AHMET DURSUN


Kishin kaluar plot 7 vite që ish krijuar Republika e sotme e Turqisë. Në një qytezë të Izmirit (në Menemen) ishin ngritur në demonstrata ithtarët e Sulltanatit dhe protestonin ndaj ndryshimeve që kish sjellë regjimi republikan. Nën efektin e ekstazive otomane, hoxhallarët yshtnin ndjekësit e tyre dhe ata u katritheshin rrylave sa mundnin:


-Duam sheriatin, poshtë republika, rroftë kalifati…


Po atë ditë, krejt rastësisht, në Menemen kishte shkuar edhe Jozefi. Ky ishte një i ri hebre i Izmirit që kishte dalë si përditë të shiste fije penjsh. Pak nga kureshtja e pak nga mendimi se do të gjente treg shitjeje, me mostrat nëpër duar iu afrua kallaballëkut. Ec e ndalo, ec e ndalo, por nuk po shiste dot asgjë. Iu kujtua që kishte dalë nga shtëpia pa marrë bekimin e prindërve atë mëngjes. Për t’iu kundërvënë tersit të asaj dite me frymën e fortë të Hoxhës së Madh, iu afrua atij dhe iu prezantua.


– Unë quhem Jozef Hoxhë Efendi, po ju i thoni Jusuf.


Hoxha, tërhoqi edhe një gogël tespihe dhe ndaloi duke e vështruar nga koka te këmbët.


– Po të themi ne që e ke Jusuf, Jusuf e ke more djalë. Kot që e thua Jozef!


Tespihet i bëri byzylyk dhe i mori nga duart Jozefit disa fije peri. Ngriti dorën e djathtë lart duke e shtrirë në drejtim të mbështetësve. Këta të fundit e dinin mjaft mirë se duhet të pushonin së bërtituri sa herë Hoxhë Efendiu i tyre e bënte këtë lëvizje krahu.


-O njerëzit e dashur të Allahut, a i shikoni këto fije në dorën time?


-Po, me lejen e Allahut po, i shohim i nderuar – tha njëherazi turma.


Jozefi në këtë çast u ngrit në majë të gishtave që të shihte karrocën e ngarkuar me penj. I shkëlqenin sytë nga gëzimi, pasi mendoi se me ndërhyrjen e Hoxhës do shiste të gjithë mallin. Hoxha i mori në duar gjithë penjtë që mbante Jozefi. I ngriti të dyja duart lart kësaj here dhe nisi t’i përdridhte fijet që ta shihnin të gjithë:


– Si këto fije do të bashkohemi derisa të bëhemi litar për qafën e qafirëve republikanë! – tha.


Tha, por sa mbaroi fjalinë u gjendën të rrethuar nga ushtarët.


Jozefi i shkretë, sado u përpoq t’i mbushte mendjen Gjykatësit se ishte hebre, se ishte gjendur rastësisht në Menemen, se, se…


– E ç’lidhje mund të ketë një hebre me Sheriatin zotni Gjykatës! -thoshte pa reshtur Jozefi i bindur në paanësinë e vet. Po Jozefi nuk ia doli. Asnjë nga hoxhallarët nuk dëshmoi për pafajësinë e tij.


E ndërsa shume organizatorë të kësaj demonstrate u dënuan veçse me burg, në fund të fundit profecia e Hoxhës ndodhi: fijet u shndërruan në litar, por për vetë Jozefin.


Kjo ngjarje e vërtetë është një turp që e ka pasuruar drejtësinë turke, është gjithashtu një humbje që e pasuron ende edhe sot tragjedinë e popullit hebre dhe jo vetëm.


Përveç disa muajsh nën qeverisjen e Ismail Qemalit, taksirati i Jozefit vazhdon dhe e përndjek gjithnjë popullin shqiptar në Ballkan! Gjithnjë në çastin e gabuar, gjithnjë në vendin e gabuar:


Kur ranë principatat, u bëmë me princ. Brohoritëm Mbretin kur perëndonin mbretëritë. Mbajtëm zi për Leninin, tek përzumë Fan Nolin. Përqafuam bolshevizmin 20 vjet pas tij. Zotin e zumë me gurë dhe e bëmë vendin tonë gur-gurë.


Komunizmi u mek në 1971-in! E kuptuam veçse në ’90-n!


Ende s’e kuptojmë, se pa drejtësi nuk ka demokraci, se pa përkushtim të thellë e të sinqertë nuk mund të bëhet ky vend, se nuk ka mbrothësi po s’shkoi prona tek i zoti, se nuk ka paqe në shpirt pa u prehur në paqe eshtrat e kujtdo, që i doli zot me zemër këtij vendi.


Ende s’e kuptojmë se Don Kishoti vetë do të na qeshë në surrat, nëse na sheh të luajmë ballkançe “botash”, kur bota sot luan sinfoninë IX të Bethoven-it.


Ndaj taksirati na përndjek. Ndaj sa herë mbërrin çështja në gjykim, gjithnjë fundi i hidhur: Gjithnjë mbetemi pa asnjë dëshmitar.


Ky faj i tmerrshëm ende edhe sot i mbetet elitave të mendimit shqiptar. Këta, sa më shumë thonë se janë shkëputur nga perandoria osmane, se kanë dalë nga komunizmi apo janë rikthyer kontinentit mëmë, aq më qesharakë bëhen para botës. Harrojnë se mendimtarët e vendeve të pavarura gjithnjë mbajnë në duar sistemin e drejtimit të vendeve të varura, përpos të tyrin. Ata vendosin se ku duhet të ‘furnizohen’, kur të ‘shpejtojnë’, ku të ‘ndalojnë’. Ata e dinë ku është kthesa e fortë, humnera, polici i fshehur pas shkurres… Ndërsa këta ‘mendimtarët’ tanë bëjnë garë me njëri-tjetrin për të ngjasuar sa më shumë me shalqirin: në dukje jeshil si ngjyra e sheriatit të sulltanëve të tyre, dhe në brendësi të kuq si komunizmi në muajin e mjaltit.


Dhe natyrisht, kësisoj, ‘Jozefi’ litarin pas qafe e ka!…