ARBEN MANAJ


Lajmi i arrestimit të disa xhihadistëve në Shqipëri gjeti një jehonë jo të vogël në median perëndimore, për arsyet e vetëkuptueshme. Ashtu siç gjejnë menjëherë pasqyrim edhe lajmet për kapjet e sasive të mëdha të drogës, shpesh me origjinë nga metropoli europian i kanabisit, Lazarati.Arben Manaj


Të gjitha këto lajme pa dyshim nuk i vijnë në ndihmë imazhit të Shqipërisë, imazh i cili duhet thënë se nuk është edhe aq i mirë gjithsesi, e që gjithmonë dëmtohet nga ekzotizmat alla shqiptare si ato të “burrneshave”, e deri te bukuritë natyrore të alpeve, ku gjenden fshatra që u përngjajnë fushëbetejave, nëse do t’i referohesha një shkrimi të këtyre ditëve të The Times të Londrës.


Por lajmi për muxhahedinët shqiptarë, përveç imazhit, reputacionit dhe rrezikut të asociuar në të tilla raste që vjen nga një vend si Shqipëria, demonstron në thelb një rrezik akoma më të madh për vetë sigurinë kombëtare në vend.


Ai hedh në erë laicizmin formal të shtetit përmes impotencës endemike të moskontrollit të kësaj mortaje, që s’ka lidhje me fenë myslimane si e tillë, pasi përfaqëson një lëvizje politike dhe jo një besim fetar, pjesë e të cilit presupozohet se jam edhe unë, ndonëse në sektin më të moderuar të tij, bektashizmin, edhe pse jopraktikues prej brezash.


Shqipërisë, e cila synon të marrë statusin e vendit kandidat në BE në qershor, përveç shumë sëmundjeve terminale të demokracisë, si korrupsioni dhe mosndëshkimi i tij apo krimi i organizuar, rrezikon t’i atashohet togfjalëshi, edhe pse më shumë në një formë jo të artikuluar ende sesa të nënkuptuar ose edhe të paragjykuar; pikërisht si çerdhe në ngritje e islamit radikal.


Faktet e konfirmuara për një numër në rritje shqiptarësh që shndërrohen në muxhahedinë në vatra ndërkombëtare konflikti, përveç atyre të nisur nga Kosova, do të duhet të jenë shqetësim i madh për autoritetet dhe strukturat e sigurisë në vend, që kanë luksin të flasin për strategjira sigurie kombëtare, kur nën hundën e tyre gëlojnë dhe rriten elementë dhe struktura ekstremiste fetare të asociuara me Al-Kaedën.


Ky realitet i pakëndshëm dhe dëmtues do të duhet të ishte një kambanë alarmi për mënyrën sesi elementë të tillë kanë mundur ndër vite dhe qeveri të mëparshme të tolerohen, si nga shteti, ashtu edhe komuniteti mysliman, që në shumicë absolute është për një besim fetar paqësor dhe jo për islamin radikal, si frymë politike.


Symbyllja ndaj financimeve të dyshimta, kërpudhimi i xhamive ilegale dhe aktiviteti i shumë fondacioneve fetare me orientim radikal dhe me bazë në Lindjen e Mesme po rezulton fatal dhe penal për njerëzit që paguhen nga taksapaguesit për ta frenuar dhe mbajtur nën kontroll një aktivitet të këtillë jetik për sigurinë kombëtare, që do të duhet të kooperojnë edhe me institucionet inteligjente partnere, tepër sensitive për veprimtari të kësaj natyre.


Shqipëria me sforco është përpjekur historikisht të përhapë në botë mesazhin e tolerancës fetare mes besimeve të saj, një element pa më të voglin dyshim krenarie të ligjshme, por realiteti i zhvillimeve dhe zbulimeve të fundit të penetrimit të islamit radikal dhe “muxhahedizmit” shqiptar, që gjen terren të përshtatshëm në varfëri fizike dhe shpirtërore në segmente të caktuara të shoqërisë, e hedhin në erë këtë përpjekje titanike për pacifizimin fetar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.


Pas Turqisë dhe Bosnjës, ne si vend jemi të tretët në radhë për t’u etiketuar si vend mysliman në klubin e krishterë europian, që padrejtësisht dhe tinëzisht deri tani është përdorur nga qarqe antishqiptare për të frenuar avancimin e vendit dhe kombit drejt destinit tonë historik dhe gjeopolitik, familjes europiane.


Por, pas arrestimeve të fundit, ua bëjmë më të lehtë dhe të besueshme fushatën e tyre kundër nesh.


Në rast se Shqipëria nuk do që në listën e detyrave të shtëpisë t’i shtohet edhe lufta kundër radikalizmit fetar dhe grupeve të lidhura me Al-Kaedën, do të duhet një qasje sa urgjente aq edhe krejt e fuqishme si një vend i NATO-s, me detyra dhe obligime specifike edhe në këtë fushë, që nesër kontributi i saj modest për paqen në botë të mos eklipsohet nga nevoja për shndërrimin e vendit në objektiv për eliminimin e një rreziku për sigurinë e kontinentit.


Përndryshe nuk do të jetë e largët dita kur kamikazët e islamit radikal të kenë pikënisje Shqipërinë si vend origjine terrorizimi, për të sulmuar objektivat perëndimore, por edhe ato në territorin shqiptar, të pasqyruar në YouTube, siç ndodh rëndom me xhihadistët të lindur e rritur në Britani, por me origjinë nga Lindja e Mesme apo e Largët.


Ky do të përbënte minimin më të madh të aspiratës dhe imazhit të Shqipërisë drejt hyrjes sa më shpejt në gjirin e familjes politike europiane, sesa çdo minim fizik me tritol apo eksploziv tjetër të gjendur me shumicë në Shqipëri, të cilës po i shtohen edhe kamikazët e një lëvizjeje politike fetare, që realisht s’kanë gjasa të krijojnë shtetin e Sheriatit sesa t’ia krijojnë “sherin” Shqipërisë.