BAJRAM PEÇI*


Koleksionimi dhe qytetariaKoleksionistët po na i paraqiten publikut dhe lexuesit si një gjë e keqe, e dëmshme për shoqërinë. Shërbeu si nismë për këtë qendrim, ndalimi i Gjergji Thimo. Me izolimin në qeli të tij dhe buja që e shoqëroi, nuk ka reshtur gjatë tërë kohës përgojimi edhe i koleksionistëve, të cilët, pa dallim, sipas zotit Velo, Shkreli e ndonjë tjetri, se “…Nën maskën e tyre, funksionon trafiku ilegal”; se “Një pjesë e madhe e koleksionistëve në Shqipëri ushqejnë trafikun dhe shërbejnë si drenazhe për të thithur vepra të trashëgimisë kulturore…”. Por sa është e vërtetë kjo? Këto ditë që ata i kanë dhënë ndonjë dorë mbrojtjes së artit (me të cilët bie në një mendje për parimet që mbrojnë), mos padashur, pa qëllim, në shfrim e sipër të pasionit “për mbrojtjen e kulturës”, bëjën pis e ndotin një shtresë sociale e cila me kulturën e saj për koleksionimin, përpos se i jep vlerë një shoqërie, ajo përhap sadopak aromën e sjelljes dhe jetës qytetare?


 


Koleksionistë dhe trafikantë


Nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Është hera e parë që bëhet kjo lidhje, pas ngjarjes me veprat e gjetura në pronësi të Gjergj Thimos dhe afërmendsh s’ka pse të ketë lidhje. Koleksionisti është një individ me pasionin për ruajtjen, grumbullimin, fetishizimin dhe studimin e një grupi apo lloji objekti material, pa qëllime fitimi. Të tillë janë ata dhjetra inxhinierë, mjekë, mësues, ushtarakë, artistë, juristë, profesorë dhe punëtorë në Shqipëri, nga Shkodra në Gjirokastër, që përbëjnë Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë. Ndërsa trafikanti mbledh, përmes blerjeve apo rrugëve të paligjshme, objekte me synim shitjen e trafikimin e tyre për qëllime fitimi. Kush kërkon që të njesojë koleksionistin me trafikantin, duke thënë se “…një pjesë e madhe e tyre ushqejnë trafikun…”, thjesht është një keqdashës i kësaj shtrese të popullatës dhe shtrëngohem në emër të tyre t’u kujtoj se koleksionimi është parë dhe shihet si cilësi vetëm e njërzve të kulturuar.


Kur një vjedhës ordiner, grabitës i vlerave që mbrohen me ligj, e quan veten për t’u maskuar, “Koleksionist”, apo më keq akoma, kur gazetarët i bëjnë lidhjet e grabitjeve me koleksionimin, kjo përbën thjesht një mashtrim ose një keqinformim. Vjedhja në Parkun Arkeologjik të Bylysit e dy enëve prej bronzi, e ka emrin vjedhje. Vjedhja e dëmtimi në Kishën e Onufrit në fshatin Valësh të Elbasanit kurrësesi nuk ka lidhje me koleksionistët e veprimtarinë e tye. Vjedhja e objekteve të kultit në vitin 2008, në Gjirokastër e 18 ikonave në Kishën e Kryqit në Labovë, apo dëmtimi i Varrit të Çifutut në Amantia, nuk janë nxitur kurrësesi nga koleksionistët, por nga grabitësit ordinerë, të cilët për fat të keq tek ne janë të shumtë në numur, të egër e të pamëshirshëm në veprime. Çdo bandit që të del përpara e të thotë se “jam koleksionist”, nuk është e thënë ta marrësh si të mirëqenë. Mund të ketë matrapazë e trafikantë që e mbajnë veten për koleksionistë, por nuk ka koleksionistë trafikantë.


 


 Të pasurit nuk janë të motivuar për koleksionim.


“Vetëm tek ne ka koleksionistë të varfër”-shprehej këto ditë Velo në një të përditshme, duke keqinformuar kështu publikun e lexuesit me pikëpamjen e tyre mbi koleksionet dhe koleksionistët, si të qenë atribut vetëm i të pasurve. Nuk e bëj përgjegjës për përfundimin e gabuar, sepse sa kohë jepen rëndom njoftime se në aksh ankand botëror të pikturës, objektet blihen nga pasnikët dhe bëhen pronë e tyre, kuptohet pse vlerat e artit botëror ndodhen në kasafortat e pasanikve, çka përbën një grackë interpretimi mbi 1 përqindëshin që sundon paranë, shoqërinë, por jo kulturën. Kush ka lidhje me koleksionistët, kupton se ata, të pasurit, nuk janë në këto blerje të motivuar nga pasioni i koleksionimit. Motivi i blerjes së pikturave nga të pasurit është më se banal: investim që konsiderohet i sigurtë. Pra, thjesht një lëvizje ekonomiko-financiare. Ndërsa koleksionisti i vërtetë, jo vetëm që mund të mos jetë i pasur, por ndodh që dhe ato pak burime fitimi që siguron, i investon në hobin e tij, ndonjëherë duke u bërë edhe më i varfër. Kush e njeh Lul Peratin në Shijak e di se ai nuk është i pasur në ekonomi, por është i pasur në objektet e kostumeve kombëtare që koleksionon. Po kështu, L.Dano, koleksionuesja brilante e xhubletave. Historia shqiptare e koleksionimit, mes qindra e qindra pasnikëve, njeh pos se dy vetë që blinin me qëllim koleksionimi: Eqerem bej Vlorën dhe Mark Kakarriqin. Kaq!


Në këto rrethana ndjej detyrimin si drejtues për një kohë relativisht të gjatë i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, të bëj të njohur se ky grup shoqëror, koleksionistët, përbëhen në Shqipëri në shumicë nga shtresa e mesme e popullatës, tipar ky që mbizotron kudo në Europë, por sidomos atë perëndimore. Është nga të paktët shtresa të shoqërisë që rrezaton qytetari në një mjedis tërsisht fshataresk dhe nuk ka asnjë lidhje me trafikun e pislliqet e tjera me të cilat ndoten dëndur këto ditë në prononcimet për mediat. Kur themi “koleksionist”, gjithkush kupton së pari filatelistët, numizmatët, bukinistët, faleristët, të fotografisë e kartave postare, të objekteve etnografike, çka do të thotë se koleksionist bëhesh me lekët e holla të xhepit dhe s’ka nevojë të kesh domosdo portofol. Vetëm nga fundi i listës janë koleksionistët e veprave të artit e të pikturës. Ata, natyrisht që janë të pakët tek ne, jo më shumë se dhjetë, por mes tyre spikasin emra që rrezatojnë dinjitet e kulturë, si Thimi Nika, Maks Mitrojorgji, Kozma Dashi, Aleksandër Josifi e të tjerë. Në albumet, etazherat dhe sirtarët e koleksionistëve ndodhen vlera filatelike, numizmatike e faleristike, të cilat shteti ynë me institucionet e tij nuk ka ditur t’i ruajë. Lexues i dashur! Kur dëgjoni që Banka Kombëtare ka çelur një ekspozitë, duhet të kuptoni se nga fondi i bankës ka përkatësinë fjalimi i guvernatorit dhe jo më shume se 20 përqind e objekteve të ekspozuara. Të tjerat janë fond i koleksionistëve. Ky Gjergj Thimio nuk ka qenë kurrë anëtar i shoqatës, për të mos thënë se ka qenë i panjohur për ne dhe veprimtarinë e tij si “koleksionist” e ka ushtruar larg bashkëpunimit me shoqatën.


Trafikant, shkelës ligji apo koleksionist.


Ai që bën trafik ikonash dhe vlerash të tjera kulturore as që ka nevojë që t’i veshi vetes cilësimin e koleksionistit, për sa kohë trafikun e bën ilegalisht, jashtë kontrollit doganor apo të Qendrës Kombëtare të Iventarizimit. Trafiku e ka emrin trafik dhe si i tillë bëhet i fshehtë, jashtë ligjit dhe rregullave të përcaktuara. Në këto rrethana, lajmi se policia zbuloi një trafikant dhe arriti të kthejë në institucionet e shtetit një thesar të vërtetë veprash arti, tingëllon i gënjeshtër. Gjithçka fillon e merr ngjyrat e një shfaqjeje, përmes së cilës i përcillet opinionit idea se një erë e re sapo ka filluar. Kanë qenë të pakët ata individë të lidhur me artin mesjetar dhe ato institucione kulturore që të mos kishin dieni se një person me emrin Gjergji Thimo, ka në zotrim një masë të konsiderueshme ikonash e vepra të tjera arti.


Këto ditë, pas bujës, urimeve e përgëzimeve për kapjen e “trafikantit” dhe “shpëtimin” e pasurisë kulturore, kanë dalë në dritë dëshmi të cilat tregojnë se pothuaj të gjithë i dinin këto objekte arti ku ndodheshin, të paktën prej 15 vjetësh. I dinte Ministria e Kulturës, e cila i kish paisur me pasaportë pronësie; i dinte publiku i gjerë, sepse ato ishin ekspozuar herë pas here. Për rrjedhojë, i dinte edhe policia me prokurorinë. Madje, disa  televizione, si Top Channel, TV Klan, ABC, etj., si dhe organe të shtypit të përditshëm, i kishin kushtuar këtij njeriu emisione të posaçme, kronika, reportazhe dhe artikuj. Befas, një ditë të bukur të vjeshtës së dytë, të gjithë dinjitarët shtetërorë, nën rojën policore dhe shoqërinë e kamerave, ja behën në shtëpinë e tij dhe i sekuestruan gjithçka gjetën. U tha se policia kish mëse katër muaj që studionte, vrojtonte, vëzhgonte, mblidhte të dhëna, e të tjera, e të tjera, deri sa e “zbuloi” të ngratin, i cili, në mefshtësinë e tij foshnjërake, jo vetëm nuk ish orvatur kurrë të fshihej, por i ekspozonte herë pas here objektet e tij të “trafikut”. Mënyra se si i kish vënë në zotrim është një çështje që do e vendosë atë para ligjit, përderisa ligji parashikon si trafik edhe shitblerjen, por, po të kish dashur, a do të kish mundur t’i trafikonte? Pa mëdyshje, po! Në një kufi si sitë mielli e thes i shpuar, ngado mund të dalësh e të hysh, pa ndonjë kokëçarje të madhe. Atëherë, mos do të duhet vallë që këtij njeriu t’i drejtohet një falënderim që i ka shpëtuar me veprimet e tij nga humbja përgjithmonë si pasuri kulturore e këtij vëndi. E intervistuar kohë më parë nga gazetarja Aida Tuci, Gjergji Thimo shprehet se me shitjen e dy-tre copëve ikona ai do mundëte të kapërxente gjendjen jo të mirë ekonomike si dhe investimin për ruajtjen e administrimin e tyre, por nuk e kish bërë e nuk do ta bënte kurrë sepse ato i dhimbseshin dhe do i ruante për interesa të publikut brenda kufijve shqiptarë. Si nuk i tha kush këtij njeriu, që veprimtaria jote e blerjes është e jashtëligjshme? Si është e mundur që Qendra Kombëtare e Inventarizimit ta ketë paisur me mbi 200 pasaporta (sipas tij) dhe nuk i ka kërkuar të dhënat e origjinës së objektit dhe historikun, siç e kërkon ligji 9048, datë 7 prill 2003, “Për trashëgiminë kulturore”? Si është e mundur që një njeri që ka vepruar hapur nga viti i largët 1995, pa u orvatur kurrë të fshihej, shihej si vlerë e i jepej opinionit me kërshërinë e një të veçanti dhe kërkush nuk i tha gjë për veprimtarinë, që tani konsiderohet kriminale? Ku vallë ka qenë shteti?


 


 Ikonat si pronë e shtetit përbëjnë një paradoks


Shteti me ligj mund ta ketë nën mbrojtje objektin “Ikonë”, por kurrësesi pronë, siç ndodh të jetë. Sapo përmend emrin “Ikona”, mendja menjëherë të shkon tek një objekt që doemos duhet të jenë nën pronësi shtetërore. Krejt ndryshe nga sa duhet të jetë e vërteta në jetë, shteti s’kish pse të kishte ikona në pronësi, po të mos ndodhte sekuestrimi i tyre.


Ikonat, si objekte kulti të adhurimit të shenjtorve, përbënin dekor dhe ishin pjesë e fetishit të kishave dhe shtëpive të besimtarve të krishterë. Pas vitit 1967, kohë kur ushtrimi i fesë u ndalua me ligj, kishat u mbyllën, ikonat u sekuestruan dhe gjithë sasia e tyre në zotërim të shtetit shqiptar, në muzeume e bodrume muzesh, s’përfaqëson gjë tjetër veçse një grabitje të një prone të një subjekti privat. Ndonëse shteti shqiptar i ka në pronësi shtetërore ikonat e muzeve mesjetare, ai edhe sot e kësaj dite nuk mund të quhet pronar i ligjshëm i tyre. Erdhi një kohë kur te gjithësekush u krijua mendësia se ikona në pronësi mund të kish vetëm shteti dhe nga kjo mendësi rrodhi edhe legjislacioni për vendosjen e tyre në listën e detyrueshme të inventarizimit si pasuri kulturore nga Qendra Kombëtare e krijuar në vitin 1995. Kjo mendësi është e gjallë ende.


Korça, me 4-5 kisha, kishte me dhjetra ikona në zotërim, ndërsa besimtarët e qytetit kishin me mijra të tilla. Ato të kishave i mori shteti dhe i shtetëzoi, ndërsa ato private u fshehën ndër sënduqe e sepete. Në kushtet e ndryshimeve të mëdha që rrodhën pas përmbysjes së diktaturës, shumë ikona në zotërim privat dolën në shitje nga poseduesit. Tregu i ikonave, ku Gjergji pretendon se i ka blerë, ishte sheshit e bëhej ditën me diell. Tek një Raqi në Korçë një të tillë mund ta gjeje për 5-10 mijë lekë. Kush të donte mund të blinte dhe shiste. Deri në 1995-ën ligji nuk shprehej. Po, a përbënin tërë ikonat në shitje vlera arti me detyrimin ligjor të inventarizimit të objektit si trashëgimi kulturore? Natyrisht që jo! Por dhe këtë, nuk ka patur as komision e as individ që ta përcaktojë. Mjaft prej tyre, nëse janë pa asnjë vlerë arti, s’ka pse iventarizohen. Vlera arti mbartnin në shumicë vetëm ato ikona që u përzgjodhën dhe u morën nga specialistët e fushës, e për më tepër ato janë të dokumentuara në inventarët e shtetit që lamë pas. Nëse prej tyre ndodhen në duar “koleksionistësh”, afërmendsh që ato janë të vjedhura dhe mbajtësit e tyre duhen vënë para përgjegjësisë ligjore. Sa u përket ikonostasve, çdo koment është i kotë. Ato janë përpos se të vjedhura. Jo vetëm pse ka blerë, por sidomos nëse në inventarin e Thimos gjënden objekte të cilave u zbulohet origjina e rezultojnë të blera nga  vjedhësit, ai është përgjegjës para ligjit. Sa shumë do e kishin ndihmuar këtë të ngratë ata individë e ato institucione që e kishin për detyrë.


* Ish kryetari i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë