ELJAN TANINI
Ne nuk jemi ende të njohur me atë që bëjmë pavarësisht se në rrugët e protestës gjen atje këtu edhe gabime se kujt do t’i jepen ca merita. Duhet të përfundojmë në këtë çast hedhjen në lavde për politikanët tanë, ndoshta këtë të mirë e ka vërtetuar protesta gjatë ditës së saj të fundit para kryezyrës që këtë herë është me “k” të vogël. Mos harrojmë se pati fakte rrotull nesh se nxënësit po linin orët e mësimit dhe shkolla e tyre ishte kyçur, por edhe për ata idealistët që fjetën atë natë në bulevard ne menduam pak se kjo është protesta e mundësive të reja.
E veprimeve që nuk vijnë nga politika e re se dikur kur të dilje të thoshe atë që mendoje ai tjetri të vriste, as e policëve që nuk ishin të armatosur rëndë dhe të jepnin një kohë qetësie, por e një ardhjeje të mbushur prej kohësh në mendësinë tonë që nuk shfrymë kurrë aq sa duhet. Ndoshta këtë do ta bëjmë më mirë kur të hapen Shtëpitë Publike… Prandaj i votuam qe ne të bëjmë atë që duam me ata… I kish ca mrekullira kjo protestë, njerëzit që bëjnë gjithë ditën gam-gam në Facebook i pashë atje… Brezi që nuk ka fituar asgjë nga ky vend po përsëri ishte atje. Megjithatë, për këta të fundit që janë mësuar me armët e një kohe të shkuar nuk e kuptoja se për kë donin të ishin të gatshëm…
Sigurisht që dikush duhet të dilte ta merrte fjalën, por këtu nuk shoh asgjë të keqe. A duhet të them që kjo ishte një luftë më e hershme dhe më e vjetër, diçka që pritej prej tyre sa më shpejt në kohën e duhur?! Nuk më intereson. Lëndët kimike nuk duhet të vinin te ne, kaq. Di që të gjithë donin të dilnin pa pasur asnjë interes, sepse si ndryshe më parë shkonim çdo ditë. Këtu fillon ftohja jonë, sepse kam frikë se për pak, ose aspak gjëra nuk do dalim më në shesh.
I duhet dhënë kohë këtij brezi të rinj politikanësh që në dukje kanë një prezencë disi më qytetare. Uroj shumë që kështu siç e nisi Qeveria e Re, kështu mos të mbyllet mandati i saj. Ajo që po ngrihet kaq hedhur është miti i atyre që nuk kanë dalë kurrë nëpër protesta, nga ku e quajtën atë si lartësinë rifillimit të tyre. Paçka se nuk kanë filluar kurrë më parë: të paktën edhe me dhjetë vetë… Po të kishe një sy të hollë në protestë e kuptoje shumë mirë se kush e organizonte, pavarësisht se për Ne si qytetarë këtë herë kjo nuk pati asnjë rëndësi.
Nga fitorja e datës 15 nëntor, ne të gjithë duhet të nxjerrim mësime. Politikanët nuk na kanë dhënë asgjë, ata mbajnë borxhe edhe këtë herë. Madje edhe vendin ku i kemi zgjedhur. Ne u ndiem të lirë dhe me emocione, sepse kjo qe paqja jonë. Jo që erdhi nga sipër ishte detyrim i ditëve të para ndaj nesh dhe i së ardhmes. Klientët e shoqërisë aktive ose ashtu siç i quajmë ne civile, shpeshherë duhet të përjashtohen. Së këndejmi pas njërës ose tjetrës palë, në vërshimet e tjera keni për të parë që nuk do ketë asnjë personazh publik, por vetëm kohë qytetarësh të thjeshtë.
Indinjimi i shqiptarëve dhe kërkesa për një Jo, dua ta shoh si fillimin e ndryshimeve në mendësinë e popullit. Nuk më ikin nga mendja thirrjet e gëzuara dhe përqafimet e qytetarëve pas fjalëve të një pushteti që nuk na përfaqëson, por na përfytyron në 140. Është ky një fillim i mirë apo ne nuk do dalim më në shesh?! Kam parë çastet më emocionuese gjatë protestës në bulevard: Njerëz që sillnin ujë, bukë dhe batanije. Shto këtu edhe fundin, një zviceran që pastronte trotuarin kundër atyre që dalin kundër lëndëve kimike.
Dukej se donim të realizonim atë rolin tonë që nuk e kishim prej kohësh, thirrje në mungesë prej përtacësh dhe reflektorit mendor ku nuk na vjen keq për asgjë.
Kur do dalim përsëri në shesh për malin, njerëzit që vdesin në miniera, detin, ujin, Elbasanin e të tjera? I kisha bërë një premtim Vetes sime, prej nga do kaloja çdo luhatje jo për famë e burrni se nëse lëndët kimike sillen në vendin tim, nuk do kisha kokrrën e frikës të përgatisja molotov ose bojë të kuqe për kryezyrën në bulevard. Bashkë me të edhe një ndalesë në port me shoqërinë time. Por më mirë që nuk ndodhi, sepse hedhja jonë mbi ta do të ishte e frikshme… Të paktën edhe këtë herë nuk e bëra gati valixhen për të ikur, por ajo atje është në cep dhe më pret.
Mbase nuk ishte dëshira për të dalë në rrugë ajo që na ngriti nga dembelizmi dhe kafetë, por çështja. E që këtë herë prek edhe të pasurin, të varfrin, të majtin e të djathtin. Ne nuk donim të prisnim më shumë si brezi i prindërve tanë, të paktën këtë e dimë pse dolëm… Ca ditë më pas është e vështirë të durosh në Tiranë qetësinë e humbur të qytetit. Tani presim datën 28 Nëntor kur të gjallërojnë zemrat e indiferencës. Pse duhet të bëhemi gjithmonë të famshëm për gjëra të pista? Nuk e ruajtën drejtuesit e këtij vendi Shqipërinë të pastër, por e bëmë ne. Prandaj ju lutem mos u jepni atyre asnjë falënderim për datën 15 Nëntor.
Por pse ne përsëri na pëlqen retorika e politikanëve tanë që bëjnë të pranojmë atë që ndodh?! Fjalimi ishte qese e zezë që kërkonte të mbulonte një re të bardhë ku prej vendit tim në qëndrim nuk dukej nga i vinte drita. Më pas gjatë orës pesë e pak, edhe Hënën me dritën e saj mbi Kryeministri. Ishin fjalë të gatshme për gjëra të tjera që ne ende nuk e njohim se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë dhe të tjera të sjella në të. Sepse çdo fjalë pushteti do të ketë shumë ndryshime pas kësaj proteste.
Ky është fundi i marrëzisë së politikanëve me gjak të njëjtë dhe fillimi i një brezi që nuk bëhet hije me heshtjen. Më duket se ka fituar protesta dhe jo ne shqiptarët… Tani duhen menduar vetëm mënyra që të zgjedhurit e kësaj kohe të mos sillen me ne si një ditë më parë, sepse formula mbetet po ajo: Më Shpesh në Shesh. Nuk janë mbyllur ditët e saj, prandaj Buzëqesh dhe Dashuro.