ALEKSANDËR ÇIPA 


Aleksander CipaAbsurd si ky i tanishmi, me KQZ-në shqiptare nuk ka ngjarë në ndonjë zgjedhje të mëparshme në këtë vend dhe natyrisht nuk ka pasur një rast të dytë të tillë në vendet fqinje dhe ato të Europës Juglindore. Gjendja aktuale e këtij institucioni të mbetur me katër anëtarë të propozuar nga qeveria në fuqi, po provokon rëndë procesin zgjedhor dhe po e rikthen Shqipërinë në vëmendjen kritike të faktorit ndërkombëtar. Një ditë më parë “Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand, shprehu në një intervistë për “Zërin e Amerikës” keqardhjen për ato që i quajti lojëra politike, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.


Historia dhe përvoja e proceseve zgjedhore nëpër të cilat ka kaluar ky vend dhe në shumicën e rasteve ka përgatitur politikani Berisha, është modelisht një histori negative, një histori e krahasuar fatkeqësisht me veten, domethënë me përvojën e parashikuar në këtë vend dhe jo me një referencë tjetër, pra me atë që ofron perimetri gjeografik i vendeve të BE-së. Natyrisht, kjo përvojë nuk është shënuar si meritë e politikanit Berisha, por është faturuar zgjuarsisht dhe imponueshëm prej tij, si arsye dhe për shkak të kundërshtarëve të tij politikë të së majtës. Tashmë nuk është e harruar historia e konflikteve parazgjedhore që gjeneronte dyshja Berisha-Nano e pak më vonë Berisha-Meta, por po kaq e freskët është edhe historia dhe përvoja zgjedhore e përballjeve Berisha-Rama. Në të gjitha ciklet ka ndryshuar vetëm protagonist përballë dhe vijon të mbetet, protagonisti i ndenjur. Pavarësisht këtij fati të mbarë të zotit Berisha e të diskutueshëm për modelin e demokracisë hibride të këtij vendi, historia zgjedhore sërish qenka e shkruar të mbetet e njëjtë. Një proces i bllokuar dhe i  bojkotuar, i mbajtur në normën më të lartë të politizimit dhe sidomos me institucionet ligjore më të komanduara partiakisht se kurrë.


Në procesin e pritshëm të qershorit që afron, dilemat po bëhen më të mëdha jo për shkak të mosleximit drejt të diferencave mes dy palëve, por për shkak të shtimit dhe rritjes së presingut imponues që Kryeministri elektoral bën mbi gjithçka që është rreth tij dhe sidomos përballë tij. Një politikan që edhe pse ka konsumuar dy mandate qeverisëse, fushatën për mandate të tretë e fokuson drejt padrejtësisë që po i bën nihilizmi i opozitës dhe sidomos bllokimi i tre ligjeve, të cilat do ta kishin çuar sipas tij Shqipërinë në statusin e vendit kandidat. Në këtë mënyrë e me këtë patos të pabrendi, Kryeministri i këtij vendi, po i mëshon “së drejtës së tij” për padrejtësinë opozitare, duke e bërë këtë aspektin më të rëndësishëm të të gjithë fushatës së vet për mandat të tretë qeverisës. Ndërkohë që në morinë e çështjeve që formësojnë një gjendje të nderë dhe sidomos një realitet socrealist mes pozitës dhe opozitës në këtë vend, ajo që është më problemorja saktësisht konstatohet prej këshilltarit amerikan të Komitetit të Helsinkit, zotit Hank kur pohon se: “…komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij e pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit”.


Po është një pohim i drejtpërdrejtë dhe që vjen krah ankesave të shumëshprehur prej zërave më të mëvetësishëm të shoqërisë shqiptare brenda vendit dhe në emigracion se në këtë vend realisht po sundon mekanizmi që pengon realizimin e potencialit të vendit. Dhe ky potencial është pranguar në këtë kohë në rrethana dhe prej faktorëve të shumtë. Ky potencial është penguar së pari nga shembja e demokracisë së konkurrimit në gjithë kuptimin e fjalës, nga shembja e meritokracisë dhe zëvendësimi i saj nga partitokracia dhe autoritarizmi primitiv e fisnor. Potencialin real të besimit zgjedhor nuk mund ta vlerësojë dhe sidomos materializojë një administratë zgjedhore që të rikujton organizatat e dikurshme të partisë së Enverit, as një administratë publike që është kthyer e gjitha në një shërbëtore elektorale dhe në një strukturë raja, të cilën e përdor partia në fuqi dhe e kërcënon partia që pretendon të vijë në qeveri. Por shembjet e ngjara në standarde dhe në trajtimet ligjore të administratës dhe nëpunësisë jashtë fushatës zgjedhore, janë shumë e shumë më pak sesa rreziku që paraqet për imazhin e Shqipërisë dhe sidomos të procesit zgjedhor që ajo ndjek në një gjendje gati të pangjarë, gjatë ditëve të sotme deri në 23 qershor të këtij viti. Institucioni me një krah i KQZ-së në ditët e afërta, nëse lihet në këtë gjymtim, ka për të qenë një arsye e mjaftueshme për ta rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve me standarde të rrënuara zgjedhore dhe me një frymë e marrëdhënie konfliktuale bipolariteti. Në këtë mënyrë, Kryeministri Berisha mund të vijojë të shpërndajë çukë më çukë  krenarinë për shtrimin e rrugëve, por nuk e mbulon dot gropën e madhe të shkatërrimit të demokracisë dhe institucionalizmit zgjedhor. Reagimi apo qoftë edhe retushi i orës së fundit që mund të realizojë ndaj këtij institucioni Kryeministri Berisha, mund të shndërrohen paskësaj një provë fatale për fatin e tij në marrëdhënie me ndërkombëtarët. Kapërcimi i kësaj gjendjeje bllokimi nuk është më aq i thjeshtë. Amerikani i fundit i rëndësishëm, zoti Hand, i shprehur për këtë çështje shton: “Prandaj mendoj se duhet të ketë një riangazhim ndaj Kodit Zgjedhor, ndaj ligjeve, dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë”. Tingëllon si një zgjidhje apo çelës teorik, por për nga nevoja, është e pakapërcyeshme. A do përmbushet kjo kërkesë? A do të reagohet me dëgjueshmëri kryeministrore ndaj kësaj kërkese amerikane? A do të kryhet në kohën e mbetur të këtij Parlamenti?


Gjithçka mund të ndodhë në sjelljen dhe praktikën zgjedhore dhe politike të Kryeministrit, por kësaj here Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që gjendet nën një çati të Pallatit të Kongreseve, për nga interesimi ndërkombëtar dhe posaçërisht  ai amerikan në shtim, po merr simbolikën e “shtëpisë së bardhë”, e cila mund të mos “qeverisë normalisht këtë proces zgjedhor” sipas afateve ligjore, por para së gjithash mund ta ndëshkojë përgjegjësin e përgatitjes së zgjedhjeve Berisha, më shumë se vetë kundërshtarët e tij apo ortakët antonimikë, atë.