BLEDAR KURTI – Ditët e fundit, për shkak të takimeve të bujshme midis Ramës dhe Metës, po flitet shumë për imoralitetin në politikë. Për shkak se shqiptarët e marrin seriozisht politikën dhe kanë një opinion të idealizuar se si ajo duhet të jetë, e matin politikën dhe drejtuesit e politikës shqiptare me peshoren e vlerës, burrërisë, sinqeritetit, ndershmërisë, besës, e gjëra të tjera që kanë të bëjnë me vlera universale të njeriut dhe karakteristika të popullit tonë. Por, ajo që nuk pranohet dot nga të gjithë është e vërteta mbi atë që vetë politika dhe sistemi demokratik përfaqësojnë. Që, politika dhe demokracia është imorale.
Ndoshta kjo mund t’i duket e papranueshme ndonjë lexuesi, por kjo është një e vërtetë akademike dhe historike. Politika është arti i të qeverisurit, ndërsa demokracia, ky sistem tek i cili besojmë dhe e duam kaq shumë, nuk ka moral, as arsye, as shpirt, as mëshirë, por vetëm numra. Kleçka më e madhe e këtij sistemi qëndron te vetë fjala, demokraci: demo = popull, kratos = pushtet, pra pushteti i popullit. Gënjeshtra më e madhe ndër shekuj qëndron në faktin se nën emrin e popullit ky sistem ka prevaluar, ndërkohë që interpretimi dhe aplikimi i vërtetë i demokracisë është pushteti i shumicës, ose më thjeshtë, pushteti i numrave.
Nën këtë të vërtetë, çdo lëvizje politike, qoftë ajo e vitit 2009 midis marrëveshjes Berisha-Meta apo këto takimet e fundit Rama-Meta nuk kanë të bëjnë asgjë me moralin politik, por vetëm me politikën dhe emblemën që mbart në ballë çdo politikë që është sistemi demokratik, formulës të aplikuar ndër vite të sundimit të shumicës dhe luftës për të pasur numrat, 50+1, të një parlamenti, një grupimi, një klani, një tribu etj.
Për ata që vazhdojnë ta ëndërrojnë politikën dhe sistemin e shenjtë demokratik si moralshëm dhe hyjnor ia vlen të përmendet fakti se dy nga figurat më të moralshme të historisë së njerëzimit, Sokrati dhe Jezus Krishti, njëri piu kupën me helm, ndërsa tjetri u kryqëzua, në mënyrën më demokratike të mundshme. Për të dy u votua në mënyrën më të moralshme dhe që të dy, me shumicë votash u dënuan me vdekje. Historia e njerëzimit është e mbushur plot me shembuj të tillë, dhe ato që quhen imoralitete politike prej disave janë më se normale në ditët e sotme, sidomos në vendet më demokratike dhe të moralshme në botë. Për shembull, Presidenti amerikan bën betimin e marrjes së detyrës, në emër të Zotit, duke vendosur dorën mbi Biblën, megjithatë është po ai që para disa ditësh shpalli se do mbështesë martesat gei, duke kryer një akt imoral politik në konflikt me vlerat që promovon libri mbi të cilin Presidenti vendos dorën dhe betohet, dhe historinë e SHBA-së e cila ka themelet në Puritanizëm.
Në krahasim me shembujt e imoralitetit politik ndër mijëra vitesh civilizim, takime si Rama – Meta as që duhet ta tronditin opinionin publik shqiptar. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në politikë nuk ka engjëj, pasi vetë sistemi është i ngritur mbi sundimin e shumicës ndërkohë që të drejtën mund ta ketë pakica, dhe mbi parimin se mjeti justifikon qëllimin, pavarësisht se mjeti mund të jetë i pamoralshëm.
Por si është e mundur që politikanët e huaj janë më të moralshëm sesa këta tanët? Ata japin dorëheqje për gjëra simbolike dhe shkelje të papërfillshme! Duke qenë shumë i vërtetë, ky fakt nuk ka të bëjë aspak me imoralitetin e politikës, por me moralin e shoqërisë, që do të thotë se është shoqëria ajo e cila ia imponon moralin e saj politikës dhe kjo e fundit i bindet asaj, pasi i duhen numrat. Kështu edhe Obama, po bën diçka sipas moralit të shoqërisë, sepse ndryshe nga vitet 1600 kur puritanët e parë zbritën në Kontinentin e Ri, tashmë shoqëria mendon se është i moralshëm legjitimiteti i martesës së homoseksualëve. Ndoshta Obama nuk pajtohet aspak me këtë iniciativë, por siç e përmendëm më lartë, morali është numra, dhe Obamës i duhen shumë të tillë në zgjedhjet e ardhshme në nëntor.
Ndaj, detanta midis Ramës dhe Metës nuk ka të bëjë me moralin, por me politikën. Por, nëse flasim për klasin dhe stilin, kjo është gjë krejt tjetër, pasi i gjithë opinioni publik ka të drejtën të konstatojë se te kjo paqe midis Ramës dhe Metës, duket se njëri ka klas dhe shije në të veshur, sidomos në jakat e këmishës dhe kollaret, ndërsa tjetri po tregon klas dhe rafinim në manovrat politike.
Për shkak se politika nuk ka dhe nuk duhet të ketë moral nuk do të thotë që ne nuk duhet të kemi një të tillë. Secili prej nesh zgjedh midis vlerave dhe antivlerave, të jetë konformist apo antikonformist, të jetë realist apo idealist, megjithatë le ta shohim politikën me racionalizëm dhe të zhveshur nga pasionet tona dhe të kontribuojmë për ndërtimin e moralit në shoqëri që prej saj të përfitojë vlera, morali edhe politika.