ARSIM ZEKOLLI


Arsim ZekolliNatyra komplekse e raporteve kundërshtuese ideologjike mes së djathtës dhe së majtës, në kontinentin e vjetër, simbolikisht ilustrohet përmes dy personaliteteve politike, zanafilla e të cilëve fillon në mjegullnajat e Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për dy personalitete të shquara nga politika franceze me ndikim të pamohueshëm mbi zhvillimet në Europë për dekada rresht. Njëri në moshën e re 16-vjeçare, në nëntorin 1944, në disa raste tentoi t’i bashkëngjitej Rinisë Komuniste, por nuk ia arriti falë refuzimit të kolonelit Henri de La Vaisseiere, me arsyetimin e moshës së tij. I palëkundur në dëshirën për të inkuadruar veten në ngjarjet e kohës, i riu do t’u bashkëngjitej radhëve të studentëve të së djathtës, për të vazhduar karrierën në luftën e Algjerisë dhe pastaj në krahët e së djathtës ekstreme.


I dyti, në vitin 1942 me ndërmjetësime familjare, arriti të fitojë post burokrati të mesëm brenda qeverisë “Vichy”, formacion kuisling francez, i afërt me okupatorin gjerman. Gjatë kësaj kohe, ai do ta sprovojë veten edhe në fushën e gazetarisë, duke publikuar shkrime në revistën: “France, Le Revue De l’Etate Nouveau”, botim i propagandës së regjimit “Vichy”. Pas çlirimit apo thënë ndryshe, në momentet e ndryshimit të kursit të luftës, po i njëjti person do të kalojë në radhët socialiste dhe me kohë do të bëhet një prej simboleve kyç të majtizmit francezo-europian.


Të shpalosim emrat e dy personazheve me prapavijë paradoksale – i pari është Jean Marie Le Pen, ideatori kontrovers dhe ati i së djathtës ekstreme të Francës. I dyti, Francois Mitterand ish-presidenti i Francës, simboli socialist i së majtës europiane. Që të dy poster-persona të dy rrymave të kundërshtuara ideologjike, të dy ideatorë të frymës së kohës dhe personalitete me peshë monumentale, në hijen e së cilës pushojnë mëkatet e rinisë. Të dy së bashku të kujtojnë vijën e hollë ndarëse mes frymës së ideologjisë dhe rezonit të oportunizmit.


Pavarësisht orientimeve ideore të dyshes Le Pen-Mitterand dhe (mos)pëlqimeve me personalitetet e tyre, do të ishte i tepruar që gjykimi për (mos)konsistencat e tyre t’i bazojmë mbi episodet anekdotale të moshave të tyre rinore. Kolori i ilustrimeve krahasuese në këtë rast shërben vetëm në funksion të rikujtimit për origjinën polit-abrahamike, për trungun social e të përbashkët, nga i cili lindin degëzimet ideore si konstrukte të lindura nga manipulimi me shtresat shoqërore. Njëkohësisht, pa u zhytur në oqeanin e pafund të debateve ideologjike, dy personat vetëm se personifikojnë ndikimet e ndërsjella mbi oscilimet shoqërore që në periudha të caktuara historike rezultojnë në konfuzion për autenticitetin e politikave majto-djathtiste, çka nënkuptojmë dhe cili në fakt meriton të konsiderohet si eksponent kredibël i së majtës dhe cili i së djathtës. Por kjo nuk është çështje e këtij shkrimi.


Përkundër faktit se ndarjet mes shqiptarëve në të majtë e të djathtë, në shumë raste përkujtojnë biografitë e dy personaliteteve të sipërcituara; që në mënyrë lakonike do të mund ta definojmë si një rezultante normale, gjithsesi e pakëndshme, por, megjithatë, rezultante e konfuzioneve postluftarake, proto-demokratike dhe koloniale, siç ishte rasti në Francën e pasluftës dhe Maqedoninë postkomuniste, me një dallim cilësor. Përderisa ndarjet ideologjike në Francë dhe Europë Perëndimore të pasluftës ndërtoheshin si vazhdimësi e postulateve bazike të liberalizmit që ekzistonin para Luftës së Dytë Botërore, degëzimet ideologjike në Maqedoni (por edhe në rajon) nuk kishin një bazament të tillë, sado rudimental, së paku embrional. Së këndejmi, nëse degëzimet ideologjike majto-djathtiste europiane mund ta konsiderojnë liberalizmin si trungu origjinal i përbashkët që definon kornizat e rregullimeve shoqërore të çimentuara mbi liri dhe demokraci, në rastin e Maqedonisë (dhe rajonit) ky bazament ishte jo vetëm inekzistent, por aq më keq: i zëvendësuar nga qasja ndaj sistemit komunist si pikë reference e diferencimit në pro komunist dhe antikomunist. Por në të dyja rastet, pavarësisht proklamimeve teorike, verbale dhe statutare, pavarësisht qëndrimeve ‘pro et contra’, dy rrymimet janë esencialisht liberale, antidemokratike, antipluraliste dhe, rrjedhimisht të binjakëzuar në paradoksin e përbashkët për mohim të pranimit të shoqërisë si koncept i ndërtuar mbi tolerancë ndaj dallimeve. Falë pikës referente që ende deri më sot ekziston si molla e përçarjes në të majtë e të djathtë.


Në këtë konstatim identifikohet diagnoza e përfytyrimit uniformë gri të të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoni, që me të gjitha tentativat, krekosjet dhe vetëproklamimet si majtiste apo djathtiste, në fakt në aspektin ideologjik, nuk janë asgjë tjetër përveçse replika kopjuese pa substancë liberale dhe me stërngarkesa totalitare komuniste. Në qasjen politike janë vetëm Pigmailione imituese për nga verbalizmi, por me mendje, shpirt dhe vizion të bazuar mbi eksploatim demagogjik të termave konform interesit politik të çastit apo profitit të ngushtë partiak, që nuk përkthehet në ndikime shoqërore.


Dëshira e manifestuar e BDI-së për të proklamuar veten si parti “tematike” është një ilustrim tipik i mendjes politike biseksuale, e imponuar si arsyetim dhe aspiratë për bashkim simbiotik të të gjitha degëzimeve brenda-etnike të shqiptarëve. Pra, si një emërues i përbashkët, një moment për “pajtim kombëtar” mbi të cilin do të sendërtohet qëllimi i saj për të prezantuar veten si “lëvizje”; që nuk është asgjë tjetër përveçse edhe një refleks imitatorik i politikës së partnerit të saj, VMRO-DPMNE dhe synimit për të imponuar veten si parti gjithëmaqedonase, në rastin konkret gjithëshqiptare. Rezultatet e tentative të tilla të dy partive tani janë evidente për të gjithë, në tërë spektrin e marrëzisë grandioze të mendjeve ataviste dhe epsheve demagogjike – krim, korrupsion, shoqëri e përçarë në vija ndëretnike dhe brendaetnike, kolaps ekonomik, devalvim kulturor, stanjacion civilizues.


Në një anë, BDI-ja sot është një ilustrim simbolik lokal i konfliktit të vjetër global se si marksizëm-leninizmi ideor kapitulloi para materializmit kapitalist, i cili falë ofertave lukrative mëkatare arriti të zbutë, absorbojë dhe shndërrojë në mimikri natyrën majtiste (në kuptim relativ!) të udhëheqësisë së saj. Konfuzioni teorik nga propaganda e staliznimit të Enver Hoxhës, i ngujuar në kokën e liderëve majtistë (në kuptim deklarativ) të BDI-së, sot rezulton në simptomë evidente të çrregullimit ideo-përfaqësues të partisë së Ali Ahmetit. Diagnoza që gjithsesi nuk mund të jetë tjetër, përveçse ajo e çrregullimit të personaliteteve të multiplikuara përbrenda të njëjtit trup dhe skizofreni e metastazuar dhe e imponuar mbi shoqërinë shqiptare, e detyruar dhe e kushtëzuar që për hir të mbijetesës fizike të sakrifikojë shëndetin psikik dhe logjikën humane. Secila shoqëri në periudha të caktuara historike kalon nëpër sfida, ku trupi i ligështuar kombëtar mbijeton falë mendjes kombëtare apo mendja kombëtare buzë atrofimi mbijeton falë trupit të shëndoshë e të fortë. Por konform maksimës latine, “mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë” nuk ndodh kurrë që si mendja ashtu dhe trupi i një kombi lëngojnë të ligështuara dhe pa imunitet mbrojtës …


Në vend të përgjigjes në këtë pyetje sa shqetësuese, është më e arsyeshme të shtjellohen shkaqet që sollën deri te kjo gjendje atrofimi. Nëse majtizmi (që kundërshtuesit ia atribuojnë BDI-së) konsiderohet si ideologji e mendjes, intelektit, drejtësisë sociale, artit, kulturës, arrijmë deri te shpjegimi për sklerozën evidente mendore dhe sterilitetin shpirtëror të shoqërisë shqiptare falë sundimit 15-vjeçar të udhëheqjes majtiste në fjalë dhe konfuze në mendje. Por ky konstatim i gjendjes evidente dhe fajtorit faktik për këtë rrënim vlerash, sot do të ishte i pakuptimtë nëse nuk ballafaqohemi edhe me anën tjetër të së njëjtës medalje, përmes pyetjes: Përse trupi i shëndoshë, i mishëruar simbolikisht në krahun e së djathtës konservatore nuk arriti të alarmojë muskujt e kombit që të ndalë atrofimin dhe eliminon trurin majtist? Po kjo e djathtë konservatore (atributet dhe emrin e së cilës ia atribuon vetes PDSH-ja dhe shumica e partive të reja) që e konsideron veten si bartëse e disiplinës fiskale, konservatorizmit kombëtar/fetar, tregut të lirë, vlerave familjare etj., pse nuk arrin ose arrijnë dot të mobilizojë qytetarët se “na ka ikur truri, ore”? Sidomos në situatën kur mbi 67% refuzojnë të votojnë “opsionin majtist”.


Nga aspekti real-politik, shpjegimi është dhembshëm i thjeshtë. E vetëquajtura “e djathta” shqiptare për dekada rresht e konsideron “të djathtën” maqedonase si model veprimi, duke huazuar nga VMRO-DPMNE, moduset e prezantimeve publike, fjalorin, stilin propagandistik, intrigën politike dhe demagogjinë ideologjike në format e saj më vulgare. Sa për t’i qartësuar gjërat me pak humor: e djathta shqiptare përdor si model qasjen e VMRO-DPMNE, e cila për model veprimi merr Partinë Republikane Amerikane, e cila falë sulmit frontal nga populizmi, gjithnjë e më shumë po e humb busullën ideologjike të së djathtës tradicionale. Shtuar këtij fenomeni edhe modelet operative që partia e Gruevskit ka trashëguar nga LSDM-ja dhe galimatisi i absurdit plotësohet në tërësi. Por, përtej momentit humoristik, ky realitet ofron edhe instrumentin për demistifikim dhe demaskim të së djathtës së demagogjizuar te shqiptarët.


Imitimi i politikave të djathtizmit, sipas stilit VMRO-DPMNE, fillimisht komprometon konceptin aq të pëlqyer të partive “djathtiste” shqiptare, të bazuara mbi etno-nacionalizëm apo demo-islamizëm. I lëmë anash bindjet e shtrembëruara, sipas të cilave, të jesh i djathtë nënkupton të jesh patriot dhe nacionalist, që është absurd diletantesk, mosnjohje bazike e idesë djathtiste, të cilën e identifikojnë me nacional-socializëm. Ky imitim nënkupton se në ndërtimin e qasjeve djathtisto-konservative ithtarët e saj bazohen mbi koncepte të huazuara, modele nga dora e dytë dhe pa frymë autentike të djathtizmit. Pra, një imitim, i imitimit të origjinalit.


Ky konstatim ndërlidhet edhe me një fenomen tjetër të rëndësishëm, për të cilin jemi dëshmitarë: mungesa absolute e substancës intelektuale të filozofisë djathtiste, të djathta të vetëshpallura shqiptare. Antiintelektualizmi i djathtizmit të tillë (sërish huazuar nga VMRO-DPMNE, e cila aplikon konceptin antiintelektual të importuar nga e djathta amerikane) imponon konkluzionin se, përkundër të gjitha kundërshtimeve verbale ndaj “dui”-stëve, komunistëve, sorosoidëve, LSDM-stëve”, në realitet është kjo e djathtë që e dëshmon veten si aleate kyçe në procesin e rrënimit të mendjes shoqërore shqiptare. Natyrisht, nën pretekste të ndryshëm që ajo i konsideron “patriotikë dhe nacionalistë”, por me efekt dhe rezultat të njëjtë, për shkak të faktit që si e majta edhe e djathta e tillë “patriotike e nacionaliste” është në po të njëjtën masë iliberale, antidemokratike, elitiste, retrograde dhe esencialisht me inspirime totalitare.


Ky mimikrizim i djathtizmit dhe konservatorizmit aq të nevojshëm në këtë çast dhe rrethana, rezulton në banalizim të vetë konceptit aplikativ dhe ideologjisë frymëzuese të djathtizmit. Urrejtja antiintelektuale, mitomanizimi si koncept veprimi dhe maskulinizimi organizativ me primesa homoseksualiteti latent arrijnë të përfytyrojnë djathtizmin jo si opsion universal ideologjik, por si batutë joserioze. Si kope testosteronoidesh të shastisur e të shqyer mes nevojës permanente për të dëshmuar “alfa-shqiptarinë” kombëtare në mëhallë dhe urtësinë fetare hyjnore përmes Facebook-namazeve. Nga prizmi i kufizuar i ithtarëve të tillë, djathtizmi nënkupton nacionalizëm në formën më ekskluzive dhe rudimentare, që denigron deri në absurd natyrën universale të së djathtës konservatore, të bazuar mbi vlera shoqërore, kulturore, politike, etike, ekonomike.


Mungesa e vlerave universale të djathtizmit konservator redukton natyrën, mendjen dhe veprimin e së “djathtës” shqiptare në suaza lokal-patriotizmi, të bazuara mbi vlera klanore, mëhallore, qarqe krimogjene dhe në përgjithësi personazhe substandarde të ekskomunikuara nga pjesa e shëndoshë e shoqërisë falë mungesës së vlerave humane. Në perceptimin e tyre, aderimi në opsione djathtiste kompenson mungesën e vlerave personale purokonservatore e humane dhe i mundëson që në krah të kakofonisë verbale të denigrojë secilin që merr guximin të shprehë dyshim dhe refuzon të drejtën e tij për të imponuar kode shoqërore. Qasje kjo që, në esencë, formë dhe praktikë nuk dallon aspak nga ajo e ekstremit majtist në formën e komunizmit. Por që shpjegon edhe fenomenin e adhurimit të heshtur, simpatisë tinëzare ndaj qasjes së “dorës së fortë” të aplikuar jo vetëm ndaj eksponentëve të autokracisë djathtiste botërore, por edhe ndaj vetë Nikola Gruevskit.


Ky konstatim sqaron dilemën e parashtruar për atrofimin fizik të shoqërisë shqiptare. Pra, nëse opsionet majtiste (në këtë rast BDI) bartin fajin për dëmtimin pothuajse të pariparueshëm të intelektit dhe shpirtit kombëtar, është po kjo e “djathtë” mimikrike që ka vyshkur fizikusin, trupin kombëtar duke e veshur atë nën petkun klanor, mëhallor, principata të bazuara mbi vlera lokaliste dhe zhveshur nga vlerat jo vetëm kombëtare, por edhe universale. Së fundi, kjo është edhe arsyeja pse të djathtit mes nesh nuk arrijnë, nuk guxojnë dhe nuk dëshirojnë dot të organizojnë protesta revolte kundër të majtëve shqiptarë apo të djathtës maqedonase.


Duke pasur parasysh origjinën e përbashkët të ekstremeve të tilla të majtizmave dhe djathtizmave të lindura nga i njëjti trung postkomunist, ngjan si e pashmangshme bindja për mungesë opsionesh dhe shtigjesh për dalje nga ky qark i përmbyllur. Që në esencë është vetëm si përshtypje e imponuar dhunshëm nga dy anët e së njëjtës monedhë: asaj majto-djathtiste, e cila përkundër dallimeve eksterne, me veten ndan po të njëjtin modus operativ të garancive të ndërsjella për dominim në shoqëri, në kurriz të lirisë së qytetarëve.


Për të kuptuar mundësinë e daljes nga ky qark artificial dhe manipulativ, duhet riformatuar dhe rikthyer natyra burimore e ndasive shoqërore, tani të okupuara nga eksponentët e ndasive të fabrikuar në laboratorët politikë, pasi në kuptimin e tij natyror, dallimi kundërshtues nuk është mes së djathtës dhe së majtës. Por dallimi është mes totalitarizmit populist të masës dhe lirisë së individit. Thënë troç, mes komunizmit dhe liberalizmit. Në realitetin tonë, e kundërta e komunizmit nuk është pra as majtizmi dhe as djathtizmi, si derivate të degjeneruara të interpretimeve totalitariste. E kundërta është liberalizmi, pasi ai është parakushti fondamental universal për zhvillim natyror të së djathtës dhe së majtës moderne.


Prandaj, tentativat e subjekteve të tanishme për të pikturuar veten në kolorite majtiste dhe djathtiste nuk duhet konsideruar serioze. Në terma konkretë, majtizmi në emblemën e BDI-së është një cipë e tejdukshme, nën të cilën buçet kultura e krimit, dhunës dhe sterilitetit kombëtar. Nga ana tjetër, kemi djathtizmin rural të partive me parulla të forta verbale dhe amulli shpirtërore, të vetëkënaqura në bindjen se sa më të zëshëm në slogane nacional-patriotike dhe moralizime klerikale, aq më shumë përvetësojnë atributet e të qenët “e djathta”. Përderisa dy kampet formale bazohen mbi qasje regresive e sulmuese të principatës-fshat në vend të progresivitetit ofensivë të qytetit-shtet, të dyja palët duhen konsideruar ashtu siç janë në realitet. E njëjta bajgë, e ndarë me një vijë të kuqe në mes.