KLEDI KODRA


Ekzekutimi i kolateraleve të mbledhura prej bankave nga kreditë pa shpresë arkëtimi është një hap drejt rimëkëmbjes ekonomike, alokimit eficient të resurseve dhe përzgjedhjes së një modeli ekonomik për Shqipërinë.


Dy vitet e fundit, në Shqipëri është regjistruar një rritje ekonomike e dobët që luhatet mes 0.5%-2%, në varësi të burimit nga vjen informacioni (FMN vs Ministri e Financave). Disa sektorë ekonomikë raportohen në rënie. Për shembull, ndërtimi regjistroi një rënie prej 18% sipas raportit të fundit të INSTAT-it për tremujorin II të 2012-s. Kjo situatë ekonomike e pafavorshme ka sjellë një efekt negativ në rritjen e vonesave në ripagesat e kredive në sistemin bankar. Së fundmi, 21% e totalit të kredive regjistrojnë vonesa në ripagesa. Bankat tashmë i kanë marrë masat përkundrejt këtyre vonesave duke bërë provigjionimet e duhura, që në fund kanë rezultuar në rritje kapitali nga ana e aksionerëve të bankave dhe inicimin e procedurave të ekzekutimit të kolateraleve të vendosura si garanci për sigurimin e këtyre kredive. Kushtet e rritjes së dobët ekonomike, të kombinuara me kreditë ekzistuese problematike, këtu lexo biznese me probleme, kanë çuar në bilance të bankave që fryhen dita-ditës nga kursimet e operatorëve, të cilat mbahen si asete likuide të investuara në format më të thjeshta të investimit, si bono/bonde apo vendosje të ndryshme, si dhe nga një inventar që fryhet në vazhdimësi nga asete të mbledhura nga procesi i ekzekutimit të kolateralit për kreditë e këqija.


Ky shkrim fokusohet në format e trajtimit apo menaxhimit të aseteve të grumbulluara nga bankat prej bizneseve apo individëve me vështirësi financiare. Kur flasim për asete në mund të provojmë që në shumicë dërmuese kemi të bëjmë me prona në formë toke, ndërtesa/ambiente me destinacion veprimtari biznesi e ambiente/ndërtime për qëllime individuale të ruajtjes dhe nxjerrjes së përfitimeve kapitale në afat të gjatë, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve.


Ne tashmë në Shqipëri jemi para një situate kur një sasi e madhe e këtyre aseteve janë të ngrira nën pronësinë e bankave pas ekzekutimit të tyre. E përkthyer në terren konkret, kjo do të thotë se një sasi e madhe e tokave dhe ambienteve të biznesit e jetesës nuk po përdoret me eficencë apo është e pashfrytëzuar. Me sy të lirë një gjë e tillë dallohet në sasinë e madhe të ambienteve të papërfunduara apo të vëna në shfrytëzim dhe të tokave të lëna djerrë ngado ku udhëton nëpër Shqipëri.


Në kushtet e përshkruara më lart, çdokush do të mendonte se çmimet e pronave (toka, ambiente) në Shqipëri duhet të kishin rënë. Në fakt që prej 2008-s, viti kur kriza financiare globale trokiti në dyert e Shqipërisë, ne shohim një rezistencë të jashtëzakonshme, gati irracionale, të çmimeve të këtyre aseteve që nuk duken të tregojnë shenja rënieje. Një gjë e tillë evidentohet edhe nga indekset e publikuara kohët e fundit nga INSTAT. Si rrjedhojë, kemi të bëjmë me një lloj ngrirjeje të aseteve apo kapitaleve ekonomike tashmë nën pronësinë e bankave të cilat nuk janë më të përdorura me eficencë ekonomike.


Çelësi i zgjidhjes së situatës së mësipërme është shitja e pronave të akumuluara nga bankat me çmime shitjeje të sforcuar, qofshin këto çmime të skontuara deri më 50-80% të vlerës më të cilën këto prona vlerësohen momentalisht në librat e bankës. Një operacion i tillë do të përbënte një hap drejt çlirimit të këtyre aseteve dhe vënies së tyre në efiçencë duke ndihmuar ekonominë. Palë të ndryshme brenda botës së biznesit, por edhe individë presin apo kërkojnë të blejnë, por me çmimet e duhura që i përafrohen më mirë realitetit. Për shembull, një magazinë e madhe që deri më sot ka shërbyer për tregti me shumicë dhe pakicë dhe që tashmë nuk gjeneron më të ardhura të mjaftueshme për të shlyer borxhin, nëse shitet, mund t’i shërbejë një blerësi potencial për ngritjen e një linje prodhimi/përpunimi apo ambalazhimi. Një operacion i tillë përshkruhet më së miri me konceptin e titulluar “creative destruction” apo “shkatërrimi krijues” të përdorur nga ish-guvernatori i bankës federale të SHBA-së, z. Alan Greenspan, në librin “The Age of Turbulence.”


Bëhet fjalë për një parim bazë të sistemit kapitalist ku biznese të falimentuara u lënë vendin bizneseve më të reja duke siguruar një transformim të vazhdueshëm që krijon vlerë dhe vende pune. Ky lloj qarkullimi: mbyllje/shitje e bizneseve të sëmura dhe hapje/blerje nga biznese të shëndosha krijon një vetërregullim të tregut. Shembulli më i fundit që provon sa më lart vjen nga Spanja, e cila në pesë vitet e fundit u bë e famshme për qytetet e reja të ndërtuara e të pabanuara (qytete fantazmë). Raportet e fundit tregojnë se pas shitjeve me skonto sinjifikative nga ana e bankave, ambiente të tilla tashmë kanë filluar të gjallërohen nga banorë të rinj, që tashmë arrijnë të blejnë banesën e ëndrrave të tyre për çmime që pak vite më parë ishin të paimagjinueshme. E gjithë kjo ka sjellë përmirësim në vënien në shfrytëzim të aseteve të ngrira, një rritje të kërkesës konsumatore e, si rrjedhim, gjallërimin e bizneseve rreth e qark këtyre ambienteve.


Shembuj të ambienteve apo pronave të pashfrytëzuara janë të panumërta në Shqipëri. Mjafton të kujtosh, ndërtimet tek Unaza e Re, në Komunën Dajt apo Kashar, Durrës, Sarandë etj. Nisja e shitjeve të këtyre aseteve nga ana e bankave me çmime të reduktuara do të përbënte pikënisjen drejt një vetërregullimi të tregut të patundshmërive që do të krijonte bazën për investime të reja në ekonomi, pra si rrjedhojë për një vetërregullim strukturor të ekonomisë shqiptare. Individët e orientuar momentalisht drejt kursimit do të fillonin të merrnin në konsideratë investimin duke parë okazionet që paraqiten. Gjithashtu, ky mekanizëm tregu do të udhëhiqte operatorët tregtarë të investonin në fusha ekonomike më fitimprurëse, të cilat do të identifikoheshin nga aftësitë e tyre sipërmarrëse, duke i dhënë impulse ekonomisë dhe rrjedhimisht duke e bërë më të lehtë punën e qeverisë dhe të ekonomistëve në përzgjedhjen e një modeli të ri ekonomik për Shqipërinë.