Prof. Dr. FADIL MALOKU, sociolog


1. Procesi i deliberalizimit të Kosovës, domosdoshmëri


Kosova, si shteti më ri në Europë, pra një shtet “sui generis”, i cili akoma është në proces të një vetëkërkimi, verifikimi dhe vetëdëshmimi të organizimit të jetës shtetërore dhe asaj shoqërore për qytetarët e saj, paraprakisht ka nevojë për një proces të njëjtë të deliberalizimit, sikurse ai amerikan, i cili do ta ndihmonte atë jo vetëm në profilizimin, por edhe identifikimin e qartë të disa çështjeve fundamentale dhe ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit kombëtar, siç janë: definimi i qartë i kufijve me Serbinë, heqja e dilemave rreth (mos)bashkimit me Shqipërinë, anëtarësimit në BE-në, profilizimin kulturor dhe ideologjik, konsolidimit të demokracisë, etj. Pra një seri çështjesh fundamentale, të cilat në periudhat e ardhshme (dez)integruese në rajon dhe më gjerë mund të shndërrohen jo vetëm në handikapë, por edhe në favore. Si handikapë, për shkak se Kosova ende është një shtet në ndërtim e sipër dhe një vend me institucione akoma të brishta demokratike, që vështirë mund të garantojë dhe plotësojë kriteret tejet të ashpërsuara të anëtarësimit në BE, pas krizës së shfaqur në Greqi dhe paralajmërimeve tjera të reja në Spanjë, Itali, etj. Kurse si favore, këto çështje mund të shndërrohen në rast se ajo fillon tani të ndërtojë kapacitete adekuate administrative demokratike në përputhje me standardet dhe kriteret e BE-së.                     Kosova, në realitet, me të gjitha këto çështje e dilema të hapura pa dyshim mbetet një vend dhe një shtet tejet interesant edhe për shkak se: të gjitha çështjet e ngritura më lart po gjurmohen në një atmosferë dhe ambient do thoja jo edhe gjithaq të favorshëm global. Paraprakisht, mendoj që duhen dhënë disa përgjigje meritore që do të dilnin nga një debat nacional dhe nga disa çështje të tjera që po ashtu kanë peshën dhe rëndësinë e vet. Ndër këto çështje, mendoj se duhet radhitur problemi i vlerave politike, sociale e sidomos atyre kulturore, në mënyrë që nga kjo analizë të shohim se ku ne dallojmë apo ku përputhemi me vlerat e reja që ngandonjëherë edhe po na e zënë frymën. Ky lloj “monologu” me veten tonë, në formë të një pëlqimi unanim brenda një diskursi politik, intelektual e kulturor, por edhe një diskursi tjetër jashtë kësaj sfere është padyshim një kusht dhe një sinjal domethënës, se shoqëria kosovare vërtet është në rrugë të duhur të proceseve të reja në horizont. E them kështu, edhe për shkak se ky diskurs midis aktorëve dominantë politikë, socialë, kulturorë e intelektualë në një mënyrë është edhe një kusht tjetër shtesë që na plotëson ne si shoqëri dhe si shtet të konstituar dhe të pjekur politikisht. Ky lloj katarsisi social (krijimi i parakushteve për një mirëqenie sociale), politik (një ballafaqim permanent i koncepteve ideologjike), intelektual (një përgatitje solide të kuadrove të reja që mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë europiane) e kulturorë (një pajtim definitiv të sistemit dhe vlerave të reja, por në anën tjetër, gjithnjë duke ruajtur dhe duke kultivuar veçantitë dhe trashëgiminë e vetë), duhet të ndodhë patjetër në periudhat e ardhshme të konstituimit tonë si shtet dhe si vend demokratik, ngaqë vetëm kështu ne si shoqëri dhe si shtet mund të bëhemi pjesë integrale e Europës


 


2. Transparenca dhe llogaridhënia, kurs i demokracisë bashkëkohore


Në përvojat e ndërtimit të kapaciteteve demokratike, fenomeni i jo efikasitetit të mjaftueshëm i institucioneve demokratike, madje në fazat e para të instalimit të saj shfaqet me dimensione në formë të një dukurie, që në një mënyrë mund edhe të mos jetë premtues në kuptimin e ekspedivitetit të vendimeve, pastaj ekzekutimit të këtyre vendimeve, si edhe mosqasjes së shumicës përfaqësuese, pra qytetarëve që mund të vijnë nga institucionet e dala gjatë një procesi fer dhe demokratik i zgjedhjeve.


Ky debat rreth (pa)mundësisë së efikasitetit të mjaftueshëm i demokracisë (ta shquaj) deri-diku infantile i vendeve dhe shteteve që akoma gjenden në fazën e procesit të tranzicionit, në një mënyrë reflekton shpesh një përshtypje se vendimet e marra të shumtën e rasteve merren larg syve dhe “dëshmisë” së qytetarëve të atij vendi.


Në fakt, përvoja tregon se vendimmarrjet e dala nga proceset fer dhe demokratike zgjedhore, nga ana e elitave politike duhet në parim të jenë sa më afër dhe sa më transparente për qytetarin, ngase “afërsia” (që më tepër ka të bëjë me detyrimet, se sa me obligimet) është një garant i dëshmuar dhe i pakontestuar i ndërtimit të kapaciteteve demokratike të një vendi.


Pra, nëse sistemi demokratik dëshiron të arsyetojë ekzistencën etimologjike të vetvetes si “pushtet dhe vendimmarrje e popullit” atëherë padyshim që po këtij “populli” (në fakt e qytetarëve) duhet t’u ofrohet mundësia e ushtrimit të ndikimit, jo vetëm brenda katër viteve, ashtu siç zakonisht parashihet përmes ligjeve zgjedhore dhe Kushtetutës, por për çdo ditë përmes iniciativave civile, mbikëqyrjes permanente, kontrollit, si edhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të shtetit.


Kjo formë e këtillë e procedimit të institucioneve shtetërore, padyshim që e rrit edhe shkallën e besimit si në sistemin e demokracisë, por gjithashtu edhe në institucionet e dala, në proceset zgjedhore, standard ky i sprovuar dhe i sprovuar me qindra vite në vende dhe shtete të ndryshme anekënd botës. Tani, nëse u adresohemi përvojave tona në pesë palë zgjedhje që organizoi Kosova, na del se demokracia e re kosovare, sipas të gjithë parametrave dhe indikatorëve që mundësojnë matjen e shkallës së ndikimit qytetar në procesin e vendimmarrjes së elitave politike, pra në këtë hapërim të shkurtër të përvojave demokratike na paraqitën edhe paradokse të llojit të vetë, siç janë ai tendencës së kontrollit të qeverisë mbi institucionin e Kuvendit, si institucioni më i lartë ligjvënës, në vend që të ndodhë e kundërta! Kjo ndodh, zakonisht në vendet me kapacitete të ulëta demokratike dhe të një shoqërie të pazhvilluar sa duhet me kapacitetet e shoqërisë civile që zakonisht loz rolin e një “syri të tretë” në pothuajse shumicën e proceseve vendimmarrëse që e ndihmojnë, avokojnë, stimulojnë, rekomandojnë, zhvillojnë dhe emancipojnë demokracinë e re të një vendi.


 


3. A është i hershëm debati për integrimin e Kosovës në BE?


Në Kosovën e pasluftës, me sa mund të kuptoj, asnjëherë nuk është mbajtur gjer tani ndonjë debat publik për çështjen, arsyet, si dhe mundësitë e (mos)hyrjes së Kosovës në bashkësinë

europiane, “shtëpinë e ftohtë” dhe për shqiptarët e Kosovës. Nisur nga disa stereotipe ende në qarkullim, “Europa plakë”, për shkaqe dhe arsye të pajustifikueshme gjatë historisë së qetësimit tonë ishte e (pa)drejtë në raport me ne si vend dhe si popull.


Në fakt, para se të vija këtë titull, një koleg i shkencave politike kur i lexova titullin këtij shkrimi, në pyetjen time se: “A është i hershëm debati për integrime europiane“?, më dha një përgjigje të shpejtë dhe për mua disi edhe të papritur, se “…Kosova ka sfida të tjera në axhendën e vet…“?! Në fakt, ai nuk priti t’i kundërpërgjigjesha në gjykimin e tij! Mendova gjatë dhe erdha në përfundim që shtruarja e kësaj pyetjeje në asnjë mënyrë nuk nënkupton ndërrimin e axhendës që ka Kosova tani rreth “sfidave” që përmendi kolegu. E them kështu, pasi kujtoj që qysh tash duhet të fillojë një debat jo vetëm institucional, por edhe civil, i cili do të përgatiste publikun kosovar që të mësojë si kushtet, ashtu edhe rrethanat në të cilat shqiptarët (kosovarë) e Ballkanit Perëndimor munden të bëhen në një të ardhme të largët, anëtarë të kësaj familjeje të madhe kombesh e shtetesh. Ne për çdo ditë “bombardohemi” nga lajmet se: “po punohet në këtë drejtim”, “jemi duke negociuar për liberalizim të vizave” e përralla të tjera, ndërkaq asnjëherë nuk më ka rastisur të dëgjoj dikë të elaborojë apo publikisht në ndonjë debat të flitet me detaje se: Pse Kosova duhet të hyjë në këtë bashkësi? Çfarë favoresh ajo dhe qytetarët e saj përfitojnë me këtë fakt? Ne si shoqëri akoma nuk kemi as studime e eksplorime empirike se kush (s)e dëshiron anëtarësimin në këto procese integrative? Kush janë euroskeptikët tanë dhe a kemi në fakt ne shtresë apo grupe të tilla shoqërore që e kundërshtojnë idenë e integrimit të Kosovës në këtë proces të pandalur global? Thënë më thjesht, derisa shoqëritë e tjera që kanë pritur apo disa edhe kanë hyrë në këto procese ad hoc (për shkak të rrethanave shoqërore, politike e disa edhe kulturore?!), janë marrë aktivisht me këto tema dhe çështje, te ne merremi me tema dhe “sfida” si tha ai kolegu i fillimit, të cilat vërtet na marrin kohën dhe mundin të ngelim prapa të gjithëve…?! Duket që ky proces në rastin e Kosovës është në një proces të hibernimit, edhe për faktin se pak flitet apo edhe kur flitet, kjo bëhet me një qasje ose qëllim të brendshëm, në mënyrë që të mbahet shpresa se nuk jemi gjithaq larg nga këto procese, apo edhe heshtur vetëm nëpër forume interne institucionale provohet të matet pulsi i institucioneve europiane për interesimin e tyre për ne?!


 


4. Një milion pyetje e (as)një përgjigje në planin (gjithë)kombëtar!


Një milion pyetje e pak përgjigje, është një projekt gjithëkombëtar, i cili duhet të shtrihet, kujtoj, në dy rrafshe: Njërin, siç e quaj unë, të brendshëm, dhe që ka të bëjë gjithsesi me proceset, problemet, dilemat, sfidat dhe mënyrën se si ne së bashku me shtetin shqiptar, Shqipërinë, duhet t’i sinkronizojmë në kuptimin e formimit të një qëndrimi të vetëm dhe unik në përballje me proceset tjera globale, e thënë më qartë proceset integruese europiane.


Rrafshi tjetër, që kërkon padyshim një axhendë dhe përkushtim tjetërfare, edhe me faktin se kriteret dhe standardet nuk i caktojmë ne, por institucionet në ngritje të BE-së.


Ndërkaq, çështja më e rëndësishme në gjithë këtë debat që kujtoj në kohë dhe në momentin e duhur duhet të bëhet edhe publik, ka të bëjë me dilemën se si duhet ta shpejtojmë ritmin e proceseve në fjalë? Pra, a mund të bëhet pengesë serioze çështja e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e pesë vendeve europiane në këtë rrugëtim, a kemi mjaft kapacitete administrative për t’i përmbushur të gjitha obligimet dhe kriteret strikte teknike të parapara nga BE-ja për çdo vend para se të anëtarësohet në këtë konstrukt të ri? A ka ide se si duhet të gjendemi në rast se ky projekt integrues dështon, cilat opsione dhe plane rezervë duhet të ketë në tavolinë Kosova? A ka debat se duhet të hyjmë si Kosovë apo si të bashkuar (me Shqipërinë) në një shtet në BE? Çfarë e pengon këtë debat në nivel politik, cilat janë ato pengesa lokale dhe globale? Çfarë kapacitetesh politike, ekonomike, sociale e kulturore duhet të ndërtohen ndërkohë? A ka përllogaritje se është më mirë të integrohemi ndarazi si dy shtete apo si një shtet i vetëm unik në Ballkan? Nëse duhet t’u paraprijë këtyre proceseve të brendshme integruese midis dy shteteve aktuale? Janë elitat politike, ato ekonomike apo ato kulturore? Sa kohë marrin ato? Çfarë kostoje ka i gjithë ky projekt i integrimit të brendshëm? Në këtë rrugëtim të integrimit të brendshëm, a ka dhe cilat janë ato sfida që në bazë të një eksplorimi empirik, munden eventualisht të bëhen pengesa të pakapërcyeshme në proceset tjera integruese europiane? Pastaj, cilat interesa lokale përputhen me interesat globale dhe si mund t’i materializojmë në nivel gjithëkombëtar këto interesa, në mënyrë që të mos përsëritet sindromi historik i ngecjes dhe anatemimit nga të tjerët? Cilat potenciale ushtarake, duhet ta fuqizojnë idenë e sigurisë dhe mbrojtjes? Me çfarë axhende: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore duhet t’i joshim dhe afrojmë interesat e lidershipit botëror në këtë pjesë të Ballkanit? A duhet të kemi edhe planin “B”, në rast të kontestimit të këtij projekti (mbarë)kombëtar?… E një milion pyetje, çështje e dilema që lipsen të kenë përgjigjen e duhur, në momentin e duhur dhe vendin e duhur…


Gjithashtu, çështje që kujtoj se duhet të debatohej apo të paktën të futet ndoshta në axhenda të politikës për shkak të dinamikës së proceseve që mund të ndodhin ndërkohë me një shpejtësi marramendëse, është padyshim edhe ajo se si t’u shpjegohet i gjithë ky projekt dhe ide qytetarëve? Unë këtu nuk aludoj në mënyrën e propagandimit, por në hapat e domosdoshëm (elementarë) që duhen ndërmarrë në këtë drejtim, në mënyrë që ata ta kuptojnë dhe ndjejnë interesin e tyre jo vetëm ekonomik, por edhe social e kulturor.


Një tjetër pistë investigimi, padyshim që kujtoj se duhet orientuar edhe kah subkulturat e politikave dhe institucioneve ekzistuese, të cilat pa fajin e tyre kanë pak apo aspak informacione lidhur me: procedurat, mënyrën, formën, përmbajtjen dhe efektet dobiprurëse për vendin që mund të ofrojë procesi i integrimeve europiane. Këtë detyrë të “njohjes” apo furnizimit të parlamentarëve të ardhshëm, si dhe institucioneve të tjera, do të duhej ta marrë përsipër shoqëria civile përmes organizimit të tryezave, konferencave si dhe shtypjes së broshurave, dhe mënyrave tjera senzibilizuese e lobuese.


Mendojë definitivisht që Kosova u takon atyre shoqërive të rralla dhe padyshim edhe të fundit politike në Europë, ku gati të gjitha çështjet fundamentale për t’u bërë një shoqëri normale, janë të hapura…Për Shqipërinë, kujtoj, që duhet një mendim tjetër. Ndërkohë, një koleg më tha para ca ditësh, se shkrimet e mia kryesisht po merren vetëm me diagnoza të shoqërisë sonë, por jo edhe me terapi. Përgjigja ime ishte, dhe akoma mbetet se puna e terapisë nuk na takon edhe gjithaq neve… ajo mbetet në pronësi të elitave politike, atyre ekonomike, sociale e sidomos atyre kulturore, që në një mënyrë apo tjetrën, duhet të bëhen lokomotivat kryesore në drejtim të këtij synimi. Sa kisha të drejtë, le të gjykojnë lexuesit dhe kompetentët, së bashku me ata që janë “pronarë” të vërtetë të këtij Projekti?!