BLEDAR KURTI
Ashtu si dhelpra në fabulën e njohur, edhe Kreshnik Spahiu, drejtuesi i Aleancës Kuqezi, deklaroi se koalicioni parazgjedhor me partitë opozitare ishte i thartë. Pasi dështoi të bindë Ramën me 5 kandidatë të saj në listat e PS, iu kthye retorikës “nacionaliste” si herët e tjera, por kësaj here duke kërkuar rrush të pjekur në fusha pa vreshta.
Përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit tashmë kanë sjellë risi në historinë e politikës shqiptare. Për herë të parë, koalicioni i majtë shkon në zgjedhje i bashkuar dhe i gjerë, duke pasur pjesë të tij edhe parti të djathta. Në një logjikë të thjeshtë politike, parë në perspektivën postzgjedhore, AK duhet t’i ishte bashkangjitur këtij koalicioni, pa kushte të forta dhe qëndrim kryeneç, por me një qëndrim bashkëpunues dhe tolerant. Por, me sa duket, dehja nga lavdia e bëri këtë forcë të re pa bosht, pa filozofi dhe pa aleatë, të endet e vetmuar drejt një rezultati zhgënjyes më 23 qershor.
Koalicioni i majtë duhet të ndihet i çliruar nga vetëlargimi i AK, jo vetëm sepse ndan qëndrime të ndryshme dhe ka vizion krejt të kundërt, por gjatë qeverisjes së nesërme do ta ruajë veten të pastër nga pseudo-nacionalizmi, retorika arkaike ballkanase, nocionet e vjetruara të kufijve, armiqësitë ndaj vendeve fqinje dhe emocionet e tepruara dilitante të cilat nuk i shërbejnë integrimit të vendit në familjen europiane.
Koalicioni i majtë Aleanca e Shqipërisë Europiane ka si mision integrimin e plotë të vendit dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda dy mandateve qeverisëse. Natyra antiintegruese e një partie nacionaliste si AK, do ishte një pengesë për arritjen e këtij qëllimi.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, si bërthama e koalicionit të opozitarizmit të sotëm dhe qeverisjes së nesërme, kanë në themel të çdo politike partiake frymën europiane të qeverisjes dhe zhvillimit, një aleancë me një parti, sado e vogël qoftë ajo, e cila shpreh mllef dhe urrejtje ndaj minoriteteve dhe fqinjëve do ta ngadalësonte ritmin integrues të vendit.
Vendimi i AK për të garuar e vetme dëshmon gjithashtu edhe për një mungesë profesionalizmi në politikë. Të fitosh i vetëm apo të humbasësh gjithçka nuk është një qëndrim i matur politik. Kodi Zgjedhor është tejet i rreptë ndaj partive të vogla të cilat garojnë të vetme dhe kjo bën që shanset e AK për një rezultat të kënaqshëm të jenë shumë të pakta. Dhe, një rezultat minimal në zgjedhjet e qershorit, jo vetëm rrezikon ekzistencën e kësaj partie, por do jetë zhgënjyese për ata ndjekës të cilët i besuan verbërisht drejtuesve të saj.
Në politikën botërore, partitë nacionaliste i përkasin vetëm së kaluarës. Në të gjitha vendet e zhvilluara, këto parti janë në një minorancë të papërfillshme, dhe për më tepër, shquhen për nuancat e forta antiemigracion, antiglobalizim, antimultikulturalizëm, antiintegrim, etj., faktorë të rëndësishëm për një vend si Shqipëria e cila kërkon t’i forcojë këto pika dhe të integrohet në Europë.
Duke garuar e vetme, AK jo vetëm nuk ka njollosur koalicionin e majtë dhe nuk ka prishur imazhin e saj proeuropian, por nuk do jetë pengesë për politikat integruese gjatë tetë viteve të ardhshme.
Pas 23 qershorit, dhelpra do kthehet përsëri tek rrushtë, por edhe atëherë ajo nuk do t’i kapë dot.