PAJTIM BELLO


Në një seancë të gjatë të Parlamentit, qeveritarët torrën lesh sa e si deshën, ashtu siç di të bëjë vetëm kjo qeveri. Sloganet tipike si shpifjet monstruoze, kërcënimet e frikshme të adresuara, përgjërimi për ndershmërinë e munguar në detyrë, “vetëflijimi” për interesat e shqiptarëve, kalërimi delirant në luftën antikorrupsion ishin në gojën e qeveritarëve fillim e mbarim të seancës parlamentare të datës 6 gusht 2012. As më shumë e as më pak, në këtë seancë Kryeministri u provoi shqiptarëve se ai e ushtron pushtetin kur do, ndaj kujt do, si do dhe për interesa të vetat. Të gjithë pamë e dëgjuam, sesi ai akuzoi deputetët e opozitës për afera të pista, që ata i kanë bërë nën petkun dhe mburojën e imunitetit. Duke thënë akuza të tilla në Parlament, Kryeministri ka bërë një denoncim për qeverinë e vet, në cilësinë e detyrës që ai ushtron. Sjellja e qeverisë, në kuadrin e veprimtarisë së denoncuar prej Kryeministrit, është shumë e rrezikshme, me pasoja shumë të rënda për sistemin e institucioneve shtetërore. Variant i parë është që ne të besojmë akuzat e Kryeministrit, edhe pse deri sot akuzat e tij kanë qenë bërë për konsum politik. Por le të rrimë te besimi ndaj një njeriu të pabesueshëm. Gjithë kjo veprimtari antiligjore e ushtruar nga disa deputetë të opozitës është evidentuar e survejuar nga një sërë institucionesh dhe është raportuar deri te Kryeministri. Ky i fundit na paska mbyllur çështjet dhe ka detyruar të heshtin gjithë këto institucione për këtë veprimtari që ka dëmtuar rëndë interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Por përse Kryeministri ynë ka vepruar kështu? Mos vallë nga dashuria e madhe për opozitarët? Vështirë të besohet, sepse ne kemi parë që ai i ka linçuar opozitarët në mënyrën më të egër e poshtëruese po në Parlament apo nga foltorja e Kryeministrit. Mos vallë Kryeministri është përzier vetë në këtë veprimtari të paligjshme me opozitarët vëllezër? Deri sot ai nuk është akuzuar për bashkëpunim në afera me përfaqësues të opozitës dhe realisht nuk ka përse të futet në këto telashe. Mbetet të themi se mund ta ketë bërë nga vesi i keqpërdorimit të pushtetit. Pra ai grumbullon material komprometues për këdo deputet apo person me imunitet dhe krijon dosje për të ushtruar presion në kohë dhe për çështje të caktuara. Kjo është më e rrezikshmja për një Kryeministër. Duket që Kryeministri ynë është i gatshëm të shkatërrojë çdo institucion, të hedhë në erë gjithë shtetin vetëm e vetëm që ai të sundojë me dorë të hekurt kudo e mbi këdo. Pikërisht ky është rreziku më i madh që vjen nga një Kryeministër. Varianti i dytë është që këto akuza, siç ka ndodhur rëndom, të jenë shashka tymuese për konsum politik. Por vallë për këto zhonglime të pacipa është tribuna parlamentare? Çfarë përfitojnë qytetarët nga këto spektakle të turpshme? Kjo na qenka detyra dhe përgjegjësia e qeverisë dhe e Kryeministrit? Edhe në këtë variant del qartë se kemi të bëjmë me një rrezik të madh që vjen po prej cinizmit të Kryeministrit. Përmes shpifjesh, ai kërkon të poshtërojë këdo që i del përpara apo denoncon ngjarje e afera me të cilat lidhen njerëz pranë tij. Po ku është interesi i qytetarëve në këto veprime? Pa dyshim që interesi i qytetarëve është poshtëruar nën këmbët e makinës shtetërore. Mbi gjithçka është vendosur interesi dhe “pastërtia” e fytyrës së pushtetit. Qytetarët do të donin të shikonin sesi Kryeministri e lufton konkretisht korrupsionin te njerëz me dhe pa imunitet. Qytetarët do të donin të shikonin që emri apo autoriteti i Kryeministrit nuk keqpërdoret nga të tjerët për të përfituar lehtësira dhe favore. Qytetarëve nuk u interesojnë motivet përse kanë ndodhur këto çudira apo përçudnira, as nëse Kryeministrit ia kanë shkuar ujin nën rrogoz apo jo. Qytetarët nuk kanë arsye të ngopen apo të argëtohen me cinizmin e qeverisë ndaj opozitarëve. Qytetarët duan të shohin sesi realisht janë dënuar apo dënohen ata që kanë ushtruar veprimtari të paligjshme korrruptive dhe jo vetëm. Qytetarët duan të shohin sesi shkulen rrënjët e korrupsionit, që tashmë është kthyer në një superinstitucion dhe këtë nuk e presin nga opozita, por drejtpërdrejt nga qeveria dhe personalisht nga Kryeministri. Kryeministri duhet t’u provojë shqiptarëve me fakte dhe rast pas rasti sesi është luftuar korrupsioni. Deklaratat mbi gjoja reformat ligjore e procedurale e kanë mbingopur dhe e kanë bajalldisur opinionin brenda dhe jashtë vendit. Të luftohet korrupsioni nuk ka nevojë për referendum. Ka nevojë për transparencë në veprimtarinë e tërë piramidës qeverisëse dhe veprime konkrete. Qeverisë nuk i mungon asnjë instrument për të zbuluar, ndëshkuar dhe parandaluar veprimtarinë korruptive. Por këto instrumente mbahen nën sqetullën e qeverisë dhe përdoren përkundër misionit ligjor e institucional për çfarë janë krijuar dhe paguhen. Më shkoqur përdoren për të mbrojtur të korruptuarit, për të mbuluar veprimtarinë korruptive apo shkeljet e ligjeve prej ministrave e titullarëve të ndryshëm. Janë shumë fakte që e ilustrojnë keqpërdorimin e institucioneve shtetërore. Kryeministri duhet t’u tregojë shqiptarëve se çfarë imuniteti kishte komandanti i Gardës, që prokuroria nuk e ndaloi dot për masakrën e 21 janarit. Në cilin ligj të Republikës së Shqipërisë u mbështet Policia e Shtetit që nuk zbatoi urdhërndalimin e prokurorisë?! Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve ku janë bosët e kontrabandës së naftës virgin apo të naftës bruto, tashmë të “arratisur në drejtim të paditur”. Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve përse nuk urdhëroi kontrollin e brendshëm, që varet prej saj, për të hetuar në rrugë administrative aferat e mëdha në të tëra ministritë, si në ngjarjen e Gërdecit, në abuzimet për rrugën Durrës-Prishtinë, në koncesionet hidroenergjetike, në minierën e Kromit, Bulqizë etj. Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve përse dhe nga kush u shpërdoruan qindra milionë euro në investimin për Rrugën e Kombit, ku fillim e mbarim nuk u ushtrua asnjë procedurë ligjore. Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve përse konkluzionet dhe denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit hidhen në koshin e plehrave prej vetë qeverisë. Me sa duket qeveria ka shumë për të treguar e për të bërë… Kur t’i bëjë këto, shqiptarët do të dinë të vlerësojnë nëse qeveria e ka bërë mirë apo jo detyrën e saj për të luftuar korrupsionin. Që qeveria ta bëjë këtë nuk e pengon imuniteti dhe nuk ka nevojë për referendumin e deklaruar me kaq pompozitet. Mund të kryhen veprime më të thjeshta, dinjitoze, të dobishme, të besueshme nga qytetarët dhe që nuk i lodhin qytetarët. Është e nevojshme që qeveria të heqë dorë nga cinizmi, të përqafojë kulturën e të qeverisurit me ligj dhe në përputhje me ligjet, të largojë e distancojë veten nga aferat korruptive dhe të rreshtohet në frontin antikorrupsion. Pra me sa duket kemi shumë kohë dhe presim shumë punë për t’u bërë deri sa të shkohet në referendum. A duhet të shpresojmë?!