ALEKSANDËR ÇIPA


Aleksander Cipa“Pasqyra” elektorale ka nisur efektet e mëdha mbi perceptimet dhe gjykimet publike në vend, por edhe në pasqyrimin e shumë fakteve dhe implikimeve që kanë të bëjnë me personazhet politikë dhe pushtetin që zotërojnë ata. Gjatë dy muajve të fundit, fakte të sjella zyrtarisht nga opozita socialiste e kanë pasuruar faktologjinë akuzuese opozitare ndaj Kryeministrit Berisha dhe familjarëve të tij. Ndërkohë që disa prej projekteve më madhore që lidhen me privatizimet apo me shitjet e aseteve publike, siç janë ato të hidrokarbureve, apo çështja e rikthimit nën administrim shtetëror të kompanisë që zotëronte CEZ-i, janë peshë e lartë specifike akuzimi në publik nga opozita për qeverisjen aktuale.


Por ajo që është tepër shqetësuese dhe që mesa duket po i shërben atij që mund të quhet mekanizmi i akuzës së paprovuar, ka gjasa të jetë i pranishëm tej mase në këtë fushatë të ndezur.


Denoncimet në një proces drejtësie asnjëherë nuk janë të mjaftueshme. Madje shpesh ato nuk shënojnë as fillimin e tij. Në Shqipërinë e këtyre ditëve, akuzat opozitare vërtet janë shtuar përditshmërisht, por përballë tyre, ajo që po vë në dyshim dhe rrezikon misionarizmin e mediave është mungesa e një këmbënguljeje dhe konsistence për raportim të thelluar.


Para 10 ditësh, mediat zhurmuan për rastin e ish-ministrit të Jashtëm peruan, i cili qenka prej disa kohësh si investitor në Shqipëri dhe që njëkohësisht është një personazh që ka dosje të hapur me drejtësinë në vendin e vet, por edhe në SHBA. Ka kaq ditë që mediat tona asgjë nuk ofruan si kontribut raportimi si për biznesin e pretenduar se ka vendosur në Fier, aq edhe për lidhjet mundësuese që mund të ketë pasur nga të dy krahët politikë në vend. Edhe sot e kësaj dite, çështja e bujshme e tij u harrua dhe askush nuk kujtohet të pasurojë kronikën e një zbulimi me jehonë ndërkombëtare. Por ky nuk është rasti i vetëm. Akuza me “goditje të përqendruar” e opozitës për shumat drastike që përfitojnë në cilësinë e leksiondhënësve në disa universitete si bija ashtu edhe dhëndëri i kryeministrit, u shuan menjëherë pas akuzës dhe pohime-refuzimeve për pallatin e ndërtuar nga xhaxhai i zonjës Linda Basha, bashkëshortja e kryetarit socialist, ish-kryebashkiak i Tiranës. Edhe këto akuza-shkëmbyese u lanë në heshtje dhe presim nga ora në orë që vendin e tyre ta zënë zhurmueshëm akuza dhe zbulime të tjera. Në kronikën intensive të krimit, po shtohen dhe mbivendosen ngjarje kriminale të cilat realisht janë shokuese jo në pikëpamjen statistikore, por për nga teknikat dhe llojet mafioze të kryerjes. Atentate të ndryshme të kryera në qendrat urbane, me pistoleta në rrëzë të veshit e madje në prani bashkëshortesh. Zhdukje policësh të harruar dhe djegie makinash e personash që mbesin jo vetëm pa autorë, por edhe pa kronologji hetimi. Përjashtohen rastet kur deklaratat e reagimit përfshijnë autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Ekzekutivit dhe kur palët politike vihen në garë prononcimesh intensive. Për rastet e tjera, dosjet lihen me kapak të mbyllur dhe harresa është fati i tyre pa krye.


Por nuk është vetëm kjo brendi që përkon me realitetin elektoral. Është diçka tjetër shumë herë më shqetësuese dhe më tronditëse për të cilën jo vetëm politikanët preferojnë shmangien, por fatkeqësisht edhe mediat. Në sjelljen e administratës publike dhe sidomos në veprimtarinë e qeverisë me fondet, buxhetin dhe sidomos asetet ekonomiko-financiare të vendit, po manifestohet hapur një bajraktarizëm dhe kulturë painventarizimi. Tamam si në kohë monarkizmi. Askush nuk e sjell në dritë dhe në sy të opinionit publik fatin e procesit të pagesës dhe kalimit në thesar të 20 përqindëshit që blerësi detyrohet për “Albpetrol”-in. Ka më tepër se tre muaj që kjo “odise” injorohet, sikur kemi të bëjmë me fatin e lekëve të një qytetari që sorollat bankën për një kredi të marrë dhe së cilës nuk i shlyen këstet. E kujt është kjo kurajë e lojës me paratë publike të cilat duhej të ishin me kohë në Thesarin e shtetit? Kush është ai shtetar apo ai përfaqësues ligjor që e toleron këtë vonesë shumash të tilla, për të cilat në çdo shtet ligjor, drejtësia do të kishte vënë në lëvizje i hetimin dhe auditimin e përgjegjësisë së kujtdo?! Kjo sjellje rrumpallike me ligjin dhe procedurat është realisht një diskreditim publik i gjithë kësaj qeverie dhe institucioneve ligjzbatuese e ligjkontrolluese të vendit. Institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Financave dhe sidomos Kryeministri me kohë e ditë, duhej të dilnin për çdo ditë në prononcime dhe sqarime publike për të dhënë informacion dhe transparencë për qytetarët dhe publikun për fatin e procesit të privatizimit të kompanisë më të rëndësishme strategjike dhe publike në vend. Ky proces vlen shumë e shumë më tepër se çdo akt tjetër në ditët e sotme në jetën ekonomike dhe financiare të vendit. Nuk ka asnjë grimë krahasimi mes këtij skandali dhe skandaleve, apo aq më tepër shkeljeve për të cilat zoti Kryeministër i sotëm çoi dikur në burg ish-kryeministrin e dikurshëm Fatos Nano. Por është e natyrshme që reagimin sqarues dhe transparencën nuk mund t’ia kërkojmë protagonistit apo të pazëshmit të saj. Por opozitës së vendit duhet t’ia kërkojmë si reagim dhe institucion denoncimi. Me të drejtë kolegu A. Bushati në një shkrim të djeshëm nënvizonte se: “E njëjta strategji po zbatohet tani edhe nga mbrojtësit mediatikë të Berishës. Shmanget debati për denoncimin e pakistanezit dhe shtrohet pyetja sa klientë të tillë ka pasur Rama. Shmanget debati për fabrikën e Gërdecit dhe i shtrohet pyetja pse Rama nuk flet kurrë për mikun e tij Delijorgji. Shmanget debati për dështimet e ARMO-s dhe ‘Albpetrol’-it dhe rri mbi kokë pyetja pse Rama s’guxon të flasë për Rezart Taçin. Shmanget debati për 21 janarin dhe ngrihet dyshimi nëse e tradhtoi Rama gjakun e të vrarëve, duke ftuar për koalicion Ilir Metën”.


Nëse opozita po vetëtradhton idealet dhe akuzat e veta, këtë vetëtradhëti nuk duhet ta imitojë edhe media dhe sidomos media që është ende pa litarë e zinxhirë interesash. Nevoja për një këmbëngulje provash dhe transparence, sot nuk është thjesht çështje për rotacion që i nevojitet Ramës apo opozitës pushtetdashëse. Kjo është nevojë jetike për mosrënien përfundimtare të shtetit dhe ligjit, të sistemit dhe sidomos rënies përfundimtare të shoqërisë në gjendjen e parashoqërisë.


Në ditët e ardhme të kësaj fushate zgjedhore, dy partitë kryesore, por sidomos protagonistët dhe korpuset e koalicioneve të pritshme do të shpalosin dhe do të hedhin dhjetëra “patate të nxehta” në mejdanin publik. Kësaj here pritet të ketë më shumë se në çdo fushatë tjetër. Nuk është paralajmëruar vetëm rreziku prej një norme të lartë politizuese, por më i rrezikshëm kësaj here është arsenali i qëllimshëm dhe i pakursyer i akuzave politike që cenojnë dhe rrënojnë fatalisht institucionin e akuzës. Ky skenar i dukshëm zhvleftëson po aq besueshmërinë e publikut ndaj faktit antiligjor. Politika ia del gjithmonë që faktin tronditës ta zhvleftësojë ose duke e eklipsuar atë me rreshtime faktesh, ose duke e shumuar inflacionisht në atë farë feje, që s’ka drejtësi federale që ta marrë përsipër, e jo më një drejtësi e një shteti të vogël si ky yni, e cila jep vijueshmërisht provën prej mungestareje.


Por kjo strategji paralizuese, dimensionon krimin e ardhëm dhe sidomos abuzivizmin e ardhshëm, qoftë edhe atë që fatkeqësisht pason rotacionin.


Prej kësaj strategjie, mediat, pse jo edhe strukturat e mpakura të shoqërisë civile, janë imperativi ynë shpëtues. Politika mund t’i braktisë akuzat e veta, kjo është në natyrën dhe interesin e saj. Por mediat, strukturat apo segmentet e lira të shoqërisë dhe drejtësia përmes individëve të kurajshëm dhe profesionistë të saj, kanë shansin për një sjellje ndryshe. Është koha që jo vetëm të arkivohen akuzat dhe artefaktet denoncuese, por edhe të memorandohen ato si detyrë për qeverisësit dhe institucionet e rezultimit paszgjedhor.


Kjo është nevojë shpëtuese, pavarësisht se duket se iluzionisht po kërkojmë rol prej rolhumbësve. Në demokraci, asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk mund të mos rikthehet autoriteti dhe roli i një pushteti të dëmtuar. Mjafton një kazus, pse jo edhe një protagonizëm! Në kushtet e tablosë rreshtuese, kur inteligjencia apo nëpunësia publike dhe jopublike po matrikulohen apo rreshtohen nëpër peticione partiake, ky rol i nevojshëm, ndoshta as mund të pretendohet. Matanë rreshtimeve janë të parreshtuarit, sado pak në numër, ata janë, shprehet italiani i njohur Cesare Romiti, që u mor gjatë me portretizimin e kapitalizmit italian. Por matanë trishtimit dhe partizimit, lipset të shohim jo siglat dhe afrinë, por “gishtin e mesit” që politika dhe politikanët po na tregojnë ne qytetarëve. Le t’ua hapim pëllëmbët atyre, nëse nuk mundemi t’ua “thyejmë gishtin” apo qoftë edhe t’ua kthejmë me “grushtin” e votës! T’ua hapim pëllëmbën, jo për t’u parë fatin e ardhëm, por për t’u lexuar historinë e gabimeve të pazhbëshme.