As më pak dhe as më shumë skenat që kemi parë prej javësh në sallën e seancave plenare ngjajnë me ato të filmave. Dhe ku regjisor për fat të keq është një “ujk” i vjetër i politikës, që ka mbi 30 vjet në skenën politike shqiptare e pas kaq shumë vitesh ende artikulon mosbindjen civile, si zgjidhje.
Për fat të keq, ca burra e gra (të lidhur me më të vjetrin e politikës në Shqipëri), të parët pa pikë burrërie, e të dytët pa pikë elegance kanë ofruar si vlerë për miliona shqiptarë zjarrvënie, thyerje karrigesh, sherre e fjalor rrugësh, tërësisht të ngjashëm me 10 vjeçarin e parë të tranzicionit shqiptar 1990-2000.
Burrat, që ngjajnë me lepurusha, ngrihen pupthi, e bëhen gjela për të thyer e shkatërruar karrige e tavolina të asaj salle, rikonstruksioni për të cilën është mundësuar nga taksat e shqiptarëve, të atyre shqiptarëve që në fund të fundit janë votues për të dy palët dhe vendosin për platformat e tyre, sa herë që ka zgjedhje.
Është më shumë se turp të shohësh ato skena që ofron opozita e Berishës, apo e Bashës (se janë dy dhe përzihen në punë të pista, si kjo e shkatërrimeve) dhe pastaj të shkosh e t’u kërkosh votën shqiptarëve, se zgjedhjet janë në prag, madje shumë më afër sesa mendon opozita.
Që opozita të ndryshojë perceptimin që kanë njerëzit për të, në momentin kur ata kanë vendosur ta lënë në opozitë, duhet të ndryshojë mënyrën e të vepruarit dhe të sjellurit.
Duke pasur parasysh sjelljet e opozitës, nuk duket e vështirë që t’i prezantohet botës në mënyrën më të keqe të mundshme. Sepse, me çfarë ka bërë deri tani faktorit ndërkombëtar se alternativa opozitare është alternativë më e keqe, se ajo në qeveri.
Të jesh parti opozitare ka disavantazhin që nuk je në pushtet, por ndërkohë ka përparësinë se si parti e tillë, e ka përherë dhe më të lehtë të pozicionohet në mendjet e qytetarëve se janë pikërisht ata që i duhen vendit.
Kjo gjë, e cila ndodh në vendet me demokraci të konsoliduara, tek ne është edhe më e thjeshtë të ndodhë, për shkak se pushtetarët janë tërësisht të zbuluar, për të mos përmbushur premtimet e tyre në fushatë, kur qeveria zhytet përditë e më shumë në korrupsion dhe kur borxhi publik ka arritur nivelet më të larta të para ndonjëherë.
Por për fat të keq, kjo sjellje e opozitës sonë, tregon se ajo është duke shkuar me këmbët e saj, drejt një humbje të sigurtë. Historia e njerëzimit ka treguar se politika mund ta udhëheqë popullin vetëm në dy mënyra: Ose me moralin e forcës, ose me forcën e moralit. Asnjë opozitë në botën demokratike të epokës moderne, nuk ia ka dalë që të rikthehet në pushtet, nëpërmjet forcës. Nëpërmjet dhunës. Nëpërmjet zjarrit. Nëpërmjet djegies. Nëpërmjet shkatërrimeve. Nëpërmjet sulmit mbi institucionet legjitime. E aq më pak nëpërmjet goditjes së zemrës së demokracisë: Parlamentit. Vetëm ajo forcë apo grupim politik që nuk e ka të drejtën me vete, që nuk e ka moralin e kauzës me vete, që nuk e ka popullin me vete e gjen zgjidhjen tek dhuna.
Fuqia e shumicës reale popullore, forca e moralit dhe energjia e të drejtës së saj nuk mbështeten tek dhuna, por tek drejtësia e kauzës që opozita ka përqafuar. Skenat në Parlament, tregojnë se opozita jonë mund të pretendojë gjithçka, por faktet tregojnë se popullin nuk e ka me vete, sepse e para jemi në vitin 2023. E dyta, nëse do kishte popullin, nuk do të frymëzonte dhunën dhe nuk do të qëndronte në anën e saj.
Që ky vend ka nevojë për shumë ndryshim, këtë edhe më militanti më i thekur i Ramës apo i PS e kupton. Që shumë gjëra nuk funksionojnë, edhe kjo nuk do shumë për ta kuptuar. S’ka dyshim, se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar aq shumë, sa duket sikur s’kanë ekzistuar kurrë siç i mbajmë mend.
Por, jemi në fundin e vitit 2023. Shqipëria ecën mes halleve. Nga njëra anë po bën çmos të ketë një rritje të ekonomisë dhe nga ana tjetër shpreson tek Integrimi në Bashkimin Evropian.
Por hall mbi hall është edhe politika, e sidomos atë që mundohet të bëjë opozita me lepurushët e saj, kundër babagjyshëve të PS. Këtyre të fundit, u shkon për shtat kjo që po ndodh, sepse e konsiderojnë si një strategji, ndërsa në daljet publike gat isa nuk u “qan” zemra për shqiptarët.
…Dhe mes sherri në pak minuta votuan Buxhetin, si “dhuratë” për vitin që vjen.