Ilir Yzeiri


Në mënyrë paradoksale, ardhja e demokracisë, në vend që të sillte lumturinë, begatinë, prosperitetin, pra qiellin e shtatë të munguar, ka sjellë në përgjithësi krizë. Ne sot e pranojmë të gjithë që jemi në krizë, se jemi në tranzicion të zgjatur, se kemi një numër të madh të papunësh, se është në krizë arsimi, shëndetësia, rendi, kultura në tërësi, por edhe shkenca. Në qoftë se u hedh një sy edhe gazetave europiane, qoftë në Itali, qoftë në Francë apo në Spanjë do të vëresh se edhe atje, të gjithë deklarojnë se janë në krizë. Po çfarë po ndodh në të vërtetë? Në rend të parë ka ndryshuar kultura jonë e qasjes ndaj politikës dhe politikbërjes. Demokracia është një sistem që inkurajon alternativat, ndeshjen, përplasjen dhe pluralizmin. Vendet me traditë të gjatë demokratike i kanë të konsoliduara institucionet dhe i kanë të ndara ato. Vështruar nga kjo pikëpamje, demokracitë perëndimore të konsoliduara nuk jetojnë si ne në një luftë të vazhdueshme, sepse atje ndeshjet politike nuk janë e vetmja shfaqje. Ato janë një nga elementet e teatrit të madh të jetës, por që luhen në skena të mbyllura dhe i bëhen të ditura publikut vetëm atëherë kur ka ndonjë interes të posaçëm publik ose nëpërmjet ndonjë kanali të cilin mund ta konsultojnë ata që janë të interesuar për ndodhitë politike.


Kulti i dyshimit dhe mashtrimi si virtyt i politikës


Demokracitë e mëdha perëndimore kanë rezistuar, sepse ato ngrihen mbi një parim të shenjtë që është besimi i ndërsjellë. Cilido i zgjedhur e di se ai nuk mund ta mashtrojë gjatë elektoratin e tij dhe se nuk mund të shqiptojë me gojën e tij gënjeshtra, shpifje, të pavërteta, mashtrime. Në demokracitë e shëndosha dhe të konsoliduara gjithashtu, fjala është e shenjtë dhe gjithkush përpiqet që ta respektojë atë, sepse pas fjalës vjen veprimi dhe kur e thua fjalën duhet të kryesh edhe veprimin. Ndërsa demokracia jonë vuan jo aq për shkak të problemeve ekonomike sesa për shkak të përdhunimit që i është bërë fjalës. Klasa jonë politike vjen nga një kulturë e egër e luftës dhe e shpifjes për kundërshtarin. Sistemi komunist nuk e pranonte tjetrin që ishte i ndryshëm nga ai. Kampioni i këtij mentaliteti të mbrapshtë komunist është Sali Berisha. Gjithçka që ai thotë është një insinuatë, një gënjeshtër, një shpifje për armikun e klasës. Ai përdor gjuhën që përdorte Enver Hoxha kur shante revizionizmin dhe armiqtë perëndimorë. Mirëpo, ligjërimi i tij politik është bërë shtrati mbi të cilin artikulohen të gjitha deklaratat e opozitës. Ky deformim në shfaqje shoqërohet edhe me një deformim në mënyrën se si përcillet politika në Shqipëri. Gjëja më e rëndë, më banale, më e dënueshme është transmetimi ditën e enjte i seancës plenare të Kuvendit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të gjithë televizionet lokale e kombëtare. Dhe kjo ndodh javë për javë. Në asnjë vend të botës dhe këtë e them me bindje se në asnjë vend të botës nuk ndodh që gjithë rrjeti i televizioneve të një vendi të transmetojë live, siç quhet, seancat e Parlamentit për orë e orë të tëra. Ne jemi një vend në krizë të thellë demokracie dhe shenja e parë e kësaj krize është se ne jetojmë si në një luftë civile. Njerëzit këtu te ne janë robër të ekranit të vogël, sepse jeta jashtë shtëpisë nuk ekziston. Nuk ka teatër, nuk ka kinema, nuk ka forma të tjera zbavitjeje. Format e zbavitjes në Shqipëri kanë mbetur kafehanet me tym duhani, restorantet, lojërat e fatit, lokalet e basteve dhe televizioni. Meqenëse televizionet janë forma më mediokre e ekzistencës së jetës në demokraci, ato për të përmbushur programet dhe pritshmëritë e publikut që kërkon sherr, ndeshje, sharje dhe fyerje e lidhin transmetimin me Kuvendin dhe këtu merr fund gjithçka. Ne nuk kemi institucione që të penalizojnë këta operatorë për shkak të deformimit të programacionit dhe për shkak të përhapjes së një ndotjeje të rëndë akustike siç janë tingujt me erë barut që vijnë nga Kuvendi i Shqipërisë.


Ne, koloni e Italisë dhe majmunë falas


Kultura jonë artistike, këngët, filmat, ndeshjet e futbollit janë italiane në shumicën e rasteve. Ne ushqehemi çdo ditë me kulturën italiane, me humorin italian, me sportin italian dhe me këngët italiane. Megjithëse italianët janë populli që na respekton më pak se të gjithë, megjithëse italianët janë vendi kultura e të cilit na respekton më pak se të gjithë, ne edhe sot kemi mbetur majmunë pas tyre. Pse? Sepse kultura jonë ka pushuar. Vendin e muzikës e ka zënë turbo ahengu me këngët qytetare të mejhaneve të viteve ’30. Kënga shqiptare ka vdekur dhe përpjekjet e pakta dhe të mundimshme që bëjnë disa muzikantë shqiptarë përmbyten nga llumi i turbo-ahengut me klipe që tregojnë çika që përdridhen mbi Benza luksozë apo në pishina të vilave që askush nuk e kupton se çfarë shënjueshmërie kanë. Filmi shqiptar ka vdekur përfundimisht, teatri po ashtu. Letërsia është kthyer në një stadium ku copëtohen mes veti lloj-lloj shkrimtarësh që për fat të keq janë të vetmit në botë që botojnë pa e ditur se kush i lexon. Por, ndërkaq, vendin e saj e zënë artikujt gjithë vrer e helm nacionalkomunist për krime që janë bërë në komunizëm e për ato që nuk janë bërë ende. Gjithë kjo zallamahi i ka shuar edhe ato pak institucione që mund ta mbajnë ndezur jetën intelektuale të një vendi. Universitetet apo Akademia janë në menopauzë totale dhe askush nuk e di se si mund të ringjallen. Nga e gjithë kjo panoramë, e vetmja fjalë që na ngushëllon është fjala krizë, e cila po zgjat ende. Qeveria e re, siç e kam thënë edhe në raste të tjera, sillet sikur të jetë në opozitë dhe me një mendjemadhësi të tepruar po përpiqet të na thotë se rrini aty ku jini se tani i dimë ne këto punë. Kjo arrogancë e heshtur është shenja që kriza do vazhdojë…