Eduart Gjokutaj – Në periudhën përpara ndryshimeve demokratike, në ish-vendet socialiste, njerëzit zbatonin një model marrëdhëniesh solidariteti me njëri-tjetrin. Një model i tillë kishte të bënte me faktin, se kur një individ donte të ruante pozitën politiko-sociale apo nivelin e tij ekonomik, duhet të gjente një solidar të tij. Nisur nga qëllimi për të fituar favore nga solidari, ai duhet t’ia kthente “nderin” duke i kryer shërbime. Dhe në vazhdimësi u forcua ky model marrëdhëniesh, që ngjan më tepër me një model shkëmbimesh të “nderit me nder”. Sistemi i solidaritetit të dikurshëm kishte fuqinë për të bllokuar lirinë e nevojshme për një funksionim të ekonomisë së tregut. Drejtuesit e ekonomive të kohës socialiste mund të kryenin furnizime në vazhdimësi joefektive dhe në këtë mënyrë mund të sillnin pakësimin në mënyrë paradoksale të jetëgjatësisë së sistemit socialist. Në njëfarë mënyre, sistemi kishte më shumë kosto sesa përfitime.
Marrëdhëniet e këtij modeli ishin të qëndrueshme dhe bazat e tyre ishin gjithsesi të ndryshme nga shkëmbimet e tregut. Kjo mënyrë të funksionuari në jetën politiko-ekonomike pruri dhe metamorfizimin e shoqërisë, duke mbartur brenda vetes krijimin e rangjeve të ndryshëm të pozitave shoqërore të individëve.
Koha ecën para, pa pyetur për asnjë…Ndërkohë, edhe njerëzit përpiqen të ecin me kohën, duke mbartur mbi vete vlerat e vjetra dhe të reja, që janë në dualitet me njëra-tjetrën.
Për ata, të cilët ishin të familjarizuar me këtë model, zhvendosja e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike në sistemin e ri demokratik mori një kuptim tjetër: zbatimin e modelit – traditë të tyre në përshtatje ndaj realitetit të ri. Nëse disa nga ata u bënë anëtarë të partive politike duke punuar në zyra partiake, pala tjetër, që deri pak kohë më parë kishte qenë gjysma tjetër e pandashme e modelit të solidaritetit, fillimisht menduan se ishte detyra e tyre të përkrahnin solidarët dhe shokët e tyre. Por, edhe të porsazgjedhurit, fillimisht menduan se ishte detyra e tyre që të shpërblenin shokët që i votuan. Kjo vinte si rrjedhojë e inercisë së shkëmbimeve të solidaritetit të sistemit socialist, prej nga vinin të dyja palët.
Politikanët e rinj duke shfrytëzuar kontributet e përkrahësve të tyre apo fonde, që mund të mos kenë burime të pastra, mund të paguajnë para apo mund t’u japin dhurata votuesve, edhe pse mund të mos jenë në gjendje të verifikojnë nëse votuesit kanë votuar apo jo në favor të tyre. Por, dhe përfituesit e parave apo dhuratave nuk është çudi që nuk ndjejnë ende detyrim të veçantë, që të votojnë për ish-solidarët e tyre, që janë të bashkuar nëpër parti politike.
Tashmë, forca elektorale e partive politike ku ata bëjnë pjesë nuk varet nga forca e secilit prej tyre, si kandidat i partisë për Parlament. Gjithashtu, partitë politike nuk nxjerrin përfitime më shumë se mund të nxjerrin kandidatët e saj, megjithëse kjo është relative. Arsyeja pse votuesit ndjejnë detyrim të votojnë për një parti politike është pasi votuesit ndjejnë se duhet të votojnë për ish-shokët apo të njohurit e tyre me ndjesinë e sistemit të kaluar, që koha po e zbeh, atë të shkëmbimit të nderit me nder.
Shumë nga vendet më të zhvilluara ekonomikisht u kanë dhënë ndihma financiare liderëve të zgjedhur, në historinë e demokracisë 20-vjeçare në vendet ish-socialiste. Në disa raste, ndihma ka qenë një shpërblim për heqjen e barrierave tregtare, për integrimin e tregut në ekonominë globale apo për zgjerimin e mëtejshëm të demokracisë. Kjo ndihmë e dhënë në vetvete ka kërkuar të zëvendësojë apo krijojë një sistem të ri solidariteti. Një politikë më efektive do të kishte qenë dhënia e ndihmës drejtpërdrejt në mekanizmat që forcojnë zbatimin e ligjeve. Kjo ka kuptim për vendet ish-socialiste, pasi ende në drejtim të politikës dhe shtetit nuk janë vendosur njerëz të aftë, me integritet, njerëz me përvojë për punë. Duke qenë në këtë pozitë, ata nuk janë në gjendje të instalojnë në zyrat që kanë në vartësi konceptin e shtetit të ri, që do të thotë se ata që hyjnë në zyrat e shtetit kanë vetëm një “bibël”, zbatimin e ligjit dhe procedurave të tij.
Një traditë të tillë, si kjo që trashëguan vendet ish-socialiste mund të kërkojë disa breza për të ndryshuar. Përvoja nga këto vende na ka treguar se, drejtuesit e sistemit të vjetër dhe përkrahësit e ndjekësit e tyre mund të zgjidhen deputetë në Parlament apo të caktohen të drejtojnë zyra të rëndësishme qeveritare për shumë vite, thjesht sepse janë besnikë të lidershipit partiak. E mbartur nga tradita socialiste, ku besnikëria politike peshonte më shumë se aftësia si kriter për të përcaktuar se kush kandidat duhej votuar, drejtuesit mund të qëndronin në postet e tyre për një kohë të gjatë duke qarkulluar sa andej-këtej.
Edhe pse kjo traditë e vjetër nuk është shuar ende, vjen një ditë kur kandidatët e rinj, konkurrentë dhe të përgatitur për konkurrimin elektoral, do të jenë në gjendje të zbulojnë paaftësinë (ndoshta dhe korrupsionin) e shumë prej drejtuesve politikë dhe ekonomikë. Ndryshimi i madh mund të ndodhë, kur partia nuk do të votohet prej përkrahësve të saj për të hyrë dhe një herë tjetër në zyrat e shtetit, pasi drejtuesit e saj kanë dhunuar traditën e solidaritetit. “Automatikisht” opozita do të marrë “lejekalimin” për të hyrë në zyrat e shtetit, si dhe në dokumentet që kanë mbetur nëpër zyra dhe shpejt mëson për aktivitetin e paraardhësve të tyre. Konkluzioni është shpesh një pasqyrim i paaftësisë dhe korrupsionit. Ndërkaq, votuesit kur të shikojnë se ata që kanë votuar, kanë qenë të paaftë dhe të korruptuar duke penguar zhvillimin e vetë jetës së tyre, do të vënë në dyshim vetë filozofinë dhe ekzistencën e modelit të solidaritetit që nuk ka më kuptim të vazhdojë më tej. Kur kjo ndodh, ata mund të zhvendosin besnikërinë e tyre ndaj partive politike apo kandidatit që u duket se ua përfaqëson më mirë interesat.
Tashmë, tradita e re do të arrijë të ketë një sinkronizim të shkurtër me kohën.