ANDREA STEFANI  


Andrea StefaniTashmë që është e qartë se nuk gëzon mbështetjen e shumicës së shqiptarëve dhe kur dyshimi i ndërkombëtarëve është i rritur më shumë se kurrë, të vetmen shpresë për t’u përjetësuar në pushtet Berisha ka jo thjesht vjedhjen e zgjedhjeve, por larjen e votave të vjedhura me anë të institucioneve si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ku deri dje ka qenë në shumicë. Kjo është veçoria e radhës në manipulimin e zgjedhjeve. Por në momentin që shumica bolshevike i tretet për shkak të largimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar, Berisha ndihet i goditur në armën kryesore të strategjisë së vjedhjes së votës. Shprehje e orvatjes së dëshpëruar për të restauruar shumicën bolshevike në KQZ (dhe bashkë me të edhe mekanizmin e manipulimit) është e iniciativa e shumicës berishiste në Kuvend për të shkarkuar një anëtar të KQZ dhe për ta zëvendësuar me një tjetër.


 


***


Gjithçka që Berisha kërkon të realizojë nuk ka asnjë lidhje me zbatimin e ligjit dhe aq më pak me shtetin ligjor. Tashmë konstitucionalistë të njohur kanë shpjeguar me argumente se nuk ka asnjë bazë ligjore për ndërprerjen e mandatit të një anëtari të KQZ-së vetëm se nuk i dalin llogaritë Kryeministrit. Edhe ambasada e SHBA-së ka deklaruar se “është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe u emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë”. Pak a shumë kështu është shprehur edhe zëdhënësi i komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. Pra, fryma e Kushtetutës dhe në bazë të saj Kodi Zgjedhor, i kanë njohur shumicës të drejtën që të ketë në KQZ, 4 anëtarë të propozuar nga ajo. Por në momentin që këta anëtarë janë zgjedhur presupozohet, po sipas frymës së Kushtetutës, se nuk janë më as të Saliut, as të Edvinit dhe as të Metës, Topit apo Spahiut. Ata janë punonjës publikë që devocionin dhe besnikërinë e tyre duhet t’ia dedikojnë Kushtetutës dhe publikut. Praktikat e mbrapshta të derisotme, të keqpërdorimit nga partitë të të emëruarve të tyre në KQZ si militantë, nuk janë një argument që Kryeministri të largojë nga KQZ-ja anëtarin e propozuar prej LSI-së, meqë kjo parti nuk është më pjesë e koalicionit të tij. Sepse, para ligjit dhe Kushtetutës ai nuk është më i LSI-së, por një anëtar i institucionit të pavarur. Kushtetuta nuk njeh anëtarë institucionesh të pavarura me damkë partiake në vithe apo në veshë.


 


***


Por Kryeministri ka pikërisht këtë mendësi. Nëse je anëtar i KQZ-së, i propozuar nga një parti në koalicionin qeveritar, atëherë ti je bagëti e qeverisë dhe bën atë që thotë jo Kushtetuta e ligji, por atë që thotë qeveria. Por nëse partia jote largohet nga qeveria, duhet të largohesh edhe t’i nga institucioni i pavarur. Dhe meqenëse Kodi Zgjedhor e pengon të ndodhë një gjë e tillë, Berisha anashkalon me pehlivanllëk ligjin dhe nxjerr si parësore marrëveshjen. Ja si shprehet ai: “Në shekuj, parim themelor i funksionimit të shtetit të marrëdhënieve ka qenë dhe mbetet respektimi i marrëveshjeve. Ndaj dhe them, thuhet dhe do të thuhet gjithmonë “pacta sunt servanda” marrëveshjet janë për t’u nderuar”. Vëreni sesi ky autokrat që urren shtetin ligjor e zëvendëson atë me “shtetin e marrëdhënieve” që nuk do të thotë gjë tjetër veçse shteti i pazareve në kurriz të ligjit. Madje ky sharlatan politik shkon edhe më larg, duke deklaruar absurditete të tilla si “…është marrëveshja politike, e cila në vlerën e saj është e barasvlershme me normën kushtetuese të vendit, e cila ka përcaktuar si balancë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportin 4 me 3”. Në asnjë mënyrë një marrëveshje politike nuk mund të barazohet me normën kushtetuese. Një normë kushtetuese është përherë e detyrueshme për zbatim, ndërsa një marrëveshje jo. I këshilluar nga juristë që kanë për misionin jo forcimin e shtetit të së drejtës por përdorimin e proceduralizmit antidemokratik kundër së drejtës, Berisha deklaron “pacta sunt servanda” – marrëveshjet duhet të respektohen! Por nuk është fare kështu. Mentorët e proceduralizmit autokratik që ka rreth vetes duhet t’i kishin thënë se ka edhe një thënie po latine, “clausula rebus sic stantibus”, në bazë të së cilës tolerohet mosrespektimi i marrëveshjeve në rrethana të caktuara.


 


***


Por, në fakt, në rastin e KQZ-së nuk kemi të bëjmë fare me mosrespektim të paktit politik që 4 anëtarë të KQZ-së të vijnë nga mazhoranca dhe 3 nga opozita. Berisha e ngatërron qëllimisht muhabetin. Sepse ky pakt është respektuar në momentin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së. Por kjo nuk do të thotë që duhet të kemi medoemos 4 partizanë të shumicës dhe 3 të pakicës në një institucion që, sipas frymës së Kushtetutës dhe ligjit, duhet të jetë i pavarur. Por Berisha ashtu i do. Prandaj propozon zëvendësimin e anëtarit të ardhur nga LSI-ja (që ligji nuk e njeh më si të LSI-së, por si anëtar të KQZ-së) me një tjetër nga koalicioni qeveritar. Edhe pse ligji, pikërisht sepse tenton pavarësimin e KQZ-së, nuk e parashikon një ndërrim të tillë. Berisha qahet se partitë që largohen nga qeveria nuk mund ta marrin KQZ-në në shpinë. Kuptohet që këtë e bën sepse do që t’ia hipë KQZ-së bolshevikisht në shpinë. Pra edhe zgjedhjeve e demokracisë.