ARBEN MANAJ
Kur u shpall se Luan Rama do të luftonte siç ka emrin, si sfidant i Ilir Metës për postin e kryetarit të LSI, mendova se do të kishte një furi analizash në media, siç ndodhi pas zgjedhjeve të fundit me rastin e Edi Ramës kur kërkohej me forcë që ai të linte postin e kryetarit të PS pas humbjes së zgjedhjeve.
I gjithë argumenti në thelb kishte të bënte me faktin, nëse kryetarët e partive politike në Shqipëri duhet të kenë mandat të kufizuar dhe sa duhet të jetë ky mandat për t’i hapur rrugën asaj që avokat Ngjela e cilëson qarkullim i elitave.
Edhe në rastin e LSI jemi sërish në thelb në të njëjtin argument; duhet apo jo kryetarët e partive politike shqiptare të konkurrojnë pafundësisht për postet, që duken sikur i kanë të trashëguara për jetë?!
Shqetësuese mbetet për demokracinë shqiptare mbijetesa e çuditshme e drejtuesve të partive politike për dekada.
Po të shikosh tërë partitë politike në Shqipëri me përjashtim të PS e cila ka krijuar një precedent të pandjekur pas dorëheqjes së Fatos Nanos, te thuajse të gjitha partitë e tjera në tregun politik janë po të njëjtët udhëheqës, Berisha është më klasiku, Meta, Gjinushi, Milo, Ceka, Mediu etj.
Socialisti Rama tashmë pas zgjedhjeve do të jetë ose kryeministër ose nuk do të jetë më kryetar i PS-së. Këtë e përcakton statuti i kësaj force politike, që për ironi të fatit është shumë më përpara në jetën e brendshme sesa ajo parti si PD-ja, që erdhi në skenën politike shqiptare përpara 22 vjetësh për të rrëzuar regjimin, ku një parti kishte hegjominë në gjithçka.
Berisha për shembull ende nuk është shprehur nëse humbet në zgjedhjet e reja, a do të jap dorëheqjen nga Partia apo jo?!
Pikërisht kjo parti, PDSH, ka edhe sot e kësaj dite të njëjtin kryetar që nga themelimi i saj. Vetëm demokraci të brendshme nuk rrezaton një fakt i tillë.
Mundet që ithtarët e PD-së të argumentojnë (që në fakt nëse janë demokratë në shpirt nuk duhet) se Berisha është aty pasi e zgjedh anëtarësia dhe është në pushtet se e zgjedh elektorati.
Kjo nuk është aspak e vërtetë nisur jo vetëm nga mënyra autokratike dhe me dorë të hekurt, sesi drejton PD-në Berisha apo politika “ngrirëse” ndaj kundërshtarëve, por edhe nga mënyra e debatueshme e rizgjedhjes së tij në pushtet.
Do të ishte në nderin e kësaj partie dhe të udhëheqësit të saj historik, që ai të hiqte shijen e hidhur që ofron Shqipëria në krahasim me tërë ish-Lindjen Komuniste, ku një udhëheqës politik që ishte në krye të lëvizjes prodemokratike në vend përpara dy dekadash, është sërish në krye të kësaj force.
Si parantezë, Enveri qëndroi edhe njëherë më shumë se kaq dhe vdiq për shkaqe natyrore, apo si dhe udhëheqësi korenaoverior Kim Jong Il, së fundmi.
Nuk ka asnjë lider që filloi dhe drejtoi lëvizjet prodemokratike në Europën Lindore në të njëjtën kohë si Berisha dhe të jetë jo më në krye të shtetit, por as të atyre partive politike antikomuniste dhe prodemokatike që sollën përmbysjen dhe prishjen e Perdes së Hekurt. Berisha është komunisti i parë demokrat në Shqipëri dhe demokrati i fundit komunist në krye të vendit.
Vetë fakti që Shqipëria është në një gjendje të tillë flet në mënyrë voluminoze për standardet demokratike dhe stadin e zhvillimit para-demokratik, qoftë edhe në një nivel partiak.
Edhe Enverin e “zgjidhte populli”, por ai dhe trashëgimia e tij u përmbys që të kishte rotacion pushteti dhe liderësh nga mungesa e të cilës Shqipëria zhytej thellë e më thellë në autoritarizëm dhe kulte individësh bashkë me pasojat që ajo sjell.
Është tipar i tërë diktatorëve, aq më shumë atyre të kohëve moderne, që vetë qenia në pushtet për një kohë shumë të stërgjatur, nga dyzet e sipër, (22 dy vjet është momentalisht rekordi postkomunist në Shqipëri), që mbyt qarkullimin e elitave dhe prurjet e reja joservile.
Këta politikanë izolohen gjithnjë e më shumë në kullat e tyre të fildishta dhe rrethohen rëndom nga “yes-men” që shikojnë te shërbimi ndaj “të përjetshmit”, mbijetesën e tyre në kurriz të çdo parimi dhe shfytyrimi njerëzor.
Në Shqipëri këta kryetarë janë të plotfuqishëm dhe mëkati më i madh dhe mbytës për funksionimin normal dhe demokratik të formacioneve të tyre politike është edhe i shumë kritikuari atribut që ata kanë, për hartimin e listave të deputetëve, skalioneve më të afërta, që i rrethojnë këto figura.
Është e pafalshme që ashtu si në botën demokratike të mos vendosen mandate të përcaktuara saktësisht që një kryetari i një partie qeveri-formuese ose jo, të mos ketë më shumë se dy herë të drejtë kandidimi dhe drejtimi.
Këta “të përjetshëm” dhe të pazëvendësueshëm (dhe varrezat janë të mbushura plot me njerëz të pazëvendësueshëm…!!!), kanë forma dhe mundësi të ndryshme për kontribute edhe pa qenë në krye të partive të tyre.
Por fatkeqësia është se bashkë me ikjen e postit ata humbasin shumë dhe mbi të gjitha në privilegje, të çdo natyre dhe forme.
Kjo është arsyeja që këto formacione janë atrofizuar dhe kalcifikuar në struktura ku nuk ka frymë të mirëfilltë demokratike konkurrimi dhe karrierizmi politik në kuptimin e drejtë të fjalës.
Ndaj edhe konkurrimet si ai i Luan Ramës, edhe pse ai çuditërisht thotë se nuk konkurron për të mundur Ilir Metën, apo i Maqo Lakrorit apo një Mete tjetër përpara tij në PS, apo edhe Namik Dokles shumë kohë më parë, janë fiktive dhe jo rastësisht shkaktojnë në rastin më të mirë ngritje vetullash dhe butafori sa herë shfaqen.
Në rastin e LSI-së jam i prirur të besoj se konkurrimi ose kandidimi i Luan Ramës për postin e kryetarit është një gjetje e pasofistikuar për të krijuar imazhin e konkurrimit demokratik për një post që i ka ardhur koha e rinovimit.
Jam i bindur, siç jam i sigurt që edhe vetë Luani është në vetvete, se ai nuk ka shanse për të fituar ndaj Metës, jo sepse nuk e meriton, por e tillë është mënyra sesi funksionojnë partitë politike në Shqipëri, të cilat janë shndërruar faktikisht në sekte fetare.