ANDREA STEFANI


Andrea Stefani“Kur sekretarja Klinton ishte në Shqipëri në nëntor dhe mbajti fjalimin në Parlament, të gjithë e vlerësuan fjalimin e saj dhe mbështetjen amerikane. Por më pas, opozita kaloi në një drejtim plotësisht të ndryshëm dhe bllokoi procesin e integrimit europian të vendit thjesht për arsye të brendshme politike”, – sapo ka deklaruar Xhonatan Mur, shef i zyrës së Departamentit të Shtetit për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore. Deklarata është përcjellë me entuziazëm nga mediat e pushtetit sepse, në fakt, ringjall tezën e vdekur të Berishës se opozita bllokoi integrimin. Prandaj është e rëndësishme të bëjmë kritikën e deklaratës, aq më tepër kur lëshohet nga një zyrtar i lartë i SHBA si Mur.


 


***


Në përpjekjen e dëshpëruar për ta paraqitur opozitën si armike të popullit (zakon i vjetër i gjithë tiranëve të Shqipërisë) dhe duke gjetur si pretekst mosmiratimin e “3 ligjeve”, kryeministri Berisha ngriti një furtunë propagandistike lidhur me gjoja bllokimin e procesit të integrimit nga opozita. Më pas, kjo shpifje kaloi disi në harresë. Por tani, me një bilanc katastrofik qeverisjeje tejet të korruptuar, Berisha po ndien nevojë ta shndërrojë këtë shpifje në bosht të fushatës së tij. Dhe komenti i Mur i vjen si dhuratë. Por e vërteta është krejt tjetër. Zotin Mur duhet ta kenë keqinformuar (dhe këtu nuk përjashtohen as lobistët e Podesta-s) por edhe ai duhet të mësojë se penguesi, bllokuesi, muri që pengon integrimin e Shqipërisë në Europë është pikërisht autokrati Berisha, që është bërë famëkeq që herët për manipulimin e zgjedhjeve. Mjafton të shtojmë, në favor të tezës sonë, faktin e kapjes nga kryeministri Berisha të thuajse të gjithë pushteteve, të Presidentit, të Shërbimit Informativ (SHISH) apo edhe të KQZ tani së fundi. Demokracia dhe shteti ligjor nuk ndërtohet me përqendrim pushtetesh dhe pa demokraci e shtet ligjor nuk mund të integrohesh në Europë. Vetëm ky silogjizëm i thjeshtë që ka të bëjë me përmbajtjen e gjërave, duhet të mjaftojë për të bindur edhe z. Mur se bllokuesi i integrimit të Shqipërisë nuk është opozita, por Berisha që bërtet për integrimin.


 


***


Opozita ka bërë gabimet e saj lidhur me integrimin. Një i tillë, skandaloz, ishte amendimi i Kushtetutës që i dha mundësi Berishës të kapë të gjithë pushtetet. Por mosmiratimi i “3 ligjeve” jo vetëm nuk ka qenë i gabuar, jo vetëm nuk ka bllokuar integrimin, por ka qenë në favor të integrimit europian. Përse? Sepse mosmiratimi i “3 ligjeve” është përdorur nga opozita si presion mbi autokratin Berisha për ta detyruar të hiqte dorë nga dhunimi i ligjit dhe i rezultatit të zgjedhjeve në Qarkun e Fierit ku u organizua një puç me anë të të cilit Berisha i rrëmbeu opozitës pushtetin lokal. Mekanizmi ishte thuajse i njëjtë me puçin që Berisha sapo organizoi në KQZ. Dhe po i njëjtë ishte edhe proceduralizmi antidemokratik që juristët pranë Berishës, përdorën për të përligjur puçin. Opozita nuk ka bllokuar asnjë integrim. Ajo ka bllokuar, me të drejtën dhe lirinë që i jep demokracia (ashtu siç edhe një senator i vetëm në SHBA mund të bllokojë miratimin e një ligji me anë të filibasterit) miratimin e 3 ligjeve. Dhe i përdorur si mjet demokratik për t’ju kundërvënë autokratizmit, në kushtet kur edhe protestat jo vetëm nuk kishin ndikim mbi Berishën, por u goditën edhe me plumba, kur pushtetet u kapën prej tij nuk kish mbetur mjet tjetër për t’i thënë ndal arrogancës kryeministrore, tiranisë së shumicës dhe deri puçeve të kryeministrit, ky bllokim jo vetëm nuk ishte kundër integrimit, por tërësisht në favor të tij. Sepse asnjë akt që është në mbrojte të ligjit dhe të së drejtës, nuk mund të jetë një akt kundër integrimit europian.


 


***


Por ka edhe një arsye tjetër në favor të mosmiratimit nga opozita të “3 ligjeve”. Këtu po lëmë mënjanë përmbajtjen e tyre që është lënë (dhe ky është një tjetër gabim i opozitës) jashtë debatit. Duam të themi se rezultati politik i miratimit të “3 ligjeve” nuk do të ishte aspak avancimi real i integrimit. Sepse edhe me këto 3 ligje, Shqipëria nuk do të bëhej më shumë europiane. Përkundrazi, mund të qe më pak e tillë. Sepse do ishin edhe “3 ligje” të tjera që do dhunoheshin nga autokratizmi berishist. Ndërkaq miratimi i “3 ligjeve” dhe marrja e statusit të kandidatit do ishin një dhuratë e pamerituar për regjimin autokratik të Berishës. Do përsëritej i njëjti skenar i parë pas pranimit të Shqipërisë në NATO. Tani të gjithë e dinë, dhe gjendja e mjeruar e demokracisë deri më sot provon, që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u mbështet nga SHBA në funksion të stabilitetit ballkanik por në kurriz të standardeve të papjekura demokratike. Ndërkombëtarët promovuan stabilokracinë me efekte pozitive rajonale në kurriz të demokracisë. Kjo do të thotë se qeveria Berisha ka marrë një stimul (anëtarësimin në NATO që Berisha s’lë rast pa e përmendur si fitore personale) pa arritur objektivat e demokratizimit që kushtëzonin marrjen e këtij stimuli. Pra u shpërblye jo demokracia por një autokrat që ka punuar pa prerë kundër demokratizimit. A mund të pranonte opozita që e njëjta gjë të ndodhë me anëtarësimin në BE? A mund të pranohet që autokrati, që sot po denoncohet për kapje të të gjithë pushteteve dhe dhunim të ligjit (si në rastin më të fundit të KQZ), të shpërblehet me medaljen e “anëtarësimit të Shqipërisë në BE”? Një akti tillë do të qe kundërproduktiv, sepse do konsumohej edhe një tjetër stimul për integrimin pa e avancuar asnjë hap atë. Përveç kësaj, ai do t’i jepte mundësi Berishës të dilte në fushatë me flamurin e “demokratit” që po integron Shqipërinë me Europën në një kohë kur ai nuk është as demokrat dhe ka si qëllim jo integrimin, por ndarjen e Shqipërisë nga Europa dhe degdisjen e saj në Lindje. Gjithashtu ai mund t’i vendoste, jo vetëm kritikët e Berishës brenda vendit, por edhe ndërkombëtarët në një pozitë të dëshpëruar para arrogancës autokratike që do të pasonte dhe nga e cila Berisha nuk mund të heqë dorë. Sepse po ta kritikonin për autokratizëm, do të mund t’ju përgjigjej fare mirë: Unë autokrat, po përse ma dhatë statusin e kandidatit?! Ja përse themi: Muri i vërtetë i integrimit nuk është opozita, por Berisha zoti Mur!