MUSTAFA NANO


Mustafa NanoNjë titull i Shqipit të djeshëm kish të bënte me një interpelancë parlamentare të ministrit tonë të Jashtëm, në të cilën ky i fundit ish thirrur të jepte shpjegime lidhur me ngjarjen e Kumanovës, ku mbetën të vrarë 22 vetë. Në krye të faqes së parë, nëpërmjet titullit pra, lihej të kuptohej se Bushati kish thënë në këtë interpelancë që “kriza në Maqedoni nuk është ndëretnike”. Ky pohim i Bushatit nuk gjendej në citimin që i bëhej këtij të fundit në raportimin që bëhej në faqet e mesit, por reporterja (Artemisa Hoxha) e përsëriste jashtë thonjëzave të citimit, gjë që të bën të mendosh se ajo e ka dëgjuar atë me veshët e saj gjatë interpelancës apo e ka lexuar në ndonjë info të shpërndarë nga Kuvendi apo Ministria e Jashtme. Për të qenë të saktë, reporterja perifrazonte kryediplomatin. Dhe shkruante: “Bushati theksoi se të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë pengesë për anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë dhe se … kriza në Maqedoni nuk është ndëretnike”.


Po ndalem te kjo frazë e fundit: Kriza në Maqedoni nuk është ndëretnike. Unë jam i sigurt që ministri ynë i Jashtëm nuk e beson këtë që ka thënë. Dhe në këtë mes nuk ka ndonjë çudi. Ministrave të Jashtëm dhe diplomatëve në përgjithësi, u qëllon shpesh të thonë gjëra që nuk i besojnë. Atyre ua do puna në të shumtën e kohës t’u vijnë rrotull gjërave, t’i shprehin mendimet me delikatesë, e shpesh t’i fshehin këto mendime. Sillen kështu, përveç të tjerash, për të mos acaruar marrëdhëniet me vende të tjera, për të kontribuuar në të mirë të paqes e të sigurisë rajonale, që vetvetiu përkthehet në paqe e siguri për qytetarët e vendit të vet, dhe për t’u ardhur pas midesë politikave e qëndrimeve të fuqive të mëdha. Nuk është sekret për askënd që shefat e NATO-s apo edhe diplomacitë e vendeve të rëndësishme që janë anëtare të NATO-s, nuk do të donin që t’i mëshohej natyrës ndëretnike të krizës / krizave në Maqedoni, ndonëse e dinë se ky nënvizim është i saktë dhe i vërtetë. Kjo krizë e fundit, ashtu si shumë situata të tjera të trazuara në Maqedoni, ashtu si edhe frika konstante e të gjithëve se lipset pak, uf sa shumë pak, për ta bërë copë e thërrime Maqedoninë, e kanë burimin te kjo mllefosje ndëretnike, së cilës nuk po ia gjejnë ilaçin. Ndoshta nuk duhet bërë me faj pra ministri ynë i Jashtëm që nuk e thotë këtë gjë, por nuk ka diskutim se për këtë gjë duhet folur.


Maqedonia e sotme është qartazi shumë etnike. Kudo nëpër Ballkan ekzistojnë pakica etnike, por diskutimi në Maqedoni është i ndryshëm. Në Maqedoni nuk flitet për pakica. Në Maqedoni flitet më së pari për dy etni që janë pjesë konstituive të shtetit apo të “kombit”. Në vende të tjera të Ballkanit, respektimi i të drejtave të pakicave mund të shihet edhe si një optional prej ndonjë klike sunduese të papërgjegjshme, me fjalë të tjera shumica e komanduar prej klikave të tilla edhe mund t’ia lejojë vetes të nëpërkëmbë apo shtypë pakicën, por në Maqedoni kjo gjë nuk do të ishte hiç e këshillueshme. Atje nuk do t’ia dijë njeri se çfarë është e këshillueshme, megjithatë. E prandaj ka ndodhur kjo që ka ndodhur, është ndërtuar një Maqedoni “një etnike”, pa e çuar në mendje se kësaj Maqedonie, ku sllavët sundojnë e shqiptarët sundohen, mund t’i zgjatet jeta ca kohë, siç i është zgjatur deri më sot, por fundi i saj është i pashmangshëm.


Shkoni në Shkup dhe atje do të gjeni ilustrimin më skandaloz të kësaj gjendjeje. Kryeqyteti i Maqedonisë është shembulli më i qartë i ndarjes së thellë që ekziston mes sllavëve e shqiptarëve. Shqiptarët banojnë në lagjet e tyre, të cilat të para së bashku përbëjnë një njësi urbane integrale, dhe në këtë pjesë të Shkupit nuk mund të ndodhë që të banojë ndonjë maqedonas. Ka romë e egjiptianë, por jo sllavë. Sllavët banojnë në pjesën tjetër të Shkupit, e cila duket se i përket një bote tjetër. Kjo pjesë e Shkupit karakterizohet nga luksi, kamja, moderniteti, zhvillimi. Shkupi i banuar nga sllavët është më i bukur se çdo qytet tjetër në botën shqiptare, është më i bukur në çdo cep të tijin edhe se Blloku i Tiranës. Të kuptohemi, si lum sllavët për këtë, por puna është se i njëjti qytet në pjesën shqiptare është më i shëmtuar se çdo shëmti urbane në të njëjtën botë tonën, është më i shëmtuar se sa Rubiku, Sukthi apo Përrenjasi (madje, u merr të keqen këtyre të fundit), është një favela me shtëpi një e dykatëshe që mezi qëndrojnë më këmbë, me rrugë të ngushta e të pista, e me banorët që vijnë vërdallë si në jerm, mes të cilëve bien në sy djem të rinj të papunë që tundin këmbët të ulur në mure oborresh në pritje të namazit të radhës. Është një kontrast rrëqethës.


Sigurisht, shqiptarët, me prapambetjen e ububushme kulturore që i karakterizon e me elitën e shpifur politike që kanë pjellë, janë të parët që janë përgjegjës për këtë gjendje. Por ky konstatim nuk ka pse t’i ngushëllojë sllavët e Maqedonisë. Përkundrazi, kjo gjendje e mjerë e shqiptarëve është një problem i madh edhe për ta. Të merremi vesh, është kështu në rrethanat që ata, sllavët pra, do të donin që Maqedonia të ketë të ardhme. Mirëpo, nuk duket se ata e duan këtë gjë. Po ta donin, do të kishin bërë përpjekje për t’mos i lënë shqiptarët të lindin e të vdesin mes varfërisë e padijes në geto të tilla të frikshme, do të kishin bërë përpjekje për të vendosur ura komunikimi me këta të fundit, për t’i bërë të ndihen të barabartë me sllavët, për t’i bërë që Maqedoninë e institucionet e shtetit maqedonas t’i shohin si të tyret. Asnjë përpjekje të tillë nuk kanë bërë. Madje, e bukura është se kanë bërë të kundërtën, nga njëra anë janë kënaqur e kënaqen me këtë prapambetje të shqiptarëve, e nga ana tjetër kanë bërë çmos të zhvillojnë rivalitetet etnike apo të nxjerrin në pah sipëraninë e tyre etnike, gjë që duket më qartë se kudo tek ato monumentet kolosale të Filipit e të Aleksandrit të Maqedonisë antike që ata kanë ngritur në qendër të Shkupit si dëshmi e respektit për “historinë e paraardhësit” e tyre. Çfarë idiotësie! Sikur të kërkonim në botën e sotme ndonjë provë të marrëzisë humane nuk do të bënim keq të ndaleshim te këto dy monumente të larta rreth pesëdhjetë metra, të veshura me metale të çmuara (askush nuk e di sa kanë kushtuar) e të ngritura pranë njëri-tjetrit me ok-in e zyrtarëve e diplomatëve të Brukselit e Uashingtonit që e sponsorizojnë këtë shtet. Dhe do të ish mjaft ky fakt për të marrë vesh njëherë e mirë se, nëse ka një gjë që maqedonasit nuk e duan, kjo gjë është ekzistenca e Maqedonisë kështu si është. E ndoshta kanë të drejtë. Kjo Maqedoni nuk është gjë tjetër, veçse një escamotage i diplomacisë perëndimore në pritje të kohëve, kur mund të bëhen zgjidhje më të qëndrueshme.


Për t’u kthyer tek argumenti i fillimit, e për ta mbyllur shkrimin, duhet thënë se në themel të krizës aktuale, në kundërshtim me çfarë thotë ministri ynë i Jashtëm, është bash ky problem ndëretnik.