ANDREA STEFANI


Andrea StefaniNdërsa ngjitej për herë të dytë në pushtet duke valëvitur flamurin e antikorrupsionit, Kryeministri Sali Berisha deklaronte botërisht në programin e qeverisë së tij se: “Mazhoranca e re dhe qeveria e saj shpall si prioritet absolut luftën për çmontimin dhe shembjen e strukturave të sistemit të korrupsionit”. Konkluzionet e “Transparency International” (TI) janë të mjafta për të kuptuar se ky premtim nuk është mbajtur dhe se qeveria, në vend të antikorrupsionit ka pasur si prioritet korrupsionin. Strukturat e sistemit të korrupsionit, themelet e të cilave u hodhën gjatë qeverisjes së parë të Berishës dhe të atyre socialiste që pasuan, jo vetëm nuk u çmontuan, jo vetëm nuk u shembën, por janë betonuar. Në vitin 2005, me anë të programit të qeverisë së tij, Berisha i premtonte shqiptarëve se: “Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, mazhoranca e re do t’u rikthejë shqiptarëve besimin se korrupsioni mund të luftohet me efektivitet dhe se të korruptuarit do të ndëshkohen”. Thuajse 8 vjet më pas, në publikun shqiptar, ekziston ndjesia e hidhur se korrupsioni nuk po luftohet dhe se të korruptuarit lart në qeveri nuk do të ndëshkohen. Do të kemi një “qeverisje me duar të pastra!” – mburrej Berisha. Sot të gjithë e shohin se duart e kësaj qeverisjeje janë zhyer jo vetëm me paratë e pista të korrupsionit, por edhe me gjakun e qytetarëve të vrarë nga kjo qeveri, vetëm sepse protestonin kundër korrupsionit. Sepse si rrallë në ndonjë vend tjetër të tranzicionit postkomunist, antikorrupsioni në Shqipëri ka regjistruar edhe martirët e vet. Ata u vranë më 21 janar.


***


Në vlerësimin e sivjetshëm e “Transparency International”, Shqipëria rezulton si vendi më i korruptuar në rajon, duke lënë prapa vetëm shtetin e Kosovës. Ajo ka rënë praptazi nja 8 vende të tjera në klasifikimin botëror. Gjithçka tregon se korrupsioni po thellohet edhe pse qeveria dhe kryeministri vazhdojnë të premtojnë se do të bëjnë “gjithçka” për të luftuar korrupsionin. Cili është shkaku që fjala e qeverisë nuk përputhet me veprën dhe që “antikorrupsioni” i saj po gjeneron edhe më shumë korrupsion? Qeveria u përpoq së fundi që t’ia hidhte fajin për korrupsionin ish-presidentit Bamir Topi dhe ish-kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Orvatja për të fajësuar të tjerët për dështimet apo skandalet e veta është një rreng konstant i qeverisë së sotme. Por orvatja ishte sa dëshpëruese aq edhe mjerane. Sepse vërtet pushteti gjyqësor, pra edhe ish-drejtuesit e KLD, Topi e Spahiu, kanë përgjegjësinë e tyre për mosluftimin e korrupsionit, veçanërisht atij në majat e pushtetit. Por, në fund të fundit, ai është korrupsion i qeverisë së Berishës. Ndërkaq nuk duhet harruar se i gjithë pushteti i drejtësisë, bashkë me të edhe KLD si “qeveria e gjyqësorit”, kanë qenë nën një presion të vazhdueshëm të një pushteti autokratik, presion që është rritur edhe më shumë pas amendimeve të Kushtetutës në vitin 2008. Sot vëzhgimet evidentojnë një korrelacion thuajse perfekt mes korrupsionit dhe rënies ekonomike. Vendet me korrupsion më të lartë janë edhe më të varfra dhe me ritme më të ulëta zhvillimi ndërsa vendet me korrupsion më të ulët, kanë ritme zhvillimi më të larta dhe më shumë mirëqenie për publikun. Një korrelacioni i tillë ekziston edhe mes korrupsionit nga njëra anë dhe pushteteve autokratike në anën tjetër. Sa më autokratik të jetë një pushtet, aq më shumë korrupsion do prodhojë ai. Mbi këtë logjikë është ngritur edhe aksioma se pushteti absolut korrupton absolutisht! Qeverisja e mirë, pra ajo që e lufton dhe e minimizon korrupsionin, bazohet tek ndarja, baraspeshimi dhe kontrolli i ndërsjellë që pushtetet i bëjnë njëri-tjetrit të nxitur nga ligji dhe vullneti publik. Lufta e suksesshme kundër korrupsionit nuk mund të bazohet tek iluzione mesianike, duke investuar tek një lider i vetëm që do të vrasë “kuçedrën”. Mjerisht kjo ndodhi në Shqipëri në vitin 2005, kur shqiptarë dhe ndërkombëtarë u bashkuan në shpresën iluzive se Sali Berisha që paskish, s’dihet sepse, ndryshuar, do të ishte princi blu që do të ndëshkonte korrupsionin që ai vetë i kish mbjellë dhe që Fatos Nano më pas, e kish prashitur e vaditur. Pas 8 vjetësh këto iluzione kanë avulluar. Instinktet autokratike e detyruan Berishën që edhe në qeverisjen e tij të dytë të përsëriste zakonin e qeverisjes së parë, përqendrimin e pushteteve. Dhe aty ku nuk ka ndarje pushtetesh, nuk mund të mos ketë thellim të korrupsionit. Ishte autokratizmi i Berishës që në qeverisjen e tij të parë polli skandalin rrënues të piramidave financiare. Ishte po autokratizmi i Berishës gjatë kësaj qeverisjeje që, duke i bërë institucionet parandaluese të heshtin, polli tragjedinë e Gërdecit, skandalin e rrugës Durrës-Kukës si dhe videoskandalin e Ilir Metës. Konkluzioni: Pa luftuar autokratizmin nuk mund të luftohet korrupsioni. Përpjekja për liri e demokraci në Shqipëri është tashmë e lidhur fatalisht me përpjekjen kundër autokratizmit berishist sot, dhe cilitdo autokratizmi që mund të shfaqet nesër.


***


Tashmë Berisha dhe qeveria e tyre kanë një prirje organike për të mos lejuar zhvillimin e pushteteve të pavarura. Në radhë të parë të gjyqësorit. Një prirje që i vjen nga korruptimi. Një gjyqësor i kapur është ombrella e aferave më të mëdha korruptive të qeveritarëve. Një gjyqësor i kapur bën të mundur që qeveritarë të akuzuar për korrupsion, për abuzim me detyrën si Fatmir Mediu, Lulzim Basha apo Ilir Meta të dalin të larë edhe pse korrupsioni i tyre ka kushtuar jetë njerëzish si dhe qindra milionë të humbura në buxhetin publik. Tashmë synimi i tyre është lehtësuar dukshëm edhe nga amendimet e Kushtetutës. Ato i dhanë mundësi Berishës të caktojë President Republike një besnik të vetin si Bujar Nishani që është edhe kreu i KLD. Ato i dhanë mundësi të shkarkojë (përsëri në dhunim të Kushtetutës) që në nëntor Kryeprokuroren Ina Rama vetëm sepse kishte guxuar të hetonte masakrën e 21 janarit. Tashmë shpresat e Berishës janë se kryeprokurori i ri Adriatik Llalla nuk do të kuturisë të hetojë për superskandalet e pezulluara apo të mbyllura që qeverisë. As edhe për masakrën e 21 janarit. Ka mjaft shenja që të bëjnë të besosh se Berisha po përgatit një tjetër fushatë butaforike “antikorrupsion”, me ndëshkime selektive dhe nuanca të një gjuetie shtrigash, që do t’i mundësonin retushimin e bilancit katastrofik 8-vjeçar para zgjedhjeve të vitit 2013. Nuk duket fort rastësi që këmbënguli dhe realizoi antikushtetutshmërisht largimin e Ina Ramës që në nëntor. Dhe nëse kryeprokurori Llalla bëhet pjesë e skenarëve të tillë të mundshëm, do të demonstrojë se nuk vepron i nxitur nga misioni që i fal Kushtetuta por nga vullneti i qeverisë dhe i Kryeministrit që e kanë votuar. Gjithçka do varet nga qëndrimi që prokuroria nën Llallën do mbajë ndaj kryeskandaleve të qeverisë. T’i shmangësh ato do të thotë ta luftosh kuçedrën e korrupsionit jo nga koka, por nga bishti. Le të shpresojmë se Llalla e ka të qartë se vota që i jepet një kryeprokurori, pavarësisht asaj që dëshirojnë ata që e votojnë, është një votë për të zbatuar Kushtetutën. Dhe Kushtetuta, vullneti i sovranit i hedhur në letër, kërkon që korrupsioni të luftohet pa kompromis si në bazë, ashtu edhe në majë të shtetit, si kur e zhvillon një infermier, ashtu edhe kur e bën një Kryeministër. Barazia e hekurt para ligjit është e vetmja mundësi që Shqipëria t’i shpëtojë darës së korrupsionit dhe autokratizmit që po e mbysin demokracinë.