NDUE DEDAJ
Të synosh t’i bashkohesh Europës, pikë së pari do të thotë të mendosh e sillesh si europian; ta vësh veten gjithnjë para pyetjes sesi do të sillej një i tillë me zgjedhjet, koalicionet, pushtetin, opozitën, dorëheqjet, demokracinë si sistem vlerash etj. Nëse nuk do ta bënim këtë do të ishte e kotë të shpresonim për një integrim real dhe të shpejtë. Kushti themelor dihet që është marrëveshja mes subjekteve politike, ajo që institucionet europiane e quajnë dialog. Mund të mbajmë leksione gjithë ditën për rëndësinë e tij, po kur vjen puna për t’u ulur në tavolinë, ngurrojmë me vite dhe e quajmë sukses kur dy liderët kryesorë i japin njëri-tjetrit dorën njëherë në dhjetë vjet, në raste gjëmash, apo në ndonjë ceremoni të trupit diplomatik. Ky sigurisht që nuk është europeizëm, por autokratizëm, provincializëm etj. Si për ta qartësuar këtë kundërvënie mes dy botëkuptimesh të ndryshme, historiani i njohur Liman Varoshi, rektor i Universitetit të Elbasanit, i ka kushtuar një monografi europeizmit si mënyrë të menduari dhe lëvizje politike. Sa dimë është hera e parë që një temë e tillë rroket gjerësisht dhe thellë nga një autor shqiptar, çka e bën dyfish të mirëpritur këtë botim, me shpresën se tashmë librat e kësaj natyre do të ndikojnë edhe në kultivimin e një tjetër sjelljeje politike te ne. Ky studiues i përkushtuar, që vjen nga bota akademike, i ka bërë një skaner zhvillimit politik, ekonomik dhe demokratik të Europës e Amerikës, qysh nga Lufta e Dytë Botërore, duke u ndalur në idetë, nismat, lëvizjet dhe projektet e realizuara përgjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë.
Demokracitë perëndimore ndërmarrin një proces të gjatë e kompleks modernizimi, që kulmon me institucionalizimin e Bashkimit Europian. Shtetarët e lartë dhe elitat vendosin t’i japin një tjetër fytyrë Europës nga ajo e gjenerimit të luftërave dhe konflikteve. Vetë autori shtron pyetjen se si ndodhi kjo magji, që Europa, kontinenti ku merrnin formë politike dhe diplomatike të gjitha përplasjet në botë, nga burim luftërash që përfshinin gjithë njerëzimin, u kthye në kontinentin e paqes dhe të vëllazërimit, duke u bërë ëndërr e shumë popujve e kombeve, përfshirë dhe asosh që gjenden jashtë saj gjeografikisht e politikisht? Dhe po vetë argumenton se “bashkimi i popujve të Europës nuk erdhi prej revolucioneve, por prej krijimit të një vetëdije politike, që ka në themelin e vet një vlerë morale sunduese: empatinë, të shohësh veten te tjetri, dëbimin e urrejtjes, tejkalimin e kompleksit të armiqësisë” etj. Arkitektë të këtij ndryshimi historik epokal, Bashkimit Europian, si Shuman, Monet, De Gasperi, Adenaueri e të tjerë ishin idealistë të mëdhenj dhe vizionarë të guximshëm në konfigurimin e një Europe të re, e cila nuk kërkonte më strategë ushtarakë të pandalshëm “napoleonianë”, por mendimtarë sfidantë të rrafshit politik, diplomatik, ekonomik etj. Francezët, gjermanët, italianët e të tjerë do të spikasnin në reformimin politik dhe ekonomik të kontinentit të vjetër me mendësi të reja. Kurse vende si Shqipëria, me gjithë ndryshimet demokratike të ndodhura pas ‘90-s, nuk po mund ta kapërcenin problemin e pranimit të mendimit politik ndryshe, pra të mirëkuptimit në planin e brendshëm, si një kusht për të shkuar pastaj përpara në marrëdhëniet reformatore me të tjerët. Europianët këtë zgjidhën pikë së pari, bënë demokracinë e brendshme si fillim dhe pastaj e shtrinë atë në raportet e bashkëpunimit me shtetet e tjera. Pa këtë qasje nuk do të mund të arrihej në traktatet ekonomike mes shteteve europiane, apo projektet e garancive politike dhe morale të përbashkëta, si “Karta e Helsinikit” dhe “Karta e Parisit për një Europë të re”, për të shkuar më pas te traktatet e mirëfillta të karakterit politik, si ai i Mahstritit dhe Lisbonës, që konfiguruan përfundimisht Europën e sotme politike, shkruan autori. Ai merret me strategjitë dhe faktorët që kushtëzuan rritjen e ekonomive kapitaliste perëndimore, ku “studiues të shumtë lindjen, ekzistencën dhe veprimin e këtyre faktorëve, ndër të tjera, e shohin edhe si produkt të drejtpërdrejtë të mendimit intelektual të kohës.” Të tillë faktorë ishin gjallërimi i dukshëm që mori tregu ndërkombëtar si rezultat i mirëfunksionimit të sistemit monetar, revolucioni teknologjik, ndarja ndërkombëtare e punës, shoqëria e konsumit etj. Të gjitha këto çuan në atë që u quajt “mrekullia ekonomike”, që ngërtheu periudhën nga viti 1950 deri më 1973. Kjo është edhe Epoka e Artë në zhvillimet ekonomike europerëndimore, ndërkohë që në pjesën tjetër të Europës, që sundohej nga komunizmi, kriza ekonomike thellohej, duke i çuar vendet e Lindjes në zgrip. Liman Varoshi shkoqit në mënyrë të veçantë rolin e Detantës si përshpejtuese e zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke nënvizuar se këndvështrimi teoriko-shkencor mbi Detantën parakupton zbutjen e marrëdhënieve të ndera, veçanërisht ndërmjet shteteve, dukurinë e “shkrirjes së akujve”, që nuk mungoi të shfaqej në çaste të caktuara të zhvillimit të Luftës së Ftohtë. Detanta luajti një rol pozitiv në arritjen e paqes. Këtij roli i detyrohet edhe vendosja për herë të parë, në këtë periudhë, e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, që ndikoi jo pak në zbutjen e tensioneve në shkallë botërore. Natyrisht që në gjithë këtë proces dalin në pah edhe aktorët e shquar politikë, krerët e shteteve dhe qeverive në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Po ashtu një analizë të posaçme në monografinë e tij autori i bën krizës së dollarit dhe revolucionit multimedial.
E teksa Europa perëndimore hedh hapa të tillë progresi, Shqipëria komuniste varfërohej përherë e më shumë me rrugën e saj të ndjekur, me shtetëzimin e çdo gjëje, kooperativizimin, mbështetjen në forcat e veta, tufëzimin etj., çka ishte në thelb degradimi i ekonomisë së centralizuar dhe i sistemit politik njëpartiak në të gjitha vendet e Europës Lindore. Nga ana tjetër, dihet se shqiptarët kanë pasur një raport kritik me të menduarit. Në monizëm ata nuk mendonin, nuk e kishin këtë të drejtë. Për ta kishte se kush mendonte, Partia e Punës, që vetëquhej si e pagabueshmja. Njerëzit bënin “gabime” ideologjike e politike dhe ajo i korrigjonte, riedukonte, ndëshkonte. Riedukimi ishte një nga tiparet e diktaturës, që tregonte “dorën e ngrohtë” të saj. Ajo madje kishte të drejtën të mendonte për ato që kishin bërë keq dhe paraardhësit, bie fjala, ideologët e rilindjes, krijuesit e shtetit shqiptar, që kishin pasur gabime ideologjike(!) Pasojë e ngushtësisë së mendimit politik dhe e stilit revolucionar të sjelljes me kundërshtarin politik, duke mos e parë atë si partner, por si armik, është edhe mosmarrëveshja e gjatë politike e tranzicionit mes aktorëve të pluralizmit. Ndaj kambana e të gjithë ndërkombëtarëve bie vetëm në një pikë, dialog dhe bashkëpunim për reformat. Dhe ato që na këshilloi zonja Hillari Klinton gjatë vizitës së saj në Tiranë përmblidhen në tri kërkesa thelbësore: bashkëpunimin mes partive politike të liderëve politikë, bërjen e zgjedhjeve të lira dhe të pakontestueshme, si dhe luftën kundër korrupsionit. Këto janë për ne “Thembra e Akilit”, kurthe nga të cilat nuk po mundemi të shkëputemi, për t’u integruar në Bashkimin Europian, duke lënë pas një kujtesë politike të dobët të kësaj periudhe jo pak kritike. Studiuesi Varoshi thotë se pikërisht me këto sfida janë përballur demokracitë perëndimore, derisa i kthyen në vlera të qytetërimit dhe zhvillimit bashkëkohor. Vetëm në demokracitë “periferike” të Europës Lindore hasen ende sherre dhe konflikte politike artificiale, vjedhje e votës së lirë dhe korrupsion në administratën shtetërore. Në këtë kuptim, kjo monografi konceptuale na duket dhe si një manual për politikanët e rinj, se si duhet kultivuar të menduarit politik demokratik, cila është filozofia e bashkëpunimit europian, rënia e mureve ndarëse etj.
Autori Liman Varoshi është tashmë një specialist për çështjet e Ballkanit, Europës, pasi në pak vite ka botuar edhe librat studimorë: “Ballkanet mes tri perandorive” dhe “Lufta e Ftohtë në Europën e Lindjes”, duke e çuar në tre numrin e monografive kushtuar zhvillimeve historike dhe bashkëkohore europiane. Në veprat e tij spikat stili i të shkruarit, i drejtpërdrejtë, analitik, i parënduar me “akademizma”, duke i bërë ato sa shkencore për studentët dhe rrethet akademike, aq dhe të lexueshme nga publiku. Ajo që na duket me interes të veçantë në monografinë e fundit “Europeizmi si histori mendimi” është se historia e demokracive europerëndimore mund të “përkthehet” si një aktualitet në politikën e pjesës tjetër të kontinentit, ku gjendemi dhe ne shqiptarët.