PËLLUMB KARAMETA 


Pellumb KarametaNë edicionin e saj të fundit, revista “Mësuesi” njoftonte: “DAR Tiranë shpall konkursin për vend të lirë pune, si më poshtë: N/Drejtor i shkollës së mesme të ndërtimit “Karl Gega” […]. Konkursi do të zhvillohet në datën 15.11.2012 në ambientet e DAR Tiranë” [<http://www.mash.gov.al/File/pdf/14485.pdf>, faqe 40]. Kështu, DAR Tiranë, vijon ende t’i njohë vetes të drejtën e përzgjedhjes së zv/drejtorit të shkollës. Ndërkaq, lidhur me administrimin e kësaj të drejte, ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 55/5, përcakton: “Drejtori i institucionit emëron dhe shkarkon nëndrejtorin, pas marrjes së pëlqimit të këshillit të mësuesve”. Do pranoja, për këtë veprim të kundërligjshëm, secilën prej arsyeve që mund të listonin lexuesit. Si jetësim të politikës klanore “fëjt çëkët” (fut këtë) të regjimit zogollian, si konkretizim të motos “ligji jam unë” të mbretit diell, si manovër për “zarfin nën dorë”, deri dhe padijen juridike. Sepse të gjitha reflektojnë profilin e administratës “Berisha”. Por, nuk do të shqetësohesha shumë, pasi ende ka kohë të ndreqet. Kambanë alarmi është cenimi i dispozitave ligjore gjatë hartimit të kurrikulës së arsimit bazë.


Paraprakisht, po sqaroj se kurrikula është kyçi i çdo sistemi arsimor që i shërben afro 30% të popullsisë. Prej saj marrin jetë numri i mësuesve, cilësia e formimit të tyre në universitete dhe trajnimi në punë, koha mësimore, tekstet dhe mjetet didaktike, deri infrastruktura shkollore. Vetë cilësinë dhe efikasitetin e punës së shkollave, të mësuesve dhe nxënësve. Kurrikula cilësore kushtëzon kostot, kujdesin e personelit mësimor dhe përkushtimin e administratës së çdo niveli. Po citoj këtu   nobelistin e vitit 2000, ekonomistin J. Heckman, kontribuues i analizës politike të fushatës së Presidentit Obama: “Të paktën për SHBA, arsimi parashkollor cilësor siguron një nga të vetmet mjete politike efektive që rritin mundësitë ekonomike dhe shoqërore për komunitetet e pafavorizuara, dhe, si pasojë, për shoqërinë në tërësi”. Prandaj, vendet me kapacitete institucionale dhe qendra kërkimore të fuqishme në arsim punojnë me vite, që ta përsosin kurrikulën. Kështu, për reformimin e saj, në Zelandën e Re, specialistët punuan 6 vjet për ta mbështetur kurrikulën kombëtare në arritjet e kërkimit (Projekti DeSeCo i OECD) dhe përvojat më të mira. Mijëra persona sugjeruan ide në forumin e organizuar nga Ministria e Arsimit. Nëse doni të dini si po realizohet reforma në atë vend, mund të konsultoni sajtin e saj <http://nzcurriculum.tki.org.nz/Archives/Curriculum-project-archives>. Ju mund të konsultoni edhe ecurinë e reformës në Skoci, filluar në 2003. Atje, orientimet për mësuesit dhe shkollat kanë vijuar deri në vitin 2009. Po kështu, në Kosovë, vetëm përgatitja e Kornizës (hartimi i draftit, diskutimi dhe miratimi) mori dy vite kohë. Ndërsa te ne, brenda një viti e gjysmë, grupet e punës përfunduan Kornizën kurrikulare, planin mësimor, standardet e të nxënit dhe draftet e programeve lëndore. Shtoj se, pak vite më parë, me këtë ritëm dhe ngutje, MASH hartoi, miratoi dhe lejoi të zbatohen Korniza dhe dokumentacioni kurrikular i gjimnazit, efektet e të cilit i ndjenë nxënësit dhe familjet e tyre çdo ditë.


Le të shikojmë tani, se si, duke cenuar kriteret profesionale, po shkelet Ligji i arsimit. Sipas nenit 44/1 të Ligjit: “Kurrikula zhvillohet si një e tërë për të gjitha nivelet arsimore, për sa i përket formimit të vlerave, aftësive e koncepteve kryesore, si dhe parimeve të mësimdhënies, të të nxënit dhe të vlerësimit të nxënësve”. Dispozita, kështu, kërkon të integrohet, bazuar mbi një Kornizë kurrikulare, brendia e dokumentacionit kurrikular për arsimin bazë dhe gjimnazin. Por sot, çuditërisht, kemi dy të tilla, një për gjimnazin dhe një për arsimin parauniversitar. E dyta, referuar asaj që lexon në webin <www.izha.edu.al>, është ende në nivelin e draftit. Megjithatë, edhe pse e tillë, ajo është përdorur si udhërrëfyes për përgatitjen e dokumentacionit kurrikular të arsimit bazë. Kësaj i thonë që, ose t’u kthehesh themeleve dhe katit të parë (arsimit bazë), pasi ke ndërtuar katin e dytë (kurrikulën e gjimnazit), ose të përpiqesh të ndërtosh shtëpinë pa projektin e miratuar. Madje, me një projekt që ka nevojë të përmirësohet rrënjësisht. Duke analizuar draftin e Kornizës, grupi ynë ka formuluar 17 rekomandime që përmirësojnë koherencën, njëjtësinë e orientimeve kryesore dhe fleksibilitetin e kurrikulës dhe prekin filozofinë, brendinë dhe strukturën e saj [shih: http://www.rrjetitrajnimit.com/Korniza.pdf]. Ndër të tjera, ne sugjerojmë që “korniza të konsiderojë vlerat, njohuritë e reja dhe kompetencat themelore si rezultate të nxënies, në funksion të formimit të tipareve themelore të nxënësve; struktura e kurrikulës bërthamë, veç fushave të nxënies, të konsiderojë temat ndërlëndore dhe kompetencat themelore, si bazë për planifikimin kurrikular të çdo shkalle të kurrikulës; korniza të përfshijë orientimet për hartimin e kurrikulës së shkollës etj.”.


Këmbëngulja për kompetencën themelore, si kuptim kyç i kurrikulës, buron nga neni 44/3: “Kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve”. Ligji e ka përcaktuar kompetencën, sikundër konceptohet roli i saj në arsim, në shumë vende të botës. Për të parë, p.sh., vlerësimin e KE-së për këtë aspekt kyç të edukimit, mund t’i referoheni portalit [http://ec.europa.eu/education/school-education/competences_en.htm]. Nëse në kurrikulën e gjimnazit, kompetenca nuk e pati fatin të luante rolin që i jep tani ligji, hartuesit e Kornizës se re, anashkalojnë dispozitat e Ligjit dhe sillen rrotull, duke konsideruar gjithfarë “gjetjesh”. Veçoj këtu, për ilustrim, dy kuptimet që hartuesit e kurrikulës i vlerësojnë si risi kryesore: a) ndryshimin esencial në raportin “njohuri – përpunim njohurish” në programet lëndore; b) “integrimin e aftësive ndërkurrikulare, përfshirë TIK-un, në të gjitha lëndët që mbështetin të nxënit” [<referuar <http://www.mash.gov.al/File/pdf/14485.pdf>, faqe 10].


Sa i takon të parit, në asnjë teori kurrikulare bashkëkohore nuk mund të gjesh përshkrimin e togfjalëshit “përpunim njohurish”. Gjithë sa përshkruhet në programet e formimit (parapëlqej termin formim, në vend të termit lëndor), teoritë e sotme kurrikulare i emërtojnë “dije të kodifikuara”, jo “njohuri”. Dijet njësohen me të vërtetat shkencore ose krijimet e artit. Ato, pasi konfirmohen bazuar mbi kriteret gjegjëse, shndërrohen në objekte kurrikulare, për t’u përfshirë si të tilla në programe e formimit. Ndërkaq, me termin “njohuri” emërtohen konstruksionet mendore, që personi ndërton përmes veprimit në situata, bazuar në përvojat/burimet e ndërtuara më parë (njohuri, aftësi, shkathtësi etj.). Ato veprojnë si procese mendore për ndërtimin e njohurive të reja. Dallimi mes dijes dhe njohurisë buron nga zhvendosja në paradigmën epistemologjike, që ka prodhuar pasoja thelbësore në kuptimet kurrikulare dhe inxhinierinë e hartimit të kurrikulës. Nëse nuk e reflekton këtë zhvendosje dhe vlerëson si risi “ndryshimin esencial të raportit njohuri – përpunim njohurish”, kjo do të thotë të mos konsiderosh si synime kyç të arsimit bazë vlerat, qëndrimet, njohuritë e reja dhe kompetencat (formimin kompetent), por përpunimin e njohurive, pra, mendjen si depozitë informacioni (!!). Në aspektin ligjor, zhvlerësohet neni 13 i Ligjit që thekson tetë kompetencat themelore. Po kështu, çdo  psikolog kognitivist do të shqyente sytë, po të dëgjonte se “aftësitë”, që janë karakteristika të mendjes, u integruakan në lëndët mësimore. Në rastin më të mirë, lëndët mësimore mund të integrojnë dije disiplinore të kodifikuara. Kështu, cenimi i ligjit, pasojë e mosnjohjes së domethënieve të reja, po zëvendësohet me teknikën “copy – paste” për rishkrimin e  standardeve të nxënies dhe të programeve të reja. Ky është cenimi më flagrant që mund t’i bëhet ligjit, pasojë e të cilit do të jetë një kurrikul e padenjë për shkollën shqiptare të shek. XXI.


Ritheksoj, zhvillimi i kompetencave, normuar nga ligji, është synim i dëshirueshëm. Njëherazi, synim që mund të arrihet hap pas hapi. Më shumë se çdo gjë, të rinjtë dëshirojnë të fitojnë siguri, për t’u përballur me jetët e tyre të koklavitura, çka ua jep formimi kompetent. Nëse nuk e fitojnë këtë siguri, mirëqenia vetjake dhe sinergjia shoqërore, të dyja, janë në pikëpyetje, sikundër aftësia konkurruese e kombit. Kur e ndjejnë se po fitojnë kompetenca, të rinjtë dhe të rejat kanë më shumë iniciativë, punojnë më mirë në ekip dhe u tremben më pak përgjegjësive. Kompetenca fut jetën në shkollë. Kjo është ajo që thonë se duan edhe punëdhënësit. Por ata nuk do t’i gjejnë këto cilësi, për sa kohë kurrikula të mos u mundësojë nxënësve të ndërtojnë qartësisht dhe me kujdes kompetencat. Ata nuk do të gjejnë të rinj e të reja kompetente, nëse shkelet Ligji, të cilit opozita i përmirësoi gjysmën e neneve. Ligji me të cilin shumica u mburr, kur e kaloi në Kuvend, por që duket “ka harruar” t’u kërkojë nëpunësve ta zbatojnë si duhet.


Kjo e ka shpjegimin e saj. Pushtetarët tanë, të justifikuar me “nevojat e ngutshme”, po përqendrohen mbi zgjidhjet “e shpejta”. Në një zyrë, ku do të qëndrojnë pak vite, të detyruar të tregojnë se janë të mbytur në punë, të dobishëm dhe të rëndësishëm, atyre u mjafton të njoftojnë rregullisht nisma. Që tingëllojnë bukur dhe kërkojnë sasi mbresëlënëse parash. Prandaj administrimi i arsimit nga ky soj pushtetarësh është receta e katastrofës. Dua të besoj se Komisioni parlamentar i Arsimit dhe mediet do t’i gjejnë mjetet që t’i kthejnë Ligjit vlerën e mohuar.