MOIKOM ZEQO – (Në vend të një parafjale të munguar në botimin në shqip )


Mbas një debati mediatik shterp( të botohet apo të mos botohet “Majn Kampf-i”-“Lufta ime”- i Adolf Hitlerit ) u botua më fund në shqip emblema naziste në formë libri, që ka satanizuar si asnjë libër tjetër në botë politikën dhe medjen e njerëzimit.


Ky libër ( fjala emërtuese “libër” në këtë rast është një eufemizëm tipik) habitërisht nuk u botua në shqip as në vitet 1943 – 1943, kur masakra e të pafajshmëve të Borovës (tashmë kjo duket se është “harruar”) plotësoi simbolikën lemeritëse të Aushvicit, të Bukenvaldit, të Mat-hauzenit, të Dakaut. Botimi i manifestit hitlerian i jep tashmë lexuesit të kulturuar shqiptar (besoj se ka ende një lexues të tillë!) të reflektojë seriozisht. Unë nuk e idolatroj një libër-( cilindo libër qoftë ky) si një totem, mund ta lexosh absolutisht gjithçka, çështja është te kuptimshmëria e vërtetë. Kjo na duhet patjetër.


Libri i Hitlerit e ka një parabolë zanafillëse. I burgosur në kështjellën e qytetit Landsberg për shkak të një rebelimi të armatosur me 1000 rishtarë Adolf Hitleri e përjetoi 35-vjetorin e lindjes së tij të çuditshme, si në përrallat e Netëve Valpugjike. Në vend të uniformës standarde të burgut, Hitleri, ende i ri, mbante të veshur një xhaketë tradicionale bovareze, atë , në burg, e vizitonin turma adhuruesish, shumica femra të ngashnjuara; i erdhën aq shumë lule , dhurata dhe ushqime dhe pije sa mjedisi i tij ngjante si një panair, ku ai ishte thjesht dhe domosdoshmërisht “heroi “.


Pikërisht në këtë medium, në këtë atmosferë deliri, Hitleri, mbi një makinë të vjetër shkrimi, siç thotë vetë, “me dy gishta”, e shkroi me një frymëzim ngulmues librin e tij. E pabesueshme, idioteske, por e vërtetë! Dhe çfarë shkroi? Shkroi më saktë një paskuil, por që mëtonte të “zëvendësonte” ungjijtë sinoptikë, parashtroi në formë in extremis mesianizmin e vetvetes, librin futurologjik, ku ai ishte i dyfishtë: edhe profeti edhe Zoti! Mos harroni, titulli është; “Lufta ime” – një personalizim i tejskajshëm ! Ai edhe kur thoshte “ne” ( gjermanët ) parakuptonte dhe fundkuptonte “unë” (pafundësisht). Ai e shkroi librin  sipas thënies “In hoc signes vinces” (“Me këtë shenjë do të fitosh”). Dhe nuk ishte libri i një mendje me dituri të shumëfishtë dhe të jashtëzakonshme si e Aristotelit, por e një mendje mediokre dhe me dituri sipërfaqësore si e Hitlerit, një qenie e humbur, që befas u “universalizua” si Shpëtimtari Teuton i krejt historisë, që deri ahere paskësh qenë më tepër një mungesë sesa një paradhomë e tij.


Mos kemi të bëjmë me një epifenomen, me një epifani? Në asnjë mënyrë! Çdo gjë është e shpjegueshme, historikisht e shpjegueshme. Pra situata e ngjarjeve e ka një cikël, një kaledoiskop arsyetimesh të besueshme. Kultura gjermane pas Luftës së Parë Botërore përjeton deformime të përceptimit dhe të shumë pseudoteorive. “Teoritë” e racave të formuluara nga Vacher De Laponge dhe sidomos nga Gustave Le Bon krijuan një kulturë bakteriale me shpejtësi në kulturën gjermane, ku Traktati i Versajës stimulonte një kompleks inferioriteti dhe madhështie njëherësh. Për fat të keq libri më i lexuar dhe me ndikim në Gjermaninë e viteve ‘20 qe “Rënia e Perëndimit” e Ostvald Spenglerit” një mësues shkolle i trashë dhe pedant “siç e quan historiani i madh amerikan, Paul Jonson, në librin e tij “Modern Times” (“Kohërat Moderne”). Spengleri e ka konceptuar librin e tij si një paralajmërim për dekadencën e qytetërimit perëndimor të teknologjizuar dhe të deshpirtëzuar. Mbasi e quan të dështuar historinë perëndimore Spengleri bën thirrje për një “morfologji të re historike” të heronjve, kundër plutokracisë dhe demokracisë së kalbëzuar, për një nacional-socializëm për të gjitha klasat pa përjashtim, nën pushtetin e një Të Zgjedhuri.


Arthur Meler Von Bruk, historian i famshëm i kulturës, në një libër të tij në 1921 shkruan se gjermanët janë krijuesit kryesorë të Europës, Rajhu i Parë qe perandoria e tyre mesjetare, Rajhu i Dytë qe epoka e Bismarkut, por e infektuar me liberalizëm, se Vajmari qe një prelud kaosi, ndaj duhej Rajhu i Tretë – ai i Ardhmërisë. Shumë ithtarë niceanë besonim te një Mbinjeri, që e gjenin te gravura e Dyrerit “Kalorësi, Vdekja dhe Djalli”, ku sundimtari luftarak ishte njëkohësisht edhe kryeprift karizmatik. Në dramat fantazmagorike, muzikore të Rikard Vagnerit ringjalleshin Valkiret shpaguese dhe heroi, Persifali si një shëmbëlltyrë imituese, – Hitleri që në rini qe shumë i hipnotizuar nga Vagneri.


Kjo alkimi mendore duket te Majn Kampf-i. Hitlerizmi grishte një vizion të botës –”Velttaschauung”, sipas paradigmës “një popull i bashkuar, një komb i bashkuar dhe një prijës i madh i vetëm” – “Ein Volk, Ein Reich, Ein Fuhrer “Hitlerizmi nuk qe një fashizëm i zakonshëm, është racizëm i formës fashiste. I konceptuar në fillim si një racizëm etnik, pastaj si racizëm biologjik. Ide kjo e postuluar vrazhdë. U shpik “raca ariane “e pangjashme. Te Hitleri kryesore është “raca” dhe jo “klasa” (sipas përcaktimit marksist). Ariani, quhej prej Hitlerit, Prometeu i njerëzimit. Ai e kultizoi eugjenizmin. Provokoi eutanazinë e njerëzve me të meta mendore dhe laboratorizmin e një race “krejt të pastër” Raca gjermane kishte kështu misionin historik të një antisemetizmi absolut. Antisemetizmi europian ka qenë i tmerrshëm në atë kohë (jo vetëm ai gjerman). Spengleri e cilësonte semitizmin si sifiliz në trupin e shëndoshë gjerman, Vilhelm Von Polenci i quante çifutët katastrofën e deformimit të botës moderne, sindromën e dekadencës, deri edhe një politikan anglez si Camberleni qe shprehur se “te gjermani lulëzon Zoti, te çifuti Djalli ” Shpjegim paranojak i natyrës njerëzore. Kjo është shtylla kryesore e Majn Kampf-it. Më saktë një modul arkaik propagande, që u sofistikua me dr.Gebëlsin, që e konsideronte propagandën hitleriane si një “gijotinë lëvizëse “për kundërshtarët. Ideja e propagandës si pushtet shtjellohet te kreu VI i Majn Kampfit; çoi më pas në sendërtimin hitlerian të politikës populiste si një projeksion vizual, që përvetësoi marifetet skenografike të Rajnhardit dhe të filmave të Friz Langit. Skenat oratorike të Hitlerit perceptoheshin me mjeshtëri profesionale deri në detaje. Hitleri i dha rëndësi forcës zmadhuese të projektorit të “son et lumiere”, duke i përdorur me efekt absolut në mitingjet e tij nokturne. Inskenimet me luksin e lartë totalitar të Hitlerit u imituan më vonë nga stalinizmi dhe maoizmi, – të dy ia kaluan në përmasa, por jo në cilësi dhe në stil.


Kështu, në librin e tij Hitleri projektohet te të tjerët më shumë si udhëheqës shpirtëror sesa politik. Stili hitlerian i vizionit ishte ai i një Ringjallësi sesa i një teologu të rëndomtë të teutonologjisë.


Shtyllë tjetër e Majn Kampf-it është teorizimi i “hapësirës jetike” të Gjermanisë, që gjoja i qe mohuar padrejtësisht. Hitleri e citon shumë herë mendimin e Klauzeviçit se “lufta është zhvillimi i politikës me mjete të tjera “Hitlerizmi qe militarist në shkallën më ekstreme të mundshme.


Majn Kampf-i u botua në 1925. Në 2 gusht 1934, Hitleri u shpall Fuhrer dhe Kancelar i Rahjut të Tretë. Që në këtë moment, libri i tij qe instrument monstruoz ekzekutiv, qe vetë Hitleri, pushteti absolut!


Majn Kampf-i u ribotua me miliona kopje, çdo çifti gjerman të porsa martuar i dhurohej si rregull ceremoniali një kopje. Zëvendësoi Biblën. Interesant është të vihet në dukje se Hitleri interesohej për kultet okulte të lindjes, për rrymat spiritualiste, për të zëvendësuar krishterimin të shtrembëruar nga judeasi i njohur si shën Pal; Hitleri bëri simbol svastikën – kryqin e thyer, simbol shumë i lashtë pagan të Diellit në lëvizje; kështu svastika u bë logoja simboliste e një katastrofe botërore.


Libri i Hitlerit polli masakrat, agresionet, tanket, bombardimet aventurën e kushtueshme të Luftës së Dytë Botërore. Dhe e gjitha kjo katrahurë e çmendur në emër të mesianizmit nazist!


Më 1934, Migjeni botoi skicën fabuleske “Të korrurat” ku tregon, se mund të mbjellësh drithë e të mbijnë topa dhe makineri të llahtarshme të luftës, duke parodizuar metaforën militariste hitleriane, gjë, që e tregon Migjenin me një vetëdije të lartë. Ky do të ishte një koment inteligjent shqiptar për Majn Kampf-in. Ky libër – nëse mund të quhet libër – i vetmi qe shkroi Hitleri gjatë gjithë jetës së tij,- mund të lexohet ende dhe sot, por natyrisht ndryshe, krejt ndryshe.


Mund të kuptosh qartë se është thjesht një pamflet me ide dhe mikroide të disa teorizimeve pseudoshkencore sunduese, pra është një libër që në rrafshin serioz shkencor është një mediokritet, por që u konsiderua si një Zbulesë Universale, për shkak të një historie të caktuar gjermane dhe të një hibridizimi dhe përçudnimi mendor. Kjo shpjegon pse Hitleri nuk duhet klasifikuar thjesht si një rast klinik, karakteropat.


Mos harrojmë se edhe sot ka shumë rishtarë dhe neonazistë, që pretendojnë “hyjnitetin “e rikthimit shpirtëror të Hitlerit, çka tregon, siç thoshte Bertold Brehti se barku, që e lindi mostrën, ende nuk është shterpëzuar.


Disa studiues në mënyrë të dyshimtë e kanë quajtur Majn Kampf-in si një traktat politik, të ngjashëm me Princin e Makiavelit. Në të vërtetë nuk është aspak kështu.


Majn Kampf-i është shkruar si një tekst mesianik për politikën. Fjalimet e Hitlerit asnjëherë nuk kanë qenë fjalime të mirëfillta politike, por gjithmonë mesianike. Studiuesi amerikan, H.R.Kneikerboker, ka shkruar: “Në të vërtetë, Hitleri asnjëherë nuk mbante fjalime politike, por vetëm mesianike. Ç’është e vërteta ai nuk shtjellonte programe, nuk bënte premtime, por kërkonte angazhim total. Ai e shikonte politikën si një faktor të mobilizimit të vullnetit. Dëgjuesi ia dorëzonte vullnetin e tij prijësit, që ai t’ia rikthente të forcuar dhe të shumëfishuar”.


Hitleri përfundoi në vetëvrasje, që është formë e ekzibicionizmit të tij. Mesianizmi i tij qe që në gjenezë vetëvrasës, por jo vetëm për atë, por edhe për miliona njerëz. Çdo totalitarizëm siç e ka analizuar Hanah Arend-i qoftë ai nazist, qoftë ai komunist e kanë si substancë mesianizmin, që s’ka lidhje fare me teorinë shkencore të politikës të artikuluar si vizion, si mundësi dhe si realitet.