SOKOL HAZIZAJ


Sokrati i lashtësisë për të bindur dhe ndërgjegjësuar për të drejtën të padrejtin udhëhiqte bashkëbiseduesin e tij të ndërgjegjësohej mbi paditurinë e tij, duke pranuar edhe vetë se “di një gjë që s’di asgjë”. Për Sokratin, diferenca midis njeriut të ditur dhe atij të paditur ishte fakti që i dituri njeh mangësinë e dijes së tij dhe dëshiron të mësojë atë, ndërsa i padituri kujton se e njeh mangësinë e tij dhe e konsideron  vetveten  të aftë të japë opinionin e tij për gjithçka. Në fund të fundit, ky është momenti që ndan prerazi dhe në shoqëritë moderne kategoritë sociale, interesat që përfaqësojnë, si dhe vendin që zënë individët në historinë e shoqërisë. Përpos sa citova më sipër njerëzit krijojnë statuset individuale dhe gëzojnë imunitetet e tyre nga e keqja, e mira, e dobishmja dhe e padobishmja. Statusi individual, social dhe mbrojtja që marrin individë të veçantë për shkak të hapësirës që ata zënë në pjesën më të madhe nuk varet më nga ligji imunitar, sesa nga roli që ata luajnë apo kanë luajtur në të kaluarën dhe sot. Në këtë kuptim nuk mendoj se diskutimi mbi imunitetin ligjor merr rëndësi të madhe në ditët e sotme, duke e konceptuar atë si thembrën e Akilit për integrimin tonë në Bashkimin Europian. Pa dyshim ai mund dhe është një nga 12 elementet e kërkesave që ka procesi integrues ndaj nesh, por kjo nuk do të thotë se ne jemi përpara realizmit të 11 elementeve të tjera dhe ky është thelbi i pranimit ose jo. Thënë më troç duhet të pranojmë të gjithë se në vitin 2012 në Shqipëri nuk bëhet fjalë për diskutime kaq drastike ku palët duket sikur ndahen në reformator dhe jo të tillë, kur njëra palë përdor diskutimin mbi imunitetin ligjor dhe datën 6 gusht si vijë demarkacioni midis integrimit dhe jo integrimit, ndërsa pala tjetër me të drejtë kërkon kohë për të saktësuar si, sa dhe çfarë duhet hequr në mënyrë ligjore. Kjo që duket si betejë mes palësh nuk ka dhe s’ka për të pasur asnjë vlerë sa i përket procesit integrues. Vetëm duket sikur imuniteti ligjor merr rëndësi të veçantë, ose thënë ndryshe duket sikur në kuadër të luftës kundër korrupsionit e vetmja gjë që ka penguar këtë betejë është imuniteti ligjor, kushtetues dhe procedural. Jam i bindur dhe siç kam qenë më parë se edhe nëse do të mund të realizohet në format e kërkuara nga brenda ose jashtë, asnjë gjë nuk do të ndryshojë, për faktin e thjeshtë se njerëzit apo qytetarët e këtij vendi nuk është se do të kenë standard tjetër ekonomik, shoqëria nuk është se do të jetë më pak e kriminalizuar, si dhe në mënyrë të hidhur dhe përditë nuk është se do të ketë më pak aksidente rrugore. E pranoj këtë me pesimizëm nisur nga diskutimi i sotëm mediatik ose jo mbi imunitetin ligjor apo kushtetues. Shpesh i drejtohem vetes, i nderuar zotëri, po çfarë kuptimi ka dhe merr imuniteti ligjor kur shtetasit e këtij vendi gjënë më pa vlerë kanë jetën, por çfarë kuptimi merr imuniteti në këtë vend kur njerëzit e këtij vendi mjafton që çojnë fëmijët në një shkollë, por nuk ka rëndësi se çfarë dijesh marrin atje si plaçkë tregu, po çfarë rëndësie ka imuniteti në këtë vend kur njerëzit e këtij vendi paçka se paguajë sigurime shëndetësore dhe shoqërore nuk kanë mundësi të imunizohen sado pak nga sëmundjet qoftë dhe stinore, pale pastaj për ato kronike pranë spitaleve publike, por çfarë rëndësie ka për këtë vend imuniteti parlamentar apo gjyqësor, kur njerëzit e këtij vendi për të marrë atë pak të drejtë që ka ngelur rrallëherë përdorin të gjitha format edhe arbitrare gjithashtu, por çfarë rëndësie ka imuniteti i qeveritarit, deputetit, gjyqtarit kur vendalinjtë shqiptarë nuk po kursejnë për të vrarë në rrugë edhe fëmijët, kur autorët shkojnë në drejtim të paditur.


Pa dyshim për ata që mendojnë se dinë një gjë dhe në mënyrë sistematike u kërkojnë palëve politike të reformohet sistemi ligjor të paktën sa i përket imunitetit, kjo mund të jetë e rëndësishme, por nuk do të pranoja kurrë që ky proces të konsiderohet më i rëndësishëm se elementi imunitar në mbrojtje të çdo qytetari shqiptar ngado dhe kudo ndodhet ai. Arsyeja ligjore nuk mund dhe nuk ka se si të funksionojë veçmas nga arsyeja dhe kërkesa morale, që do të thotë se edhe nëse ligjërisht realizohet heqja apo kufizimi i imunitetit ligjor, çështja ngelet te morali, dhe ky i fundit nuk mund dhe s’ka si riparohet pa realizmin e 11 kërkesave të tjera integruese, të cilat për hir të së vërtetës nuk janë transparente sa kjo për të cilën po diskutoj. Historia e imunitetit nuk ka filluar dhe nuk mund të mbaroj në këtë vend, sepse kushtetushmërisht dhe ligjërisht në Kushtetutën e vitit 1998 nuk u shpik nga ligjbërësi ynë, por u kuptua si proces integral, procedural, natyror dhe moral gjithashtu nga skema të tjera konstitucionale të vendeve fqinje dhe më tej. Ritheksoj se imuniteti parlamentar, gjyqësor dhe diplomatik pse jo, nuk janë vetëm pjesë e të drejtës tonë komunitare. Nëse kështu siç ndodh shpeshherë te ne ligjet ndryshohen në pak kohë dhe hapësirë të kufizuar transparence, për shkak të debateve të forta politike dhe formale, padyshim do të vihej në diskutim dhe imuniteti diplomatik, për të cilin do të kishim të njëjtin sensibilitet politik dhe ndërkombëtar mbi imunitetin. Në fund të fundit dhe imuniteti diplomatik është fenomen ligjor procedural, pra vjen për shkak të ushtrimit të funksionit publik, si i tillë ai s’mund të përjashtohet nga sëmundja e korrupsionit, pra të jetë imunë ndaj çdo sëmundje komprometuese. Duke qenë se imuniteti natyror mbart në vetvete fjalën e lirë, peshën me të cilën thuhet ajo, moralisht s’ka nevojë për imunitet mbrojtës dhe privilegj ligjor, por kur bëhet fjalë për një vend ku sërish theksoj se jeta e çdo njeriu është e rrezikuar çdo orë dhe minutë, imuniteti i mbrojtjes së saj meriton pak respekt. Kjo është arsyeja për të cilën ia vlen të mendohesh. Ka dhe arsye të tjera të cilat nuk mund të ngelen pa u cituar. Për shkak të reformave mbi reformat dhe për reformat e


deritanishme, modelet tona ligjore nuk e kanë pasur asnjëherë imunitetin e tyre, që do të thotë se modelet apo tipat e institucioneve tona janë ngritur dhe vazhdojnë të ngrihen mbi modele të ndryshme sa të tipit europian dhe ca të tjera të tipave eksperimentale të ndryshme, duke krijuar jo rrallë herë destabilitet institucional. Është e lehtë ta konstatosh këtë kur hedh vështrimin ligjor dhe institucional mbrapa në kohë. Te ne janë ngritur, ndryshuar, transformuar me dhjetëra dhe qindra institucione, ligje dhe akte nënligjore, të cilat shpeshherë kanë qenë dhe jo kushtetuese. Mjafton të shohësh se pas çdo mazhorance që ka ardhur në pushtet pas zgjedhjeve konstatohet lehtë se disa ministri ndryshohen, të tjera përthithen, të tjerat zhduken. Pas tyre nuk qëndron asgjë si kujtesë e veprimtarisë së tyre, pra janë bërë si aktet ligjore mbi pronësinë, të cilat çdo gjashtë muaj ndryshojnë aq shumë sa s’ka burrë t’i vejë pas për zgjidhjen e një problemi. E vetmja gjë që ka marrë imunitetin e mosndryshimit është fjala ministri, kryeministër, zëvendësministër etj., se të gjitha të tjerat kanë ndryshuar sa s’bëhet fjalë më për imunitet apo privilegjin e një institucioni për të mos ndryshuar. A do të ndryshojë sërish Kushtetuta? Përgjigjja po e kësaj pyetje për forcë të zakonit vjen e menjëhershme pohuese sado dëshpëruese, sepse kështu ka ndodhur. Por ç’duhet dhe si duhet të ndodhë? Nëse do të pranonim se vetëm kushtetutshmërish mund dhe duhet të hiqet imuniteti, dhe ky proces duhet të bëhet në datë 6 gusht se më pas ne nuk integrohemi, më kujton ditët e vështira të heronjve të punës, të cilët të ndodhur përpara kërkesës së “merhumit” për të shpallur dikë hero të punës socialiste, njerëzit viheshin në prerogativën ose të realizimit të rendimentit të caktuar si detyrë, ose të jepnin jetën, kjo e dyta ishte e sigurt që të bënte hero të punës socialiste. Edhe ndryshimi kushtetues për imunitetin më duket se ka të njëjtin prerogativë sot. Përpara ligjbërësit, nuk ka rëndësi se çfarë krahu përfaqëson ai, është vendosur prerogativa ose ndrysho Kushtetutën lidhur me imunitetin ose përndryshe nuk je europian. Sot nuk ka rëndësi fare imuniteti i vet kushtetutës nga mosndryshimi i saj. Duke ndryshuar kështu njëherazi paradigmat tona, mos vallë ndonjë ditë edhe për Kushtetutën do të themi na ishte njëherë dhe një kohë një libër themelor ligjor, si dhe për ndonjë shok apo mik që dje ishte mes nesh, sot nuk është, sepse rastësisht ku po qëndronte për qejf të tij mbi trotuar, kaloi një makinë dhe ashtu rastësisht e shtypi.


Vështrimi i ekuilibruar midis imunitetit parlamentar e më tej dhe rëndësisë që merr Kushtetuta kur duhet ndryshuar, duhet parë në kombinim të të gjitha vështrimeve, duke filluar nga ai procedural, natyror, moral dhe ligjor, arsye shumë e fortë kjo që çdo ndryshim i propozuar nga të gjitha palët të bëhet me transparencën e referendumit qytetar, sepse në fund të fundit fëmija me emër kushtetutë ashtu lindi dhe ashtu meriton të rritet, si proces natyror dhe moral.


Në kohën kur jetojmë, kur çdo gjë ecën me vrap, dhe stinët politike ndryshojnë gjithashtu shumë shpejt, palët duhet të jenë shumë të kujdesshme. Është më mirë kur pozita di një gjë mbi opozitën dhe fjalën e saj të lirë në favor të imunitetit të qytetarit, ndonëse kjo nuk është asgjë, por një gjë është e sigurt, se duhet ditur një gjë, e cila është ruajtja e mendimit opozitar në favor të imunitetit të qytetarit, çka se për ndokënd kjo nuk është asgjë.