LEONARD BODURI


Përdorimi në interes të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve i taksave që paguajnë është një nga legjendat urbane më të përhapura të ditëve tona. Aq shumë e reklamuar është kjo ide saqë duket e pabesueshme që ndonjë politikan i pabindur dhe i verbër para këtij përparimi administrativ pranon se në vendin tonë ka korrupsion. Në këtë kornizë kritike që demaskon korrupsionin “e paqenë” çuditërisht rreshtohen edhe pushtetmbajtësit, të cilët kanë vetëm një qëllim: prosperitetin e vendit dhe integrimin në Europë. Ata kanë plotësisht të drejtë të irritohen kundër opozitarëve nihilistë, të cilët mohojnë çdo arritje të qeverisë dhe janë bllokues të procesit të integrimit të vendit. Kaq të pafytyrë janë këta opozitarët e poshtër sa që mohojnë edhe arritjen më të madhe, kalin e betejës së mazhorancës: ndërtimin epokal të 10 mijë e kusur kilometrave gjatë dy mandateve qeverisëse. Nihilistë të pandreqshëm! Personalisht më vjen keq vetëm për kohën dhe shpenzimet e tepërta për prerjen e shiritave dhe udhëtimet në çdo skaj të vendit të një shpure të tërë administratorësh publikë buxhetorë dhe një tufe televizionesh që zakonisht janë përfitues të fondeve publike. Shpenzimet e marketingut për reklamimin e realizimit të veprave publike të paguara me taksat e qytetarëve apo me kredi të negociuara keq ose shumë keq, janë shqetësimet e vetme që duhet të na shkojnë nëpër mendje.


Po ç’të keqen ka xhanëm të besosh se gjatë 8 vjetësh në pushtet me “duar të pastra” mazhoranca vërtet që nuk arriti të luftonte korrupsionin, por ajo ka ndërtuar 10 mijë e ca kilometra rrugë në mbarë vendin. I thonë 10 mijë kilometra, nuk janë shaka! Në të vërtetë, mazhoranca nuk arriti të zhdukte listat e të mjerëve nga dyqanxhinjtë e lagjeve, por ajo ka modernizuar rrjetin rrugor të vendit. Në 8 vite u harrua beteja kundër lugëve të florinjta apo vaskave të argjendta, por sa për rrugët nuk ka njeri gojë të flasë. Po çfarë ka për t’u çuditur me shifrat e majme të kilometrave të ndërtuara kur deri në vitin 2009, mazhoranca kishte ndërtuar 5900 km rrugë? Para katër viteve, askush nuk u ankua për këtë arritje të paparë në infrastrukturën e vendit. Në katër vitet e fundit mazhoranca vetëm se e ka ulur pak ritmin e zhvillimit, duke e reduktuar numrin e kilometrave nga 5900 në 4500 ose gati 25 për qind më pak. Të marrësh për referencë të dhëna nga faqet zyrtare të partive politike që u ka ngecur ora në vitin 2009 nuk mund të konsiderohet e besueshme, por në një sistem partitokratik, të dhënat e tilla kanë vlerën e publikimeve zyrtare. Pra në gjithë këtë diskutim shterpë dhe të panevojshëm mbi mburrjen modeste dhe irrituese të qeverisë se “sa mirë” po i shpenzon paratë tona, opozita duhet të heqë dorë njëherë e mirë nga strategjia e saj e mohimit dhe t’i vërë gishtin kokës. Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë, rrugët aty janë, nuk mund të zhduken, ngaqë nuk do opozita që të ekzistojnë. Le të marrin metrin që u ka dhuruar z. Olldashi dhe deri më 23 qershor të mbarojë matjen e tyre. Opozita atë të bëjë dhe të mos na mërzitë më me pallavrat e saj kundër qeverisë!


Pas kësaj mbrojtje të pashoqe të arritjeve të pushtetit në rrjetin rrugor besoj se kemi të drejtën dhe se gjithashtu është e nevojshme të diskutojmë edhe për ato problematika të pakta apo premtime të pambajtura, të cilat nuk kanë mundur të realizohen vetëm për shkaqe madhore apo të pasojave të krizës së tmerrshme financiare që ka mbërthyer ekonominë europiane. Dy premtimet e mëdha të vitit 2009 për infrastrukturën rrugore kanë qenë ndërtimi i Boshtit të Jugut dhe i Rrugës së Arbrit. Gjithashtu, në mes të deklaratave elektorale të 2009-s mund të na ketë zënë veshi shpesh premtime për përfundimin e rrugës Levan-Tepelenë. Gjithashtu diku jam i sigurt që kam dëgjuar edhe për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Berat, por nuk besoj se e kanë pasur shumë seriozisht. Për ata që duan të vënë shkopinj ndër rrotat e qeverisë, duam të theksojmë se në të gjitha këto akse, ose pothuajse në të gjitha është duke u punuar si dhe duam t’i sigurojmë se do të përfundojmë së shpejti. Nëse ka akse ku nuk është vënë uji në zjarr për 8 vjet me radhë duam t’ju sigurojmë se ato janë në fillim e sipër të punimeve, por mos na pyetni për përfundimin. Ministria e Punëve Publike dhe e Transporteve siguron të gjithë ata turistë që kanë si destinacion Beratin dhe Gjirokastrën, dy qytetet shqiptare të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s se rrugët automobilistike që të çojnë aty janë në gjendje të mjeruar, por ama rrjeti dytësor i rrugëve rurale që janë pjesë e arritjes legjendare të 10 mijë e kusur kilometrave është në gjendje të shkëlqyer.


Nga ana tjetër, për të gjithë ata opozitarë të pandreqshëm që kur shohin këtë buqetë suksesesh të njëpasnjëshme duhen të plasin në vend nga inati, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe suksesin e padiskutueshëm në mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe sinjalistikën moderne të instaluar në rrjetin rrugor të vendit. Kam dëgjuar nga disa shqiptarë të Kosovës se në Rrugën e Kombit ka akoma disa ura përgjysmë të papërfunduara, apo denoncojnë mungesën e mirëmbajtjes apo sinjalistikës në pjesë të ndryshme të saj, por jam i sigurt se ata janë të ndikuar nga nihilistët e Shqipërisë dhe nga shpifjet e tyre të bllokimit. Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes numrin e frikshëm të aksidenteve në vend, por për këtë bilanc lufte nuk mund të bëjmë me faj qeverinë. Drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në zgjedhjen e itinerarit të tyre, duke përfshirë në planet e tyre edhe rrugët rurale të ndërtuara sipas standardeve bashkëkohore. Ata duhet të njohin mirë hartën e 10 mijë e kusur kilometrave të reja me qëllim që të kenë një udhëtim sa më komod dhe të sigurt. Harta do të bëhet publike për arsye sigurie pas 23 qershorit. Nuk është çudi që ta mësojnë nihilistët vendndodhjen e tyre dhe t’i dëmtojnë me dashje për të keqinformuar opinionin publik.


Të mohosh gjithë këto arritje në infrastrukturën rrugore është “e turpshme”, por besoj se për të kompletuar legjendën rrugore duhet të pritet edhe shiriti i përurimit të disa pistave për helikopterë, të cilët do të bëjnë të mundur udhëtimin nga akset kryesore rrugore për tek 10 mijë e kusur kilometrat e paarritshme…