërkombëtarët nuk e pa “të arsyeshme” të shikonte realisht si ndodhi një kapërcim i tillë historik. Ata e kishin marrë atë që dëshironin! Kjo politikë, nëse e quajmë të tillë, kam përshtypjen se e ka “mahnitur” z.Berisha. Ndaj e quan Zogun si “burrin e madh të kombit” dhe periudhën e tij, të ndritur e të denjë për t;u barazuar me “100 vjet pavarësi”! A nuk ka vepruar po në këtë mënyrë z.Berisha? A nuk ka shitur dhe ai “pjesëza” Shqipërie në shkëmbim të mbështetjes politike ndaj tij? Si mund të mendoj që një Kryeministër të heshtë kur falangat naziskine greke vijnë dhe brohorasin në territorin shqiptar “Rroftë Vorio-Epiri”, në prani të qeveritarëve tanë? Nuk jam aspak kundër festimeve të minoritetit, por jam kundër qëndrimeve kaq fyese të qeverisë shqiptare ndaj vendit të vet!
Së treti: Zogu u pasurua me shpejtësi marramendëse, duke i siguruar familjes së tij gjithçka i duhej për të qenë edhe në të ardhmen “e sigurt” ekonomikisht. Siguria ekonomike, është padyshim një garanci e sigurive politike. Berisha e ka mësuar më së miri këtë “mësim” ndaj dhe nuk ka lënë gjë pa shfrytëzuar që familja e tij të jetë “mirë ekonomikisht në të ardhmen”. Shembulli më i mirë është familja e ish-mbretit.
Së katërti: Berishës i intereson dhe politikisht të “hyjnizojë” periudhën e Zogut. Ajo është një periudhë, që e krahasuar me të tanishmen e nxjerr shumë “lart” z.Berisha, ndaj nuk përbën asnjë rrezik për “historinë e tij të suksesshme”. Në historinë e liderëve shqiptarë kështu ka ndodhur gjithnjë: janë hyjnizuar periudha të largëta, për të ruajtur shkallën e krahasimit. Edhe Enveri kështu bëri: e shmangu periudhën e Zogut, për t’u krahasuar më periudhat e tjera të varfërisë në kufijtë e mbijetesës së shqiptarëve.
Së fundmi: Personalisht e vlerësoj rolin e të dy këtyre personaliteteve, por kurrsesi nuk mund të mendoj se historinë e një populli e bëjnë individë të tillë. Ata lënë padyshim gjurmët e tyre pozitive ose negative, të cilat i provon koha dhe jo fjala e një Kryeministri! Por ama sa kohë që ne do brohorasim rroftë Berisha, Rama, Meta dhe tash së fundmi Rroftë Kreshniku… nuk besoj se do shpejtojmë nga kjo “racë” liderësh që mbetëm duke i gjykuar keqas.