ZAMIRA ÇAVO


Zamira CavoGarancia e vërtetë e demokracisë është padyshim ekzistenca e opozitës. Ndryshe mazhoranca mund të shndërrohet fare mirë në një autoritarizëm të papërmbajtshëm e për rrjedhojë, në një sistem autoritar, detyrimisht të rrëzueshëm me revolucion. Sigurisht është e qartë se mazhoranca bën qeverinë, por opozita ka po aq rëndësi, jo vetëm se bën “syrin vigjilent” për të mos lejuar gabime të qeverisjes, por dhe sepse, në fund të fundit, demokracia është përfaqësuese dhe opozita ka vendet e saj në Parlament. Çdo përpjekje për ta zhbërë opozitën është përpjekje për të zhbërë demokracinë.


Por në Shqipërinë e sotme po mbisundon gjithnjë e më shumë ideja se qeveria është ajo që vendos, që bën gjithçka, që di se ç’duhet bërë dhe që nuk jep llogari përballë askujt. Madje kjo ideologji po shkon deri aty sa pretendohet se qeveria jep llogari vetëm në zgjedhje. Pra as më shumë e as më pak, opozita konsiderohet një “shtojcë” e kotë, që nuk ka asnjë rol. Në këtë situatë mendoj se i takon opozitës të luajë rolin e saj të “fortë” politik. Realisht Berisha po kërkon me çdo mënyrë të zhbëjë opozitën!


Nëse do t’i referohemi situatës së fundit, është e dukshme që z. Berisha synon ta kalojë tek opozita dështimin, për të tretën herë radhazi, të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Madje, kam dëgjuar edhe vetë përfaqësuesit e opozitës që ndihen të “zmbrapsur” përballë sulmeve të kësaj natyre. Në përgjithësi, qëndrimi ndaj mosvotimit të ligjeve që kërkonin 3/5-at konsiderohet si gabim madhor i opozitës. “Gabimi shtyhet aq sa, opozita akuzohet për qëndrim antikombëtar! Të bërtasësh me thirrje se “…në 2013-n ne do rrëzojmë murin e bllokadës ndaj Europës”, do të thotë që Kryeministri shqiptar legjitimon përfundimisht si antishqiptare sjelljen e opozitës! Nuk ka gjë më dramatike për demokracinë se sa kjo “lëvizje” e qëllimshme e mazhorancës ndaj opozitës! Dikush mund të thotë: “Po kjo sjellje është antikombëtare, sepse na la jashtë Europës”! Do ta justifikoja çdo mendje, që me naivitetin e së dukshmes, do ta quante të tillë opozitën dhe sjelljen e saj. Por realisht nuk e konsideroj të tillë.


Unë shtroj një pyetje: Sa ka rëndësi demokracia për Shqipërinë? A e duam ne vërtet një Shqipëri demokratike? Dhe jam e bindur se të gjithë do themi Po, e duam demokracinë! Atëherë të vijmë tek pyetja e radhës: A është në rrezik demokracia në vendin tonë? Unë do thosha Po, me plot gojën. Sepse pushtetet tani kanë kaluar, pothuaj tërësisht, në dorën e mazhorancës! Presidenti u zgjodh pa pyetur opozitën, Kryeprokurori po kështu, ndryshimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë po kështu, ligjet po kështu, vjedhja e votës është “legjitimuar”….. Po opozita ku është? Nuk është pyetur sepse, forca e numrave ka bërë të vetën. Nëse dikush thotë se demokracia është problem numrash, po e pranoj si sfidë debati dhe po them Ok. Nëse është kështu dhe nuk pyetet për të ardhmen e vendit dhe liritë e tij, atëherë dhe opozita ka të drejtën e saj madhore, të përdorë “numrat” në favor të saj. Dhe këtu nuk shtrohet çështja e “interesave madhore të popullit”, sepse më madhore se demokracia nuk ka asnjë interes tjetër për një vend e popull, që synon të jetojë i lirë dhe në zhvillim. Pra opozita dhe në rastin e mosvotimit të ligjeve, ka luajtur me të njëjtat “karta” si pozita.


Por ajo që duhet të kemi të qartë është se çfarë interesash u prekën nga kjo lëvizje. Unë do të thosha u prekën jo interesat e popullit, por interesat e Berishës, i cili e kërkonte me çdo kusht “kapitalin politik” të marrjes së statusit. Ndërkohë që kemi tri herë radhazi që e humbasim për shkak të keqqeverisjes! Interesat kombëtare Berisha i ka shitur me kohë dhe demagogjia e tij është bërë së fundmi kaq qesharake sa e ka shpërfytyruar atë në daljet e tij publike. Si mund të përballohet një mazhorancë e tillë arrogante që nuk pranon të negociojë me opozitën, por ama po me këtë arrogancë i kërkon t’i plotësojë asaj të gjitha “nevojat e saj politike”?


A është nevojë politike e popullit hyrja në Bashkimin Europian? Sigurisht! Por, po kaq nevojë jetike është demokracia në Shqipëri. Askujt nuk i duhet një shtet pa qeverisje, pasi modeli i qeverisjes së tanishme nga z. Berisha është modeli i “tokës së djegur”! Rrënimi ekonomik (energjia, borxhi publik, politikat e tij populiste në arsim, shëndetësi, rritja qesharake e pagave dhe pensioneve, mosmbledhja e të ardhurave dhe mashtrimi me shifra), rritja e konsiderueshme e shkallës së varfërisë në vend, rrënimi i sistemit arsimor, e mbi të gjitha humbja e besimit në të ardhmen e vendit, janë shumë herë më tronditëse dhe shumë herë më jetike për popullin se sa çdo pretendim tjetër! Dhe ndërkombëtarët jam e bindur se e njohim gjendjen tonë dhe nuk dëshiroj ta besoj se ata duan “të pranojnë Shqipërinë në BE, mjafton që të jepen shenjat e mirëkuptimit politik nga opozita”. Në asnjë rast nuk është opozita ajo që fajësohet dhe në asnjë rast nuk i kërkohet toleranca dhe mirëkuptimi opozitës. Përkundrazi, demokracia ka nevojë për një rol aktiv e të fortë të opozitës, që të mos na e bëjë utopi ëndrrën për liri! E njëjta gjë do të na duhet edhe nesër, kur rrotacioni politik të jetë bërë dhe kur opozita e nesërme do të luftojë me armët e saj demokratike.