LEONARD BODURI


Në botën moderne përdoren shumë mënyra për të realizuar procesin e kontrollit të veprimtarive të ndryshme. Në disa raste është pothuajse e pamundur të kryhet kontroll në fillim të procesit dhe në raste të tjera ai mund të kryhet vetëm gjatë apo në fund të procesit. Më konkretisht është mjaft e vështirë të kryhet kontrolli për njësi i produkteve problematike të destinuara për tregun, por kjo zëvendësohet me një kontroll sipas një modeli statistikor përfaqësues. Në të njëjtën logjikë, është gati e pamundur dhe kërkon fonde joproduktive parandalimi i plotë i veprimeve që tentojnë të cenojnë ligjet e vendit, por është për të vënë duart në kokë kur nga organet qeverisëse përgjegjëse konsiderohet gati e pamundur ruajtja e monumenteve të kulturës në vend, kur fondet për ruajtjen e tyre nuk besoj se mund të tejkalojnë shpenzimet personale të ministrave për të ndjekur modën apo për të kaluar kohën e lirë. Të gjithë e dimë se cilësia e dobët e kontrollit të veprimtarive më të rëndësishme dhe me ndjeshmëri të lartë për qytetarët shqiptarë lidhet më shumë me mungesën e vullnetit sesa me paaftësinë profesionale të nëpunësve publikë, por megjithatë, marrja në konsideratë apo aplikimi i metodave të përshtatshme të kontrollit do të përmirësonte ndjeshëm treguesit e performancës në veprimtari të ndryshme publike.


Për të gjithë ata që kanë pasur rastin të vizitojnë Britaninë e Madhe do të kenë shijuar edhe origjinalitetin në vendosjen e procedurave të kontrollit dhe funksionalitetin e lartë të mënyrave të aplikuara. Për të sjellë një shembull interesant, në transportin publik mund të vëmë re se në ndryshim me të gjitha metrotë e vendeve të zhvilluara europiane, në hyrje të metrove britanike, askush nuk të kërkon biletë për të hyrë në trenat e nëndheshëm elektrikë, por duhet të bëni kujdes të ruani biletën për në dalje, nëse e keni në planet tuaja të dilni në sipërfaqe. Të gjithë ata që i hyjnë një udhëtimi të nëndheshëm natyrisht do të kërkojnë të dalin në sipërfaqe. Po nëse në vende model si Britania e Madhe kur individë që shkelin rregullat dhe ligjet dhe kërkojnë të dalin në dritë gjejnë në gatishmëri autoritetet e kujdesshme që ndajnë shapin nga sheqeri; në Europën e këtij shekulli ka ende vende të cilat i presin me dafina individë të tillë. Besoj nuk është e nevojshme të shpjegohemi se për cilët vende e kemi fjalën.


Në fjalorin tonë të përditshëm ka zënë një vend tepër komod termi korrupsion. E pranojmë të gjithë këtë dukuri të rrezikshme, e dëgjojmë të pohuar edhe nga goja e politikanëve si të opozitës ashtu edhe të pozitës, por këto pohime shkojnë maksimumi deri në kufijtë e konstatimit. Më pas ka vetëm pëshpëritje dhe heshtje. Madje edhe pëshpëritjet kanë filluar të jenë pa zë dhe shprehen vetëm me mimikë, tek më trimat sigurisht. E karakterizuar nga një cinizëm patetik dhe nga nivel i ulët social, ky reagim i mekur i shoqërisë justifikohet të shumtën e rasteve me një “ç’më duhet mua” të hidhur. Pyetja instiktive që na shkon nëpër mend prej më shumë se 20 vitesh është: “kujt i duhet”? Kujt i duhet se ku përfundojnë telat e vjedhur nga shtyllat elektrike, të cilat lënë me ditë të tëra pa energji konsumatorë të rregullt në një dimër të acartë? Kujt i duhet se cilat mund të jenë kompanitë apo individët që blejnë për skrap apo ku di unë se për çfarë kapakët e pusetave, telat e linjave elektrike dhe të tjera materiale, mungesa e të cilave rrezikon jo thjesht komoditetin e jetës së përditshme por dhe mund të jenë burim aksidentesh të rënda? Më e rëndësishme akoma është të dimë se kujt i duhet se ku mund të shkojnë valixhet diplomatike të mbushura me kartëmonedha që burojnë pas proceseve “të rregullta” të tenderëve publikë, të cilët nga ana dokumentare janë të kopsitura “bukur dhe pa gabime”?


Ndoshta mund të na duhet se kush janë përfituesit e këtyre veprimtarive të nëndheshme, të cilat mbajnë erë korrupsion. Ndoshta mund të na interesojë të dimë se cili është burimi i nxitjes së veprimeve që na penalizojnë vazhdimisht dhe na e bëjnë përditshmërinë më të vështirë se fqinjët tanë europianë. Ndoshta mund të kemi interes që në administratën publike të shohim individë të arsimuar që dinë të japin xhevap për problemet e qytetarëve dhe jo që dinë vetëm të jenë militantë të dalluar të partive në pushtet. Ndoshta do të ishte më mirë që të shihnim më në fund pas hekurave disa tipa me vila luksoze të mbira për një kohë tepër të shkurtër, për të pasur një lindje natyrale; apo disa tipa të tjerë të cilët as që kanë denjuar të shpenzojnë paratë e vjedhura me djersë në vendin që e kanë rrjepur me shumë dashuri, por kanë zgjedhur depozitimin e kartëmonedhave në bankat e sigurta jashtë vendit. Ndoshta do ishte më mirë që patriotizmin tonë të zjarrtë për atdheun ta tregonim sadopak edhe me përgjegjshmërinë ndaj pasurisë së përbashkët publike. Ndoshta mund të shtonim edhe shumë “ndoshta” pambarimisht për të mbrojtur tezën e mundësive reale dhe të instrumenteve konkrete për të vendosur rregull dhe drejtësi në këtë vend, por duhet të mos harrojmë edhe një element të rëndësishëm: dëshirën për të vendosur rregull dhe drejtësi.


Për sa kohë që “ndoshta” e mësipërme nuk merren në konsideratë seriozisht nga shqiptarët, metodat e përparuara dhe të posaçme të kontrollit sado të sofistikuara të jenë nuk pinë ujë. Për sa kohë që ne mund të heshtim përballë padrejtësive sistematike të kthyera tashmë në normalitet, nuk ka pse të shqetësohemi për efikasitetin e metodave moderne të kontrollit. Në të njëjtën logjikë për sa kohë që kemi një reagim të mefshtë ndaj padrejtësive dhe një ndjenjë të lartë kompromisi që “legjitimon” pandëshkueshmërinë e korrupsionit, nuk ka pse të shqetësohemi për gjendjen aktuale të shoqërisë sonë. Një shoqëri vuan më shumë nga heshtja dhe indiferenca e njerëzve të përgjegjshëm sesa nga dhuna dhe babëzia e udhëheqësve të tyre të papërgjegjshëm. Është vërtet ironike të mendosh se vazhdojmë ende të jetojmë në tokën e askujt, vetëm sepse organet qeverisëse qendrore dhe vendore nuk arrijmë dot të aplikojnë një sistem kontrolli efektiv, por është tejet e papranueshme të durosh në heshtje dhunën e pashembullt që ushtron korrupsioni ndaj gjithë shoqërisë shqiptare…