GJERGJ EREBARA
Disa nisma gati banale të qeverisë kundër korrupsionit janë shfaqur gjatë ditëve të fundit me një axhendë të dyfishtë. Nga njëra anë synohet të “binden” burokratët e Brukselit se diçka po ndryshon për mirë dhe se korrupsioni po luftohet, megjithëse asnjë i korruptuar nuk është në burg. Nga ana tjetër, synohet të krijohet një alibi, ku si zakonisht, opozita pritet të akuzohet si fajtore për mosmiratimin e amendamenteve antikorrupsion dhe rrjedhimisht, humbjen e mundshme të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Propozimi i parë i qeverisë është heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë, një kërkesë e përsëritur kjo e ambasadorëve të huaj. Propozimi i dytë është vendosja e detyrimit për raportimin e pasurisë për njerëzit që bashkëjetojnë me zyrtarët që e kanë këtë detyrim aktualisht.
Të dyja ndryshimet, nëse miratohen, nuk sjellin asnjë ndryshim cilësor në luftën kundër korrupsionit dhe as nuk i zvogëlojnë përmasat e korrupsionit në vend. Të dyja janë “hapa që synojnë” të zvogëlojnë korrupsionin, jo duke ndëshkuar hajdutët siç e meritojnë, por duke i vënë përballë mundësisë për t’u ndëshkuar. Vetë mundësia për t’u ndëshkuar është teorike dhe larg të qenët një kërcënim real.
Ndërkombëtarët janë si zakonisht teorikë në qëndrimet e tyre. Togfjalëshat më të përdorur nga ambasadorët që dje shkuan t’i bëjnë presion opozitës të votojë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit, qenë: “lufta ndaj korrupsionit është e rëndësishme”.
Ka një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si establishmenti politik në Shqipëri po e trajton problemin e korrupsionit sot, në krahasim me të shkuarën. Zakonisht në dekadën e fundit, qeveritë, e majta apo të djathta, kanë ofruar edhe spektakël për të bindur popullsinë dhe ndërkombëtarët për seriozitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Në disa raste u organizuan operacione policore dhe gjyqe për të dënuar zyrtarë të nivelit të tretë e të katërt për akuza për korrupsion. Në të gjitha këto raste, të korruptuarit deklaruan se ishin viktima, ishin si të thuash, të persekutuar politikë. Dhe kishin të drejtë. Ata kishin bërë asgjë më shumë e asgjë më pak nga sa bëjnë shumica dërrmuese e njerëzve me pushtet në Shqipëri. Por u detyruan t’u hyjnë allandrave të gjyqeve thjesht se disa duhet të dënoheshin për spektakël. Të gjitha këto gjyqe filluan me dënime të lehta në gjykatat e faktit, me dënime edhe më të lehta në apel e me liri me kusht, si dhe me pafajësi në Gjykatën e Lartë. I vetmi dallim ishte që ndërsa gjyqet e faktit mbuloheshin nga media, ato të gjykatave më të larta bëheshin në heshtje.
Ndërkombëtarët kanë dhënë edhe në të shkuarën formula magjike për luftën kundër korrupsionit, ku shembulli më konkret ishte ligji për deklarimin e pasurive. Ligji që u miratua në vitin 2004, ka ofruar deri më sot lajme spektakli, nga ato të vlefshme për gazetat tabloid. Lajmet kanë qenë të llojit: kush është politikani më i pasur, kush ka unazën më të shtrenjtë etj. Në asnjë rast ky ndryshim me formulat magjike të ndërkombëtarëve nuk solli dënimin e ndonjë të korruptuari. Megjithatë, bëri diçka të mirë, sepse së paku njerëzit tani mund të informohen. Heqja e imunitetit vështirë se do të sjellë ndonjë gjë më shumë në këtë drejtim. Zyrtarët, të cilët teorikisht do të mund të hetohen dhe arrestohen pa shumë burokraci, sërish do të kenë të njëjtën fuqi ekonomike e politike që disponojnë aktualisht e që u mjafton të korruptojnë a t’i mbyllin gojën prokurorëve e gjykatësve.
Ambasadorët e huaj, të cilët në Shqipëri janë në rolin e celebriteteve publike të ngjashme me Rihanën e të tjera, nuk është se kanë ngurruar të bashkëpunojnë, e shpesh edhe të ofrojnë lëvdata për figura të jetës shqiptare që njihen botërisht si të korruptuar apo edhe më keq.
Për shqiptarët e zakonshëm, ndryshime të tilla ligjore nuk kanë shumë kuptim dhe as deklaratat e ambasadorëve nuk është se bëjnë shumë punë. Një hendek gjithnjë e më i madh është krijuar mes diskursit politik të gazetave e televizioneve dhe shqetësimeve reale të të gjithë shqiptarëve.
Korrupsioni në Shqipëri nuk është një fenomen rastësor, që prej 10, 20 apo 30 për qind të zyrtarëve me pushtet. Kjo që kemi ne është në fakt kleptokraci. Kryeministri Berisha, i cili është personi që e ka sjellë këtë fjalë në diskursin politik shqiptar, duhet ta dijë mirë. Korrupsioni në Shqipëri është në nivel sistemi, një sistem që është instaluar përmes kontrollit të pushtetit politik jashtë vullnetit të votuesve dhe që përdoret për të fituar para me qëllim që të shtyhet për më vonë demokratizimi i vendit.
Ndërkombëtarët bëjnë mirë që të punojnë për të zhbërë katrahurën që ata vetë mbështetën në vitin 2008 me krijimin e sistemit të listave të mbyllura për deputet, sistem që e largoi edhe më shumë Shqipërinë nga demokracia përfaqësuese.