ARBËR ZAIMI
Para ca kohësh, në Belgjikë, për shkak të ndryshimit të konfiguracioneve ndërpartiake pati një periudhë disi të gjatë prej zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re. Pas disa javësh, belgët këmbenin batuta “më mirë qenka pa qeveri, se sa me qeveri”.
Më 2010, në Irak, partia e Nuri al Malikit doli e para në zgjedhje, mirëpo një grup forcash të moderuara, sunite, shiite, kristiane etj., u mblodhën në një koalicion paszgjedhor që kishte shumicën e votave. Nuri al Maliki, i cili në mandatin paraprak kishte mbërritur të vinte njerëzit e tij në çdo pozicion të rëndësishëm në shtetin e brishtë irakian, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të atij vendi, e cila i dha të drejtën që të mandatohej i pari në Parlament për formimin e qeverisë së re. Përmes fuqisë së vet ekonomike e politike, Maliki arriti të blinte ose të detyronte aq deputetë sa i duheshin për të mbërrirë mazhorancën, dhe u bë sërish Kryeministër. Amerikanët dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk ndërhynë asokohe, ndërkohë që koalicioni opozitar u shpërbë, sunitët humbën besimin te shiitët, shiitët humbën besimin te sunitët, kristianët u margjinalizuan në pozita minoritare, politika edhe ashtu e nxehtë u barrikadua nëpër identitete e nëpër bastione dhe nisën trazirat që krijuan tre vjet më vonë, sapo amerikanët vendosën të tërhiqeshin tërësisht, terrenin për shtrirjen e një shteti barbar e fashist, të vetëquajtur Kalifat. Në 2014, Nuri al Maliki vazhdonte të këmbëngulte për një mandat të tretë – dhe po të mos ish situata që po djeg Lindjen e Mesme, pak dyshime ka se do ta kish arritur. Sigurisht, irakianët nuk e kanë luksin të përsërisin batutën aq popullore të belgëve.
Kosova s’është as si njëri e as si tjetri rast. S’është rasti i Belgjikës, sepse nuk mund të thuash se është “më mirë”. Sepse edhe në këtë periudhë të ndërmjetme, qeveria “Thaçi” nuk po vepron si qeveri në largim. Përkundrazi, po emëron konsuj e ambasadorë, po emëron drejtorë agjencish të pavarura qeveritare, po ndan fonde për projekte afatgjata, madje edhe po përuron fillimin e projekteve me kosto të rëndë në buxhetin e qeverisë së ardhshme, siç është, fjala vjen, projekti i rrugës Prishtinë-Shkup. Me pak fjalë, qeveria “Thaçi” po sillet njëjtë si më parë, po çon njerëzit e vet në pozita të mbrojtura prej mandateve e statuteve të veçanta, po asfaltizon buxhetin e Kosovës dhe po vijon të privatizojë barbarisht – edhe pse tashmë është një qeveri jashtë mandatit të vet. Lum belgët, se sa për Kosovën, si pa qeveri, si me qeveri, Thaçi bën të njëjtat gjëra.
Por Kosova nuk është as si rasti i Irakut. Situata atje është shumë më e vështirë dhe e kërcënuar nga faktorë radikalë e ekstremë në terren – gjë që bën të kuptueshme dhe të domosdoshme nevojën për ndërhyrje, duke anashkaluar funksionimin normal të institucioneve, të demokracisë dhe të politikës. Ama në Kosovë nuk ka një situatë të tillë. Kosova është një vend tipik ballkanik, që përballet aktualisht me probleme të ngjashme me të fqinjëve të vet, edhe pse është shumë më e varfër se to. Nuk ka Kosova për fqinjë ndonjë Siri që po digjet, ndonjë Palestinë që po masakrohet, ndonjë Iran apo Arabi Saudite me qeverisje diktatoriale teokratike, apo ndonjë Kurdistan që ka dekada që kërkon të çlirohet. Nuk ka ISIS që kontrollon pjesë të Kosovës. Pra, nuk ka as arsye që të mbahet Thaçi Kryeministër, ndërkohë që s’i ka votat e shumicës, siç u mbajt Al Maliki në 2010 me justifikimin se ofronte më shumë garanci për siguri (edhe pse më pas rezultoi tërësisht e kundërta).
Analistët, me gjuhën e tyre karakteristike, të thatë e të drunjtë e përplot togfjalësha të kalkuar prej manualeve të OJQ-ve, e quajnë momentin aktual “krizë kushtetuese”.
Krizë – rrënjën e ka prej greqishtes së moçme – do të thotë sëmundje. Sëmundje quhet një fenomen që ndërpret shëndetin, pra nënkupton që para se të jesh sëmurë ke qenë i shëndetshëm, e pasi të shërohesh, do të jesh sërish shëndoshë e mirë. Në rastin tonë, nëse ka krizë në Kosovë, ajo ka filluar që prej 1999-s dhe po vazhdon pa ndërprerë edhe në ditët që flasim: qoftë sa i përket institucionalizimit, qoftë sa i përket ekonomisë, e sidomos demokracisë. Nuk duket se do të dalë dot prej krizës Kosova nëse mbizotëron ai mentalitet që vitet e fundit mund të përmblidhet në fjalën “thaçizëm”.
Ndërsa epiteti “kushtetuese” e rëndon edhe më shumë togfjalëshin “krizë kushtetuese”. Kushtetuta në këtë rast është trajtuar si një libër i shpjegimit të ëndrrave, si një qitap universal, ku presidentja Jahjaga do të mund të gjente përgjigje për çdo lloj pyetje të vetën, sado absurde që të jetë ajo. Shembull për një pyetje absurde? Po ja p.sh. “a mund të formohet qeveria me pakicën e votave në Parlament?”. Kuptohet, me ndihmën e juristëve të vet, kjo pyetje u vesh me rroba pak më serioze dhe u çua tek Enver Hasani aka. “Baba”.
Sigurisht që Thaçi me këshilltarët e tij janë duke u përpjekur të gjejnë ndonjë sajesë që të duken si të domosdoshëm për stabilitetin e për ruajtjen e status-quo-së. Si fillim u tentua të përçahej opozita, duke bërë oferta lart e poshtë, por edhe duke kërcënuar apo duke shfrytëzuar egot e papërmbushura të dikujt. Rezultatet e këtyre ofertave dhe kërcënimeve nisën të bien në sy te lëkundja e disa prej eksponentëve të grupeve parlamentare opozitare, sidomos të LDK-së dhe AAK-së, të cilët ia nisën të publikojnë nëpër rrjete sociale mospajtime e kunja për koalicionin ku merrnin pjesë forcat e tyre. Fatkeqësisht për Thaçin këta persona të lëkundur ishin shumë pak dhe udhëheqja e LDK, AAK e Nisma, së paku deri më tash duket e bindur për ta lënë në opozitë Thaçin.
Këto përpjekje, gjithsesi, nuk reshtin, siç nuk reshtin as përpjekjet e mediave të kontrolluara prej regjimit për ta demonizuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si komuniste, fetare, antiimperialiste, ateiste, erdoganiste, nacionaliste, raciste, internacionaliste, fashiste, antiglobaliste, për të mos harruar dhe akuzën e zakonshme: shërbyese e serbit. Interesi i tyre është i qartë – ta paraqesin VV si faktor që ndonjëherë do të mund të prodhonte destabilitet apo izolim për Kosovën. Kuptohet se inkoherenca dhe inkonsistenca e akuzave rrëfen qartë arsyen e vërtetë të akuzuesve, ndërkohë që kësaj radhe edhe pjesa tjetër e opozitës, edhe ndërkombëtarët, patën rast që në takime të drejtpërdrejta me VV të shkëmbejnë ide dhe të kuptojnë se sa absurde janë tentativat e Thaçit për të krijuar një “public enemy”.
Pas dështimeve të tilla, klika Thaçi nisi të pësojë edhe tronditjet e veta të brendshme. Nevoja e tyre për të mbajtur pushtetin medoemos – e për të djegur çdo kartë të mundshme mjaft që të mos lëshohet pushteti – tregon se arsyet për të cilat do t’i shërbente pushteti atyre nuk janë tërësisht politike. Një qeverisje e mundshme, e kornizuar prej kushteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të hetonte veprimtarinë famëkeqe të SHIK-ut, si dhe korrupsionin, kapjen e institucioneve e klientelizmin e oligarkëve që strehon PDK-ja. Çdokush, po të ishte në vend të “kokave” të PDK-së do të trembej.
Së fundmi, Hashim Thaçi dhe kukullat rreth tij u përpoqën të krijojnë një tjetër “armik publik”, përmes arrestimeve të befta të disa dhjetëra të pandehurve për terrorizëm. Këto arrestime vijnë “në koordinim” me radikalizimin e barbarizimin e bëmave të ISIS-it, gjë që ka rritur ndjeshmërinë ndërkombëtare, por edhe te shqiptarët, kundër këtij fenomeni të papranueshëm dhe të shëmtuar. Duke shfrytëzuar këtë ndjenjë të përgjithshme, Thaçi urdhëroi fushatën e arrestimeve që të tregojë se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi xhihadist, dhe se në kushte të tilla, është i domosdoshëm një Kryeministër si ai që të mund t’i ndalë. Praktikisht thotë: jeni të detyruar të ma falni korrupsionin, padrejtësitë, varfërimin e qytetarit, dhunimin e shqiptarisë, poshtërimin e UÇK-së, sepse vetëm unë mund t’ju mbroj nga ky invazion mjekroshësh terroristë. Pas çdo mjekre fshihet një ekstremist, kështu që Thaçi pretendon unifikim të opinionit kombëtar e ndërkombëtar në mbështetje të tij, sepse ai di se si t’i qethë mjekrat me ustallëk po dhe me dajak.
Edhe kjo lëvizje e dëshpëruar e Thaçit është e destinuar të dështojë. Qytetarët e Kosovës janë tërësisht të ndërgjegjshëm se myslimanët shqiptarë kurrë nuk kanë pasur prirje për ekstremizëm apo për fashizëm, përkundrazi kanë qenë si komunitet pjesëmarrës në lëvizjet përparimtare, kombëtare e çlirimtare në Shqipëri e Kosovë, bashkë me patriotët e religjioneve të tjera. Edhe nëse është e vërtetë se në Kosovë është zbuluar ndonjë grup që ka lidhje me terrorizmin e ISIS, qytetarët në masë të madhe ia faturojnë fajin për këtë vetë Hashim Thaçit, i cili, si Kryeministër, e ka pasur për detyrë të kontrollojë ndikimin e fondeve të huaja në organizatat fetare në Kosovë, si dhe të parandalojë çdo lloj instalimi të organizimeve terroriste.
Filozofi francez Jacques Ranciere e përkufizon politikën (politics) si aktivitetin njerëzor të bazuar mbi mosmarrëveshjet (mospajtimet, pikëpamjet e ndryshme apo të kundërta), ndërsa policimin (state policy) si art të menaxhimit të komunitetit. Në rastin e Thaçit, për interesat e veta që i përshkruam më lart, ai po përpiqet që të realizojë qoftë dhe përkohësisht një mbivendosje absolute të policimit shtetëror ndaj politikës qytetare. Përmes sajimeve të këshilltarëve dhe të mediave të tij, ai po përpiqet të eliminojë çdo diskurs që s’pajtohet me të, të krijojë “situata emergjente” ku lipset “unifikim i faktorit politik kundër së keqes, unitet në të mirë të kombit” dhe ku pikëpamjet e ndryshme politike janë “pro-ekstremiste, antiperëndimore” e kështu me radhë. Po t’ia dilte mbanë atëherë do të kishim një triumf – sado të përkohshëm dhe në përmasa të vogla – të fashizmit në Kosovë.