Silvana Toska
Artikulli i fundit i Lubonjës është ndër të paktët që të bën ta rilexosh dhe të reflektosh mbi qëndrime, të cilat deri në atë kohë dukeshin të vërteta të padiskutueshme: Vaçe Zela është këngëtarja që me denjësi përfaqëson artin shqiptar dhe meriton “histerinë” me të cilën e përcollëm. Apo jo? Përgjigjja kategorike “jo” që i jep Lubonja, sidoqoftë, i vë një përgjegjësi tepër të madhe Vaçes si artiste, e cila duhej të ishte disidente dhe jo pjesë e propagandës së sistemit ose, të paktën sipas Lubonjës, ky është kriteri mbi të cilin duhej të matej vlerësimi mbi të dhe reagimi ndaj vdekjes së saj. Dhe nëpërmjet këtij gjykimi ai ngre disa pyetje tepër të rëndësishme: Cili është roli i artistëve dhe përgjegjësia e tyre? Si ta gjykojmë artin komunist? Dhe ç’të bëjmë me ata njerëz të rëndësishëm si Vaçen – por, pse jo, edhe të parëndësishëm si mamin, babin, dajën – të cilët ishin pjesëmarrës të heshtur dhe (nga frika, padituria, apo besimi i sinqertë) legjitimonin sistemin e kaluar? Përgjigjja kategorike e Lubonjës është tepër e njëanshme dhe zëvendëson lëvdatat entuziaste më një refuzim total. Si gjithmonë, e vërteta është disi midis këtyre dy opsioneve të rreme.
Lubonja shkruan se arsyeja se përse këngët e Vaçes “ngjisnin” ishte sepse ky lloj arti shërbente për të formuar njeriun dhe, në rastin konkret, një njeri të zbrazët në mendje dhe të mbushur me entuziazëm për “të vërtetat” që i servirte ideologjia. Për këtë arsye, edhe nëse pranojmë talentin e zërit të Vaçes, gënjeshtra e përmbajtjes së këngëve të saj duhet të na shtyjë të mos veçojmë artin/propagandën nga vetë artistja. Njerëzit e kishin mendjen e zbrazët si rezultat i dhunës së parreshtur psikologjike ndaj tyre dhe e vetmja mënyrë për Lubonjën për të kuptuar se si ata dhe njerëzit sot mund të tregojnë entuziazëm të sinqertë ndaj kësaj muzike është t’i imagjinojë si të mbetur në një stad fëminor (më tepër për këtë më poshtë.) Vetë Vaçe Zela nuk zgjidhte këngët e saj – sipas Lubonjës – pasi ajo ishte pjesë e këtij sistemi dhe, si rezultat, tepër e limituar në artin e saj. Ajo ishte po aq e gënjeshtërt sa edhe ata që e dëgjonin, sa edhe sistemi të cilit i përkisnin. Edhe këngët jopolitike të saj ishin një akt politik, pasi ndihmonin në krijimin e një imazhi se jeta në vend ishte e denjë për t’ia hedhur një valsi të bukur.
Kjo pjesë e artikullit të Lubonjës si analizë e hegjemonisë se ideologjisë, si dhe rolin e këtij arti-gënjeshtër në përforcimin e kësaj ideologjie është mjaft e goditur. Problemi qëndron pastaj te fajësia qe ai i vë Vaçe Zelës – jo si person, por si simbol i sistemit – dhe sugjerimit se duhet ta trajtojmë atë si simbol i gënjeshtërt, nderimi i së cilës është pranim i sistemit që e prodhoi. Në kontrast me Vaçen, ai përmend një listë muzikantësh të mirëfilltë (të vërtetë) të cilët ishin politikisht aktivë dhe që ndoshta përfaqësonin një ndër periudhat më të ndritura të muzikës dhe artit kinematografik – vitet 1960 dhe 1970. Këto vite ishin të mbushur me lëvizje studentore, protesta kundër diskriminimit racor, kundër luftës në Vietnam, me obsesionin ndaj frikës së komunizmit sovjetik, luftën për emancipimin e grave, përdorimin për herë të parë në masë i makinave dhe televizorit, si dhe shkollimi në masë. Kryqëzimi i kohës dhe bumi i muzikantëve me një ndërgjegje sociale në atë periudhë bëri të mundur jo vetëm krijimin e këngëve-protestë të Bob Dilan si “Uragan” apo “Kohët po Ndryshojnë”, por edhe pranimin në masë të tyre. E njëjta gjë me këngëtarët italianë që Lubonja flet se përfaqësonin botën e tij dhe shokëve të tij: këta muzikantë performonin në kushte ku kritika ndaj sistemit dhe alternativat ishin të diskutuara hapur. Në një farë mënyre, edhe këngët më kritike të kohës ishin produkt i saj, pasi sado të mundohemi të vlerësojmë artin apo artisten si individ, në fund të fundit ekzistojnë dhe krijohen brenda një sistemi të caktuar, ndonjëherë hegjemonik (si ne vendin tonë), ndonjëherë multipolar (si artistët e huaj që përmendëm). Nuk është “shans” dhe as thjesht arritje personale, për shembull, që Ismail Kadare shkroi “Piramida e Keopsit” dhe vepra të tjera plot nënkuptime kritike ndaj sistemit: ishte ndër të paktët që i ishte dhënë mundësia e udhëtimit dhe përballja me të “vërteta” të tjera jashtë atyre që propagandoheshin në vend.
A do ishte e mundshme që një artiste që lindte në Shqipëri në atë periudhë të kishte të njëjtën vetëdije apo mision emancipues si të huajt që përmend Lubonja? Ai e thotë qartë – dhe e ka kaluar në kurriz – se kjo do çonte në fundin fizik të saj. Vaçe Zela si simbol ishte, në këtë mënyrë, e vetmja artiste që mund të mbijetonte në atë sistem, më e talentuara ndër gjithë këngëtarëve të tjerë “të gënjeshtërt”. Pa dyshim, në krahasim me këngët e fëmijërisë së Lubonjës, tekstet e këngëve të Vaçes duken mjaft të thjeshta (qoftë banale) dhe nuk nxisin asnjë reflektim përveç vetëkënaqësisë ndaj periudhës në fjalë. Por edhe nëse jemi dakord me këtë karakterizim të saj: çfarë mund të bëjmë konkretisht me këtë pohim? A duhet ta hedhim poshtë atë, bashkë me sistemin që e prodhoi? Çfarë marrëdhënieje duhet të kemi me artin komunist, i cili edhe kur shërbente mirëfillshëm në krijimin e një entuziazmi dhe kënaqësie të sinqertë, ishte duke i shërbyer sistemit? Dhe ç’duhet të bëjmë me gjithë njerëzit (që janë pothuajse e gjithë Shqipëria) të cilët janë të dashuruar pas Vaçes? A janë ata të mbetur në fëmijëri, apo kanë hyrë në pleqërinë e thellë pa e kaluar moshën e pjekurisë – siç thotë Lubonja? T’i marrim një nga një.
Vaçja është edhe produkt i sistemit edhe riprodhuese e tij: e vërtetë. Por ndryshe nga shokët e shkollës së Lubonjës që dëgjonin një listë më të larmishme artistësh, për shumicën e shqiptarëve ajo ishte pikërisht përfaqësimi i botës së tyre: dhe, si rezultat, ishte po aq fajtore apo bashkëfajtore sa gjithë të tjerët në përforcimin e nënndërgjegjshëm të sistemit. A meritonte vërtet Shqipëria Valsin e Lumturisë? Fakti që komunizmi ishte aq i sigurt ishte jo vetëm rezultat i dhunës fizike, pasi asnjë regjim nuk sundon vetëm me frikë. Ndonëse vështirë të bësh analizë të saktë në retrospektivë – pasi të gjithë kemi histori personale mjaft revizioniste – është e pranueshme të themi se Valsi i Lumturisë përshkruante atë që shumë njerëz mendonin se jetonin, apo se do të arrinin të jetonin një ditë (komunizmi është ideologji e një sistemi progresiv deri në utopinë e vet.) Një botë e rremë që pranohet si e vërtetë përjetohet si e tillë. Vaçja nuk u nis për një karrierë artistike: ajo u zbulua, u soll në Tiranë, iu dha një kitarë dhe përdori zërin e saj të mrekullueshëm, punë dhe vullnet si për t’u bërë e famshme, si për të kënaqur një publik tepër të lodhur, si dhe – dashur pa dashur, po më shumë pa ditur – t’i këndojë këngë panagjerike diktaturës. Shumë nga këto janë të kundërta, por të gjitha të vërteta.
Nëse Vaçe Zelën e quajmë të gënjeshtërt dhe si të tillë e hedhim poshtë, atëherë ç’duhet të themi për të gjithë artistët e tjerë gjatë komunizmit? Po kompozitorët, të cilët nuk kanë tekste, por të cilët me ekzistencën dhe performancat e tyre ekzaltonin publikun në të njëjtën mënyrë, si dhe i shërbenin mitit se ishim vend i përparuar dhe i lumtur? Apo kompozimet, në mungesën e tekstit, nuk përfshihen në një formë të gënjeshtërt si teksti i këngëve të Vaçes, edhe pse roli i tyre në normalizimin e sistemit nuk është larg nga ai i këngëve të saj? Po aktorët, të cilët me aktrimin e tyre patjetër e prekën apo bënë Enverin të qeshë pa fund, dhe na bënë ne të ndihemi pjesë e një shoqërie të shëndoshë, pa dijeni se ishte e rremë? Apo edhe artistë të fjalës si Dritëro Agollin dhe tekstet jopolitike të Kadaresë (shumë nga poezitë e tij), por edhe ato me nënkuptime dhe kritika të fshehura ndaj sistemit që nuk lexoheshin si të tilla nga shumica në atë kohë dhe që përkraheshin nga Enveri si fryt i punës socialiste? Të gjitha këto krijime në një mënyrë apo tjetër ndihmonin po të njëjtin imazh, ishin pjesë e të njëjtës propagandë dhe shërbenin për të legjitimuar mitin e një lumturie të rremë, por që përjetohej si e vërtetë prej një shumice dërmuese të popullsisë. Të mbajmë vetëm Kadarenë – edhe pse ai vetë refuzon mundësinë e disidencës gjatë komunizmit – dhe të hedhim gjithë të tjerët? Këto nuk janë pyetje të cilave mund t’u përgjigjem kategorikisht: dhe pikërisht këtu qëndron problemi me artikullin e Lubonjës. Ndonëse bën mirë që na shtyn të reflektojmë, ndoshta nxiton në refuzimin total të gjithçkaje që kishte të bënte me atë periudhë, edhe të artistëve që brenda kufijve të ngurtë qëllimisht përmirësuan sadopak jetën kulturore në vend, por që jo-qëllimisht kanë qenë vegël e sistemit, ashtu si gjithë popullsia.
Megjithatë, është tepër sipërfaqësore t’i quajmë të gjithë ata njerëz që duan Vaçen si fëmijë të përhershëm apo pleq të papjekur: sidomos nga Lubonja, i cili është ndër të paktët analistë i aftë të analizojë efektet e sistemit në shoqëri, apo efektet e eksperiencave personale në botëkuptimin e secilit prej nesh. Ashtu siç e bën të qartë Lubonja, dhuna e këngëve me mesazh atdhedashës dhe revolucionar ndaj të burgosurve politikë është e pafalshme dhe është një eksperiencë personale e tij që nuk mund të mos ketë efekt mbi vlerësimin ndaj atij që e konsideron vetëm si art-gënjeshtër, të kompromentuar, propagandistik. Është e dhimbshme se sa larg është eksperienca e të burgosurve politikë nga pjesa tjetër e shoqërisë, pasi duhej që Lubonja të përshkruante skenën në burg që unë dhe shoqet e mia të tundeshim nga rehati ynë sot dhe të reflektonim mbi dhunën e artit diktatorial. Imazhi i Valsit të Lumturisë që buçonte në këto burgje duhet të ketë qenë torturuese për personat që s’jetonin në të bukurin atdhe.
Por, në të njëjtën kohë, eksperiencat personale me Vaçe Zelën për shumë të tjerë nuk janë tragjike. Përkundrazi, ka njerëz që kujtojnë me nostalgji të kaluarën, pasi ndërkohë që jeta e disave është përmirësuar, për shumë të tjerë është përkeqësuar në pasigurinë e saj. Ndoshta kjo nostalgji vjen pjesërisht nga padituria e të kaluarës, por ndoshta vjen edhe nga vështirësia e gjykimit të një sistemi në mënyrë të divorcuar nga eksperiencat personale. A meritojnë këta njerëz nofkën “të mitur” apo pleq të papjekur? Ndoshta, por idiotësia e mundshme e gjithë popullsisë është një shpjegim i dobët, dhe përgjithësisht i gabuar, i cili mbulon arsyet e vërteta të mbajtjes së të tilla qëndrimeve. Për shumë njerëz, ajo reflekton një kohë të lumtur, apo më të lumtur, që duhet të jetë shkas jo për të vënë në pah “injorancën” e tyre, por për të marrë seriozisht krahasimin që bëhet me të kaluarën dhe faktit të trishtueshëm që për shumë njerëz ajo kohë e rreme ishte më mirë se kjo e vërteta e tanishme.
Vaçe Zela u promovua nga sistemi dhe shumë nga këngët e saj ishin tejet bajate në tekst, pasi e thjeshtë duhej mbajtur popullsia që i konsumonte, por kjo nuk hedh poshtë faktin që ishte talent që kishte prekur dhe përmirësuar jetën e shumë njerëzve, që ishte pjesë e tyre dhe si e tillë besonte në aspiratat e përbashkëta absurde të krijimit të “vendit më të lumtur në botë”. Ndoshta në kushte të tjera ajo do kishte qenë Joan Baez dhe do këndonte kundër regjimit, por ç’mundësi kishte në Shqipëri? Alternativa ishte një heshtje totale, një terr artistik, por po të kishte ekzistuar një ndërgjegjësim i tillë në Shqipëri sistemi nuk do të ishte aq i fuqishëm. Brezi im kapi vetëm fundin e komunizmit dhe ishim të miturit e mirëfilltë, jo ata me zgjedhje të Lubonjës. Por edhe për ne sot Vaçe Zela ngjall nostalgji, jo vetëm sepse këngët e saj përfaqësojnë një realitet relativisht të lumtur fëmijërie plotësisht naiv ndaj dhunës së diktaturës, por edhe si kontrast i dikujt me talent muzikor kundër erotikës kapitaliste që kalon për “muzikë” sot.
Këngët e Vaçe Zeles ishin propaganda, edhe pse nuk kemi arsye të flasim se ky ka qenë qëllimi i saj apo se kishte mundësi të evitonte këtë fat. Ajo ishte gjithashtu mjaft e talentuar dhe u përjetësua si një pjesë e lumtur e një periudhe të turbullt të historisë sonë. A ia vlen që ajo të vlerësohet? Po. A ia vlen të diskutojmë se si talenti i saj u përdor dhe se si njerëzit – përfshi dhe artistët – ishin shoqërisht të verbër ndaj dhunës së sistemit? Pa dyshim. Por nëse do ta analizojmë më me qartësi dhe thellësi kohën e komunizmit dhe rolin e artit komunist – bisedë që duhet ta bëjmë seriozisht – le të evitojmë gjykimet kategorike aty ku këto gjykime thjeshtësojnë tepër realitetin dhe të pranojmë të kaluarën e komplikuar. Sidomos nëse duam të mësojmë nga gabimet e të kaluarës, që është në fund të fundit qëllimi kryesor i artikullit të Lubonjës. Dhe, të mos harrojmë, nëse refuzojmë gjithçka si të pavlerë, s’na mbetet njeri – as artist as prindër – të cilët mund t’i qajmë ditën që vdesin.