ANDREA STEFANI


Andrea StefaniNuk jam dakord me të gjitha ato që shkruan Fatos Lubonja në artikullin e debatuar “Valsi i lumturisë”. Por që në krye të herës, dua të nënvizoj se disa reagime kundër tij, kanë qenë të egra deri në sadizëm dhe prandaj, të papranueshme nga etika e lirisë së fjalës. Në fund të fundit, Lubonja ka shprehur një mendim, një opinion të vetin. Kjo është liri e fjalës dhe e kritikës. Edhe nëse ky opinion është krejt në kundërshtim me shijet apo opinionet e dikujt, apo edhe të shumicës së shqiptarëve, kjo nuk e bën Lubonjën as Hitler dhe as një person të cilit duhet t’i urosh me mllef sadist vdekjen apo t’i këndosh nekrofilisht mbi qefin.


 


***


Është liri e gjithkujt që nuk dakordësohet me Lubonjën e këdo, të shprehë kritikën e tij për të, duke ballafaquar argumentet. Veç mallkimet vdekjendjellëse janë barbare, të shëmtuara dhe antihumane. Ato janë urrejtje kundër njeriut dhe jo kundër pikëpamjeve të tij. Janë reminishenca totalitaristo-komuniste të egërsimit ndaj kujtdo që mendon ndryshe, tentativa për ta stigmatizuar si dele e zezë, si armik të kolektivit, për ta linçuar në mënyra nga më të ndryshmet si antishqiptar. Reagime të tilla tregojnë se sa pak tolerantë janë ende disa shqiptarë ndaj lirisë së fjalës së një shqiptari. Dhe akoma më pak, ndaj lirisë së kritikës.


 


***


Pavarësisht mosdakordësive për ndonjë çështje të artikullit apo në këto 23 vjet tranzicion, nuk mund të mos pranoj se Lubonja është një nga ata zëra të fuqishëm në gazetarinë e postkomunizmit që, në të shumtën e herëve, ka qenë në krah të çdo lirie dhe kundër tendencave të sundimit. Ai ka meritën intelektuale dhe atdhetare, që statusin e të përndjekurit politik, e përdori për t’ia kundërvënë kulteve të reja neo-enveriste (Berisha, Nano) që u shfaqën, bashkë me rënien e diktaturës komuniste. Gjë e vështirë të ndërmerrej nga kushdo tjetër që nuk kish kaluar Ferrin e përndjekjes komuniste. Sepse mund të neutralizohej shumë shpejt nga fanatikët e “Mesias së demokracisë”, i shantazhuar si “komunist”. Harrimi i këtij kontributi nga ata që e sulmojnë, madje e akuzojnë deri për antishqiptar Lubonjën flet, më e pakta, për zemërim narcist deri në sadizëm. Janë reminishenca të “etikës” enveriste që shpallte armik të kombit apo popullit, këdo që s’pajtohej me mendimin e regjimit. Duket si një hakmarrje e mbrame e enveristëve të veshur me lëkurë demokrati, kundër një liridashësi që guxoi të bënte atë që pakkush guxonte ta mendonte në 45 vjet, ta shpallte veten “armik të popullit”, të një regjimi që na bënte të dridheshim. Dhe e duartrokisnim se burgosi “armikun e popullit”. Se “Ne” ishim “populli”.


 


***


Ndoshta pozicioni si gazetar më jep të kuptoj, më lehtë se shumëkush tjetër se, në kushtet e një pluralizmi ende konfliktual, nuk mund të jesh simpatik për të gjithë. Prandaj, ne gazetarët, dukemi përbindësha për një palë dhe engjëj për palën tjetër. Nuk mund të mos marrim mbi vete dashuri nga një kamp dhe urrejtje nga kampi kundërshtar politik. Peshën e këtij kryqi e mban sot edhe Lubonja. Kur në të ardhmen konfliktualiteti të bjerë, simbioza dashuri-urrejtje për gazetarin do shndërrohet në simbiozën më njerëzore simpati-antipati për pikëpamjet që shpreh ai.


 


***


Teza e Lubonjës se këngët e krijuara gjatë regjimit komunist “ishin pjesë e programit propagandistik trushpëlarës për të cilin punonte një armatë e tërë poetësh dhe artistësh” është, tashmë, një aksiomë e hidhur, që besoj se nuk lyp vërtetim. Këtij mekanizmi apo programi për manipulimin e njeriut të “ri” nuk mund t’i shpëtonte askush nga artistët e kohës. Ndryshe nuk do të quhej TOTALITARIZËM! Aq më pak mund t’i shpëtonte kthetrave të këtij mekanizmi një zë i rrallë si Vaçe Zela. Regjimi e përdori talentin e Vaçes për qëllimet e tij. Dhe kjo e bën edhe Vaçen një viktimë, sepse diktatura të viktimizon edhe kur të lartëson.


 


***


Të gjithë shqiptarët, punëtorë, artistë, kooperativistë, mjekë, shkrimtarë u bëmë viktima të asaj të keqeje banale që e kish emrin Diktatura e Proletariatit. Ata që nuk u treguan bashkëpunues përfunduan në plumb ose në qeli. Dhe një nga ata ishte edhe Fatos Lubonja. Ne të tjerët, që i shpëtuam qelisë, në një masë apo tjetër, shërbyem. Edhe punëtori më i thjeshtë apo bujku që mbillte grurin si “plumb për armikun”, metalurgu që shkrinte “çelikun e partisë”, duhet të kuptojnë se kanë kontribuar në mbajtjen në këmbë të këtij mekanizmi që vrau njerëz në emrin tonë, në emrin e “popullit”. Distanca nga ekzekutimet, fakti që nuk i bëmë ne ato me dorën tonë, nuk na bën më pak fajtorë se elektricisti që lëshonte rrymën në telat e kampit nazist të përqendrimit. Të gjithë kemi qenë pjesë e asaj ndarjeje të punës brenda së keqes banale të diktaturës, që ka përkufizuar aq mirë Arendt. Përjashtuar ata që hoqën Ferrin komunist si Lubonja. Ata, dhe këtu qëndron çudia, regjimi nuk i bëri dot viktima të tij. I burgosi, i torturoi, i dhunoi fizikisht, por nuk i gjymtoi dot shpirtërisht. Çdo tjetër shqiptar që “i lirë” duartrokiste “Parti-Enver”(!) për një regjim që vriste e burgoste njeriun, ishte i gjymtuar në mendësi nga ai regjim. Dhe të ndjerit sot fajtor është shenjë shërimi. Fakti që sot, ka ende shqiptarë që duartrokasin e votojnë një qeveri që vret njerëz si më 21 janar, që thonë me vete “mirë ja u bëri”, dëshmon se ata nuk i kanë shpëtuar dot, edhe 23 vjet pas rënies së komunizmit, atij gjymtimi mendësie të shkaktuar nga një totalitarizëm 45-vjeçar.


 


***


Kur them që duhet të ndihet fajtor për pjesën e tij të aksioneve në paketën e diktaturës edhe bujku apo minatori, aq më shumë duhet të ndihet fajtor një artist. Edhe pse nuk ishte i lirë të mos qe “ndihmës besnik i partisë në edukimin komunist të punonjësve” apo bulon i mekanizmit trushpëlarës që përmend Lubonja. Sepse arti, letërsia, kinematografia, me partizanë të mirë e ballistë të këqij, me njeriun e lumtur e vigjilent socialist dhe kulakun e poshtër, me kufitarin që ishte patriot kur e vriste diversantin “antishqiptar”, kanë luajtur një rol shumë më agresiv në krijimin e “njeriut të ri” (në fakt në deformimin e njeriut) sesa vetë treni i kuq i vëllimeve të Enverit që njerëzit i lexonin të mbledhur me zor në format e edukimit. Edhe kush ka duartrokitur një herë të vetme Parti-Enver (!), duhet të ndihet përgjegjës për sa ka ndodhur nën diktaturë. Duhet të ndihet fajtor edhe përpara Fatos Lubonjës dhe gjithë atyre që, ndryshe nga ne skllevërit “e lirë”, u pushkatuan, u robëruan e vdiqën burgjeve por mbetën të lirë shpirtërisht. Sepse ishin ato ovacione që maskonin me vullnetin e “popullit” krimet e pushkatimet e diktaturës. “Populli” ishim “Ne”. Nuk kemi alibi për këtë. Nëse shqiptarët nuk arrijnë të kuptojnë raportin që kanë pasur me të keqen totalitare dje, kontributin që kanë dhënë për jetëgjatësimin e saj, nuk do të mund të shmangin një tjetër kontribut për një tjetër të keqe fatale sot dhe nesër. Dhe një nga hapat e këtij katarsisi është një pozicionim krejt tjetër ndaj kritikës dhe atij që guxon të dalë kundër mendimit tonë, që kemi tendencën banale dhe populiste (pra fashiste) ta paraqesim si mendim i “popullit”!


 


***


A qe arti i realizmit socialist totalisht, pra edhe këngët e Vaçes, si për shembull “Valsi i lumturisë”, një art mediokër? Nuk jam i prirur të jap një vlerësim të tillë. Edhe në artin botëror, shumë më i lartësuar se i yni, ka jo pak mediokritet. Edhe sot arti shqiptar ka shumë mediokritet, edhe pse nuk ka diktaturë. Mediokriteti nuk është atribut vetëm i diktaturave. Por duke i hequr artit lirinë e krijimit, diktatura rrit shanset për mediokritetin. E megjithatë, nën regjime shtypëse lindin edhe kryevepra. Në rastin shqiptar fakti më evident, i afirmuar edhe botërisht, është krijimtaria e Kadaresë.


 


***


Për sa i përket “Valsit”, nuk mendoj se mund të shijohen edhe vepra ku harmonia mes formës dhe përmbajtjes nuk është perfekte. Gjykimi i Lubonjës e “gënjeshtërt forma, e gënjeshtërt përmbajtja” mendoj se çalon. Sepse ka edhe gënjeshtra të bukura. Aq më tepër kur bëhet fjalë për këngën e cila ka tre komponentë, muzikën, tekstin dhe interpretimin. Edhe kur formohet një këngë, komponentët e saj, jo rrallë, lindin krejt veçmas. Prandaj mund të shijohen edhe veçmas. Jepi një këngëtari të keq të këndojë një kryevepër dhe do të rezultojë një mediokritet. Jepi një këngë mediokre një këngëtari të mirë dhe mund të korrë duartrokitje. Vaçe Zela ishte një talent që arrinte të tilla metamorfoza me zërin e saj. Ka lartësuar, për aq sa është e mundur, edhe mediokritete muzikore me zërin e saj. Ka bërë mirë apo keq? Nuk mund të gjykohet, sepse një talent nuk mund të bëjë ndryshe.


 


***


Ndërkaq edhe pse teksti mund të jetë propagandistik, për jetën e re, për partinë, linja melodike dhe vetë shpirti i dëgjuesit, mund të kenë prirjen të transhendojnë tekstin. Një muzikë e mirë, së cilës i është bashkangjitur një tekst për “diktaturën e dashur”, mund të shijohet edhe më vete, duke abstraguar nga lirika. Jo rrallë kënaqemi me këngë të huaja që nuk jua dimë kuptimin. I bashkëngjisim melodisë të tjera motive (hareje apo nostalgjie) që janë thuajse biologjike te njeriu dhe të nevojshme për mbijetesën e tij. Aq më tepër nën diktaturë. Dhe në jo pak krijime të asaj kohe, propaganda ishte guaska që i imponohej veprës por brenda saj, gjeje jo pak herë mjaft lëng jete. Një e tillë është edhe kënga “Valsi i lumturisë”. Në tekst flitet për “t’bukrin atdhe” apo “jetën e re” dhe këto, nuk mund të mos perceptoheshin si lavdërim për diktaturën sa kohë vendi ishte nën sundimin komunist. Por muzika madje edhe teksti, nuk ka lidhje organike me regjimin. Aq sa ai mund të këndohet pa asnjë ndryshim edhe sot, edhe pse i “bukri atdhe” nuk është akoma ashtu si duam. Gjithçka eksplicite në tekst është thjesht njerëzore. Është nostalgjia e një çifti të martuarish për valsin e rinisë së shkuar, ku dergjen rrënjët e dashurisë së tyre. Dhe që ai vals sikur ua përtërin. Në vargjet e “Valsit të lumturisë” gjejmë lumturinë e një valsi, tendencën e pamposhtur të jetës që nxjerr sythe edhe në gërxhin e censurës apo vetëcensurës totalitare. Janë grimca hareje që i mundësonin njeriut, nëse ka pasur nevojë, transhendimin e diktaturës, çaste arratisjeje prej saj. Një prehje që mundësonte mbijetesën biologjike brenda diktaturës. Thuajse si në një qeli.


 


***


Mendoj se Lubonja shfaq, në rastin e “Valsit”, një ashpërsi të ngjashme me atë të regjimit që ndalonte këngët e Perëndimit. Meqenëse Valsi është krijuar në vitet e socializmit, është një këngë që nuk ia vlen?! Raportet e krijesës artistike me politikën nuk janë kaq të thjeshta. Por pikërisht për këtë, e kam të vështirë ta keqgjykoj edhe Lubonjën. Sepse të gjithë ne, që nuk kemi rënë në burgjet e diktaturës, kishim luksin të peshkonim grimca kënaqësie edhe nga këngët e të regjimit. Ndërkaq, për ata që kishin prekur Ferrin komunist si Lubonja, këto këngë nuk mund të mos perceptoheshin me neveri si makijazhi (dhe ato e luanin në fakt këtë funksion), i Ferrit që ne nuk e vuanim. Kush ka të drejtë? Është një raport shumë i ndërlikuar që besoj se nuk mund ta zgjidhë dot ky brez. Është aq i ndërlikuar, sa ke frikë që po t’i vësh zjarrin të gjithë veprave të artit komunist, do të dalë dikush të të shpotisë si Jan Husi plakën zjarrvënëse: santa semplicita!


 


***


Ndërkaq kjo që sapo kemi thënë, shtron edhe një rrafsh tjetër. Në kohë diktature kujt i shërben më shumë një art që kapërcen mediokritetin, diktaturës apo njeriut? Logjika të lë të kuptosh se nëse diktatura e lejon një art do të thotë se ai i shërbente. Dhe jo vetëm si propagandë vulgare. Sepse muzika ushqen një thuajse nevojë biologjike të njerëzve. Ajo ka shpëtuar edhe jetë në rrethana kritike. Grimcat e lumturisë apo kënaqësisë që ka vetinë të falë arti, e bëjnë më të durueshme edhe shtypjen. Dhe pikërisht se e ka këtë magji, arti (muzika, kënga në këtë rast) lakmohet të përdoret nga diktatura. Duke perifrazuar atë që Marksi, babai teorik i diktaturës së proletariatit, shkruante për fenë mund të themi se kënga në diktaturë, ishte zemra e një bote pa zemër apo shpirti i një sistemi pa shpirt. Kënga ishte një opium për popullin! Dhe sa më cilësore, aq edhe më dehëse. Si një opium i pastër. Por njëherazi edhe më ngushëlluese pra, edhe shpëtimtare! Edhe për njeriun nga diktatura por edhe për diktaturën nga njeriu! Simbioza është e hatashme!


 


***


Shihet qartë se Lubonjën e shqetëson qëndrimi i shqiptarëve ndaj së djeshmes komuniste. Ndaj edhe nderimin për një artiste të së djeshmes si Vaçe Zela, e ka përkthyer edhe si një nderim për diktaturën e djeshme. Dhe në një përqindje (se sa s’di ta them) është ashtu. Por besoj që, edhe në këtë rast, problemi nuk është kaq i thjeshtë. Raportet e njeriut edhe me artin e diktaturës nuk janë ato që ai ka me vetë diktaturën. Në rastin në fjalë, në raportet që mbajnë njerëzit me këngët e asaj kohe ndërfuten element të tjerë humanë, ndjenja, nivel shijesh, kujtime që mbeten të qenësishme vetëm për këtë marrëdhënie. Vetë Lubonja i përmend këto bashkëshoqërime të mistershme të shpirtit njerëzor. Elementë të cilat, mundësojnë që vlerësimi për artistin, të jetë vlerësimi për artistin, pavarësisht se në ç’kohë ka prodhuar art ai.


 


***


Por preokupimi i Lubonjës është shumë i përligjur në një rrafsh tjetër. Sikur shqiptarët të kishin nostalgji dhe vlerësim vetëm për disa këngë të krijuara në socializëm, nuk do të kishte asnjë problem. Por përbën problem fakti se për shkak të mungesës së shtetit ligjor, në kuptimin real të fjalës, ekziston një nostalgji në rritje për kohën kur kishte rend dhe s’kishte krime, kur varfëria ndahej barabar. Fakti që shembja e shtetit të diktaturës nuk u zëvendësua me shtetin ligjor, ky vakum, ka krijuar një thuajse gjendje të natyrës, ku njeriu i rrëmben jetën njeriut, i rrëmben vendin e punës (kafshatën) njeriut. Dhe meqenëse këtë e bën me anë të partisë, është i gatshëm të duartrokasë qeverinë e partisë, edhe kur kjo vret njeriun. Ky është as më shumë dhe as më pak, por kanibalizëm. Mungesa e shtetit ligjor e drejtësisë dhe lirisë po e shndërron Shqipërinë në një KALBANISTAN. Te ky kalbëzim dhe kanibalizëm i ka rrënjët e freskëta, përveç atyre të vjetrave, edhe nostalgjia për diktaturën e Enverit apo edhe ndonjë dorë e fortë që do të vendoste rregull. Gjithnjë e më shumë shqiptarë të konfrontuar me varfërinë, me padrejtësinë, me konfliktualitetin, mafien, korrupsionin, ndotjen, kriminalitetin, drogën e prostitucionin, kanë filluar të mendojnë: ishim mirë atëherë kur ishim keq! Kjo është pikërisht ajo simptomë që Erih From e quante arratisje nga liria, por që në rastin shqiptar, është arratisje nga kaosi. Mos vallë koha që po jetojmë është kaq e shëmtuar saqë disave ua ka bërë të vyer edhe atë kohë të tmerrshme? – pyet Lubonja. Thonë se kaosi është më i tmerrshmi nga të gjithë. Po, është një kohë me jo pak tmerre që pjellin nostalgjira për një kohë të tmerrshme!