ALEKSANDËR ÇIPA


aleksander cipaDisa ndër pyetjet që besoj se shfaqen retorikisht te shumica e qytetarëve të këtij vendi, ndoshta janë: Ku po shkon Edi Rama? Si do të shkojë qeveria dhe qeverisja e tij? A do të vijojë kështu “rilindja” apo do të kemi ndryshime që mund të shprishin kalendarin e mandatit qeverisës të parashikuar gjer në 2017?


Së bashku me këto pyetje mund të shtohen edhe mjaft të tjera. Por të gjitha lidhen me një realitet që varet prej qeverisjes me masa të rrepta ndëshkuese, aq sa po shumohet vrullshëm mendimi utopik se “diktatura e ligjit” po mbyll epokën e informalitetit. Ndërsa njëkohësisht, sytë dhe syçeltësia e qytetarëve dhe sidomos opozitarëve, vërejnë me imtësi çdo diferencë pabarazie mes qytetarëve që përballen me ligjin dhe sidomos ndëshkimet antiinformalitet me ata që favorizohen apo selektohen falë njohjes apo të qenët në kampin e aleatit politik. Nuk është e rastit që këto reagime po e forcojnë nga ora në orë opozitarizmin e politikanit Lulzim Basha, sikundër po vlejnë për protagonizmin inflacionist të atit politik të tij, zotit Sali Berisha. Kjo kohë e ashpër e qeverisjes së Edi Ramës, po e evidenton atë si kreun zyrtar të së majtës që po implementon masa e reforma të thella konservatore dhe që po kaq rrezikshëm po vetërrethohet nga pakënaqësia shumëformëshe sociale dhe reaksioni heterogjen i masave. Në këto masa të pakënaqurish që shtohen, nuk përfshihen vetëm opozitarët e Partisë Demokratike apo tranzicionistët e pandreqshëm, si fansa të Sali Berishës, por edhe majtistët e tij që tani po shijojnë zhgënjimin prej mandatit që mbërriti në mes dhe pafuqisë të përfitojnë diçka nga qeverisja e partisë së tyre.


Partitokrati Edi Rama ka tjetërsuar raportin e partisë me pushtetin qeverisës, pra atë marrëdhënien tradicionale që ngjizi në ndërgjegjen e anëtarësisë të qenët përfitues partiak prej mandatit qeverisës. Ky është një ndër realitetet që gjeneroi në dyvjetëshin e qeverisjes së gjertanishme Kryeministri Rama. Si të thuash u forcua si Kryeministër, por fitoi kompleksin e kryetarit të dobët të partisë. Është pashmangshmërisht një ndër ndryshimet dhe antitabutë e raportit që anëtarësia e një partie ka me qeverisjen e kësaj kohe. Kjo është një arritje që mundëson forcimin e kryeqeverisësit në raport me pushtetin, por degradon dhe sidomos radikalizon raportet e tij me anëtarësinë partiake dhe sidomos qytetarët në nevojë sociale. Kjo arritje në muajt e afërm mund të eklipsohet pikërisht prej reaksionit, prej shtimit të ilaritetit social dhe politik në vend. Perspektiva të tilla kanë dëshmuar se nuk shkaktojnë pasoja vetëm mbi sheshet dhe rrugët e vendit, por rikthejnë pafuqinë dhe dobësinë e shtetit dhe të institucioneve për të ruajtur disiplinën dhe rregullin ligjor. Protestat e shumëkërkuara nga ish-kryeministri Berisha dhe të futura në kalendarin e aksionit politik të opozitës zyrtare të vendit për muajt e ardhshëm, nuk janë thjesht një paralajmërim për ditë të paqeta për Kryeministrin Rama. Është fjala për një parathënie të konfliktit politik dhe agresivitetit në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Një kohë dhe rrethana të tilla, gjithmonë shkaktojnë pasoja nga brenda dhe prej jashtë, për një qeverisës.


Por pjesë thelbësore e retorikës së pyetjeve që shtruam në hyrje të këtij shkrimi është edhe ajo që lidhet me thellësinë e cenimit të marrëdhënies bashkëqeverisëse “Rama-Meta”. Një vështrim i thellë shqyrtues në periudhën e katër, pesë muajve të fundit, na konfirmon lehtësisht se në marrëdhëniet e tyre tashmë është krijuar një reliev serioz me ngritje dhe ulje të thella. Rrafshimi i tyre nuk mund të ngjasë në padukje, sikundër nuk mund të jetë tashmë aq i lehtë.(!) Për shkak të këtij “relievi” të paqëndrueshëm, Kryeministri Rama dhe bashkëqeverisësi i tij, Ilir Meta, kanë harruar me kohë artikulimin e përbashkët për bashkëqeverisjen dhe sidomos për shprehjen e vlerësimit që ndajnë secili për të dhe perspektivën vijuese të saj.


Mes tyre, së fundi, është futur një koniunkturë e re dhe situatë komplekse që imponohet prej procesit të jashtëkërkuar, pra me dekriminalizimin. Ka pretendime se është një proces kompleks që po evidentohet si aksion apo devizë politike e opozitës dhe prej së cilës politikisht dhe në dukje, Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta po evidentohen si në inpass. Ky proces kompleks nuk është thjesht një nismë që lidhet me protagonizmin për t’u madhuar politikisht dhe si udhëheqës opozite Lulzim Basha, apo qoftë edhe PD-ja. Ai ka lidhje dhe është projektuar si një nismë në sintoni me lëvizjen diplomatike të SHBA dhe institucioneve europiane. Presioni dhe këmbëngulja për t’i dhënë këtij procesi dimensione reale dhe thellësi të pandalshme sipërmarrjeje, natyrisht që po tronditin bindjet dhe rutinën. Është tronditur sidomos përfaqësimi aktual parlamentar dhe ai në nivele të larta të qeverisjes dhe administratës publike. Për këtë shkak edhe ndryshimet në qeveri janë të pashmangshme. Rastet e shpallura kurajshëm dhe reagimet e pashmangshme (dorëheqjet dhe dorëzimet e deputetëve në drejtësi, kanë dobësuar si kurrë ndonjëherë në historinë e përfaqësimit, pozitat e të inkriminuarve dhe të lumpenikëve me pushtet. Nuk janë tronditur vetëm përfituesit, por ka ardhur momenti i sikletshëm për mundësuesit. Në këtë reformë të nisur Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta gjenden në pozita të ndryshme bashkëfajësie, sikundër koha dhe gjatësia politike e tyre është e ndryshme dhe e pakrahasueshme. Ashtu sikundër mund të pohohet domosdoshmëria dhe nevoja për një rishqyrtesë ndryshimi të menjëhershëm në qeverisjen e tyre të përbashkët. Rrethanat dhe zhvillimet e pritshme lidhen pashmangshmërisht me një proces energjik të revizionimit real të “Rilindjes” së tyre për gjysmëkohën e mbetur të mandatit qeverisës. Unë besoj pak në këtë të fundit, pasi janë të ndryshëm në shije dhe formim, në bindje dhe ndërgjegjen vetjake real-politike. Ata e kanë bërë gjatë këtyre dy vjetëve të bashkëjetesës qeverisëse të largët mundësinë për të rikompozuar marrëveshjen e qeverisjes me ndërgjegje të njëjtë antiinformaliteti. Në këtë mospërputhje dhe sidomos, për arsye të diferencave për akte vetëpastrimi nga të inkriminuarit me mandat, po shfaqet plotësisht edhe mirazhi i paqëndrueshmërisë së Parlamentit që ka vendi.