BLEDAR KURTI
Disa javë më parë, në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, kryetari i LSI, Ilir Meta, nisi atë që mund të konsiderohet si cikli i leksioneve politike. Për habinë e të gjithëve dhe për turp të asaj që kishte ndodhur në Parlament disa orë më parë, zënkat midis PS dhe PD për votimin e nënkryetarit të KLD, me një qetësi dhe kthjelltësi të admirueshme, Meta u dha leksione publike politikanëve në vend.
Ndërkohë që dy partitë kryesore kishin ndezur edhe një herë gjakrat dhe kishin dëshmuar një skepticizëm të ekzagjeruar mosbesimi dhe mungese vullneti për bashkëpunim, Meta deklaroi gjënë më të thjeshtë, më me sens dhe ndoshta më të duhurën për situatën politike në vend, që Rama dhe Berisha të takohen personalisht pa praninë e kamerave.
Në një klimë politike tejet të ndezur, Meta anashkaloi të gjitha mediatizimet, burokracitë politike, retorikat e tepruara dhe konfliktet e sajuara, duke propozuar një takim kokë më kokë, Rama-Berisha, i cili do evitojë konflikte, skena të papëlqyera, skandale parlamentare dhe kriza politike, të cilat, siç u nënkuptua nga deklaratat e ambasadorit Arvizu, për shkak të mosbesimit të madh që kanë partitë e mëdha te njëra-tjetra, janë të pashmangshme.
Pasi u takua vetë me Ramën dhe Berishën për çështjen e presidentit të ri, Meta po bën të njëjtin apel që përsëri do ishte zgjidhja më e duhur për detantën politike dhe zgjidhjen e ngërçit presidencial.
Meta ka kohë që nuk lëshon asnjë deklaratë politike. Gjatë muajve të fundit, daljet e tij publike dhe komentet e tij mediatike kanë pasur në thelb më shumë çështjen e integrimit dhe propozimi i një takimi midis dy krerëve të partive të mëdha, duke shmangur konfliktet që pritet të ndodhin në ditët apo javët në vazhdim, mund të përputhet më së miri me stabilitetin politik të vendit dhe shanset më të mëdha për të marrë statusin kandidat për në BE në fund të vitit.
Leksionet që Meta i dha politikës shqiptare në emisionin “Top Story”, si dhe takimet me Ramën dhe Berishën, e sollën atë në vëmendjen e opinionit publik, si një politikan profesionist dhe të matur.
I ndëshkuar nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, i shantazhuar nga ish-kolegu i tij, Meta ka dalë më i fortë nga këto dy prova të vështira për karrierën e tij. Jo vetëm kaq, si një faktor i rëndësishëm për qeverisje ka një privilegj që partitë e mëdha nuk e kanë, që LSI do jetë në qeverisje për një kohë shumë të gjatë. Nëse në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, PS dhe PD e kanë 50% me 50% nëse do qeverisin apo do jenë në opozitë, LSI dhe Meta e kanë pothuajse të sigurt që do jenë pjesë e qeverisjes, dhe kjo për shkak të numrave të votuesve që kjo parti ka.
Ata që mendojnë se demokracia është një nocion romantik, gabohen. Demokracia është 50+1, pra vetëm numra. Ideologjitë politike janë vetëm një mjet për t’i arritur këto numra. Dhe, duke përllogaritur numrin e votuesve të LSI në zgjedhjet lokale të 2011-s, të cilat mund të përkthehen shumë mirë në të paktën gjashtë deputetë, Ilir Meta dhe LSI do vazhdojnë të gëzojnë një pozicion komod në politikën shqiptare.
Kompromisi PD-PS i vitit 2008 për të ndryshuar sistemin zgjedhor, në mënyrë që të shtypeshin partitë e vogla, u kthye në makth për vetë arkitektët e ndryshimeve kushtetuese, pasi asnjëra prej partive kryesore nuk mund të qeverisë e vetme. Shqiptarët e kanë shprehur mendimin e tyre në 2009-n dhe 2011-n, duke mos lejuar që vendi të udhëhiqet më nga një forcë e vetme dhe një qeveri kompakte dhe autoritariste, por një bashkim forcash politike e moderuar, e cila është më lehtësisht e shpërbërshme në kohë krizash. Për këtë arsye, roli i partive që mund të konsiderohen si poli i tretë, LSI, PR, PDIU, dhe PBDNJ, është i dobishëm për moderimin e politikës shqiptare në përgjithësi, pasi demokracia vërtet është numra, por gjithashtu promovon të drejtën për t’u përfaqësuar.
Përtej bindjeve politike personale të gjithsecilit dhe skepticizmit që kemi për figurat politike në vend, në retrospektivë kujtojmë se greva e urisë së Metës, i cili ndryshe nga Rama hyri vetë i pari, kundër ndryshimeve kushtetuese, rezultoi e drejtë, koalicioni qeverisës me një parti të djathtë rezultoi i arsyeshëm, jo vetëm për stabilitetin e vendit por edhe për shkak se vetë PS, më vonë, mori si aleate parti të djathta, ndoshta në ditët në vazhdim, propozimi i bërë nga Meta në “Top Story”, për një takim pa praninë e kamerave midis Ramës dhe Berishës mund të rezultojë i suksesshëm dhe mund të zbusë, të paktën për pak kohë, gjakrat që ziejnë me furi në selitë e partive kryesore në vend.