BLEDAR KURTI
Të gjithë flasim për korrupsionin si një sëmundje e pashërueshme. E përdorim edhe si justifikim për mosarritjet tona apo si armë për të luftuar kundërshtarët politikë dhe socialë. Por korrupsioni nuk ka një fytyrë, as adresë, as ngjyrë, as formë, është një fenomen që fatkeqësisht ushqehet, rritet dhe lulëzon te vetë shoqëria. Me dije apo pa dije shoqëria jonë ka kanalizuar vlerat e saj të lidhura me paranë e pushtetin dhe si rrjedhojë është infektuar me materializmin, përfitimin e shpejtë dhe abuzimin që përbëjnë atë që ne e quajmë korrupsion.
Të quash dikë të korruptuar është diçka e rëndë, por nëse dikush përshkruhet si i zoti në akumulim pasurie dhe pasuri të menjëhershme është dhunti dhe diçka fisnike. Kjo tregon se vlerat tona janë shndërruar në antivlerë, dhe është kjo e fundit që ka drejtuar filozofinë tonë të jetës në këto dy dekada. Dashuria e madhe për paranë dhe për pushtetin ndaj të tjerëve, si edhe presioni i madh dhe përbuzja e mbarë shoqërisë ndaj individit të varfër dhe të ndershëm, ka bërë që një njeri i thjeshtë të harrojë këshillat e gjyshërve mbi ndershmërinë dhe punën, por të bëhet konformist me shoqërinë dhe të sigurojë të ardhura materiale jashtë asaj që i takon.
Fatkeqësisht, teksa bëjmë thirrje kundër korrupsionit, jetët tona drejtohen për nga materializmi, paraja dhe pushteti. Edhe fëmijët tanë po i edukojmë që të bëhen pragmatistë dhe jo idealistë, ndoshta duke i vrarë edhe ëndrrat që kanë për t’u bërë shkrimtarë, edukatorë, mësues, muzikantë, artistë, shkencëtarë etj., duke i detyruar të mësojnë jurisprudencën që të bëhen prokurorë dhe gjykatës, apo duke i nxitur t’i bashkëngjiten ndonjë partie që të bëhen kryetarë bashkie apo komunash, sepse, sipas perceptimit të tyre, pushteti lidhet me paranë. Ndaj, jo vetëm mendja e prindërve udhëhiqet nga një filozofi me vlerë materialiste, por edhe brezat që po rriten do të kenë etje më të madhe për pushtet dhe pará, dhe a nuk thuhet se këto janë burimi i gjithë të ligave?!
Korrupsioni nuk është një fytyrë prej përbindëshi me dhëmbë të mëdha, por është një filozofi jetese, e cila më pas të drejton në praktika të cilat shkelin ligjin. Gjithkush gëzon të drejtën të shpalosë talentin e tij në biznes, investime apo edhe të ngjisë shkallët më të larta në karrierë, por askush nuk ka të drejtë t’u imponojë të tjerëve një standard të ri mbi vlerën dhe parimet njerëzore. Shoqëria e sotme ka vendosur rregulla të reja mbi vlerën dhe parimet njerëzore, duke promovuar paranë dhe duke diskriminuar talentin, duke vlerësuar përfitimin e shpejtë dhe duke përçmuar punën e ndershme. Para dy dekadash, shoqëria e shihte ndershmërinë si virtyt njerëzor, ndërsa sot, nën buzë apo edhe me zë, konsiderohet si virtyt i budallait. Kush na transformoi në këtë mënyrë? Është e thjeshtë t’i drejtojmë gishtin politikës, por më parë duhet të analizojmë veten dhe t’i vendosim prioritetet siç duhet, së pari në jetën dhe familjen tonë.
Sot jetojmë në një darvinizëm social, ndaj kuptohet që lufta për mbijetesë është edhe më e rreptë sesa në të kaluarën, por kjo nuk justifikon ndryshimin e vlerave të shoqërisë sonë. Ëndrrat e të rinjve të sotëm vërtiten në perandori biznesi imagjinare dhe pará të lakmuara të multimiliarderëve botërorë, si Bill Gates apo Mark Zuckerberg, të cilët ndryshe prej lakmive të pambështetura të rinisë sonë kanë arritur suksesin dhe paratë me talent e me punë.
Ka një pritshmëri tejet të madhe që korrupsioni mund të çrrënjoset me ligje më të forta dhe me një politikë të re. Kjo pritshmëri është e gabuar, pasi historia e qytetërimeve moderne na ka treguar se ligjet më të mira në botë nuk kanë efekt nëse e gjithë shoqëria nuk është e gatshme dhe partnere në zbatimin e këtyre ligjeve. Shpesh ligje të mira kanë rezultuar në anarki dhe gijotinë. Nga ana tjetër, politika e re nuk është garanci për eliminimin e një fenomeni që tashmë është social (madje është shndërruar gjenetik) dhe jo vetëm politik. Vetë shoqëria e ka në dorë ta çrrënjosë këtë filozofi jetese dhe ta zëvendësojë me vlera njerëzore dhe qytetarie. Kjo nuk përjashton dhe justifikon askënd që është kryekëput i korruptuar, por vetë ne, në jetët dhe familjet tona, duhet të praktikojmë një filozofi vlerash dhe jo përfitimesh.
Të gjithë e kemi gënjyer veten duke menduar se korrupsioni është një detyrim jetik i shkaktuar prej shumë faktorëve të jashtëm, por, në fakt, është një zgjedhje individuale që më pas reflektohet në shoqëri. Nëse të gjithë zgjedhim të jetojmë sipas vlerave njerëzore dhe qytetare, do të kuptojmë se jemi në shumicë, dhe pala tjetër do të jetë një pakicë në zhdukje, duke bërë kështu çrrënjosjen e një mentaliteti korruptim, i cili ka dy dekada që na ka infektuar shumë rëndë.