Bajram Peçi
Ndonëse mund të ngjajë nga emërtimi kësisoj me “Metamorfozën” e Kafkës, por jo! Kanë të përbashkët përpos se ngjashmërinë e shndërrimit. Vetëm në këtë rast më duket me vend, se më duhet ta përdor, kur më lipset të ngjall medoemos frikën se mos ata, shqiptarët e Republikës së Kosovës, po fillojnë të na ngjajnë për keq, po ndryshojnë e shndërrohen për nga veset në kopjet tona të mjera. Po i lejoj vetes një këqyrje që nxitet në kohë të ndryshme nga përvoja të mirëfillta vetjake.
Kalimi i kufirit jugosllav, ishte ai i barrierave të hekurta me fqinjin shqiptar që “nxiste” irredentizmin. Për rrjedhojë, kur në vitin 1987, për të udhëtuar drejt Këlnit, ku do të merrnim pjesë në një ekspozitë e panair të filatelisë, duhej të ndaleshim në Beograd për të marrë vizat gjermane, ju nënshtruam bashkë me kolegun një kontrolli të imët. Një flamur kombëtar te bagazhet, që do të vendosej nga ne te stenda e Shqipërisë, po bëhej pengesë për të kaluar. Ndërsa po bëheshim vonë për të kapur avionin në Titograd, zgjodhëm të veprojmë sipas këshillave të shoferëve të TIR-it. Nxorëm e dhamë me “mirësjellje fqinjësh të dashur”, dy shishe konjaku. Trau u ngrit dhe “Fiat”-i i parkut të delegacioneve u nis me shpejtësi. Kështu funksiononin pjesërisht edhe doganat tona në hyrje.
Kalimin e kufirit në kohën e UMNIK-ut, mua m’u desh ta bëja në vitin 2000. Në këtë rast, isha thjesht turist. U nisa për 3-4 ditë. Mes të tjerash, do të takohesha edhe me familjarë që kisha strehuar në banesën time gjatë luftës. Në bagazh kisha plot libra, kryesisht historikë, të blerë për t’i bërë dhurata. Mbi njëzet të tillë. Në pikën kufitare Morinë ndeshim me policinë kufitare dhe atë të administratës doganore. Ishin gjermanë. Radhë automjetesh nuk kish. Procedura me ne zgjati… dy minuta. Librat i panë në portobagazh dhe s’kërkuan asnjë dokument. Sjelljen korrekte të tyre e hasëm edhe në kthim, seriozë, profesionistë, të kujdesshëm në marrëdhënie me kalimtarin, të sjellshëm, fjalëpakë. Shteti i ri po merrte formë të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse.
Kalime të tjera të të dy pikave me Kosovën i kam bërë herë pas here deri sa ndesha këta të tanishmit. Pas çdo kalimi vëreja ndryshime. Për mirë, do të thoni ju i dashur lexues, nisur nga logjika se tani në pikat e kalimit s’janë më të huajt, por vëllezërit; vëllezër që vuajtën shumë nën regjimin shtypës serbo-sllav! Ndaj, për të emëruarit, detyrat e tyre në kufi mendja ta do se do t’i kryenin me përkushtimin për ndërtimin e shtetit, për pavarësinë e të cilit u derdh gjak dhe u bë një luftë e pashembullt në histori: NATO kundër sllavëve. Nuku, do përdornin në këtë rast korçarët pjesëzën mohuese që e zëvendësoi turqishtja. Nuk ndodh kështu! Hareja e këngëve popullore që i këndojnë republikës së re, të frymëzuara nga ëndrra e themelimit të një administrate kombëtare që përcjell ndjenjën e madhështisë që ngjall atdheu, vjen e zbehet deri sa humbet.
Një kolegu im që merret me librat më paralajmëroi dhe më këshilloi: që të mos mbetesh me orë në kufi, paguaj ndonjë gjë nën dorë dhe ik, gjë që as e mendoja dhe jo më ta mbartja si një veprim që nuk ma pranonte morali! I bindur se kish filluar zbatimi në praktikë i marrëveshjes së 11 janarit 2014, mes dy qeverive, asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që hiqte nga lista e mallrave taksimin e librit (çka prej Shqipërisë bëhej prej kohësh), paraqitem në pikën doganore të Kosovës me një sasi të kufizuar librash për pjesëmarrje në Panairin e 16 të Librit në Prishtinë.
Vajtja në Panairin e Prishtinës, për shumicën e shtëpive botuese të Tiranës, nuk është aq biznes sesa detyrim kombëtar dhe detyrim ndaj librit. E njëjta gjë edhe për shtëpitë botuese të Prishtinës kur vijnë në Tiranë. Asaj që ne i themi “Deklaratë doganore”, tatimorët vëllezër i thonë “Garancion bankar”, e cila na u kërkua sapo mbërritëm. Nuk e kishim. Marrëveshja e përbashkët nuk zbatohej nga pala kosovare. Na sugjeruan të paraqitemi te X agjent doganor. Mbrapa doganës kosovare shtrihen një varg kioskash që afrojnë shërbimin e agjentit doganor. Pyes njëri pas tjetrit deri sa mbërrij ta gjej kioskën e personit që më rekomanduan. Kish dijeni, më priste. E kishin njoftuar. Ndërsa më merr dokumentacionin e mallit, gjej kohë t’i hedh një vështrim mureve të zyrës. Në të djathtë ndodhen ngjitur dy fletë formati A4 të shkruara arabisht; në të majtë varet një hartë e Ballkanit e kohës së Jugosllavisë, ku Kosova nuk ekziston. Ndërsa agjenti i jepte dikujt në telefon të dhënat, më thotë detyrimin e shërbimit: tarifa është 60 euro hyrje e 60 euro dalje. “Për ju – më thotë – do t’i bëjmë 30 euro shërbimi, 10 euro taksë dhe po kaq në kthim. Gjithsej 80 euro”. Ndërsa bëhem gati për pagesën, i kërkoj të më përgatisë pa vonesë faturën. “Nuk më ndodhen fatura”, ishte përgjigjja – “…do ta merrni kur të ktheheni”. Nuk pranoj ta bëj pagesën. Agjenti, i pavendosur, i paqëndrueshëm, ndërsa shihet se isha gati të kthehesha (i bindur se nuk do të merrja faturë në kthim të dielën e datës 8 qershor) së fundmi bën një “lëshim” – kur të ktheheni – më thotë – do likuidoni e do të merrni faturë; edhe po s’qeshë unë, ju do më telefononi dhe unë ju mbaroj punë me dikë tjetër. Më përcjell te punonjësi tatimor. Pajisem me fletën e verdhë dhe një tjetër punonjës tatimor e merr te hyrja për territorin e Kosovës. Ishte lehtësisht e dukshme lidhja mes agjentit dhe tatimorit, më së shumti shoqërore sesa zyrtare. Këto njëzetedy vjetët e fundit kam nxjerrë e futur herë pas here libra e gazeta në kufijtë me Italinë, Greqinë e Maqedoninë dhe veprimet dokumentare që kryhen i dija symbyllur, por kurrë s’më kish ndodhur që të mos më jepej faturë, madje edhe në Doganën Shqiptare të Durrësit të viteve ‘93-‘97, kohë kur gëlonte sheshit korrupsioni. Lëndësimin e korrupsionit e shtojnë ndërkohë policë tatimorë e policë kufitarë të cilët duan t’u falësh libra, dikush do “Gurin e Gjarprit” e dikush “Pema e Jeniçerëve”. Titujt dukeshin në portobagazhhin e hapur. Shoferi s’ka nga ia mban, jep libra. Ndërsa logot e automjetit tonë të udhëtimit lexohen këtu e përtej “Gazeta Shqip”, i them vetes, si nuk kanë drojë? Ka një shpjegim. E ushtrojnë kaq dendur këtë sjellje aq sa nuk kanë më frikë. Në panair pyes kolegët, “…si e kaluat kufirin dhe doganën”. Disa as që kishin plotësuar deklaratë doganore. Njëzet euro në dorë dhe ec tutje. Nxitojmë për të hyrë në udhën që ka tërë parametrat për t’u quajtur autostradë, të shoqëruar nga malli për kohën kur kufirin e Kosovës e administronte UMNIK-u.
* * *
Koha duket sikur ka ngecur e ngatërruar në tentakulat e mitmarrjes. Në tëmthat e tu ndërkohë dëgjon rrapëllimën e një kambane ogurzezë. Nën ritmin e saj vijnë pyetjet: e kemi korrupsionin në gjen si komb apo është pjellë e varfërisë? E vërteta është se ajo ka aftësinë të shfaqet kur ekziston shteti i dobët, shteti që nuk kontrollon dot territorin, pamëdyshje që nuk është i aftë të kontrollojë edhe individin. Dhe më shkon mendja rishtas te ky turp që na kërcënohet, korrupsioni, që na ka përdhosur dhe shndërruar në një karikaturë trashanike. Ndërsa kam në dorë të shkruaj, shoh se nuk kam në dorë asnjë mundësi të ruaj nderin e popullit tim, të nëpërkëmbur, mes të tjerash, edhe në pikat ku takohen dy shtetet shqiptare.