ZAMIRA ÇAVO
Kur Fishta i madh thoshte: “Tash që asht ba Shqipnia duhet me ba shqiptarët” kishte në vëmendjen e tij krijimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit tonë. Në fakt, popujt në botë kanë ecur përpara nëpërmjet kësaj fryme kombëtare, të përgjegjësive dhe bashkëpunimit të të gjithëve. Kjo frymë e çon përpara zhvillimin. Asnjë deklaratë, asnjë thirrje nacionaliste, asnjë manifestim sipërfaqësor “patriotik” nuk ka të bëjë me ndërgjegjen kombëtare. Ndërgjegjja kombëtare do të thotë përgjegjësi për të sotmen dhe detyrim për të nesërmen. Të thuash “o sa mirë me qenë shqiptar”, nuk do të thotë aspak se “je shqiptar”, sepse ndërgjegjja kombëtare është në “zemër dhe jo në gojë”, na mëson Fishta. Modeli qeverisës duhet të ngrihet mbi këtë nevojë të përbashkët të bashkëpunimit dhe vlerësimit të të gjithë popullit! Qeveria duhet të jetë modeli i bashkëpunimit dhe frymëzimi i kohezionit social!
Por fatkeqësisht, modeli “Berisha” jo vetëm nuk është i tillë por ka ndikuar mjaftueshëm keq në shpërbërjen sociale të shqiptarëve, duke na e rikthyer me forcë konkluzionin e Fishtës.
Pse modeli qeverisës “Berisha” jo vetëm nuk ia ka shërbyer ndërgjegjësimit tonë kombëtar, por përkundrazi ka ndikuar negativisht në kohezionin social?
Së pari: Modeli “Berisha” ka favorizuar ndasitë krahinore. Sëmundja më e madhe nga e cila kanë vuajtur shqiptarët është ndasia. Krahinizmi dhe klanizmi janë dy karakteristika që nuk lejojnë kurrsesi kohezion social. Për ta dëshmuar këtë mjafton të shikosh trajtimet që janë bërë nga qeveria mbi baza krahinore. Në pjesën dërrmuese të vendeve të drejtimit në administratën publike i kanë zënë veriorët! Jo vetëm kaq. Ndasitë krahinore u bënë aq të thella sa Veriu dhe Jugu shihen si dy krahina gati të ndryshme dhe pse jo shpesh “kundërshtare”, për të mos thënë hera-herës dhe armiqësore. Të jesh sot nga Gjirokastra, jo rrallë perceptohesh si “komunist” dhe të jesh nga Tropoja konceptohesh si “demokrat”! Ky është paradoksi më i madh i një shoqërie, që qeveriset me modele ndasie!
Së dyti: Modeli “Berisha” është modeli i qeverisjes gati natyrore, ku ligjin e bën i “forti”. Ky model, ka ndikuar negativisht në ndërgjegjen kombëtare, sepse ka mbështetur padrejtësinë duke e ligjëruar atë! Nuk ka gjë më të papërshtatshme për një qeverisje kur ajo favorizon shkelësin e ligjit. Zënia e padrejtë e tokave u shndërrua në proces legalizimi, mospagesa e faturave të energjisë elektrike u legalizua me “falje” fiskale etj., etj.. Politika të tilla, diskriminuese ndaj të ndershmit, që kërkon zbatimin e ligjit, cenojnë rëndë kohezionin social, por dhe nxisin rebelimin dhe kundërshtinë sociale. I “forti” që pret pyje, që vjedh e shpërdoron pasurinë publike, është i pandëshkueshëm! Mjafton që ai ta ketë “mirë” me qeveritarët! Ky lloj modeli ka nxitur perceptimin se Shqipëria është qeveria dhe po qe se e ke “mirë” me të, je mirë dhe me Shqipërinë! Nën këtë perceptim, njerëzit janë bërë indiferentë ndaj pasurive publike, ndërsa qeveria ka shitur copa-copa Shqipërinë, për interesa klanore! Shqipëria është trajtuar nga ky lloj modeli qeverisës si “pronë private” e një klani të caktuar, i cili i ka dhënë të gjitha të drejtat vetes për ta sunduar, tjetërsuar apo shkatërruar sipas interesave të ngushta personale! E ku mund të flasim për ndërgjegje kombëtare apo kohezion social në këtë lloj modeli?!
Së treti: Gjuha e urrejtjes, që mbetet gjuha zyrtare e politikës së modelit “Berisha” ka sjellë armiqësinë gati histerike e shprehur në sloganin “O me ne o kundër nesh”. Favorizimi i një klime të tillë ka bërë që kundërshtimet politike ndaj modeleve qeverisëse të shihen si armiqësi e ndëshkueshme ndaj atyre që qeverisin! Je kundër Berishës? Jo vetëm ti, por të gjithë ata që kanë lidhje me ty janë “armiq” të qeverisë! Rrjedhoja është e qartë: Nuk ka vend pune dhe as ndihmë për ty! Kjo urrejtje ka çuar në kufijtë e humbjes ndërgjegjen tonë kombëtare! Më vjen keq ta pohoj, por jam lodhur me një grup njerëzish të cilët ishin të bindur se, Shqipëria dhe Berisha janë sinonime të njëri-tjetrit! Deri këtu ka arritur absurdi!
Së fundmi: Duke iu rikthyer sërish Fishtës, kur thotë se: “Rrugët e urat nuk janë shenja të përparimit e të lirisë së popujve, por asht liria e popujve që shtron rrugë e ura e çon përpara zhvillimin” them me bindje se qeverisja aktuale është qeverisja më e padobishme për zhvillim kombëtar. Modeli “Berisha” është modeli i demagogjisë së rëndomtë, i cili ka kthyer gënjeshtrën masive si mjetin e forcës së vetë propogandistike. Në termin e “lirisë”, liria gati iu bashkëlidh konceptit të papërgjegjshmërisë! Sipas këtij modeli, shqiptari është i lirë, sepse e do lirinë! Ky është një absurd i madh. Askush nuk mund të jetë i lirë vetëm se e do lirinë, por sepse e kupton atë, e vlerëson dhe e përdor për zhvillimin e tij. Nëse një popull për 20 vite demokraci ka mbetur në vend, e në disa drejtime edhe ka bërë hapa pas, do të thotë se nuk ka zhvillim, pra nuk ka liri! Nëse liria për t’u shprehur është e vetmja liri që unë kam, do të thotë se unë nuk jam i lirë!
E gjithë politika qeverisëse mbështetet në slogane patriotizmi idealist. Berisha flet për shqiptarët e ndarë në pesë shtete, por nuk ngre as gishtin e vogël për të kapërcyer barrierat doganore, fiskale, arsimore, kulturore, gjuhësore. Modeli “Berisha” është modeli që duhet të marrë fund, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të ndërtojnë një atdhe për vete dhe fëmijët e tyre dhe jo një vend thjesht me emrin Shqipëri!