BLEDAR KURTI


Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike 2012 në Londër ishte një shfaqje spektakolare. Zakonisht çdo shtet që ka pritur këto lojëra ka bërë spektakle të tilla, por kësaj here Londra erdhi me një perceptim tjetër vizual dhe një filozofi tërësisht unike. Ky spektakël, që i ngjasonte më shumë një filmi të transmetuar drejtpërdrejt, ishte më shumë se sa një hapje lojërash olimpike, ishte një demonstrim i madhështisë britanike, e cila i shpallte të gjithë botës fuqinë e saj politike, ekonomike, shkencore, kulturore, muzikore dhe ushtarake. Çdo njeri që po e shihte këtë spektakël e ka ndjekur me admirim dhe respekt paradën e momenteve historike britanike, duke dëshiruar që edhe kombi i tij të kishte një histori të tillë aq madhështore.


Në këtë hapje u pa sesi një ishull që mund të konsiderohet i vogël gjeografikisht, u bë vatra e zhvillimit të qytetërimit perëndimor modern. Gjatë pesëqind viteve të fundit, Britania e Madhe ka ndryshuar të gjithë historinë e njerëzimit. Si perandoria ku dielli nuk perëndon kurrë, jo vetëm që vendosi gjuhën e saj si gjuhë ndërkombëtare, por me influencën e saj ndikoi në fatet e qindra shteteve të tjera. Si mëma e shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjithë kohërave, Shakespeare, Marlow, Dickens, Byron, Burns, Milton, Wilde, Caroll, Hardy, Woolf etj.; si atdheu i personazheve më të njohur në botë, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, si James Bond, Mary Poppins, Harry Potter etj.; i aktorëve më të mëdhenj të të gjithë kohërave si: Charlie Chaplin, Cary Grant, Lawrence Olivier, Elizabeth Taylor, Richard Burton, Anthony Hopkins, e shumë të tjerë; si burimi i revolucionit muzikor të gjysmës së dytë të shekullit të 20, me grupe dhe muzikantë si, “The Beatles”, “Rolling Stones”, “Led Zeppelin”, “Deep Purple”, “Dire Straits”, “Queen”, “Cream”, “U2”, Tom Jones, Elton John etj.; si shpikëse dhe promovuesja më e mirë e sporteve si futbolli dhe kriket, me skuadra legjendare si Manchester United, Liverpool, Arsenal, dhe Chelsea; vendi me dy universitetet më të njohura në botë, Oxford dhe Cambridge, Britania e Madhe u bën zili shumë vendeve në botë.


Për më tepër, në Angli nisën një seri revolucionesh si politike, fetare ashtu edhe industriale e kulturore, të cilat ndryshuan botën deri në të katër cepat e saj. Si vendi me Kushtetutën më të vjetër në botë, Magna Carta (1215) dhe me një sistem politik të jashtëzakonshëm dhe harmoni pushtetesh e institucionesh, si një nga vendet me sistem arsimor shembullor, shërbim shëndetësor falas, me simbole tejet domethënëse të ruajtjes së rendit, siç është fakti që forcat e rendit nuk mbajnë armë zjarri, me politika sociale për të gjitha kategoritë e njerëzve, ky vend ka bërë që të gjithë sytë e botës të drejtohen mbi të.


Si vend drejtues në ekonomitë më të mëdha të botës, me një kapacitet ushtarak të jashtëzakonshëm, me shërbime sekrete që kanë shërbyer si shembull për shumë prej vendeve të tjera, me monedhën më të vlerësuar në botë, si akademi e diplomacisë dhe e gjeopolitikës, Britania e Madhe kishte edhe më shumë për t’i shtuar spektaklit të mrekullueshëm të Lojërave Olimpike 2012.


Nuk mund të lihen pa përmendur edhe figurat kryesore historike të saj, si Winston Churchill, Charles Darwin, Isak Newton, Alexander Fleming, Diana Princesha e Wales, Mbretëresha Elizabetë I, Margaret Thacher, Oliver Cromwell etj. Si një nga kontributoret më të rëndësishme në Luftën e Parë e të Dytë Botërore dhe në përpjekjet e luftës kundër nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe terrorizmit, Britania e Madhe meriton respektin dhe vlerësimet e të gjithë popujve të botës.


Çdo popull, sado i madh apo i vogël, i rëndësishëm apo i parëndësishëm ka një histori unike të vetën. Por popujt dallojnë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të tyre kombëtare dhe momenteve madhështore historike. Një vend si Anglia apo e gjithë Britania e Madhe nuk i shpalos pasuritë e saj historike vetëm në spektaklin që pamë para disa ditësh, por e ka bërë këtë vazhdimisht me politika multikulturore dhe promovime të vazhdueshme të vlerave të saj në të gjitha fushat. Ky vend është kujdesur që edhe detaje të vogla si ushqimi tradicional Fish and Chips, ora Big Ben, autobusët me dy kate, kutitë e kuqe telefonike, kapelet e policisë, taksitë e veçanta etj., të bëhen ikona botërore dhe tërheqëse për turistët e huaj, duke dëshmuar se madhështia nuk qëndron vetëm në gjërat e mëdha, por edhe në detajet e vogla.


Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë duhet të reflektojmë më shumë për vlerat tona kombëtare dhe të sqarojmë me veten momentet kryesore të historisë së popullit tonë. Spektakli i Londrës na bën me turp kur shohim se në shekullin e njëzetë vazhdojmë të grindemi nëse data e Çlirimit është me 28 apo 29, fjalët kryesore të gjuhës shqipe shkruhen me ë apo pa ë, ballistët ishin patriotë apo bashkëpunëtorë me armikun, apo dëshmorët e kombit janë 28 000, më shumë apo më pak! Ne kemi shumë arsye për t’u krenuar, pasi vendi ynë ka nxjerrë mjaft figura të rëndësishme historike, dhe fakti që edhe Shqipëria përfaqësohet nga sportistët e saj në këto Lojëra Olimpike tregon se ne nuk mbetemi pas vendeve të tjera, por duhet të dimë si t’i shpalosim këto vlerat tona përpara të gjithë botës.


Njeriu e bën historinë dhe jo historia njeriun, ndaj duhet të marrim shembull nga kombe të mëdha si Britania e Madhe dhe të nisim rrugëtimin tonë me qytetari dhe vlera kombëtare, duke lënë pas të gjithë këtë tranzicion politik, xhungël shoqërore, dhe konfuzion identiteti. Dhurata më e mirë që mund t’i bëjë atdheut qeveria, politika, kultura, intelektualët, akademia, sporti dhe çdo shqiptar brenda e jashtë vendit, është që gjithsecili të bëjë punën e tij me më të mirën e fuqive të veta, dhe ta jetojë jetën sa më denjësisht dhe në mënyrën më qytetare të mundshme, në mënyrë që brezat që do të vijnë të ngrenë kokën lart dhe të ndihen krenarë që janë shqiptarë.