Ilir Yzeiri
Për nevoja të dokumentarit të mbështetur nga “DigitAlb”, për disa nga shqiptarët e mëdhenj të Stambollit, të cilët në mesin e shekullit XIX nisën veprimtarinë për të ringjallur kombin e tyre të shuar thuajse, udhëtova në Stamboll në datat 14, 15 e 16 prill. Ishte hera e parë që shkoja në atë qytet dhe nuk mund ta fsheh se mbresat apo emocionet që përjetoja përziheshin e ngatërroheshin në forma surreale. Më kujtohej në këtë rast një tekst i filozofit francez Régis Debray me titull “Les Invisibles” botuar në “Le monde des réligions” (mars-prill 2005), në të cilin ai e shtjellon argumentin e vet, duke u nisur nga shkrimet e luftës së Antoine de Saint Exyperi-së. “Është verë e vitit 1944, jemi ulur të hamë drekë, rrëfen S. Exyperi në shkrimet e tij të luftës. Në tavolinë janë një komunist, një antikomunist, shefa të rrjeteve të ardhur nga metropolet dhe Saint – Eyyperi, aviator. Ata kujtojnë miqtë e tyre të rezistencës që janë zhdukur, torturuar, arratisur. Emocioni i rrëmben të gjithë dhe menjëherë iu duket sikur Franca vetë është plagosur, nënshtruar, poshtëruar. Dhe na u desh ta lëmë tavolinën njëri pas tjetrit dhe të shkojmë në një cep për të fshirë lotët, aq shumë ishim prekur nga ai emër që ne e ndienim thellë atë ditë, nga ai vend që na përket dhe pjesë e të cilit jemi.” Ky është rrëfimi i Saint Exyperi-së dhe Regis Debray vazhdon: “Kështu, ka gjashtëdhjetë vjet që një figurë ideale, një qenie jo materiale dhe e padukshme si ideja e atdheut, ishte e aftë që të nxiste lotët që vështirë të mbaheshin … Çfarë kishte ndodhur që kjo skenë e zakonshme e mesit të shekullit të shkuar na duket sot surrealiste. Zhdukja e realiteteve të padukshme. Pasuria jonë simbolike duket se ka avulluar dhe ne sot flasim për një krizë histerie ose për njerëz të zaptuar nga harresa, thotë filozofi frëng. Ai vëren gjithashtu se ka një diferencë të ndjeshme mes botës së Perëndimit që nuk jeton me realitetet simbolike të padukshme dhe botës së Lindjes që mitin fetar e ka formë të ekzistencës. Ndërkaq, ne shqiptarët jemi ndoshta rasti i veçantë në Ballkan që nuk kemi një simbolikë të qëndrueshme dhe të gjithëpranuar, sepse regjimet që kanë kaluar në Shqipëri, sidomos pas Pavarësisë, e kanë shkruar mitin historik sipas parapëlqimeve ideologjike dhe sot historia jonë ose bota e padukshme ose nuk njihet mirë ose njihet keq ose në të dyja rastet nuk pranohet, për shkak se shqiptarët e sotëm nuk kanë më institucione të qëndrueshme që të rrëfejnë botën e padukshme që ushqen dhe formon simbolikën e të menduarit tonë kolektiv. Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë.
Një titull nga Fishta
Titulli i këtij shkrimi është ai i një reportazhi të Fishtës që e shkroi për udhëtimin që bëri në Stamboll në fillim të shekullit që shkoi. Në fakt, memoria jonë historike është aq shumë e ngarkuar me emrin e këtij metropoli saqë nuk ka shqiptar që të mos e ketë kaluar në mendje këtë emër një herë të vetme në jetën e tij. Nga ai vend është projektuar dhe ka rrjedhur fati ynë historik. Të gjithë do të kishin dashur të dinin se ku është rritur Gjergji që u shndërrua në Skënderbe, të gjithë do të donin të dinin se ku janë sot pasardhësit e Qyprillinjve të famshëm, por edhe shumë histori apo botë të tjera të padukshme. Por e ka të vështirë, sepse në Stamboll, cilido që shkon atje duhet ta dijë se në qoftë se kërkon identitetin e historisë shqiptare e ka të pamundur ta gjejë, sepse për mentalitetin e sotëm turk, qoftë ai zyrtar, qoftë edhe popullor, ne jemi vëllezër të tyre për sa kohë kujtohemi si pjesë e Perandorisë, si popull i saj. Sapo ne kërkojmë të gjejmë në Stamboll shenjat e identitetit tonë kombëtar, këtu gjithçka ndryshon. Në Stamboll, fjala vjen, nuk mund të flasësh për Skënderbeun, sepse ai nuk është vëllai i turqve. Mirëpo në Stamboll nuk ka asnjë shenjë edhe për vëllezërit Frashëri. Në Stamboll nuk dihet se ku është varri i dijetarit më të madh të shekullit XIX në Perandorinë Osmane, i Hoxhë Tahsinit. Në Stamboll, historia jonë nuk është e përputhshme me historinë otomane. Megjithëse marrëdhëniet tona me këtë shtet janë shumë të mira, ne kemi pranuar në heshtje që ta zhbëjmë simbolikën kombëtare dhe t’i nënshtrohemi vullnetit neotoman që nuk na llogarit si vëllezër të ndryshëm me një histori të ndryshme, por si vëllezër pa histori, por me një besim të njëjtë.
Universiteti dhe medreseja e Tahsinit
Nëse ka një godinë apo një vend që për kulturën shqiptare është vendi më i shenjtë, ajo është medreseja, ku ka shërbyer Hoxhë Tahsini që gjendet në rrugën “Xhallallogllu”, nën ambasadën iraniane, karshi Valillëkut. Ajo është një godinë e thjeshtë dykatëshe e stilit të vjetër me dritare që bien nga rruga. Në atë godinë u vendos Hoxhë Tahsini, pasi e larguan me dhunë nga drejtimi i Universitetit të Stambollit. Mirëpo ajo godinë mori një vlerë të jashtëzakonshme më pas. Siç dihet aty nga mesi i shekullit të kaluar, përkatësisht rreth vitit 1867, Kryeministri i moderuar otoman, Ali Pasha, dekretoi lejen për hartimin e alfabetit të shqipes pas kërkesës që kishin bërë disa dijetarë e patriotë shqiptarë. Siç kujton Jani Vretoja, mbledhjet e para u bënë në shtëpinë e një patrioti me emrin Rexhep Leskoviku dhe në to mori pjesë edhe Kryeministri reformator turk, Ali Pasha. Por menjëherë nisi reaksioni kundër tij dhe kjo iniciativë u ndërpre. I mbeti barra thotë Jani Vretoja, që këtë punë ta vazhdonte Hoxha Tahsini. Dhe kështu, ne medresenë e tij, në një nga dhomat e saj mblidheshin Ismail Qemali, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Konstantin Kristoforidhi, Jani Vretoja e të tjerë dhe diskutonin për natyrën dhe karakterin e alfabetit të shqipes, diskutonin që t’i jepnin gojë një kombi të zhytur në errësirë e padije. Akademia franceze, siç e dimë të gjithë, u ngrit për të ruajtur, mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën frënge. Edhe historia e akademisë shqiptare nis në atë medrese të thjeshtë, në atë godinë, sepse aty kanë diskutuar me njëri-tjetrin dhe kanë rrahur mendimet për alfabetin dhe fillimin e shkrimit të shqipes, shqiptarët më të ditur të të gjitha kohërave. Këtë e them pa asnjë emfazë. Hoxha Tahsini është një nga dijetarët më të mëdhenj të Perandorisë Otomane, njohës i 13 gjuhëve të huaja të gjalla e të vdekura, veprat e tij që po botohen ngadalë, por me shumë dinjitet nga stërmbesa e tij Manushaqe Halili, dhe tërësisht me shpenzimet e saj, e dëshmojnë këtë. Pashko Vasa po ashtu dhe babai i gjuhësisë shqiptare Kristoforidhi, si dhe Sami Frashëri. Ne nuk i kemi zërat e këtyre shqiptarëve të mëdhenj, por kemi të riprodhuara diskutimet e tyre në një ditar të Jani Vretos, kemi gjithashtu edhe godinën në Stamboll.
Epilog i trishtuar
Qoftë në universitetin ku ka qenë rektor Hoxha Tahsini, qoftë në medresenë ku ka shërbyer e jetuar ai, nuk ka asnjë shenjë të këtij gjeniu. Ish-universiteti, një godinë e bukur në qendër të Stambollit e projektuar nga një arkitekt italian, tani është Shtëpia e Shtypit dhe nëpunësit e saj jo vetëm që nuk e njohin Tahsinin, por as nuk e dinë që aty ka qenë godina e universitetit të parë laik të Stambollit; asnjë gjurmë, asnjë shenjë, vetëm relikte makinerish të vjetra shtypshkrimi, koleksione gazetash dhe heshtje. Medreseja, që për ne shqiptarët ka vlerën e Akademisë, derisa para pak kohësh kishte shërbyer si librari e lagjes dhe tani bashkia do ta kthente në një godinë leksionesh për një universitet privat. Projekti ishte dinjitoz, por ai fshinte përfundimisht të gjitha gjurmët e historisë sonë. Ne qëlluam aty kur erdhën arkitektët dhe ministri i Kulturës i Stambollit, të cilët e vlerësonin projektin e tyre, por nuk kishin asnjë ide se ç’përfaqësonte ajo godinë për historinë tonë. Jo vetëm kaq, por këtë po e dëgjonin për herë të parë. Aty pastaj trishtimi dhe pesimizmi na përfshiu të gjithëve. Ne jemi një vend që nuk kemi ministri Kulture, që nuk kemi ministri të Jashtme, që nuk kemi asgjë. Si ka mundësi që nuk bisedohet me administratën e Stambollit për të ruajtur disa nga artefaktet e kulturës sonë, si nuk bisedohet që në to të paktën të vendoset një shenjë e kulturës sonë. Çfarë do t’i kushtonte shtetit turk që atë godinë të thjeshtë ta linte si një muze të historisë sonë. Ndoshta asgjë, ndoshta dhe nuk mund të realizohet. Por fatkeqësia është se asnjë institucion shqiptar nuk u ka thënë turqve se çfarë përfaqëson ajo godinë për ne. Kjo është tragjedia. M’u kujtuan përpjekjet që bëjnë grekët për një varr të ushtarëve të tyre në vendin tonë apo turqit për një emblemë në Kalanë e Lezhës dhe m’u duk vetja si një gjë krejtësisht pa vlerë, sepse vendi im nuk ka institucione. Dhe kur sheh se Kryeministri ynë e ka mendjen të ngrejë kulla nëpër stadiume dhe të shkatërrojë gjeografinë e këtij vendi, bindem se historia jonë me këtë Ministri Kulture që kemi apo me këtë Ministri të Jashtme do të mbulohet edhe me një gur tjetër varri. Shqiptarët është mirë të mësojnë se elitat tona politike si ato që bëjnë thirrje për të marrë armët si këto që e kanë mendjen vetëm të ngrenë kulla biznesi, nuk kanë frikë ngaqë janë të gjitha idiote dhe injorante, ngaqë nuk njohin shqiptarët e mëdhenj të historisë. Shqiptarët e sotëm i pranojnë këta banditë në qeverisje dhe në opozitë ngaqë po e varrosin historinë e tyre me dy palë varre dhe kështu nuk kanë se çfarë modeli të ndjekin apo t’ua përplasin në fytyrë këtyre elitave që po e zhbëjnë edhe historinë e këtij vendi me heshtjen, injorancën dhe me babëzinë që u ka errur sytë.