Besnik Gjongecaj

Muaji nëntor i këtij viti mbarti mesazhe që, për shkak të ndriçimit verbues të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, dalloheshin me vështirësi, por që ishin, sigurisht, më të rëndësishëm se vetë festimet. Gjithsesi, ishin edhe më pak të gëzueshëm se festa, pasi përcillnin trishtimin e thellë të ndarjes së kombit, copëzimin e territoreve, prandaj, edhe dëshirën e zjarrtë për të rifituar atë që është humbur në historinë e shtetit shqiptar. Të artikuluar deri këtu, aq më shumë, të artikuluar nga njerëzit e thjeshtë, nga shqiptarët e ngulur padrejtësisht në territore të shteteve të ndryshme, përmbajtja e këtyre mesazheve është njerëzore, e sinqertë dhe mbi të gjitha, shpreh dëshirën legjitime të një populli në festën e shtetit të tij. Por nuk mbeti vetëm kaq. Madje nuk kishte se si të mbetej vetëm kaq në një vend si ky i yni, ku çdo gjë e bukur, e brishtë, njerëzore, zgjat shumë pak, sepse kapet menjëherë nga politika dhe sapo ndodh kështu, fillon të ngrijë, të zbrazet nga njerëzorja, të shëmtohet, të bëhet e pangjashme, e pakrahasueshme. Qeveritarët e thithën menjëherë nacionalizmin e sinqertë të shqiptarëve. Me ndihmën e makinës torturuese të medias që zotërojnë, ata, qeveritarët, e çvendosën përmbajtjen e botëkuptimit nacionalist nga artikuluesit, qytetarët e këtij vendi, për ta depozituar te “depo” ku mbledhin rrangullinat e ideve qeveritare të drejtimit të vendit. Pas kësaj, të qetë se tani kishin realizuar manipulimin e ndryshimit të autorësisë së nacionalizmit, pra, të qetë se qytetarët, shqiptarët e thjeshtë, dmth autorët e vërtetë të nacionalizmit shqiptar, për shkak të shurdhimit mediatik kishin filluar vetë të dyshojnë në autorësinë e tyre, politika qeveritare filloi ta “shqyejë” atë, ta shfytyrojë, t’i japë nacionalizmit natyror të shqiptarit të thjeshtë një formë që nuk e ka patur, pra, ta bëjë agresiv, dhe në të njëjtën kohë, ta zhveshë nga përmbajtja, nga vlerat. Në fund të fundit, ta boshatisë nga sinqeriteti, nga e vërteta. Nacionalizmi shqiptar, si nacionalizmi më i butë midis nacionalizmave të kombeve të Ballkanit, më natyrori, i artikuluar nga qeveritarët-grabitës jo vetëm u shëmtua, jo vetëm që u vendos nën një dyshim të thellë nga fqinjët dhe aq më shumë, tashmë së fundi, edhe nga autoritetet e BE në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë, por, mbi të gjitha, humbi edhe thelbin e tij, pra, humbi karakterin e tij natyror, atributin e pandikueshmërisë, të papërdorshmërisë, karakterin thellësisht të sinqertë. Mbi të gjitha, i shqyer në ingranazhet e makinës propogandistike të qeverisë, nacionalizmi shqiptar u përdor për të fshehur të vërtetën: dështimet e regjimit të Tiranës, përgjegjësinë e këtij regjimi në rrënimin e demokracisë në vend.


* * *


Në kushtet e një demokracie të munguar, aq më shumë, në kushtet e një regjimi autokratik, bëhet e pamundur të gjykosh vetëm mbi patriotizmin si përkushtim ndaj vendit tënd ashtu sikundër bëhet e pamundur që, në mënyrë të shkëputur, të gjykosh mbi nacionalizmin si një entitet strukturor që vihet në lëvizje nga qytetarë patriotë. E gjitha kjo spjegohet me ekzistencën e një dialektike midis demokracisë dhe nacionalizmit. Zbatimi i kësaj dialektike ndihmon që lidhja midis demokracisë dhe nacionalizmit të mos shndrrohet në një lidhje përjashtuese, ku sejcila, si demokracia ashtu dhe nacionalizmi, shndrrohen në të kundërtën e tyre. Nacionalizmi për të cilin ka nevojë Shqipëria, dhe që përputhet plotësisht me natyrën e shqiptarëve, duhet të jetë një nacionalizëm jo ksenofobik, përkundrazi, një nacionalizëm që përputhet plotësisht me vlerat e lirisë, të tolerancës, të barazisë dhe të të drejtave individuale. Prandaj, shqiptarët, kudo që janë, do të kenë nevojë për t’u bashkuar në një shtet të vetëm nëse ky proces prodhon një standard më të lartë të jetës së tyre, prodhon një liri më të gjerë, më substanciale, prodhon një shtet më demokratik. Po kaq e vërtetë është edhe ana tjetër, pra edhe inversi i lidhjes. Vetë demokracia ka nevojë për nacionalizmin vetëm atëhere kur ky nacionalizëm e ndihmon demokracinë të zhvillohet më tej, të përsoset, të bëhet gjithmonë e më e dobishme për qytetarët e saj. Pra, në thelb, vetëm një sistem demokratik e bën të dobishëm nacionalizmin ashtu sikundër, vetëm nacionalizmi që zgjeron më tej hapësirat e demokracisë së një populli është nacionalizmi që i duhet atij. Në këtë kontekst, të flasësh për nacionalizëm pa përmendur demokracinë është jo vetëm e padobishme, por edhe djallëzore. Aq më shumë kur nacionalizimi shndrrohet në kauzë, ndërsa mungesa e demokracisë mbahet me kujdes e fshehur nën të.


* * *


Ndërsa vazhdojnë të ikin për në dhe të huaj, dhe jo vetëm nga Shqipëria, shqiptarët mbështetën me gjithë zemër kauzën nacionaliste që shpërtheu në nëntor, por pa kuptuar nëse realizimi i saj do të mund t’i kthente apo jo në atdheun e tyre. E gjitha kjo e shndrroi nacionalizmin e shqiptarëve në virtual, e bëri atë një nacionalizëm shpirtëror, jo konkret. Sëpari, sepse ai, nacionalizmi i shqiptarëve, megjithëse krejtësisht i sinqertë dhe i vërtetë, ushqehet nga një patriotizëm virtual, në kuptimin e pamundësisë së përkushtimit ndaj vendit tënd kur je në dhè të huaj. Kur ikën nga vendi yt është e vështirë të mbetesh patriot, megjithëse mund të duash ta bësh këtë me gjithë zemër. Ikën sepse nuk jeton dot më në atdheun tënd. Pra, nuk i përkushtohesh më atij, të paktën në një kuptim konkret, realist. Prandaj, duke mos patur një patriotizëm konkret, real, shqiptarët mendojnë se do ta gjejnë shpëtimin te nacionalizmi, te bashkimi, automatikisht. Sëdyti, sepse jo pak shqiptarë, brenda dhe jasht kufirit të shtetit shqiptar, nuk kanë treguar kujdes të kuptojnë ndërvarësinë midis kauzës nacionaliste dhe demokracisë, thelbin e saj. Shumë prej shqiptarëve vetëm presin se çfarë do të ndodhë; nëse do të ndodhë apo jo që materializimi i nacionalizmit do të sjellë automatikisht edhe ndërtimin e demokracisë dhe nëpërmjet saj, edhe përmirsimin e jetës, cilësisë së saj. Në vend që të pyesim se a do të kemi demokraci të vërtetë sepse do bëhemi më shumë, ne, shqiptarët, pyesim: A do të jemi më të fortë sepse do të bëhemi më shumë?! Në vend që të pyesim se a do të kemi demokraci të vërtetë nëse do të kemi më shumë territore, ne, shqiptarët, pyesim: A do të jemi më të fortë sepse do të kemi më shumë territore?! Në vend që të pyesim se a do të kemi demokraci të vëretë nëse formojmë një shtet të përbashkët, ne, shqiptarët, pyesim: A do të jemi më të fortë sepse do të jetojmë në një shtet të përbashkët?! Të gjitha këto pyetje nënkuptojnë, fatkeqësisht, se jo pak qytetarë të këtij vendi kanë rënë në kurthin djallëzor të idesë se nacionalizmi mund të triumfojë edhe pa demokraci, se nacionalizmi liberal mund të materializohet edhe në kushtet e një regjimi autoritarist; dhe nëse ndodh kështu, është ai, pra nacionalizmi i realizuar, që do të përmirësojë thellësisht jetën e shqiptarëve. Madje, më shumë se kaq, ne, shqiptarët, mendojmë se nëse nuk e ndërtuam dot demokracinë në një shtet të ndarë, atë mund ta ndërtojmë lehtësisht në shtetin e bashkuar! Pra, të realizosh ëndrrën nacionaliste nuk ka nevojë për demokraci, përkundrazi, është realizimi i kauzës nacionaliste ajo që do të sjellë automatikisht demokracinë e munguar! Vetëm djalli mund ta shtrembëronte kaq rëndshëm të vërtetën e raportit midis demokracisë dhe nacionalizmit në botëkuptimin e shqiptarëve, dhe ne, shqiptarët, qartësisht kemi rënë në kthetrat e tij.


* * *


Qeveria e përdori nëntorin e këtij viti për të fshehur problemet e rënda të qeverisjes, rrënimin e demokracisë për shkak të zëvendësimit të saj me autoritarizmin. Më shumë se kaq, qeveria e këtij vendi abuzoi sa mundi me patriotizmin e shqiptarëve, me nacionalizmin natyror që i karakterizon ata. Këtë abuzim e realizoi nëpërmjet djallëzisë së shndrrimit të nacionalizmit në kauzë, ekzaktësisht kur nuk duhej të bëhej, pra, në kushtet e një demokracie të rënuar, madje, në kohën kur po bëhej e qartë për të gjithë se Shqipëria kishte dështuar për të tretën herë në kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Dështimi erdhi për një shkak të thjeshtë: Shqipëria nuk është bërë një vend aq demokratik sa të fillojë procesin e afrimit me vendet e tjera demokratike të Evropës. Çdo gjë tjetër që thuhet jasht kësaj, çdokush që përmend tri ligjet kushte për të fshehur bash-kushtin, pra kushtin e vërtetë, atë të mungesës së demokracisë në vend, degjenerimin e demokracisë në regjim autokratik, vetëm Shqipërisë nuk i shërben. Hipokritë deri në palcë, qeveritarët e paraqitën nacionalizmin si kauzë në një kohë kur shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre për të përfituar nga demokraci të tjera që kanë përfunduar së ndërtuari. Gjithsesi, djallëzia nuk mbaron këtu. Qeveritarët luajtën me kartën e nacionalizmit për të fshehur mëkatet, për të fshehur plagët e rënda që i kanë shkaktuar demokracisë, jetës së shqiptarëve. Për të marrë oksigjen deri sa të vijnë zgjedhjet, të cilat, sipas një stili të pështirë, do t’i njohin vetëm nëse do t’i vjedhin.


* * *


Realiteti i gjërave është i kthjellët: në fillim shkohet në Evropë dhe pastaj materializohet nacionalizmi. Pra, rregulli është i thjeshtë: ndërtohet demokracia dhe më pas fitohet bashkimi. Të bashkohesh pa demokraci do të thotë të ndërtosh, tragjikisht, një mal më të lartë për autoritarizmin, t’i zgjatësh jetën atij. Vetëm kur demokracia konsiderohet e ndërtuar, një popull rishikon konkretizimin e ndjenjave të tij nacionaliste. E kundërta është e pamundur. Nëse ndodh, nacionalizmi bëhet një zgjidhje kundër interesave të popullit që e kryen atë. Por në përputhje me interesat e sunduesve të tij.