PËLLUMB KARAMETA
Bota jonë e arsimit po përjeton ngjarje që dëshmojnë për gjendjen e mjeruar të sistemit. Do të veçoja këtu historinë me spekulantë, gazetarë, zyrtarë e prokurorë që lidhet me diplomat universitare të dyshimta, propozimet për të ndryshuar sistemin me 10 nota; spekulimet me pajisjet kompjuterike për shkollat; deklarata e të parit të qeverisë për ndarjen e gjuhës shqipe nga letërsia, etj. Po shtoj këtu edhe disa konstatime rreth gjendjes në sistemin universitar. A. Ndreca: “Në fakt nuk kishte nevojë me dalë ky skandal për me dijtë se disa prej universiteteve private shqiptare nuk meritojnë emnin universitet, madje as emnin shkollë.” M. Baze: “Kjo natyrisht nuk na jep të drejtën të ndalim arsimin privat, por duhet ta standardizojmë atë në një masë të tillë që ai të mos kthehet në një biznes të mbështetur mbi vesin dhe inferioritetin e njerëzve të paaftë mendërisht për të marrë një diplomë, por të mbështetet mbi ambicien e një njeriu që do të shkollohet”. H. Cili: “Ka ardhur koha për një monitorim të besueshëm, të drejtë dhe të paanshëm të cilësisë në të gjithë sistemin tonë universitar privat, shtetëror dhe jopublik, duke përdorur parimin “një kut, një masë”. A. Fuga: “Sipas mendimit tim, prej një përvoje prej thuajse tre dekadash në arsim, kam mendimin se çështja kyçe në këtë reformë të brendshme të shkollës sonë është ajo e ndryshimit të vlerësimit me nota të nxënësve dhe studentëve” (këtu e në vijim, theksimet P.K.).
Sigurisht, këto ide lidhen me atë që kërkojmë të ndryshojmë, por do t’i quaja më shumë simptoma të sëmundjes, se sa ilaçe. Pasi nuk mund të quhen “ilaçe” të reformës arsimore përdorimi i autonomisë universitare si “koracë” për të mbuluar mediokritetin, ndryshimi i sistemit të vlerësimit të arritjeve apo një sistem pikëzimi e renditjeje (rangimi) i qartë. Ndërkaq, po kalon, thuajse pa koment, dështimi themelor i të rinjve tanë: përgatitja e tyre për të ardhmen e ndërlikuar dhe të paqartë që i pret. Përgjithësisht, ata hyjnë në jetë të trullosur pas shumë vitesh përvoje në shkolla, ku u theksohet rëndësia tejet e veçantë e saj, por që, në të vërtetë, i lë me njohuritë e përcipta të diplomës (në ndonjë rast dhe të falsifikuar) dhe me ndjenjën e fortë se nuk u përgatitën si duhet për ashpërsinë dhe ndërlikimet e jetës reale. Thënë ndryshe, ndarja e shkollës nga jeta, përbën tiparin më të spikatur të sfidës që do duhet të përballim.
Në këtë kontekst, çfarë dhe si nxënë studentët vijnë të parat. Kam parasysh kurrikulën e fakultetit, që integron një mori elementesh kurrikularë si: korniza kurrikulare (që ngjizet e zhvillohet mbi bazën e një paradigme epistemologjike të caktuar), planet dhe programet e studimit që burojnë prej saj, pedagogjitë që qarkojnë rekomandimet kyç për menaxhimin e nxënies (përshirë këtu mjetet si notat/pikët/shprehjet që çmojnë arritjet), manualet dhe burimet e informimit etj., etj. E nëse pohoj se kurrikula vjen e para, me këtë dua të them se pa reformimin e saj, të gjitha politikat dhe nismat e universiteteve shtetërore dhe private, deri thirrjet dashamirëse nëpër media, do të mbeten “ëndrra të një nate vere”, për shkak se është eklipsuar pikërisht “ylli polar”.
Po e nis argumentin me një ide të studiuesit Harold Moruic: “Kërkimet kanë provuar se qeniet njerëzore mbijetojnë për shkak se truri i tyre superior evoluoi nga përvetësimi i çdo fakti dhe përvoje në një rrjetë dinamike kuptimesh, formësuar mbi bazën e përvojave individuale të mëparshme, duke e bërë trurin ‘një sistem kompleks’ që përshtatet. Për pasojë, dy tru nuk e kuptojnë asnjëherë njëlloj një situatë të dhënë – çka e bën plotësisht qesharak krahasimin e ndikimit të pedagogut me ndikimin e menaxherit në biznes. Kjo të bind se metoda tradicionale e mësimit në sallë nuk mbështetet në praktikën që përdorin natyrshëm njerëzit për të ndërtuar njohuri. Mendja e njeriut është e pajisur më së miri për të mbledhur informacion për botën, duke vepruar në të, më shumë se sa duke lexuar për të, se sa duke dëgjuar leksione për të, ose duke studiuar modele abstrakte të saj. Thuajse kushdo pranon se përvoja është mësuesi më i mirë, por janë të paktë ata që e zbatojnë këtë ide në praktikë. Këtë deshi të shprehë edhe një neuro-biolog i shquar kur foli me gjuhën e Konfucit: “Ma thuaj dhe do ta harroj; ma paraqit dhe do ta mbaj mend; më lër ta bëj dhe do të kuptoj”. Por mund t’i referoheshim edhe Shën Agustinit të shek. IV: “Nxë më shumë, jo nga ata që më mësojnë, por nga ata që bisedojnë me mua”.
Ndërsa kurrikulat e fakulteteve tona (shtetërore & private) i detyrojnë të rinjtë t’i përshtaten, sipas rrethanave, një kallëpi të vjetruar pedagogjik. Dhe nuk është vetëm individi që vuan nga trysnia e këtij kallëpi; është i tërë konceptimi i përmbajtjeve disiplinore, i mënyrës së organizimit të nxënies dhe vlerësimit, që i bëjnë të rinjtë të thyhen dhe të kërrusen për t’iu përputhur përmbajtjeve, me aq sa mund ta bëjnë këtë gjë. Nëse përmbajtjet përbëhen nga të vërtetat që mund të shënohen, atëherë, tekstet topitëse universitare dhe shënimet e diktuara nga pedagogët kanë mbetur (në rastin më të mirë) si e vetmja mënyrë e transmetimit të tyre. Nga ana tjetër, nëse merret si normë mësimi koha 60 minuta, p.sh., atëherë dija copëtohet në ide që u përshtaten këtyre porcioneve kohore dhe mësimdhënia kthehet në një tërësi veprimesh që duhen realizuar brenda kësaj kohe, pa iu përshtatur asaj për të cilën kanë nevojë studentët. Lihen mënjanë llojet e dijes, përvojat dhe projektet që do t’i lejonin studentët të vepronin për të ndërtuar dhe për të zbatuar kompetenca dhe që nuk mund të shpjegohen lehtë, që nuk mund të ndahen në pjesë, ose që nuk demonstrohen menjëherë. Këto janë të papranueshme në universitetet tona, anashkalohen ose përjashtohen. Nuk është vështirë të konstatosh se përmbajtjet disiplinore janë ato që i binden më shumë këtij lloj Lego-mësimi (Lego-produkte plastike të parapërgatitura).
Mirëpo dija dallon nga realiteti: ajo është gjithmonë e diskutueshme dhe e paplotë. P.sh., njerëzit, ende, vijojnë të komentojnë atë që Aristoteli shkroi dikur dhe përpiqen të gjejnë se çfarë nënkuptonte ai me të. Në këtë rast, shënimi i tij, që i mbijetoi kohës, tregon se Aristoteli nuk u përpoq ndonjëherë të shpjegonte plotësisht filozofinë që përpunoi. Ai thoshte gjithmonë: “Le të kuptojmë çfarë ndodh, nëse e supozojmë këtë si të vërtetë.”, ose “Le ta shikojmë për një çast në këtë mënyrë.”. Aristoteli e kuptonte dijen jo si qëllim më vete, por si burim për të bërë gjëra që ia vlejnë si p.sh., të bindeshin njerëzit të mendonin me kokën e tyre. Urtësia e tij ishte fluks ndërhyrjesh dhe provokimesh, sipas personit dhe problemit, sipas situatës dhe rastit; urtësia e tij nuk sugjeronte të Vërtetën.
Sepse, nëse jeni jashtë botës së provave dhe deduksioneve matematike, gjithçka është e përkohshme dhe e rivlerësueshme. Dija është shpikur nga njerëzit për të shpjeguar gjërat e mistershme dhe për të ndihmuar të bëhen gjëra të reja. Dija historike na ndihmon të mos përsëritim gabimet e së shkuarës. Dija gramatikore ekziston për të ndihmuar njerëzit të komunikojnë më mirë – të paktën kjo është teoria. Nëse dija funksionon, shumë mirë. Nëse ajo nuk funksionon, atëherë duhet të kërkojmë diçka më të mirë. Gjej rastin të citoj këtu kërkuesen simpatike neo-zelandeze Xhejn Gilbert: “Dije nuk është ajo që është e vërtetë, por ajo që ndihmon. Dije është ajo që ju përdorni për t’i bërë gjërat të funksionojnë. Ajo lidhet me situatën dhe rastin. Prandaj na duhen njerëz që të jenë të gatshëm dhe të aftë të kritikojnë, të harmonizojnë, të përpunojnë, të sfidojnë dhe të vazhdojnë së punuari me dijet që kanë sukses. Ata duhet ta shohin veten më pak si individë që luten të druajtur në altarin e dijes dhe më shumë si kritikë dhe krijues me besim në veten e tyre. Dhe ata duhet të aftësohen ta bëjnë mirë këtë gjë”.
Për arsye si këto, nuk duhet të reshtim së kërkuari që reforma universitare të synojë zhvendosjen e madhe nga kurrikula, e bazuar në përmbajtje në kurrikulën që bazohet në kompetenca, ndryshe nga memorizimi i dijeve enciklopedike si qëllim, drejt kompetencave që i aftësojnë studentët të trajtojnë plotësisht situatat reale. Në të kundërtën, një arsimi i lartë (shtetëror & privat), i perceptuar sipas të njëjtave linja të vjetruara të transmetimit të thjeshtë të përmbajtjeve disiplinore, le pak shpresë për të përmirësuar të ardhmen e studentëve tanë, pavarësisht dëshirave apo argumenteve që mund të formulohen.