AHMET DURSUN
Ndonjëherë është mirë të kesh një të afërm të çmendur… Aq më mirë nëse i ke të gjithë pak të budallallepsur, pak shapshall apo pak torollak… Në kësi rastesh, mjaft të mbash një palë syze leximi, një kollare të lidhur qysh kur ka vdekur Enveri, një gazetë nën sqetull dhe ja ku u bëre më i zgjuari i fisit… menaxher, pushtetar, sundimtar. Asnjë fejesë nuk bëhet pa pëlqimin tënd, asnjë dasmë nuk fillon pa u kurulldisur ti i pari, asnjë lugë nuk zhytet në supën e vakët në çdo vaki… Shkurt, je Qeveri…po fole ti, të gjithë sus rrinë… Të pyesin ty, se pse erdhi e çfarë tha apo çfarë harroi të thosh Hillary… mbi demokracinë, globalizmin, gjeopolitikën… I pakrahasueshëm je!
Sa herë vihet në diskutim dituria jote nga një i tretë, i hidhen sipër të tutë – “Ee, aq sa i di kollarja atij…” – I thonë për ty dhe ia presin kësisoj në rrëzë gjuhën, në rrëzë penën, në rrënzë dhe mendimin… dhe tretet i treti!
Mendo, bëhesh i pakrahasueshëm edhe me veten tënde.
Nëse ke një fis pak të madh e shumë të lojtur, INSTAT bëhesh, meteorologji, kronometër, barometër, kilometër. U thua ti çfarë të bëjnë, sa të dorovisin, kë duhet të votojnë, kujt duhet t’i shkojnë prapa e kë të shajnë para e prapa. Për atë Zot, po të kesh fisin e çakërdisur në Shqipëri bëhesh superfuqi. Ndikon deri në ngrohjen globale, modën e Milanos, bursën e Tokios. Me një fis shesh-besh në Shqipëri, stabilitet i frikshëm bëhesh, Sulejman i Madhërishëm, Hyrrem me harem bëhesh! Duro o shekull i duruar, duro! Edhe unë këtë i them vetes; fol për veten tënde një herë o njeri, ti Ahmet a ç’dreqin je…fol për vete o i marrë dhe duro!
Erdha në Shqipëri kur pavarësia ishte 79-vjeçare. Plot 21 vite më parë. Ende pa u hapur dyert drejt botës së lirë, ende pa u mbyllur dyert e trurit drejt mendimit të lirë.
S’kam lënë marrëzi pa bërë ndër vite e asnjë kryetar fisi s’më ftoi në sofrën e tij. Pemë pa kokrra jam për ta, se kokë pa vota jam! Pemë pa kokrra, si miliona shqiptarë të diasporës, si miliona emigrantë. S’kam lënë marrëzi pa bërë, skam lënë… Kokë pa vota jam, pemë pa kokrra si milionat e harruar…
Unë e di, por ju mësojeni, kjo e imja është një çmenduri e trashëguar nga gjyshja… Një trashëgimi e çmendur plot 100 vite më parë… merreni si dhuratë për pavarësinë.
Gjyshja ime ka qenë shumë e bukur, përherë e qeshur, me zërin si lumenjtë në verë, me sytë në ngjyrën e Rrafshit të Dukagjinit, me rrudhat e shumta sa malet e Shqipërisë së vërtetë. E bukur ishte gjyshja ime, sepse edhe rrudhat i qeshnin, bashkë me sytë, bashkë me rrëfimin e saj të vërtetë:
“Në fillimin e vjeshtës së ‘12-s sa ishin varrosur nëntë djem të rinj të fisit. Në të njëjtën ditë.
Në fillimin e vjeshtës së ‘12-s, pashë detin për herë të parë. 8 vjet i kisha. Iu ngarkuam vaporit me avull në brigjet e Malit të Zi drejt Turqisë së sotme. Ne fëmijët u plakëm po atë ditë. Aq shumë u plakëm, sa s’ditëm më të numëronim sa ishim.
Të rriturit në kuvertë ngjeshur pas njëri-tjetrit. Unë strukur me kokën nën mjekrën e gjyshit. Toka s’u pa më. Fija e fundit e flokut m’u njom prej lotit të tij. “Kqyr e mos harro, kqyr e mos harro”, – dëgjoja pa pushim.
Një natë ra shi me erë, u shtuan dallgët. Nëna shtrydhte gërshetat e saj që të ngopej vëllai me ujë. Kur nisi të zbardhej, u zgjova. Ish si të gjendesh sa hap e mbyll sytë nga mesi i dheut tënd në mesin e Mesdheut. Në një velenxë të vjetër, tezja mbante mbështjellë foshnjën e saj. Kish dështuar po atë natë. I këngëzonte, e përkundte sikur të mos kish vdekur.
Deti ish i palëvizur, sikur të ish i vdekur. Rrapëllima rrëqethëse ngriheshin nga trupi i vaporit. Po lëkundeshim sa majtas-djathtas. Vapori u ndal si me përdhunë. Njerëzia brofën të shihnin nga uji. Fytyra të shtangura. Duke kapërcyer trupa njerëzish ende të përgjumur, u afrova te parmaku edhe unë… Peshqit e mëdhenj ishin gjithandej! U tmerrova, u tmerrova. U sprapsa. Këta peshqit e mëdhenj nuk fjetkërkan kurrë?! Kapiteni plak thërriti doktorin. Ai u afrua. Folën mes tyre. Doktori bëri me shenjë nga tezja. Ai kish derdhur gjakrat e dështimit në det. Gjaku i kish ndjellë peshqit e mëdhenj. Kapiteni, doktori, im atë, disa burra … isha pranë tyre. Peshqit do ta mbysnin vaporin nëse nuk e hidhnin foshnjën në det. Mes ulërimash e piskamash ia shkulën nga krahët tezes. Sapo kapiteni u bë gati ta lëshonte në ujë, vrapova të shihja. As sa një frymëmarrje nuk zgjati. Vetëm një copë velenxe mbeti mbi ujë. Peshqit e mëdhenj me gojë të stërmadhe u shpërndanë.
Tezja u çmend. Që në atë çast nuk rrojti gjatë. Vdiq shumë e re”.
Gjyshja ime ishte e veçantë, sepse edhe këtë ndodhi ma tregonte duke qeshur, sikur ta dinte që një ditë do t’jua rrëfeja në gjuhën amë.