BEHAR GJOKA
Pas ditësh dhe javësh të mbushura me kaq shumë zhurmë, me replika hidh e prit, po kaq edhe me takime pabukse të dalzotësave të politikës shqiptare, Berisha dhe Rama, veçse kësaj radhe në shoqërinë e një ndërmjetësi të thekur si Meta, më në fund, formalisht dhe ligjërisht, zaten sipas ndërrimeve kushtetuese të vitit 2008, zoti Bujar Nishani tashmë është vetëm në pritje të betimit presidencial, çka do të thotë se është zgjedhur presidenti i radhës. Fitorja e tij, me 73 vota, shënon edhe epilogun e një procesi me hijedrita dhe kthesa të befta, ku në fakt fituesi urohet dhe përshëndetet, siç bëri kandidati i gatshëm për atë post, zoti Fatos Nano. Megjithatë kjo nuk pengon aspak për të parë aktet e tjera se si u krye ky formalizim dhe shpallje e presidentit të ri të Shqipërisë. Protagonistët, si në të gjithë historinë e këtyre viteve, dihet se ishin Berisha dhe Rama, me rolet kryesore, Meta që lëkundej sa andej-këndej, si dhe Nano që lëvizte më tepër si nëpër terr. Akti i parë i komedisë presidenciale, Berisha dhe aleatët e qeverimit, nxjerrin zotin Xhezair Zaganjori, një burrë i nderuar në punët që ka kryer, në diplomaci dhe jurisprudencë, por që artin e komedisë të politikës shqiptare, nuk arriti ta përtypte. Përballë tyre, Rama i socialistëve, stoik dhe i bindur se nuk është momenti për të folur për kandidatin (ndonëse ishin realizuar disa raunde zgjedhore), më shumë me një mosangazhim të çuditshëm, sepse gjithnjë sipas asaj filozofie, thelbësor është procesi. Nano, në skenë dhe prapaskenë vijonte që të mbetej në pritje të Godosë, që me sa duket nuk kishte për të ardhur as kësaj here. Pas rënies së Zaganjorit, nis të shfaqet akti i dytë, gjithnjë me po ata aktorë kryesorë, Berisha e Rama, dhe midis tyre Meta, që pasi endet një listë me disa emra kandidatësh, shpallet si kandidat potencial i mazhorancës, zoti Artan Hoxha, një njeri i shoqërisë civile, që për Berishën paska punuar me të dyja krahët, ndërsa për Ramën, i përkitka vetmëse oborrit kryeministror dhe përsëri jemi në pritje të procesit (duke futur kokën në rërë si struci), të gjetjes së figurës konsensuale, që me sa duket me cilësitë që kanë në kokë dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, nuk ekziston fare, e madje edhe sikur të shpiket, sërish duhet verifikuar në filtrat e politikës së paragjykimeve dhe pasgjykimeve shqiptare. Akti i tretë, që përkon edhe me epilogun e komedisë presidenciale, në platenë e skenës politike, shfaqet zoti Nishani, një figurë e mirëfilltë e politikës, që në fakt simbolizon asin në mëngën e fshehur të Berishës, për të mos lëshuar pe në raport me interesat partiake, që me shpejtësi futet në garë dhe fiton. Dhe me këtë lëvizje, politike dhe taktike, edhe njëherë tjetër, lideri i mazhorancës, tregoi se e sundon politikën shqiptare, porse në lidhje me praninë e konfliktualitetit, të ashpër dhe të zakonshëm të tranzicionit shqiptar, të besueshmërisë, gati drejt zeros të politikanëve tanë, duket sikur ishim hiçgjëkundi dhe përsëri bëmë një vërrë në uji, në raport me marrëdhëniet me veten, me parimet demokratike, me botën ku edhe duam që të integrohemi. Përfundimisht, kemi edhe një akt tjetër, që vjen tani e tutje, i cili do të luhet, që ka të bëjë me pasojat që vijnë prej kësaj situate. Mbase, angazhimi i plotë dhe me të gjitha forcat i liderit të mazhorancës, duke kërkuar në të gjitha portat, si akademike, civile e politike, si dhe mosangazhimi përfundimtar i liderit të opozitës, e patën rezultatin e vet, sepse edhe njëherë tjetër z. Nano u skualifikua si një kandidat potencial i detyrës së Presidentit të Republikës. Mbetemi në pritje të aksionit politik, nëse do t’u përmbahet përbetimeve të bëra në kohën e komedisë, fill pas përfundimit të garës presidenciale. Nga ana tjetër, z. Bujar Nishani, menjëherë pasi të bëjë betimin, do të duhet të sipërmarrë detyrën e unitetit të kombit, dhe të përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ngjyrave partiake, në mënyrë që të kuptojmë se komedia përfundoi realisht dhe po ecim në rrugën e proceseve demokratike.