ARTUR LAZEBEU
Hipnozë.
Që dorëheqja të bëjë kuptim, kjo varet së paku nga dy përgjigje: përse jepet dhe çfarë efekti prodhon? Ka edhe dorëheqje të kërkuara, sepse dikujt i duhet vendi, por këto quhen kot të tilla. Ato janë trille titullarësh të rastit. Ndërkaq, rëndësia e personit të dorëhequr del në plan të dytë dhe, në maksimumin e vet, shënjon për mirë ose për keq të dorëhequrin, jo domosdoshmërish viktimë. Dorëheqjet e tre komisionerëve të KQZ-së, padyshim që krijuan një standard. Një standard jo për politikën, por për kolegët e tyre, ende të mbetur cung në institucionin e pavarur të KQZ-së. “Ishte e pamundur të vepronim të pavarur”, ky ishte shpjegimi i thënë. Po kujt ia thanë? Çfarë efekti prodhoi? Për t’u qartësuar disi për këtë, ndoqa me interes mbledhjen e radhës së KQZ-së, atë për “rivendosjen e balancës”. Efekti i parë i rivendosjes së balancës do të ishte hapja rrugë për shkarkimin e dhjetëra komisionerëve të forcës politike që “prishi balancat”, LSI-së. Argumenti erdhi duke u tjerrë në favor të PR-së. Me të drejtën e moralit dhe të ligjit, nuk kishte nevojë për këtë argument të diktuar ipso jure nga vetë rrethanat e ndryshuara. Të njëjtën gjë kërkoi edhe përfaqësuesi i LSI-së, edhe ky me të drejtën e moralit dhe të ligjit ipso facto. Madje, ai kërkoi shumë më pak se kaq, thjesht “jemi që jemi, parimin e kemi, ja ku po e themi!” Por jo! Tani që ti kalove matanë, për ty do të shohim e bëjmë herë tjetër, kur ta gjykojmë ne! Ju, kokën hëngshi me aleatët tuaj!
Meditim.
Ky ishte morali i përrallës që dëgjova në KQZ. Ky ishte edhe thelbi i hilesë procedurale që LSI-ja synoi të parandalonte. Në shenjë proteste doli nga salla bashkë me kolegun tjetër nga PS-ja, për t’u rikthyer një ditë më pas, dhe mirë bënë. Por unë dua që çudia e cenimit të sigurisë ligjore, si një ndër parimet bazë të pavarësisë institucionale, të mos zgjasë tri ditë. Në fakt, të tre të dorëhequrit, edhe sikur njëzëri të flisnin, edhe sikur njëzëri të ulërinin, maksimumi, ndonjë deklaratë politike do të kishin bërë. Edhe këtë, nën kërcënimin e pikës së parë të nenit që flet për rastet e shkarkimit të një anëtari të KQZ-së, pra për “veprimtari politike”. Po e drejta e fjalës? Përtej balancës së KQZ-së, ku është balanca e shtetit madje? Anija po batohet me lopatarët mënjanë, ne duam të mos na derdhet vaska në mes, aty ku kapiteni merr abdes! Patjetër që edhe uji i vaskës na duhet, sepse mëkatet nuk lahen pa të, por përfundimi është se, edhe PODESHTA, edhe POSDESHTA, “demokraci hibride” isha dhe mbeta! Ma thoni pak, ku jam unë, SHQIPËRIA juaj? Teorikisht, shtet buzë abortit! – A ka më keq? – Po, por “mbahu nëno, mos ki frikë”, ti na ke ne, ka edhe shtet të dështuar! Cili është? Po ja, Bosnja! Mos, po ne sikur jemi shumë afër Europës?! Po ne sikur na duhen vetëm tri ligje, vetëm tri sekonda dhe hop-hop, drejt e në Europë, a m’kuptove biri im patriot? – Ku di unë, ja lexoje ç’thotë një zë: “Humbësit më të mëdhenj janë përsëri shqiptarët. Nëse zgjedhjet e qershorit do të mbahen siç është caktuar, votuesit shqiptarë do t’i bëjnë vetes një numër pyetjesh bazë: A janë ata më mirë që nga koha kur u mbajtën zgjedhjet e kaluara? A janë adresuar në mënyrë efektive korrupsioni dhe krimi i organizuar? A është forcuar sundimi i ligjit? A është Shqipëria më pranë qëllimit të deklaruar për t’u bërë anëtare e BE-së? A u ka dhënë besim Shqipërisë dhe shqiptarëve qeveria? A i ka mbajtur z. Kryeministër premtimet e tij? A është demokracia më e sigurt që nga zgjedhjet e fundit? Përgjigjet e gjithë këtyre pyetjeve duhet ta shqetësojnë z. Kryeministër”. Bernd Fisher, një njohës i mirë i çështjeve shqiptare, shkruan kështu. E kush është ky? – Natyrisht që nuk është as Fyle, as Ashton, as Moore. Arvizu jo e jo, këtij ia morëm dorën. E dini atë parimin juridik se “shlyerja më e shpejtë e borxhit është mosnjohja e tij?” – Këtë e zbatojmë edhe pa e ditur dhe nuk pyesim për verdiktin e sovranit. Pse, kryeopozitari nuk paska faj? Ai ka gjithmonë faj: edhe kur ndahet, edhe kur bashkohet, edhe kur fiton, edhe kur humbet, edhe kur hesht, edhe kur flet, edhe kur ulëret, madje edhe kur dëgjon, edhe kur shikon, edhe kur hapon, edhe kur vrapon. Madje ka faj edhe se është i gjatë, por akoma më shumë do të kish pasur, sikur të kish qenë i shkurtër. Faj kishte edhe kur ia përlanë fitoren sy për sy. Shiko, mos ia thuaj njeriu, por profesioni i tij nuk është Piktor, por Fajtor, a m’kuptove? Ai e ka fajin edhe për integrimin, edhe për bllokimin! – Më fal por, po ai që përmend Fisher? – Joo, ai i ka bërë detyrat e tij, por çfarë t’i bësh atij mosmirënjohësit? Nuk ia duam votat as për tri ligjet, ato do i miratojmë me referendum. Ai nuk na falënderon dhe nuk di të jetë krenar për ne, ne që dimë të luajmë vetëm për ta mundur, vetëm për ta mundur. S’ka, deri sa ta shpëtojmë të majtën nga ky humbës!!! Me procedurë, pa procedurë, Kuvendin e kemi të fortë si mur. Me ju pa ju, KQZ-ja m’takon mu. Me zor, pa zor, Kolegji Zgjedhor ta lë në dorë. Si në 2011-n!
Dremitje.
Dhe vërtet, më kujtohet Kolegji Zgjedhor, jo më shumë se dy vjet më parë, kur në fund të garës dha një vendim, efektet ligjore të të cilit, duke rivënë në veprim KQZ-në, mundën të rrisnin dhe zhbalanconin shifrat, duke nxjerrë jashtë loje edhe parimin më të thjeshtë të kontabilitetit, për të rakorduar numrin e votave me atë të votuesve. Sepse kishte pasur “gabim njerëzor”. I mbani mend pretendimet e mazhorancës në KQZ? Tre ndër gjashtë, plus NJË, e vinin theksin te “gabimet njerëzore”. Ligji nuk kishte rëndësi. As tani nuk ka. Ligji na vlen vetëm kur na intereson; kur nuk na intereson, mjerë ligji!
Tre komisionerë dhanë dorëheqjen. Sigurisht që nuk janë dorëheqjet e para në këtë histori. Ata janë të dorëhequrit e mëdhenj në këtë mes, por dorëheqja, në çdo rast është më e madhe sesa vetë ai që e kërkon apo e ofron atë, për një KAUZË. Minimalisht për precedentin që krijon, për standardin që vendos. Por, kur pashë cinizmin stoik në demarshin për rivendosjen e balancës në KQZ e përtej, qëndrestarët m‘u dukën të vegjël. “Kodi Zgjedhor, Neni 29, pika 1, germa a”. Prandaj dhe duhet riformatim. Jo thjesht se na e kërkojnë ndërkombëtarët. Kështu është, kur politika përjetohet si bast personal dhe jo përgjegjësi publike. Mendësi autokratike, e cila në kushte pluralizmi përkthehet në “demokraci hibride”. Vaj halli çdo kish qenë në kushte monizmi. Se çfarë janë regjimet hibride, le të citojmë “The Economist”: “Regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen.” E ka fjalën për ne, për ne që, për tri sekonda, vetëm për tri sekonda, do të hynim në Europë. E frikshme! Edhe e bukur, por shi për këtë, shumë turp që konsensusin e kërkojmë si emergjencë të minutës së fundit, pa u vetimponuar aspak, kur është puna për të lëshuar në check&balance të tri pushteteve. Dhe ky nuk është pazar.
Rizgjim.
Zotëri, kushdo qofsh, atje majë karriges! Sot ti, nesër dikush tjetër, dikush tjetër e tjetër, ashtu si dikush tjetër deri dje! Ç’rëndësi ka se kush hedh dorashkën, grushtin, kush tërheq këmbëzën, kush ngul thikën a bisturinë, kush hedh firmën, kush ngjall frikën a respektin në këtë realitetin tonë? Rëndësi ka se kush rigjallërohet a jetëgjatësohet nga ky realitet. Nga ky realitet, që inkurajon arrogancën e të fuqishmit, inkurajon heshtjen e të pafuqishmit, inkurajon edhe hipokrizinë që me lot krokodili qan për viktimën e gëlltitur informalisht, pavarësisht taksës së sheshtë a progresive. A nuk është ky realiteti ynë, ku togfjalëshi “krim e ndëshkim” ka kohë që nuk bën kuptim? Krim e shpërblim. Sa e sa prova publike, të njohura përmes kamerave dhe penës së gazetarëve i janë ofruar njeriut të thjeshtë? Sa herë këto fakte kanë ulëritur dhe ulërasin, por mu sikur të ishin shpirtra të vdekur, ato gjithkush i ndien, por askush nuk i shikon. Rroftë shteti i së drejtës! O njeri votëhumbur, a nuk është krim një pasuri e pajustifikuar? A nuk është krim edhe një ligj që të shet vendin ditën për diell? A nuk është krim të të vrasësh ditën me diell a me shi, me duart në xhepa a nën një çadër proteste? A nuk është krim të paguash me taksat e tua, por qoftë edhe me paratë e marra xhepave të biznesmenëve, një kompani të huaj për të justifikuar hipokrizinë që i bëhen njeriut të thjeshtë, qoftë duke e gënjyer, qoftë duke e shpërblyer, qoftë duke e kërcënuar apo larguar nga kafshata e gojës? A nuk është krim t’u tjetërsosh brezave të djeshëm, të sotëm e të nesërm edhe tokën, edhe detin, edhe lumin, edhe liqenin, edhe pyllin edhe malin? Dhe kërkoni t’ju besojmë; na merrni erzin nëse nuk e bëjmë këtë. Sa e sa zullume po sillen e risillen përditë nga shtypi, të shtypurit, nga vota, votuesit, nga fjala, fjalorët, nga shkrimi, shkrimtarët, nga raportuesit, raportet? Edhe njëri syresh do të ishte i tepërt. Për ju çdo vrasje mund të mbetet pa vrasës, për ju çdo vjedhje mund të mbetet pa hajdut, për ju çdo kokë mbetet edhe pa tru, për ju çdo votë mbetet edhe pa votues, për ju çdo nënë mund të mbetet edhe pa fëmijë, për ju çdo shtatzënë mund quhet edhe beronjë. Vetëm se, ju lutem, vetëm Zotin mos e ngatërroni në këtë mes! Dhe kërkoni t’ju besojnë. Sigurisht më 24 qershor do kërkoni ta shpallni “të lirë e të ndershëm” një proces, të cilin po e komprometoni jo vetëm me dashje, por edhe kokëfortësisht, në çdo fazë të tij, në stërmundimin për të mbajtur një pushtet. Por një pushtet bën shtet vetëm kur është i kufizuar. I kufizuar në kohë, hapësirë dhe ushtrimin e forcës inherente. Së paku kështu e thotë abc-ja e modelit demokratik. E demokracisë perëndimore, sigurisht. Dhe kërkoni t’ju besojnë! Madje kërkoni edhe t’ju lavdërojnë në sy të të huajve, nga të cilët kërkoni të merrni hiçgjësend, përpos heshtjes për krimin elektoral, që ka filluar të konsumohet hapur, cinikisht dhe ethshëm drejt pritshmërisë triumfaliste. Pas së cilës do të rikërkoni të fitoni status zotërinjsh nëpër Europë e Amerikë, në mënyrë që pas kësaj t’i hungërini edhe më frikshëm njeriut të thjeshtë, të papunë, por qoftë edhe të punësuar, të papushtetshëm, por qoftë edhe atij që mëton të ndajë me ju pushtet, mjaft që vaniteti t’ju ushqehet me oksigjen arrogance dhe babëzie. Ja, veç për tri ligje që nuk jua miratuan ata, “mavi-mavrinjtë”! Tri ligje, tri sekonda që do të na kishin shpërblyer me megafonde për “arritjen” e radhës, neurozë recidive e krimit pa ndëshkim. Lum si ju për votues si ne! Deri kur?