Në derbin mes Tiranës dhe Partizanit, një detaj tërhoqi vëmendjen më shumë se loja vetë, në vijën anësore qëndronte një grua me flamur në dorë. Ishte Emanuela Rusta, dhe për shumëkënd, ajo përfaqësonte më shumë se një arbitre, ishte thyerje e një rregulli të pashkruar. Ishte viti 2020. “Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që ndjeja përgjatë 90 minutave“ – shprehet Emanuela.

Në një shoqëri ku gjithnjë e më shumë luftohet për barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës, sporti mbetet një nga fushat ku ky qëllim has më shumë rezistencë. Brenda kësaj bote sfiduese, arbitrimi është edhe më i vështirë. Në Shqipëri ka 53 arbitër me licencën A të FIFA-s dhe një ndër ta është, Emanuela Rusta. 31-vjeçarja nga Elbasani e mori këtë licencë në vitin 2019, pas një procesi intensiv dhe me përkushtim maksimal.

“Teste fizike dhe teorike, njohje e thellë e rregullores dhe performancë në fushë. Ishte sfiduese, por njëkohësisht shumë frymëzuese, sepse të vendos përballë më të mirëve” – thotë Rusta, teksa kujton atë periudhë.

Futbolli nuk ka qenë qëllimi i saj i pare pasi fillesat i pati në sportin e basketbollit, derisa zbuloi arbitrimin. Kjo ishte një rrugë që e sfidonte dhe i jepte motivim të ri. “Familja ka qenë mbështetësja ime më e madhe por sigurisht kolegët dhe trajnerët gjithashtu”- shprehet me mirënjohje arbitrja 31 vjeccare.

Rusta ka gjykuar ndeshje në turne të rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar, si dueli i femrave mes Sportingut dhe Real Madrid-it apo mes Benficës dhe Barcelonës, duke dëshmuar bindshëm se aftësia nuk njeh gjini. Ëndrra e saj është pjesëmarrja në një kompeticion madhor të FIFA-s si finalja e Kupës së Botës për gra. Njëkohësisht kërkon të jetë shembulli i vajzave shqiptare që duan të ndjekin këtë rrugë.

Historia e Emanuela Rustës është më shumë se një rrëfim suksesi personal, është një thirrje për ndryshim në Shqipëri. Shqipëria, ndonëse ka bërë hapa përpara, vijon të ketë sfida të mëdha në këtë drejtim. Kjo nuk vjen nga mungesa e talentit, por nga një strukturë e tërë që nuk i fton, nuk i mbështet dhe nuk i trajton gratë si aktore të barabarta në fushën e sportit. 

Në vendet e zhvilluara si Britania e Madhe ka organizata të dedikuara për gratë në arbitrim. Arbitral Ëomen dhe Chartered Institute of Arbitrators bëjnë një sërë trajnimesh, bursash të dedikuara.

Në Francë SHBA shumë vajzave në universitet u ofrohet të praktikojnë arbitrim në ndeshjet e meshkujve mes universiteteve. Mund të duket pak, por është një mundësi e mirë për të gjitha vajzat që duan të ndjekin këtë rrugë.

“Në Shqipëri, Federata e Futbollit duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me Ministrinë e Arsimit. Është e nevojshme që sporti,dhe vecanërisht arbitimi,të promovohet që në shkolla si një mundësi reale për vajzat. Kjo do të krijonte ndërgjegjësim,qasje më të lehtë dhe një bazë më të gjerë për zhvillim” – thotë Rusta.

A mjafton një Emanuela për të ndryshuar realitetin? Sigurisht që jo. Shqipëria ka nevojë për një sistem që prodhon dhe mbështet më shumë gra si ajo, që nuk kanë vetëm pasionin dhe aftësinë, por edhe hapësirën për të vepruar dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të barabartë. Kjo kërkon reformim të qasjes institucionale, edukim në nivelet e hershme, dhe mbi të gjitha, një ndryshim kulturor që nis nga vetë mënyra si flasim për rolin e grave në sport.

Nëse vendet e zhvilluara kanë arritur të ndërtojnë struktura që nxisin dhe ruajnë barazinë, Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë duke përshtatur shembujt më të mirë ndërkombëtarë me realitetin lokal.

Emanuela Rusta është dëshmi e asaj që është e mundur kur një vajzë ka mbështetje, vendosmëri dhe guxim. Por për të ndodhur një ndryshim i vërtetë, nevojitet më shumë se një histori suksesi. Nevojitet një përpjekje e të gjithë aktorëve, e qëndrueshme dhe afatgjatë, që i thotë ‘jo’ paragjykimeve dhe ‘po’ barazisë në çdo cep të shoqërisë, përfshirë edhe sportin. Vetëm atëherë kartoni i kuq nuk do t’i jepet vetëm paragjykimeve, por edhe indiferencës kundrejt pasioneve që nuk njohin gjini.