ARBEN MANAJ


Arben ManajKush mendon se Blendi Fevziu nuk është gazetar i arrirë, madje një nga më të mirët profesionalisht në Shqipëri, e ka gabim. Personalisht, profesionalisht në parim, kam respekt për të, pasi gjykoj se ka përvojën e mjaftueshme, kualifikimin dhe e njeh politikën “in and out”.


Blendi ka kulturën e përgjithshme mjaft të admirueshme dhe njohjen e thellë të mënyrës se si funksionon politika shqiptare në veçanti dhe ajo botërore moderne në përgjithësi. Por Blendi ka edhe fatin e mirë ose të keq që punon në një televizion nga më të mëdhenjtë në vend dhe kjo i krijon lehtësira dhe vështirësi jo të vogla, që gjithsesi janë eventualisht përzgjedhje e tij personale.


Emisioni “Opinion” është shndërruar faktikisht në një platformë të madhe të debatit politik dhe jo vetëm në median shqiptare dhe padyshim një meritë të veçantë ka Fevziu.


Në këtë emision, kanë marrë pjesë figurat kryesore të politikës shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe shumë nga personalitetet ndërkombëtare të lidhura me Shqipërinë dhe kombin shqiptar.


Pjesëmarrja mund të shpjegohet sa me aftësinë vetjake bindëse të Fevziut, që realisht e ka, për t’i ndjellë ata drejt programit të tij, aq edhe me nevojën e pjesëmarrësve për të shfaqur pikëpamjet apo mendimet e tyre dhe nevojën për të bërë politikën e tyre në një platformë mediatike si ajo e “Opinionit” dhe televizionit “Klan”.


“Opinion” është shndërruar në njëfarë mënyre në një vitrinë për “Klan”-in dhe “Klan”-i në një trampolinë për “Opinionin”, përmes mundësive financiare për mundësimin e bërjes së shumë emisioneve, intervistave jashtë shtetit apo edhe thithjen e shumë politikanëve, analistëve e kontributorëve në këtë program, përmes rëndësisë që ka “Klan”-i dhe vlerësimit të politikës zyrtare në shumicën e rasteve, por edhe të opozitës me luhatje, ndaj dobisë së këtij televizioni në përçimin e mesazhit të politikanëve te publiku.


Por problemi më i madh që ka Fevziu është opinioni i njerëzve të thjeshtë për “Opinionin” e tij. Dhe dukshëm gjysma proqeveritare e vlerëson dhe e ka idhull, ndërsa gjysma opozitare duket se e urren dhe e stigmatizon më shumë.


Nga pikëpamja moderne e gazetarisë kjo është një sfidë shumë e madhe, provë lakmuesi dhe një handikap i rrezikshëm për staturën e Fevziut.


Arsyet pse kjo ndodh tashmë dihen, edhe pse në emisionet e tij nuk mungon zëri opozitar i çdo periudhe apo edhe pse zëri qeveritar është më i spikatur në çdo periudhë. Kjo mund të shpjegojë deri-diku edhe rëndësinë dhe vlerën e “Klan”-it.


Sa herë shikoj “Opinionin” jam në gjendje të bëj dallimin mes klasit të Fevziut si profesionist kur ai me vetëdije dëshiron të jetë i tillë apo të duket si tillë, ashtu sikur shoh dhe bëj dallimin kur ai bën sikur është profesionist dhe lë qëllimisht emisionin të degjenerojë, jo rrallë në një skenë grash telendarka, ku Fevziu herë me qëllim, herë jashtë vullnetit të tij, i del emisioni jashtë duarsh.


Dhe në të tilla raste, jam i bindur se, nëse një grup profesionistësh të një media të respektuar si BBC-ja apo ndonjë media tjetër ndërkombëtare, do të merrte të analizonte nga pikëpamja profesionale këto raste të “Opinionit”, do ta kishin ngelur në klasë Fevziun si moderator, ashtu siç do t’i kishin vënë notën 10 jo në pak emisione të tjera.


Fati më i madh i gazetarëve është kur punojnë në një medium të njohur dhe të fuqishëm dhe me ndikim, që të lejon demonstrimin e vlerave personale, por edhe të ekspozon përpara dështimit, më shumë sesa në një të atillë në skajin tjetër, ku mundësitë për të shfaqur vlerat, jo gjithmonë janë prezente.


Unë personalisht e kam pasur këtë fat, veçanërisht me BBC në Londër gjatë dy dekadave të fundit dhe tani me TCH, ashtu siç e ka pasur Fevziu te “Klan”-i apo dhe shumë kolegë të tjerë të nderuar në mediat e mëdha shqiptare.


Ne gazetarët kemi një mision të madh dhe të përgjegjshëm ndaj shoqërisë dhe kjo lidhet me respektin ndaj publikut dhe mbi të gjitha respektin ndaj vetvetes.


Çdo njeri në çdo profesion ka të drejtën legjitime të luftojë për ta bërë sa më të lumtur dhe të begatë jetën e vet materialisht, duke marrë edhe 30, 300 apo 30 mijë sterlina në muaj e konvertuar nga leku shqiptar, por edhe intelektualisht, por mbi të gjitha të jetë i respektuar për atë që bën.


Nëse ne mendojmë se publiku nuk është në gjendje të kuptojë se ku rrahim politikisht në ato që bëjmë, e nëse varim apo jo bindjet tona politike te dera e institucionit ku punojmë kur hyjmë brenda, bëjmë një gabim kolosal dhe tregohemi pafalshmërisht naivë.


Padyshim që asnjëri prej nesh, aq më tepër në kushtet e një politizimi të tejskajshëm dhe ndërvartësie financiare dhe lidhjesh të dukshme dhe të padukshme me segmente të caktuara të politikës në tërësi, sidomos për ata që e bëjnë një përzgjedhje të atillë në rastin më të keq, e ka të vështirë për të mos thënë, të pamundur për të qenë tërësisht asnjanës dhe i balancuar, çka do të ishte idealja, përballë ndëshkimit më të madh ndaj gazetarit që është mosbesimi ndaj tij.


Por secili prej nesh ka në dorë të tentojë sa të mundet të identifikohet me publikun në pyetjet që bën dhe në mënyrën sesi e drejton një program apo kur shkuan një analizë, për të qenë pranë së vërtetës dhe vetëm asaj.


Pas 15 vjetësh në treg, Fevziu dhe “Opinion” kanë arritur shumë, dhe për këtë duhet vlerësuar për aq sa duhet vlerësuar pa rënë në prehrin e xhelozisë profesionale, por ka po aq shumë për të arritur në rrugën drejt qendrës.


Kjo mund të jetë edhe e pamundur dhe utopike, por profesionalisht jam i bindur se Fevziu i “reset-ur” e ritheksoj, potencialisht, mund të korrektojë më shumë opinionin shqiptar për “Opinionin” e “Klan”-it dhe opinionin e tij personal dhe profesional. Nëse…